EULEX-i i ballkanizuar
Kam menduar se bota e lirë e EULEX-it po bën çmos të gjunjëzojë krimin - xhelatin e popujve të Ballkanit. Është ky një imazh që EULEX ka provuar të sjellë në Kosovë për të qenë i ndershëm. Ajo që na kumtonte neve në shtëpitë tona, ishte se lufta kundër krimit është një luftë e pastër. Kjo po duket te jetë gënjeshtër me bisht.
Baton Haxhiu
Është e palejueshme të përsëriten të njëjtat gabime edhe pas 20 vitesh pervoje në Ballkan.
Tragjedia e këtyre ditëve ishte paralajmëruar që prej muajsh. Kështu, një qëndrim i EULEX-it po shihet që jo vetëm nuk mund t’u përgjigjet qëllimeve për të cilat është këtu, por madje po kthehet në drejtim të kundërt.
Nuk kam qenë kurrë nga ata që tundin në erë flamurin e dyshimit. E kam zakon, besoj, që t’i peshoj mirë faktet pro dhe kundër, saherë që shkruaj për misionet ndërkombëtare në përgjithësi e ato evropiane në veçanti që veprojnë për Ballkanin dhe krizën Kosovë- Serbi. Por, sikur gjithmonë po zihem i befasuar. Kështu po më ndodh edhe këto ditë në lidhje me veprimet e EULEX-it dhe fjalinë e famshme të komunikatës: “nje veprim i panevojshëm në veri”…
Të shkojmë me radhë. Ta zëmë pra se edhe na paska qenë veprim i panevojshëm i Qeverisë së Kosovës, jam i sigurt se është veprim i shtyrë. I shtyrë për mungesë të një veprimi tjetër të domosdoshëm – atij të EULEX-it.
Kam menduar se bota e lirë e EULEX-it po bën çmos të gjunjëzojë krimin - xhelatin e popujve të Ballkanit. Është ky një imazh që EULEX ka provuar të sjellë në Kosovë për të qenë i ndershëm. Ajo që na kumtonte neve në shtëpitë tona, ishte se lufta kundër krimit është një luftë e pastër. Kjo po duket te jetë gënjeshtër me bisht.
Nga ky mosveprim i EULEX-it, imazhi i Kosovës është me kufij të djegur dhe me kamionë kontrabandë. Me kriminelë që vrasin civilë dhe policë në detyrë. Me snajperë! Dhe kriminelë me lidhje të forta serbo-shqiptare që veprojnë lirshëm në veri.
Jetojmë vetëm dhjetra kilometra larg nga ky krim i organizuar. Disa dhjetëra kilometra nga vuajtja e njerëzve. Dhe natyrisht, është e pamundur të ndërtosh rend dhe ligj brenda Kosovës pa e rrënuar krimin në veri. Logjika më thotë se kjo është e pamundur. Sepse kriminelët gjejnë veten brenda një hapësirë. Ata kanë një interes. Ai ështe të pasurohen në mënyrë të paligjshme.
Personalisht, kam besuar ne një idealizëm evropian per jetën dhe rendin e ligjin, por më duket se sa herë që takoj njerëz të misioneve në vende ballkanike nuk më ngjajnë në evropianë. Dhe, ata rrugës po ballkanizohen sepse po u pëlqen mungesa e ligjit dhe po harrojnë idealizmin evropian te rendit dhe ligjit.
Prej kohësh sa është Eulex-i këtu, kam folur me shumë njerëz të ketij misioni, jo që punojnë në Kosovë, por me ata të Brukselit. Sa herë që kam menduar t’i kritikoj veprimet e Eulex-it, zbuloja arsyet per te miratuar veprimet e tyre. Dhe kur mendova ta duartrokas, demoni i dyshimit me terhiqte për mënge. Dhe gjeta veten me të drejte të dyshoj. Jo në Misionin si sistem, por në dhe me njerëzit që e ndërtojnë sistemin e EULEX-it.
Në situatën aktuale është e qartë që mungesa e vullnetit të Eulexit për të vendosur rendin dhe ligjin në Kosovë, duke përfshirë edhe veriun, mund të konsiderohet si dëshirë e qëllimtë për të mos vepruar. E vërteta është se ndaj veriut Eulex është treguar në mënyrë skandaloze i paaftë për të vepruar. Kjo sjellje lë përshtypje të rreme për luften e saj për rend dhe ligj. E përshtypja në vendet me konflikt te paperfunduar eshte me e fortë se idetë racionale te stërzgjatura dhe te detajuara ne draftet virtuale e mediale qe nuk përdoren kurrë. Ketu Eulex-i me “spin doktoret” e vet dhe stafin e tij investojnë në gjuhën e panjohur. Në deshirën e tyre që ne nuk e dimëe as nuk e shohim. Dhe më së paku e ndjejmë.
