Home | Politics | Raport i Kryetarit të prezencës së OSBE-së, Wollfarth, në Vjenë

Raport i Kryetarit të prezencës së OSBE-së, Wollfarth, në Vjenë

image
Raport i Kryetarit të prezencës së OSBE-së në Shqipëri para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, më 8 Shtator 2011
Sipas Wollfarth, arritja më e spikatur kombëtare ishte pa diskutim heqja e regjimit të vizave Schengen për qytetarët me pasaporta biometrike, më 15 dhjetor 2010.  Ndërsa çështja kryesore politike ka qenë vazhdimi i ngërçit politik, që ka filluar qysh në vjeshtën e vitit 2009. 

 

 

 

 


Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, mbajti sot një raport përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë. Në këtë raport ai bën një pasyrim të situatës.... politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri. Sipas Wollfarth, arritja më e spikatur kombëtare ishte pa diskutim heqja e regjimit të vizave Schengen për qytetarët me pasaporta biometrike, më 15 dhjetor 2010.  Ndërsa çështja kryesore politike ka qenë vazhdimi i ngërçit politik, që ka filluar qysh në vjeshtën e vitit 2009. Si pasojë, sipas raportit rrjedha normale e punës në Kuvend u pengua,duke sjellë si pasojë mosmiratimin e asnjë prej ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej tre të pestash. Më tej, raporti përshkruan se axhenda e reformave ka mbetur e bllokuar në një masë të madhe të saj. Ndërkohë që shmangte në mënyrë të përsëritur çdo përpjekje serioze për një angazhim politik konstruktiv në Kuvend, opozita u pa si organizatore e disa protestave publike, duke përfshirë këtu edhe ngjarjet e dhunshme të janarit 2011 në Tiranë.Wollfarth ka pohuar gjithashtu se ngërçi vazhdoi deri në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të muajit maj. “Tashmë, të dyja palët duhet të gjejnë mënyrat për t'i përshtatur strategjitë dhe politikat e tyre me qëllim përballimin e sfidave që po has vendi”. Më poshtë vijon i plotë raporti i mbajtur nga Wollfarth në Vjenë.



Raport i Kryetarit të prezencës së OSBE-së në Shqipëri para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, më 8 Shtator 2011

 

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka vazhduar të përfitojë nga udhëzimet e dhëna nga shtetet
pjesëmarrëse të OSBE-së, Kryesia e Radhës e OSBE-së dhe nga Sekretariati për politikat e
ndryshme gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit. Prezenca ka pasur, gjithashtu, edhe vizita të
nivelit të lartë nga Kryesia lituane e Radhës e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e OSBE-së
dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm, të cilët, që të gjithë, ndihmuan në lidhje me situatën politike
dhe me forcimin e lidhjeve institucionale me Shqipërinë. Prezenca vijoi të bashkëpunojë
ngushtë me misionet fqinje të OSBE-së, duke përfshirë organizimin e takimit të përvitshëm
rajonal të kryetarëve të misioneve në Tiranë. Në kryerjen e gjithë veprimtarive të saj,
Prezenca është përpjekur të reflektojë përparësitë strategjike kombëtare. Ministria shqiptare e
Punëve të Jashtme duhet vlerësuar për mbështetjen që ka dhënë, ashtu sikurse edhe gjithë
ministritë e tjera të linjës, institucionet shtetërore dhe shoqëria civile, me të cilat Prezenca ka
punuar. Në fund, duhet t'u shprehim vlerësimin tonë edhe të gjitha shteteve pjesëmarrëse dhe
institucioneve shumëpalëshe, që kanë financuar programet tona gjatë vitit të fundit.


Situata e përgjithshme


Nga këndvështrimi shqiptar, arritja më e spikatur kombëtare ishte pa diskutim heqja e
regjimit të vizave Schengen për qytetarët me pasaporta biometrike, më 15 dhjetor 2010. Deri
më sot, qytetarët shqiptarë kanë treguar se e kanë merituar besimin që u është dhënë nga të
gjitha vendet e zonës Schengen. Megjithatë, çështja kryesore politike ka qenë vazhdimi i
ngërçit politik, që ka filluar qysh në vjeshtën e vitit 2009. Si pasojë, rrjedha normale e punës
në Kuvend u pengua, duke sjellë si pasojë mosmiratimin e asnjë prej ligjeve që kërkojnë
shumicë të cilësuar prej tre të pestash. Më tej, axhenda e reformave ka mbetur e bllokuar në
një masë të madhe të saj. Ndërkohë që shmangte në mënyrë të përsëritur çdo përpjekje
serioze për një angazhim politik konstruktiv në Kuvend, opozita u pa si organizatore e disa
protestave publike, duke përfshirë këtu edhe ngjarjet e dhunshme të janarit 2011 në Tiranë.
Ngërçi vazhdoi deri në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të muajit maj.

