SHBA dhe BE: Durim për rezultatet!
Ne besojmë se më 8 Maj, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre. Ky zë tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian u bëjnë thirrje palëve të presin certifikimin e zgjedhjeve, ndërsa deklarojnë se janë njohur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Uollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadori Ettore Sequi, deklaruan sot së bashku se që të gjitha palët duhet të veprojnë të matur pas këtij vendimi. “U njohëm me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore.
Është thelbësore që të gjitha palët të veprojnë, pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak. Po aq e rëndësishme është që të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar. Ne besojmë se më 8 Maj, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre. Ky zë tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike.
Ne do të ndjekim nga afër përmbylljen e procesit zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare, si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR, duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura në deklaratat tona të mëparshme”, thuhet në deklaratë.
Comments (0 posted)
Post your comment