Ne logjikën aktuale, popujt e Ballkanit mendojnë te e panjohura. E panjohura eshte armiku me i madh i racionalitetit. Eshte dreqi vetë. Dhe ky dreq, i cili interpretohet nga kriminelet me gjithe fuqine qe kanë, ka krijuar gjuhën e zakontë që bëhet në Ballkan. Ndarja, lufta, ikja, krimi…
Dhe para syve tanë kemi një tragjedi. Nëse, siç e kam edhe frikën, e papranushmja do te pranohet edhe nje herë, e patolerueshmja do të tolerohet edhe një herë, nëse kosovarët do të mundeshin edhe nje herë, atëherë duhet të reagojmë me dhimbje dhe zemërim për atë që na ofrojnë projektet evropiane te cilat e kontrollojnë Kosovën.
Situatat e detajuara per Ballkanin ne zyrat e Eulexit, që mbesin si drafte strategjike pa u përdorur kurrë, ngjajnë pastaj si një luftë e rreme për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme. Në këtë veprim paqeje kompjuterike na çojnë ne nje rrugë që aq shumë ështe e përhapur në betejën mediale dhe politike, terme këto që mund të vërtiten në një kompromis politik të paqëndrueshëm.
Zgjatja e situatës së paqëndrushme ka të bëjë me njerëzit që udheheqin misionin. Shpjegimi ka te bëjë me zgjatjen e politikës së përkëdheljes së kriminelëve. E zgjatja e politikes se përkëdheljes e shton rrezikun e perhapjes se konfliktit. Në logjikën aktuale të Eulexit maten gjerat nga perspektiva e zyres, e betejës se shkronjave të vendosura në kompjutere dhe makina llogaritese qe ne nje menyrë a tjetrën ndërtojnë një situatë hipotetike për Kosovën.
Burokratëve dhe njerëzve evropianë në Kosovë u është dhënë fuqia nga institucionet evropiane. Fuqia e tyre individuale e shtruar ne shkronja që nga dita e djeshme është e vdekur. Bile e paperfillshme. Beteja për Kosovën po zhvillohet diku tjetër. Në percepcionin e të gjithë atyre --kriminelëve dhe “dashamirëve” që duan luftën, që të kaluarën e kthejnë në kujtesen e tyre.
Te gjithë ata që punojnë ne Eulex duhet të lexojnë per atë që ka ndodhur ketu. E di që njeriu nuk mund te imagjinojë veten ne lekuren tonë që kemi provuar tmerret. Por duhet të bëjnë qe te mos perseritet ajo që kanë lexuar.
Kam degjuar shumë fjali gjate ketyre 20 viteve duke me thënë se ajo që ka ndodhur në Slloveni nuk do te ndodhë në Kroaci. Pastaj ajo që ndodhi në Kroaci nuk do te ndodhë në Bosnjë dhe pastaj ajo që ka ndodhur në Bosnjë nuk do të ndodhë në Kosovë…ka vazhduar vargu i vrasjeve e tmerreve dhe fjalive dhe klithmave: Tmerr. Është komentuar gjithmone si diçka e tmerrshme sa here qe jane pare pamjet ne TV, e vetem pas pak - disa minuta me vonë besoj se e kanë ndërruar kanalin.
Nuk më duket se duhet te kujtojmë atë që bëri politika evropiane vitet e ‘90: Evropa nuk reagoi ndaj bombardimit te Dubrovnikut nga ana e serbëve, Evropa nuk reagoi ndaj rrethimit trevjeçar te një kryeqyteti (Sarajevës), Evropa lejoi vdekjen e Bosnjës dhe shpërnguljen e Kosovës.
Ketë tragjedi që ju kujtova nuk e ka bërë vetëm një njeri - Millosheviqi, sepse ai s’ka mundur ta djegë secilën shtëpi dhe të vrasë secilin njeri. Por e kanë bërë shumë serbë në emër të një kauze. Dhe ne nuk kemi harruar. Por po duam te kujtojme se logjika e tillë po jeton ende ne veri te Kosovës, sepse ata jetojnë me kujtesën e atyre viteve kur gjtihçka vritej dhe kriminalizohej. Jeta dhe bota e tyre vrasese ka mbetur ne ato vite. Ata jetojne dhe vazhdojne te jetojne me triumfin e krimit…
Ndoshta po e teproj. Por meqë kam jetuar gjithë kohën me luftën dhe tmerrin qe nga viti 1989 e kendej, pjesen me te madhe e kam kaluar ne Kosovë, po edhe në Bosnjë, Kroaci, dhe meqe kam parë gjithçka - më duket se nuk jam duke e tepruar.
Prandaj, dëshira është të degjojmë një zë të fortë nga Evropa. Një percaktim te ri për Evropën, vendi, në të cilin nuk do të kete tragjedi, luftë, krime ndaj njeriut. Nese edhe ne jemi Evropë. Nese jo- na tregoni më herët që të gjejmë një shteg tjetër!
Comments (0 posted)
Post your comment