Home | Politics | Për Kryeministrin shqiptar, procesi i integrimit në BE është i "pandalshëm"

Për Kryeministrin shqiptar, procesi i integrimit në BE është i "pandalshëm"

image
Shqipëria është një komb i vjetër. Ajo ka një të ardhme tërësisht europiane. ADN-ja e saj është një nga më të vjetrat e kontinentit. Europa duhet ndërtuar në çdo cep të vendit, në të gjitha fushat.

 

 

 


Përkthyer nga Urim Nerguti

 

 

 


President i parë i Shqipërisë pas-komuniste (1992-1997), Sali Berisha është kryeministër që prej qershorit 2009. 66 vjeç, ai ka jetuar aq shumë jetë politike saqë nuk duhet çuar ndërmend ndonjëfarë dobësie nga ana e tij për ca zgjedhje të thjeshta bashkiake. Në prag të votimit, të organizuar më 8 maj, kryeministri ka pritur Le Monde dhe Agjencinë Francë Press (AFP) për të rikujtuar, me një ton të përzemërt dhe në një frëngjishte që të vret veshin, gjendjen politike në vendin e vet, veçanërisht të tendosur që prej dramës së 21 janarit. Atë ditë, një manifestim i opozitës, nën thirrjen e Partisë socialiste, ka degjeneruar përpara selisë së qeverisë. Garda republikane ka hapur zjarr. Kanë vdekur katër vetë.
Kandidate për të hyrë në Bashkimin europian, Shqipëria gjendet nën vështrimin e vëmendshëm të 400 vëzhguesve të huaj, me rastin e këtyre zgjedhjeve lokale. Në emër të Partisë demokratike, Sali Berisha ka përcjellë një fushatë zgjedhore më pak të egër se zakonisht, duke ngulmuar mbi problemet e jetës së përditshme. "Bëhet fjalë për zgjedhje lokale. Nëse fitojmë, është shumë mirë, thotë ai. Por e kundërta nuk është një fatalitet." Kundërshtari i tij, kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, është orvatur përkundrazi ta shndërrojë votimin në një referendum kundër regjimit.


Çfarë mësimesh nxirrni ju nga drama e 21 janarit ?


21 janari ka qenë një ngjarje mjaft fatkeqe por tekefundit, qe një arritje për shtetin e së drejtës dhe demokracinë. Një orvatje për përmbysje të qeverisë, e udhëhequr nga rrugaçë të paguar nga opozita, ka dështuar. Për pesë orë me radhë, ka pasur një sulm ndaj ndërtesës së kryeministrisë. Janë ndërmarrë hetime kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithçka rrjedh sipas rendit kushtetues të vendit dhe ligjeve të tij.


Por ju nuk keni dashur të bashkëpunoni me hetimin gjyqësor, të bërë nga prokurorja e përgjithshme, Zj. Ina Rama…


Zj. Rama është penguar të ndjekë atë në çka ishte futur duke dhunuar ligjet e vendit. Ajo ka lëshuar fletë-arresti kundër tërë hierarkisë të gardës kombëtare, në tërësi, madje përpara fillimit të hetimeve. E mendoni pak arrestimin, në mëngjesin e 22 janarit, të tërë hierarkisë, që nga kryekomandanti e deri tek oficerët e bazës ? Kjo do të ishte një prerje koke. Kur kanë ardhur përfaqësuesit ndërkombëtarë, e kanë anuluar këtë. Është zbatuar vetëm një fletë-arresti. Ekziston një ligj në kodin e procedurës penale që thotë se një fletë-arresti e tillë s’mund të zbatohet në rrethana të tilla nëse ekziston [për personin në fjalë] një detyrë për t’u kryer. Dhe kështu ishte.


Nuk ju kemi dëgjuar aq shumë t’i qani të vdekurit e 21 janarit…


S’është e vërtetë. Që në konferencën  e parë të shtypit, iu kam thënë bashkëqytetarëve të mi të dashur se këshilli i ministrave është sulmuar, ndërkohë që kryeministri dhe i tërë ekipi i tij gjendeshin nëpër zyra. Kanë humbur jetën tre vetë, një tjetër ka vdekur më pas. Iu kam shprehur familjeve tërë keqardhjen time dhe i kam kërkuar prokurores së përgjithshme që të hidhte dritë mbi të gjitha rrethanat. Disa kanë menduar se ishte dhënë urdhër për të qëlluar. Kjo është krejt e marrë. Në një vend të lirë, garda kombëtare nuk vepron me urdhëra, por sipas ligjit. Dhe ky ligj thotë : kur dikush sulmon ndërtesën e qeverisë, ju duhet të qëlloni në ajër. Nëse rreziku vazhdon, ju duhet të asgjësoni.