Tashmë, të dyja palët duhet të gjejnë mënyrat për t'i përshtatur strategjitë dhe politikat e tyre me qëllim
përballimin e sfidave që po has vendi. Vetëm kur të gjitha palët të fillojnë të kuptojnë
plotësisht se çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh në Qeveri dhe çfarë do të thotë të jesh në
Opozitë në një sistem demokratik, do të mundet Shqipëria të bëjë një përparim domethënës
në axhendën e reformave. Sa u përket zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të muajit maj 2011, ky raport nuk do t'i hyjë ndonjë vlerësimi të hollësishëm të procesit zgjedhor, pasi ajo që duhet thënë thuhet në raportin përfundimtar të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Të gjitha palët politike duhet ta lexojnë raportin e OSBE/ODIHR-it në tërësinë e tij, duke shmangur tundimin për të përzgjedhur elementët që u pëlqejnë apo ato që nuk u pëlqejnë.
Rekomandimet që përmban ky raport, si edhe ato të raportit të vitit 2009, tani duhet të
shndërrohen në një reformë të suksesshme zgjedhore. Kuptohet se, që të ndodhë kjo, duhet të
demonstrohet një dialog politik shumë më i madh ndërpartiak. Një reformë e plotë duhet të
jetë: a) teknikisht e shëndoshë; b) e konsultuar gjerësisht dhe, sigurisht, e panxituar; dhe c) sa
më konsensuale. Një reformë e mbështetur në të tre këta elementë është e mundur vetëm nëse
drejtuesit e partive duan që ajo të jetë e mundur. Ekziston, gjithashtu, edhe një nevojë
urgjente për të pasur një Kod Zgjedhor, të cilin të gjitha palët të mund ta lexojnë njëlloj.
Duke pasur parasysh zvarritjen e shpeshtë të reformave të mëparshme zgjedhore dhe
zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi, të planifikuar për në vitin 2012, ende ekziston potenciali
për sfida të mëtejshme. Përfshirja e mundshme e rishikimit të sistemit zgjedhor, në
çfarëdolloj reforme, përforcon nevojën për një fillim të menjëhershëm të procesit të reformës.
Duke e marrë si të mirëqenë se të dyja palët duan vërtet që zgjedhjet e ardhshme të
përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare, ato, ose duhet ta fillojnë reformën që tani
ose të përballen me rrezikun e një dështimi tjetër. Në bashkëpunim me OSBE/ODIHR-in,
Prezenca do t'i ofrojë mbështetje procesit të reformës, me qëllim që ai të nisë e të vijojë me
ritëm, për të arritur një rezultat konsensual, në kohën e duhur.

Sa u përket ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit 2011, përderisa hetimi, si ai i prokurorisë,
edhe ai i Kuvendit, vazhdon, duket me vend të thuhet thjesht se një protestë e organizuar nga
partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste (PS), çoi në përleshje të dhunshme midis
protestuesve dhe policisë, si pasojë e të cilave vdiqën katër vetë dhe u plagosën shumë të
tjerë. Se si ndodhën këto vdekje dhe identifikimi i personave përgjegjës duhet të jetë fokusi i
hetimeve që tashmë janë në proces e sipër. Në ditët që pasuan këto trazira, u vu re gjuha më e
ashpër e përdorur ndonjëherë publikisht së fundmi nga të dyja palët, jo më pak edhe nga
qeveria në sulmet ndaj Presidentit të Republikës dhe Prokurores së Përgjithshme, të cilat
veçse acaruan edhe më tej një situatë tanimë të tensionuar. Të gjitha palët duket se e kuptojnë
tashmë se sjelljet e secilës prej tyre në këtë periudhë nuk ndihmuan shumë për të përmirësuar
reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Deri tani, as Prokuroria e Përgjithshme dhe as
komisioni hetimor parlamentar nuk kanë qenë në gjendje të dalin me ndonjë rezultat të
prekshëm.

Sa i përket Kuvendit, megjithë thirrjet e përsëritura ndërkombëtare për t'iu rikthyer pa kushte
Kuvendit, mospranimi i PS-së për ta bërë këtë kontribuoi në pamundësinë e Kuvendit për të
vazhduar reformat. Si pasojë e mungesave të saj të shpeshta dhe të gjata në kohë, PS-ja nuk
arriti të kryente detyrën e saj kushtetuese për të këqyrur punën e qeverisë dhe për të
kontribuuar veçanërisht në reformën zgjedhore, në kohën e duhur për zgjedhjet për qeverinë
vendore. Thënë kjo, duke supozuar se tani e tutje opozita do të tregojë, më në fund, një
vullnet më të madh për të punuar me koalicionin qeverisës në Kuvend, edhe më shumë duhet
të bëhet nga kryesia e Kuvendit dhe koalicioni qeverisës për të ndërtuar një klimë politike më
gjithëpërfshirëse. Ndonëse në të gjitha demokracitë moderne, koalicioni qeverisës ka të
drejtën politike të qeverisë, edhe gjithashtu e qartë kërkesa për ta përfshirë opozitën në
proceset e hartimit të politikave dhe për t'i dhënë asaj hapësirën e mjaftueshme për
mbikëqyrjen e qeverisë. Megjithëse pati një sërë përpjekjesh të Koalicionit Qeverisës për të
reformuar Rregulloren e Brendshme të Kuvendit, këto ndryshime u duk sikur kishin si
objektiv vetëm disa fusha të kufizuara të jetës parlamentare dhe, përveç kësaj, nuk u miratuan
me konsensus. Duhet bërë një rishikim i plotë i disa rregullimeve legjislastive dhe
rregulloreve të brendshme si: ligji për statusin e deputetit, ligji për punën e kuvendit në
procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe Rregullorja e Brendshme e
Kuvendit, për t'u dhënë mundësi të gjithë parlamentarëve të përmbushin në mënyrë efikase
detyrat e tyre. Këto ndryshime duhet të miratohen me konsensusin e të dyja palëve.


