Ngjela: Presidenti të thërrasë Komisionin e Venecias
“Presidenti i Republikës duhet të ndërhyjë për të kërkuar asistencën e Komisionit të Venecias si garanci për të dyja palët."
Opozita nxjerr në skenë “skenarin presidencial” si mënyrë për të legjitimuar ndihmën e Komisionit të Venecias në zgjidhjen e çështjes elektorale të Tiranës. Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, aleat i ngushtë i socialistëve, deklaroi dje në një prononcim televiziv, se taktikat e zvarritjes që mund të vihen në zbatim për të ulur tempin politik të problemit duhet të marrin drejtim me anë të ndërhyrjes së Presidentit të Republikës. “Presidenti i Republikës duhet të ndërhyjë për të kërkuar asistencën e Komisionit të Venecias si garanci për të dyja palët.
Ndërkohë beteja e PS-së duhet të vazhdojë në Kolegjin Zgjedhor, ku duhet të kundërshtohet tabela e miratuar prej KQZ-së. Kërkesa shumë mirë mund të ndërtohet duke kërkuar që tabela e rezultateve të nxirret me të dhënat e përcjella nga grupet e numërimit të votave”, u shpreh ai për “Vizion Plus”. Përveç opsionit juridik që përfaqëson thirrja në skenë e Komisionit të Venecias, apeli i Ngjelës për kreun e shtetit Bamir Topi është një qasje cilësisht e re politike në këtë moment. Një lëvizje e këtij të fundit në këtë drejtim me gjasë do të jepte një dritare për legjitimitetin e kërkesës shqiptare për Venecian, por pa dyshim që do të sillte reagime të forta në kampin e djathtë.
Po kështu apeli i Ngjelës ka një nëntekst të qartë, që ka të bëjë me zbardhjen e votës së Topit, i cili ishte ndër ata votues që hodhi fletën e votimit gabim dhe që mandej u përfshi në procedurën e rivlerësimit e madje u bë publike edhe adresimi i zgjedhjes së tij për Edi Ramën. Për këto arsye, pozicioni i Presidentit të Republikës është shumë delikat në këtë moment, qoftë edhe për shkak të faktit se edhe juristët janë të ndarë sa i përket rolit të Venecias, duke paralajmëruar betejë politike në çdo rast. Kështu, vetëm disa ditë më parë, këshilltari i Kryeministrit dhe një nga autorët e Kodit Zgjedhor, Oerd Bylykbashi, deklaronte se rruga ankimore ndaj vendimit të Kolegjit është Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, një destinacion shumë i largët për t’u pranuar si realist.
Mandej edhe ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, u shpreh në një prononcim të vetin, se ndërhyrja e Venecias nuk do të zgjidhte gjë. “Nuk ka asnjë lloj ekspertize ndërkombëtare që mund të hedhë poshtë vendimin e Kolegjit Zgjedhor”, u shpreh ai në një prononcim televiziv. Konkretisht Kume ka nënvizuar rolin këshillimor të Komisionit të Venecias, i cili gjithsesi nuk mund të mbivendoset mbi atributet vendimmarrëse të organeve shqiptare, aktet e të cilave janë të detyrueshme për t’u njohur. Në këtë pikë, vlerësimi i ardhur nga selia rozë dhe vetë kreu i saj, Edi Rama, për një kërkesë ndaj Venecias, për të marrë kuptim minimalisht do të kërkonte konsensus politik, ose do të duhej që një nga institucionet kushtetuese të hidhte një hap në këtë drejtim.
Comments (0 posted)
Post your comment