Opozita socialiste ngrihet kundër shtypjes…


Çdo vend ka probleme. Udhëheqësi i opozitës [kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama] e do pushtetin me çdo kusht. Kjo s’është e mundur në një vend të lirë, anëtar i NATO-s. Duhet kaluar nëpërmjet zgjedhjeve. Të dielën, ne kemi zgjedhjet bashkiake. Më 2013, do të ketë zgjedhje të tjera. Është tejet e rëndësishme që gjërat të mbeten në kornizën e Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës. Kjo opozitë ka protestuar tashmë 1 731 herë. Dhe ska pësuar as frikësimin më të vogël. Qëndrimi im ka qenë gjithmonë që të respektohen të drejtat e tyre deri më një. Por një sulm kundër qeverisë nga njerëz të paguar… Të gjithë manifestuesit e kishin braktisur tashmë zonën. Mbeteshin vetëm rrugaçët e paguar. Por s’mund të përmbyset kështu Berisha !


Kjo fushatë është shoqëruar me incidente, makina të djegura, frikësime…


Mjerisht, incidente ndodhin gjithandej, mund t’ju përmend këtu mjaft vende të tjera europiane ku ka pasur njerëz që kanë humbur jetën gjatë zgjedhjeve. Dhuna është për t’u dënuar. Por këto zgjedhje bashkiake kanë njohur më pak incidente se ato të mëparshmet. Nuk ka pasur jetë të humbura.


Edi Rama ju sheh si një "dinosaur" të Regjimit të Vjetër…


Unë i jam kundërvënë regjimit komunist ! Kam qenë një kërkues, kam botuar studime të cilësuara si origjinale në tërë shtypin botëror të specializuar. Isha pothuaj mbret në profesionin tim të kardiologut. Pastaj kam vendosur t’i kundërvihem diktaturës, pa asnjë arsye tjetër përveç dinjitetit tim njerëzor, i cili nuk ekziston në një diktaturë. Unë nuk vij nga nomenklatura, së cilës i përket Z. Rama. Por unë nuk e shoh atë si një fajtor, të tillë si i biri i babait [ish-skulptor në regjimin komunist], që në kohën e vet ka qenë një persekutor i vërtetë intelektualësh. Jam krenar për atë ç’kam bërë kundër komunizmit.


A keni ju presione europiane për ta zbutur tonin e fushatës ?


Asnjë presion. Rregulli im i artë në një fushatë është që të bëj 20% negativ dhe 80% pozitiv. Kësaj here, e kam ulur negativitetin në 5%, për arsye elektorale. Në zgjedhjet bashkiake, ka mundësi që të mos përcillte mesazhi i duhur nëse flitet vetëm për politikë. Njerëzit do ta kishin harruar se çfarë ishte e rëndësishme për ta. Iu kam folur pra për rrugë, shkolla.


Pakënaqësia shoqërore duket sidoqoftë në rritje të fortë…


Ka njerëz që ndihen mirë me zhvillimin, të tjerë që janë të pakënaqur. Por kërkimet tregojnë se shumica e Shqiptarëve e gjykojnë të drejtë kahun e ecjes së vendit. Ndërmjet 2006 dhe 2010, paga minimale dhe ajo mesatare janë dyfishuar. Sipas Bankës botërore, varfëria ka rënë me një të tretën, duke kaluar nga 18% në 12%. Por është e vërtetë se mjaft njerëz vuajnë, se papunësia është 12%.


A nuk keni frikë se kjo dramë mund të bëhet një pengesë në ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit europian ?


Shqipëria është një komb i vjetër. Ajo ka një të ardhme tërësisht europiane. ADN-ja e saj është një nga më të vjetrat e kontinentit. Europa duhet ndërtuar në çdo cep të vendit, në të gjitha fushat. Ky është një proces tepër serioz që nevojit reforma shumëpërmasore. Shqipëria ka një trashëgimi të tmerrshme. Para njëzet vjetësh, kur kemi hyrë në këtë udhë, paga mesatare ishte 5 dollarë në muaj. Vendi ishte në një skamje të pabesueshme, në nën-zhvillim të tmerrshëm. Më 2005 [kur Z. Berisha është bërë kryeministër], ky vend kishte vetëm 2 400 km rrugë të asfaltuar. Për 5 vjet, kemi bërë më shumë se 8 000. Mbeten për t’u bërë ende dhe 5 000. Përqindja e futjes së internetit – 4.8% – ishte një nga më të ulta në botë. Sot është rreth 50%.