Ndonëse janë bërë hapa përpara lidhur me vënien në dispozicion të publikut të
procesverbaleve të mbledhjeve të Kuvendit, procesi i hartimit të ligjeve karakterizohet shpesh
nga mungesa e transparencës, konsultimit të duhur, përgatitjes cilësore të projektligjeve dhe afateve të mjaftueshme kohore për një shqyrtim të plotë. Një çështje problematike është
pamundësia e deputetëve dhe punonjësve të Kuvendit për të qenë vazhdimisht të informuar
në lidhje me ndryshimet në projektligje. Megjithëse Shqipëria është angazhuar të miratojë
rregulla specifike për forcimin e transparencës publike dhe procesit të konsultimit, nuk është
miratuar asnjë rregullim ligjor për këtë qëllim. Dispozitat e Rregullores së Brendshme që
nxisin seancat dëgjimore të hapura për publikun, rrallë vihen në praktikë dhe ftesat për
pjesëmarrje duket të jenë selektive. Kuvendi ndryshoi ligjin për imunitetin ndaj ndjekjes
penale. Si rrjedhojë, deputetët tashmë mund të heqin dorë nga imuniteti i tyre në rast të
ndjekjes penale për akuza për korrupsion, duke nënshkruar një deklaratë individuale në fillim
të mandatit të tyre. Megjithatë, imuniteti mbetet prerogativë e Kuvendit dhe jo e një deputeti
të vetëm. Kështu, një deputet nuk mund të autorizojë një ndjekje penale, ashtu sikurse as
Kuvendi nuk mund të japë një autorizim ex ante për këtë qëllim. Prandaj, miratimi nga ana e
Kuvendit e një dispozite të tillë mbetet i hapur për debat, pasi deklarata mund të kthehet në
një pengesë për ndjekje të mundshme penale.Ajo që ngërçi politik solli për shtetin e së drejtës ishte pamundësia për të miratuar ligje dhe për të emëruar zyrtarë të lartë të shtetit, që kërkojnë një shumicë të cilësuar; duke përfshirë projektligjin për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, që nevojitet për emërimin e anëtarëve të
Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe projektligji për gjykatat administrative, që nevojitet për
ngritjen e gjykatave që merren me mosmarrëveshjet administrative. Pavarësia e
institucioneve shtetërore dhe e gjyqësorit ka nevojë të përforcohet edhe më tej, pasi sistemit
të drejtësisë i mungon aktualisht transparenca, përgjegjshmëria dhe efiçenca e mjaftueshme.
Ndërsa miratimi nga ana e Këshillit të Ministrave i një strategjie për reformimin e sektorit të
drejtësisë tregon vullnet politik për reformim, mbetet e hapur pyetja nëse kjo strategji do të
ketë ndikimin për të cilin është hartuar. Edhe adresimi i çështjes së reformës kërkon sërish
vullnet më të madh politik. Zëvendësimi i dy të tretave të nëntë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është bërë plotësisht. Sa i përket interpretimit të nenit përkatës të Kushtetutës, Gjykata vendosi se
Presidenti dhe Kuvendi duhet të bashkëpunojnë për përcaktimin e kritereve ligjore për të
pasur një përbërje cilësore të Gjykatës dhe se duhen përcaktuar mekanizmat e duhur për
rinovimin e përbërjes së Gjykatës çdo tre vjet. Pas këtij vendimi, u emëruan vetëm tre
gjyqtarë të rinj, kurse tre kandidaturat e tjera iu kthyen Presidentit nga Kuvendi. Ky kthim
është argumentuar me shpjegimin se një zëvendësim aktual i dy të tretave të gjyqtarëve të
Gjykatës do të cenonte Kushtetutën.

 Megjithatë, ndonëse nga njëra anë zëvendësimi i njëkohshëm i gjashtë gjyqtarëve cenon dispozitën kushtetuese, sipas së cilës një e treta duhet
të zëvendësohet çdo tre vjet, nga ana tjetër, situata aktuale, ku disa gjyqtarë vazhdojnë të
qëndrojnë në detyrë për më shumë se një vit pas përfundimit të mandatit, cenon dispozitën
kushtetuese që e kufizon mandatin e tyre në nëntë vjet. Kuvendi tani duhet t'i japë një
zgjidhje kësaj çështjeje.Kohët e fundit, janë bërë disa deklarata publike nga opozita, e cila ka bërë thirrje për reformë kushtetuese. Deri tani, këto thirrje nuk janë marrë parasysh nga koalicioni qeverisës.
Ndryshimet e fundit kushtetuese datojnë në prill të vitit 2008 dhe janë bërë me miratimin
konsensual të të dyja partive kryesore politike dhe të një shumice dërrmuese në Kuvend. Në
atë kohë, shumë dolën me argumentin se ndryshimet e propozuara kërkonin një shqyrtim më
të madh dhe se ndryshimet për të cilat ishte rënë dakord shkaktonin shqetësime legjitime në
lidhje me ndarjen kushtetuese të pushteteve – konkretisht të pushtetit në dukje më të madh të
Kryeministrit në raport me pushtetin e Presidentit. Megjithatë, koalicioni qeverisës i qëndron
idesë se ndryshimet në Kushtetutë nuk duhet të amendohen, ndërkohë që kanë kaluar vetëm tre vjet, e madje edhe më vonë kjo mund të bëhet vetëm pas përgatitjeve të shëndosha.
Meqenëse ndryshimet e bëra në vitin 2008 kishin miratimin e të dyja palëve, koalicioni
qeverisës thotë se çfarëdolloj thirrjeje për rishikime të mëtejshme, e bërë në këtë moment,
mund të shihet si një thirrje me natyrë politike. Në fund të fundit, duhet të jenë aktorët vendas
ata që vendosin se sa me vend është diskutimi rreth Kushtetutës pikërisht në këtë moment.
Nëse periudha nga tani deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ka për të qenë një periudhë
ku do të shihen përparime në çuarjen përpara të axhendës së reformave, atëherë të gjitha palët
politike duhet të llogarisin vëllimin dhe përmasat e "projekteve" legjislative që mund të
ndërmerren. Përndryshe, mbetet rreziku që qëllimet e mira të "mbyten" politikisht mes një
përzierjeje mbingarkese institucionale dhe mllefi politik. Objektivi i parë duhet të jetë rënia
dakord për reformën zgjedhore. Çështje të tjera të politikave dhe interesave politike mund të
diskutohen më pas.

