Ohër: 10 vjet më pas
Ligjet më të rëndësishme kanë kaluar duke përdorur "rregullin Badinter" që u garanton shqiptarëve të drejtën e vetos ndaj çështjeve lidhur me kulturën, fenë, gjuhën dhe arsimin.
Thuajse asnjë në Maqedoni nuk ishte i shqetësuar me marrëdhëniet ndër-etnike dhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, sipas studimit nga Qendra maqedonase për Bashkëpunimin Ndërkombëtar.
Marrëveshja përfundoi konfliktin e 2001 dhe i është veshur që atëherë merita për rritjen e numrit të shqiptarëve të punësuar në institucionet shtetërore dhe në ndjekjen e arsimit të lartë si dhe për shenjat dy-gjuhëshe, në maqedonisht e shqip, në disa vende.
"Gjërat u përmirësuan ndjeshëm por tani standardi i jetesës është një problem. Më shumë vëmendje duhet t'i kushtohet ekonomisë se kjo është ajo që shtetasit janë të shqetësuar më së shumti," thotë Mexhit Dautovski.
Dautovski ka një dyqan floriri në Pazarin e Vjetër të Shkupit, ku kanë bashkëvepruar tradicionalisht shqiptarët, maqedonasit, turqit dhe të tjerë.
"Në 2001, jeta në Pazar vdiq, njerëzit kishin frikë të vinin këtu...Tani Pazari është gjallëruar, janë hapur kafene dhe dyqane," shprehet Borko Gavrilovski, një maqedonas etnik që ka një dyqan gëzofi në Pazar.
Gavrilovski tha se shumë gjëra, të tilla si shenjat dy-gjuhëshe, dukeshin të pamundura dhjetë vjet më parë por "tani ne e shohim këtë si normale dhe të mirë që të jetë kështu."
Sipas marrëveshjes, Maqedonia ndryshoi gjithashtu hyrjen e kushtetutës dhe kaloi ligje për të përmirësuar marrëdhëniet ndër-etnike dhe mirëqënien e komuniteteve etnike të pakicës. Ligjet rregullojnë përdorimin e gjuhëve dhe flamujve të komuniteteve, legalizuan Universitetin e Tetovës dhe amnistuan rebelët shqiptarë.
Ligjet më të rëndësishme kanë kaluar duke përdorur "rregullin Badinter" që u garanton shqiptarëve të drejtën e vetos ndaj çështjeve lidhur me kulturën, fenë, gjuhën dhe arsimin.
Për më tepër, qeveria maqedonase pranoi një riorganizim të ri territorial të komunave që gruponin shqiptarët në disa zona në një shumicë.
"Katër vitet e para ne qemë nën përshtypjen se fryma e një marrëveshje të tillë të garantuar ndërkombëtarisht qe e mirëpritur nga të gjithë. Teksa shkonte koha, elitat politike, pavarësisht maqedonase apo shqiptare, u sollën me shpërfillje ndaj parimeve të dokumentit," thekson botuesi i Koha, Besim Ilijazi.
Ilijazi megjithatë vlerëson arritjet: përqindja e shqiptarëve të përfaqësuar në administratë dhe arsimin e lartë, përdorimin e gjuhës shqipe dhe decentralizimin.
Shumë maqedonas megjithatë, thonë se marrëveshja qe e detyruar ndaj tyre me pasoja serioze për vetë ekzistencën e tyre.
"Ndryshimi i hyrjes së kushtetutës i zbriti maqedonasit në një 'komunitet etnik' në shtetin e tyre, pas së cilës bisedimet e sponsorizuara nga OKB lidhur me dallimet rreth emrit tonë u transformuan në negociata për ta ndryshuar atë," tha gazetarja Mirka Velinovska.
Southeast European Times
Comments (0 posted)
Post your comment