Nuk i jeni përgjigjur pyetjes mbi vënien në vështirësi të procesit tuaj të integrimit në Bashkimin europian…


Ky proces është i pandalshëm, por duhet të jetë i bazuar tërësisht mbi meritën, arritjen, dhe jo mbi një klimë. Mirëpo klima nuk është tejet e nxehtë për një zgjerim, edhe pse nuk ka bllokim. 86% e Shqiptarëve janë për integrimin. Unë i quaj ata mjaft të mençur. Për një komb të vogël si i imi, Bashkimi europian është pothuaj një parajsë tokësore. Çdo hap që bëjmë i përmirëson liritë, kushtet e jetesës, të ardhurat. Përfytyroni : para njëzet vjetësh, në Shqipëri kishte 600 000 bunkerë. Kurse sot ka 600 000 vila !


Ç’keni menduar ju për raportin e Zvicerianit Dick Marty, për llogari të Këshillit të Europës, në lidhje me kampet e robërve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Shqipëri gjatë luftës së 1999-ës, dhe për nënkuptimet e tij për trafik organesh ?


Raporti Marty është një racizëm i pastër. Vetë prokurori i përgjithshëm i Serbisë ka deklaruar se raporti i tij, i papërfunduar, ka qenë përfshirë në atë të Martyt. Marty nuk është racist. Problemi është jehona e shkaktuar nëpër media, e frymëzuar nga një racizëm antishqiptar. Ai ka rimarrë thjesht atë çka Carla del Ponte [ish-prokurore e Gjykatës penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë] e ka shkruar në librin e saj. Edhe vetë Millosheviçi, në mijëra faqet e gjyqit të tij, nuk ka bërë akuza të tilla.


A jeni ju i gatshëm të bashkëpunoni me misionin civil europian Eulex, të ngarkuar me hetime në Kosovë pas raportit Marty ?


Iu kam thënë : ejani sa më shpejt e mundur ! Ku të dëshirojë Eulexi ! Më kanë kërkuar të shohin gjashtë vendndodhje [ku mund të ketë varre të përbashkëta] Iu kam thënë : "edhe gjashtëdhjetë, po të dëshironi". Por të krijosh një raport të tillë për të diabolizuar Shqiptarët dhe lehtësuar ata që kanë kryer genocide dhe mizoritë më të këqija që Ballkani të ketë njohur ndonjëherë, kjo është një gjë krejt tjetër. Raporti Marty është një akt unik në histori. A mund ta përfytyroni ju që Bernard Kouchner [ish-përfaqësues i lartë i Kombeve të bashkuara në Kosovë ndërmjet 1999 dhe 2001], i cili ua ka kushtuar jetën e vet të drejtave të Njeriut, të ketë mundur të pranojë të fshehë krime të tilla ?


A ndiheni ju pjesërisht përgjegjës për bipolarizimin mjaft të ashpër të politikës shqiptare : socialistët kundër demokratëve, fshatrat kundër qyteteve ?


Kjo është një prirje në të gjitha demokracitë e botës. Franca, SHBA-ës, Britania e Madhe janë bipolare. Të gjithë janë të tillë. Por këtu, mediat, administratat dhe biznesmenët janë të shtrënguar të zgjedhin kampin e tyre… Nëse midis 130 000 biznesmenëve, disa janë më miqësorë ndaj një force dhe jo ndaj një tjetre… Mund t’ju jap një listë biznesmenësh në Francë që kanë të njëjtin qëndrim. Në media, është e vërtetë se shtypi është më tepër i majtë se i djathtë. Shumica e mediave anojnë nga opozita. Kjo është shumë mirë, nuk e kritikoj këtë.


Z. Rama kandidon për një mandat të katërt si kryebashkiak i Tiranës ; ju jeni në rangun e parë politik, si president dhe pastaj si kryeministër, që prej 20 vjetësh. A nuk ilustroni, ju të dy, problemin e ripërtëritjes së klasës politike shqiptare ?

Kam kaluar tetë vjet në opozitë [1997-2005]. Iu përket zgjedhësve, dhe jo gazetarëve, që të vendosin për ripërtëritjen. Unë do t’i lë funksionet e mia ditën kur Shqiptarët do të më thonë jo.


Kjo do të thotë se ju do të paraqiteni deri në fund ?


[të qeshura] Pa asnjë dyshim ! Çdo herë, është një fillim i ri.

 


Bisedoi : Piotr Smolar

Le Monde, 8 Maj 2011

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00