Çështja gjyqësore e Gërdecit në lidhje me shpërthimin në një punishte të çmontimit të
municioneve afër Tiranës, në vitin 2008, në të cilin mbetën të vrarë 26 vetë, ka vazhduar pa
ndonjë shenjë përfundimi. Procesi gjyqësor, në këtë rast, nuk është zhvilluar në përputhje të
plotë me parimet e gjykimit të drejtë. Ndonëse një i akuzuar duhet të ketë të drejtën
themelore të mbrojtjes ligjore, mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës në seancat
gjyqësore përbën një abuzim të qartë me procesin ligjor. Vonesat e mëtejshme veçse do të
cenojnë besimin aq të nevojshëm të publikut te shteti i së drejtës. Autoritetet e sistemit të
drejtësisë duhet të bëjnë të pamundurën për të garantuar zhvillimin dhe përmbylljen në afate
të arsyeshme të seancave gjyqësore të hapura për publikun dhe të një gjykimi të drejtë.
Publiku mbetet i zhgënjyer dhe i lodhur nga zvarritja e kësaj çështjeje. Kjo situatë meriton
disa përgjigje konkrete, në mënyrë që të nxirren disa mësime.

Në lidhje me të drejtat e njeriut, megjithëse ekziston kuadri ligjor për mbrojtjen e pakicave,
zbatimi i tij, veçanërisht në rastin e pakicës rome, mbetet po ai që ka qenë. Romët vazhdojnë
të jenë shumë të margjinalizuar dhe përballen me një shkallë të lartë papunësie, analfabetizmi
dhe mundësi të pakta për kujdes shëndetësor dhe arsimim. Megjithëse është miratuar një
strategji kombëtare për romët, nuk ka pasur ndonjë shenjë të dukshme të zbatimit të saj. Sa u
përket të drejtave të fëmijëve, miratimi i një ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve
forcoi kuadrin ligjor dhe institucional për këtë çështje. Megjithëse mandati i Avokatit të
Popullit mbaroi në shkurt 2010, ky post vazhdon të mbetet bosh, pasi emërimi i një Avokati
të ri Populli kërkon shumicën e cilësuar në Kuvend. Për më shumë se një vit, të gjitha detyrat
janë kryer nga komisioneri më i vjetër në detyrë, edhe pse ligji lejon që praktika të tilla të
vazhdojnë vetëm për një muaj. Megjithëse detyrat e reja të Avokatit të Popullit si Mekanizmi
Kombëtar Parandalues janë kryer me sukses, në shumë raste agjencitë lokale të qeverisë nuk
kanë arritur t'i zbatojnë rekomandimet e ardhura nga kjo Zyrë. Mbipopullimi i burgjeve
vazhdon të mbetet problem, sidomos në burgun e vetëm të grave dhe në mjediset e
paraburgimit. Gjithashtu, kujdesi shëndetësor është i pamjaftueshëm, veçanërisht në lidhje
me çështjet e shëndetit mendor. Të ndaluarit me probleme të shëndetit mendor duhet të
trajtohen jashtë sistemit të burgjeve, ashtu siç parashikon legjislacioni vendas dhe ai
ndërkombëtar.

Sa i përket reformës së shërbimit civil, procedurat institucionale për marrjen në punë, ngritjen
në detyrë, vlerësimin dhe heqjen nga puna të zyrtarëve të administratës publike kërkojnë një
forcim të mëtejshëm të transparencës dhe shtetit të së drejtës. Komisioni i Shërbimit Civil
vazhdon të mos jetë në gjendje të luajë plotësisht rolin e tij në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve
midis nëpunësve civilë dhe institucioneve shtetërore. Megjithatë, kjo përbën më tepër një
pasqyrim të mungesës së vullnetit të institucioneve shtetërore për të zbatuar vendimet e Komisionit. Pavarësia e tij duhet të respektohet nga të gjitha institucionet e tjera publike. Një
pjesë e madhe e vendimeve të formës së prerë të gjykatës mbi ligjshmërinë e pushimeve nga
puna ende nuk janë zbatuar. Sistemi për shqyrtimin gjyqësor të vendimeve administrative
duhet të bëhet më i pavarur, më i përgjegjshëm dhe më transparent, përmes ngritjes së një
sistemi gjykatash administrative, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.

Sa i përket reformës së pronës, investimet dhe huamarrja private dhe publike vazhdojnë të
pengohen për shkak se jo në të gjitha rastet mund të garantohet pronësia në të gjitha hallkat e
sistemit. Këto çështje do të mbeten të pazgjidhura derisa të ketë më shumë progres në
zhvillimin e një strategjie të plotë për reformën e pronës. Një tjetër shqetësim mbeten edhe
pretendimet e pazgjidhura të ish-pronarëve për kompensim ose kthim të pronave të
konfiskuara gjatë regjimit të kaluar. Aktualisht, u dhënë zgjidhje pretendimeve të vetëm pak
ish-pronarëve. Ky proces është ngadalësuar për shkak të një debati lidhur me kompetencat e
agjencisë së ngarkuar me detyrën e zgjidhjes së kësaj çështjeje. Duket se ka gjithashtu edhe
një mungesë transparence dhe konsultimi në hartimin e ligjeve të lidhura me pronat.
Bashkërendimi midis qeverisë dhe agjencive përkatëse shtetërore ka nevojë të forcohet, pasi
aktualisht ka mungesa të panevojshme efiçence dhe dublim përpjekjesh. Mungesa e një
kuadri të qartë strategjik ka çuar në një planifikim jo të mirë dhe në financime të
pamjaftueshme buxhetore për garantimin e zbatimit të plotë të ligjeve të lidhura me pronat.
Pozitiv është fakti që qeveria ka hartuar një plan veprimi për zbatimin e vendimeve të
Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që lidhen me procesin e kthimit të pronave. Ky
plan veprimi është pritet të marrë miratimin e tij përfundimtar në Kuvend.

