* * *
Është dialogu politik dhe vullneti politik që do të bëjë të mundur ecjen e vendit përpara në integrimin Europian.
Kryetari i delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian, Eduard Kukan ka komentuar zhvillimet politike në Shqipëri, në kohën që po mbahet Komiteti i Stabilizim Asocimit Shqipëri-BE.
Ai deklaroi: “Mendoj se procesi zgjedhor në Shqipëri nuk ka përfunduar ende. Në këtë drejtim mendoj se numërimi i votave është i rëndësishëm, dhe pas këtij momenti, situata politike në Shqipëri duhet të qetësohet. Por nga ana tjetër, duhet të respektohet vendimi i institucionit që është kompetent për të gjykuar çështjen e zgjedhjeve dhe apeli është se të gjithë duhet ta bëjnë këtë gjë. Unë shpresoj që kjo të ndodhë pasi edhe në deklaratat e tij, zoti Rama është shprehur se do të ndjekë betejën ligjore dhe nëse ai bën këtë gjë, mendoj se është gjithcka në rrugën e duhur. Prandaj dua të them se ankesa para institucioneve përkatëse është shumë e drejtë, por kur ai thotë këtë, ai duhet gjithashtu të pranojë vendimet e këtyre institucioneve ligjore. Është dialogu politik dhe vullneti politik që do të bëjë të mundur ecjen e vendit përpara në integrimin Europian. Ne gjithmonë themi, që këtë mungesë dialogu e vuajnë qytetarët e Shqipërisë, ndaj politikanët shqiptarë duhet të venë interesin e qytetarëve si kryeprioritet. Deri tani, nuk ka progres për dialogun politik, pasi qëndrimet janë të kundërta", përfundoi Kukan.
Comments (0 posted)
Post your comment