Në luftën kundër korrupsionit, harmonizimi i mëtejshëm i legjislacionit vendas me detyrimet
ndërkombëtare përbën një zhvillim pozitiv. Qeveria ka mundur të miratojë disa ndryshime në
Kodin Penal që lidhen me veprat e korrupsionit të zyrtarëve të huaj dhe të vendosë disa
penalitete të rëndësishme për korrupsionin në sektorin privat. Progres është arritur nga
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke përfshirë një rritje e shkallës
së ndjekjes të zyrtarëve të korruptuar të nivelit të ulët dhe të mesëm. Edhe futja në përdorim e
sistemeve elektronike të prokurimit në administratën publike i zvogëlon kontaktet midis
autoriteteve kontraktuese dhe ofertuesve, duke ulur kështu edhe mundësitë për korrupsion. E
megjithatë, ndjekja e zyrtarëve të lartë shtetërore të akuzuar për korrupsion vazhdon të mbetet
një problem, për zgjidhjen e të cilit nuk ndihmon as mosndjekja e këtyre rasteve nga
Prokuroria. Edhe imuniteti i zyrtarëve të lartë publikë mbetet një çështje e rëndësishme që
duhet adresuar. Përpjekjet e koalicionit qeverisës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë
nuk patën sukses për shkak të ngërçit politik. Një historik më i plotë i vendimeve të gjykatës
dhe dënimeve dhe/ose gjobave të përshtatshme në çështjet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë
është i rëndësishëm për rivendosjen e besimit të publikut. Lufta kundër korrupsionit do të
ketë sukses vetëm në qoftë se të gjitha palët punojnë së bashku në vend që ta keqpërdorin atë
për interesat e tyre.

Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, janë vënë re shenja pozitive në: hartimin e
procedurave standarde të veprimit për identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e personave të
trafikuar, hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit kundër Trafikimit për periudhën 2011-2013
dhe vendimit të qeverisë për mbështetjen buxhetore të viktimave të trafikimit. Gjithashtu,
është rritur edhe identifikimi i viktimave të trafikimit të kthyera nga vende të tjera.
Megjithatë, mbetet i pamjaftueshëm identifikimi i viktimave të brendshme të trafikimit për
shkak të kuadrit aktual ligjor, teknikave të dobëta hetimore, bashkëpunimit të pamjaftueshëm
mes agjencive të ndryshme dhe korrupsionit. Korrupsioni në gjyqësor e pengon qeverinë në
ndjekjen e trafikantëve të dyshuar. Skemat shtetërore të mbrojtjes janë të pamjaftueshme për t'u ofruar dëshmitarëve mbrojtjen e nevojshme. Puna e fëmijëve, veçanërisht lypja e detyruar,
mbetet një fushë që ka nevojë për vëmendje, ndërkohë që sistemit të mbrojtjes së fëmijëve i
mungon përfshirja e nevojshme e shërbimeve sociale shtetërore. Gjithashtu, format e
shfrytëzimit të punës kanë nevojë për më tepër hetim dhe vëmendje. Duhet të bëhen më tepër
përpjekje për shqyrtimin e emigrantëve të paligjshëm të ndaluar gjatë kalimit të tyre tranzit në
Shqipëri për të identifikuar viktimat e mundshme të trafikimit.

Në luftën kundër krimit të organizuar, Policia e Shtetit ka ndjekur penalisht disa raste të
rëndësishme të pastrimit të parave, pas miratimit të të ashtuquajturit "ligji anti-mafia".
Legjislacioni kombëtar duhet të harmonizohet me standardet ndërkombëtare. Përveç kësaj,
duhet të bëhen përpjekje për të futur masa parandaluese dhe për të reduktuar transaksionet në
kesh. Është vënë re një rritje e operacioneve të përbashkëta me shërbime të tjera policore të
vendeve të BE-së në lidhje me konfiskimin e drogës dhe veprimtarive të tjera të krimit të
organizuar. Është vënë re, gjithashtu, një rritje e konfiskimit të pasurive kriminale. Tashmë
nevojitet një forcim i mëtejshëm i bashkëpunimit institucional midis agjencive të zbatimit të
ligjit. Sa i përket krimit kibernetik, janë organizuar operacione të rëndësishme policore në
lidhje me falsifikimin e kartave të kreditit dhe vjedhjes nëpërmjet internetit. Është përdorur
gjerësisht sistemi online i informacioneve sekrete në lidhje me aktivitete kriminale, i cili ka
çuar në një rritje të numrit të arrestimeve dhe reduktim të trafikut të drogës. Tani, procesi
duhet të përfshijë transferimin në sistem të të gjitha të dhënave nga dosjet kriminale dhe
përdorimin e tij nga të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Ndërsa policia është bërë më e aftë
të përdorë teknika të përparuara të hetimit të krimeve, kapacitetet e mjekësisë ligjore kanë
nevojë që të forcohen për të lejuar përdorimin më të shpeshtë si provë të ADN-së. Shërbimi i
Kontrollit të Brendshëm është tashmë më i aftë për të hetuar korrupsionin e brendshëm.
Procesi i bashkëpunimit ndërkufitar po ecën mirë. Bashkëpunimi duhet të forcohet në kufirin
ujor.
Në lidhje me decentralizimin, megjithëse Qeveria ka hartuar një strategji të rishikuar
sektoriale, nuk ekziston asnjë dokument përfundimtar dhe asnjë Plan Veprimi. Një ligj për
planifikimin territorial ka përcaktuar autoritetet planifikuese dhe kompetencat e tyre në nivel
qendror, rajonal dhe lokal. Nevojiten akte nënligjore për të përcaktuar në mënyrë të
hollësishme rolin e të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces. Megjithëse si rrjedhim i
zbatimit të këtij ligji do të dalë çështja e rikonfigurimit të ndarjes territoriale, projektstrategjia
e decentralizimit nuk përmban asnjë orientim për zbatimin e një reforme territorialeadministrative.
Decentralizimi i shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve ka vazhduar me transferimin e aseteve të paluajtshme nga qeveria qendrore tek organet e qeverisjes vendore. Sfidat kryesore lidhen me komercializimin e sektorit, i cili mbetet i subvencionuar në një masë të madhe për shkak të borxhit të trashëguar, mbledhjes së ulët të të ardhurave, humbjeve sistematike dhe mosbalancimit struktural. Burimet financiare në dispozicion të qeverisë vendore nuk kanë ecur me të njëjtin ritëm me zgjerimin e përgjegjësive të tyre duke i bërë ato që të mbështeten gjithmonë e më shumë te grantet e qeverisë qendrore për investime të rëndësishme publike në nivel vendor. Kjo prirje shkon kundër parimit të autonomisë fiskale vendore. Për shembull, ndryshimet e vitit 2010 në ligjin për taksat vendore u kërkonin autoriteteve të rimbursonin bizneset lokale të detyruara për të instaluar kasat e regjistrimit për shpenzimet e bëra, duke përdorur të ardhurat nga taksat vendore. Megjithatë, ligji për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, përcakton se kur qeveria qendrore u kërkon autoriteteve vendore të arrijnë një standard kombëtar, në dispozicion të këtij procesi duhet të vihen fonde të mjaftueshme. Së fundmi, ngërçi politik krijoi përçarje në Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë. Rrjedhimisht nuk ekziston asnjë organ i bashkuar
dypalësh për të mbrojtur interesat e përbashkëta të pushtetit vendor.

Sa i përket qeverisjes në lidhje me çështjet e mjedisit, zhvillimet pozitive të vëna re vitin e
kaluar në lidhje me forcimin e legjislacionit dhe rregulloreve për mjedisin kanë pasur deri
tani një ndikim të kufizuar. Projektet madhore në infrastrukturë kanë vazhduar megjithë
vlerësimet e dobëta të ndikimit në mjedis dhe konsultime e pakta publike. Dobitë e integrimit
të dhënies së lejes mjedisore në sistemin kombëtar të licensimit vazhdojnë të pengohen për
shkak të kapaciteteve të kufizuar të organeve rregullatore që kanë për detyrë të garantojnë
përmbushjen e detyrime kombëtare dhe ndërkombëtare të planifikimit. Nuk ka ende një fond
konkret për një financim të qëndrueshëm të mjedisit dhe Ministria e Mjedisit vazhdon të jetë i
vetmi "gardian" i mbrojtjes së mjedisit në vend që ky rol duhet të ndahet me institucione të
tjera shtetërore. Ndonëse vihet re një rritje e numrit të kompanive ricikluese dhe e gamës së
materialeve që riciklohen, situata e përgjithshme e menaxhimit të mbetjeve të ngurta është
përkeqësuar: hedhja e vazhdueshme nga autoritete vendore e mbeturinave, duke përfshirë
edhe ujërat e zeza, direkt në rrjedhat ujore ngre shqetësime në lidhje me ndotjen e mjedisit.
Në lidhje me median, liria e shprehjes përgjithësisht respektohet. Nuk dihet te ketë ndonjë
rast të ndonjë gazetari të çuar në gjykatë nga shteti për shkak të bindjeve të shprehura
publikisht. Ajo që po vihet re, është se qeveria është në gjendje të "inkurajojë" disa media më
shumë se të tjerat, ose duke u dhënë në mënyrë selektive reklama publike, ose duke përdorur
dispozita të veçanta në kontrata qiradhënieje për mjedise shtetërore me media të caktuara, në
një përpjekje për të nxjerrë disa dhe/ose për të futur në këto mjedise disa të tjera. Për sa i
përket politikave, Komisioni Parlamentar për Integrimin Evropian, miratoi Projektligjin për
Transmetimet me Zë dhe/ose me Figurë, duke verifikuar përputhshmërinë e tij me direktivat
e BE-së. Ky projektligj ka të meta serioze në lidhje me kompetencat që i jepen organit
mbikëqyrës të medias elektronike, si edhe sa i përket përbërjes politike të këtij organi.
Kuvendi ra dakord t'ia rikthente këtë projektligj një grupi pune për të trajtuar shqetësimet e
ngritura nga Prezenca. Një projektstrategji për kalimin në transmetime dixhitale është ende
duke qarkulluar në qeveri dhe në Kuvend, ndërkohë që procesi i konsultimit publik ka mbetur
në vend. Dispozitat ligjore në Kodin Penal dhe atë Civil, si edhe ligji për të drejtën e
informimit për dokumentet zyrtare, kanë nevojë për reformë të mëtejshme.

Në lidhje me barazinë gjinore, pozitiv është fakti se është miratuar një strategji kombëtare për
barazinë gjinore dhe çrrënjosjen e dhunës në familje dhe së është ngritur një Këshill
Kombëtar për Barazinë Gjinore. Megjithatë, ndonëse ligji për barazinë gjinore kërkon
emërimin e pikave fokale për barazinë gjinore në nivel qendror dhe vendor, jo të gjitha pikat
fokale janë përzgjedhur. Përfaqësimi i grave në pozicione të larta në partitë politike është në
shifra modeste, me përjashtim të vetëm disa rasteve. Sa u përket zgjedhjeve, numri i grave të
zgjedhura prapë nuk arriti nivelin e pritur, megjithëse ishte vendosur një kuotë gjinore. Kjo
tregon se partive kryesore politike u mbetet ende shumë punë për të bërë për të promovuar
gratë në politikë. Është gjithashtu e rëndësishme të garantohet që një reformë zgjedhore të
përfshijë rishikimin e mëtejshëm të kuotës gjinore, meqenëse një pjesë e gjuhës ekzistuese në
Kodin Zgjedhor është e paqartë dhe mund të çojë sërish në një përfaqësim më të ulët se sa ai
që pritet pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Shoqëria civile ende nuk mund të shihet si një partnere e plotë strategjike në politikëbërje,
pasi nuk ka procedura institucionale për dialog. Ndonëse është ngritur një Agjenci kombëtare
për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, e cila ka filluar të japë grantet e para për aktivitetet e
OJF-ve, më shumë mund të bëhet për ta bërë më transparent procesin e përzgjedhjes së
projekteve. Gjithashtu, një ligj i ri për kontrollin financiar duket se i jep qeverisë qendrore me
shumë akses tek ato OJF vendase, të cilat punojnë me fonde shtetërore dhe donacione, bazuar në një urdhër të qeverisë pa asnjë kufizim ligjor. OJF-të më aktive janë të përqendruara
kryesisht në Tiranë dhe shumica e tyre ka në përgjithësi struktura të brendshme, anëtarësi dhe
kapacitete të dobëta dhe vazhdojnë të mbështeten tek donatorët për fonde. Krerët e shumë
OJF-ve vazhdojnë të jenë, ose të paktën perceptohet të jenë politikisht mbështetës të njërës
ose tjetrës palë. Një situatë e tillë pengon aftësinë e të gjitha OJF-ve për të të forcuar
legjitimitetin e shoqërisë civile në kryerjen e projekteve dhe në daljen me deklarata publike.
Për këtë arsye, nuk mund të thuhet se ekziston një shoqëri civile e pavarur dhe me bazë të
gjerë. Gjatë vitit të kaluar lindi një lëvizje e quajtur Aleanca Kuq e Zi që bën fushatë kundër
ligjit të miratuar së fundmi për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.


Veprimtaritë kryesore

Gjatë vitit të kaluar, qëllimi i Prezencës ka qenë promovimi i demokratizimit, shtetit të së
drejtës dhe të drejtave të njeriut, si edhe konsolidimi i institucioneve demokratike, në
përputhje me parimet dhe angazhimet e OSBE-së. Prezenca ka vazhduar të punojë në fushat e
reformës legjislative dhe gjyqësore, reformës së pronës, reformës zgjedhore, reformës
rajonale administrative, rritjes së kapaciteteve parlamentare, luftës kundër trafikimit dhe
korrupsionit, zhvillimin e medias, promovimin e qeverisjes së mirë, zhvillimin e shoqërisë
civile dhe mbështetjen për policinë.

Sa i përket Demokratizimit, në fushën e reformës zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
u trajnua dhe u mbështet në marrëdhëniet e tij me publikun. Ekspertët zgjedhorë morën pjesë
në një seminar të OSBE-së të zhvilluar në Vjenë për votimin elektronik. Ministria e
Brendshme u ndihmua në krijimin e regjistrit civil dhe regjistrit të adresave, që shërbyen si
bazë për përgatitjen e listave të zgjedhësve. Në kuadrin e mbështetjes për Kuvendin, u
instalua një rrjet kompjuterik për bazat e të dhënave, si dhe një intranet. Për forcimin e
transparencës, u mundësua edhe transmetimi i drejtpërdrejtë në internet i seancave plenare.
Arkiva dhe biblioteka u modernizuan më tej. Stafi mori pjesë në një seminar për
komunikimin në Sarajevë dhe në një seminar për të drejtat e njeriut në Vilnius. Stafi i
Kuvendit vizitoi Departamentin e Publikimeve në parlamentin portugez dhe u ndihmua me
disa rekomandime në lidhje me strategjinë e Kuvendit për marrëdhëniet me publikun. U bë
një vlerësim i punës së Kuvendit në lidhje me çështjet e integrimit evropian. U bënë disa
takime të komisioneve parlamentare të integrimit evropian të Shqipërisë dhe Malit të Zi, si
dhe një takim rajonal i grave deputete në Budva. U zhvillua, gjithashtu, edhe një seminar mbi
mbikëqyrjen parlamentare në bashkëpunim me misionet e OSBE-së dhe ODHIR-in. Anëtarët
e Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare morën pjesë në një konferencë mbi sigurinë
në Londër.

Në lidhje me shoqërinë civile u zhvillua një konferencë ndërkombëtare për barazinë gjinore
dhe një numër i konsiderueshëm forumesh rajonale për të promovuar pjesëmarrjen e grave në
politikë. Kandidatet u trajnuan me qëllimin aftësimin e tyre në fushën e avokacisë, të së
folurës në publik dhe në media. U prodhuan programe televizive që promovonin pjesëmarrjen
e grave në politikë. Një Platformë Kombëtare për Gratë promovoi pjesëmarrjen e tyre në
zgjedhje duke përfshirë gra nga partitë politike dhe nga shoqëria civile. U krye një vlerësim
mbi forcimin e Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore. U zhvilluan disa seminare mbi
planifikimin me Këshillin Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara dhe disa anëtarë u
dërguan për një vizitë studimore në Londër. U ndërmor hartimi i një strategjie për Ministrinë
e Arsimit dhe Shkencës mbi edukimin qytetar. U dha ndihmë për krijimin e një organi
vetërregullator për median. U ofrua ekspertizë për hartimin e një strategjie kombëtare për kalimin në transmetime dixhitale dhe për hartimin e një ligji për transmetimet me zë dhe me figurë.

Sa i përket Qeverisjes në Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore, Agjencia e Kthimit dhe
Kompensimit të Pronave dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u mbështetën në
forcimin e kapaciteteve të tyre. U organizuan seminare për Komitetet Rajonale të Antitrafikimit;
u bë një vlerësim i përafrimit të legjislacionit me Konventën e Këshillit të Evropës
për Antitrafikimin dhe rastet e dyshuara të trafikimit iu referuan agjencive të specializuara. Iu
është ofruar mbështetje qeverisë vendore dhe OJF-ve mbi mekanizmat e planifikimit publik.
Zyrtarë të administratës publike u trajnuan lidhur me legjislacionin mbi konfliktin e interesit
dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Aseteve iu mundësua një vizitë
studimore në Rigë. U zhvillua një fushatë për ndërgjegjësimin e publikut kundër korrupsionit,
ndërsa OJF-të u ndihmuan për të forcuar bashkëpunimin me organet e luftës kundër
korrupsionit. Qendrat e Informimit Aarhus u mbështetën në organizimin e veprimtarive për
organet shtetërore dhe shoqërinë civile në fushën e çështjeve mjedisore.

Në lidhje me Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut, u organizua një sondazh mbi
aksesin e publikut në gjykatat e shkallës së parë dhe u krye një vlerësim mbi përmirësimin e
llogaridhënies, efikasitetit dhe transparencës në procedurat e çështjeve civile. Prezenca mori
pjesë në një grup pune për hartimin e një Kodi të ri të Procedurës Penale. Zyra e Komisionerit
për Mbrojtjen nga Diskriminimi u mbështet në ngritjen e një faqeje interneti dhe në
përkthimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në gjuhët e pakicave. Komisioni i
Shërbimit Civil u ndihmua për të qenë më i aftë në mbrojtjen e të drejtave të nëpunësve
civilë. Stafi i qeverisjes vendore u trajnua mbi zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil.
Drejtues dhe punonjës të shërbimit të provës u trajnuan në bazë të një manuali të prodhuar
për gjykatës, prokurorë dhe avokatë mbi shërbimin e provës dhe dënimin alternativ. Në lidhje
me mbrojtjen e fëmijëve, u zhvilluan disa seminare për policinë, me qëllim përmirësimin e
komunikimit të saj me fëmijët. Punonjës socialë, njësitë e mbrojtjes së fëmijëve dhe agjencitë
e zbatimit të ligjit u trajnuan për rritjen e bashkëpunimit institucional.
Sa i përket Bashkëpunimit në Çështjet e Sigurisë, Policia e Shtetit u trajnua në teknikat e
hetimit dhe në blerjen e simuluar të narkotikëve. Nga ekspertët e huaj u bë një vlerësim i
nevojave në lidhje me menaxhimin e protestave publike. Policia mori pjesë në një seminar
rajonal mbi krimin kibernetik në Beograd. Trajnimi mbi procedurat e përbashkëta në pikat e
përbashkëta të kalimit kufitar ndihmoi në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar. Policia e
Shtetit u trajnua në lidhje me rolin që duhet të luajë ajo gjatë zgjedhjeve, si dhe në përdorimin
e pajisjeve të telekomunikimit. Donacionet për Policinë e Shtetit përfshinë disa pajisje për
sallën e saj të kontrollit, për policimin e infiltruar dhe për procesin e rekrutimit të stafit.
Ministrisë së Mbrojtjes iu dhanë sharra të reja industriale për prerjen e municioneve. U
mundësua instalimi i një linje të re për çmontimin e municionit të tepërt. Ministrisë iu dhanë
pajime për të gjitha fabrikat e çmontimit të municionit të tepërt. Mbështetje u dha edhe për
depozitimin e lëndëve kimike të rrezikshme.

Vështrim drejt së ardhmes

Duke pasur parasysh zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012 dhe një ashpërsim të mundshëm të
debatit politik para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, dritarja e mundësive për reforma,
duke filluar nga tani deri në mesin e viti 2013, është e vogël. Nëse liderët politikë shqiptarë
nuk shfrytëzojnë plotësisht atë çka mbetet nga 2011-a dhe viti 2012, ekzistojnë të gjitha
shanset që ngërçi politik të vazhdojë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Për ta shmangur një skenar të tillë, liderëve politikë në Tiranë do t'u duhet të përmbushin
angazhimet e marra. Mesazhi është i thjeshtë: "Mjaft kohë është humbur deri tani. Nëse vërtet
doni t'í tregoni publikut shqiptar dhe partnerëve tuaj ndërkombëtarë se i merrni seriozisht
përgjegjësitë dhe detyrimet tuaja, atëherë na duhet të shohim një kthim të menjëhershëm dhe
të qëndrueshëm në gjuhën e dialogut, si dhe një vullnet të sinqertë për kompromis, me qëllim
çuarjen përpara të axhendës së reformave". Viti që vjen do të ndajë se ku do të duan ta çojnë
Shqipërinë liderët e saj politikë - në drejtim të reformave, progresit dhe prosperitetit kombëtar
apo do ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik. Çështja është shumë e
thjeshtë. Zgjidh e merr!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00