Antiamerikanizmi, Kritika dhe Liria
Çështja është se ç’qëndrim mban një qeveri, ç’tolerancë, ç’refeleksion shfaq ndaj kritikave që i bëhen. Amerikanizmi është t’i japësh liri kritikës, të krijosh mjedis nxitës dhe jo mbytës për kritikën, ta inkurajosh kritikën. Ta shpallësh atë që të kritikon mik dhe jo armik.
Andrea Stefani
Në një intervistë dhënë për televizionin “Ora News” në përgjigje të një pyetjeje të moderatores, Ilva Tare, mbi rritjen e ndjenjës së antiamerikanizmit të shfaqur nga disa analistë shqiptarë, ambasadori Aleksandër Arvizu diferencoi qartë kriticizmin nga njëra anë, dhe antiamerikanizmin në anën tjetër, si dy fenomene të ndryshme. Dhe shtoi se “është e rëndësishme, dhe madje të gjithë e kuptojnë, që është në rregull të kritikosh SHBA-në”. Por mjerisht, jo të gjithë e kuptojnë një gjë të tillë. Madje ka disa që nuk duan ta kuptojnë. Megjithatë, reagimi i ambasadorit Arvizu, është një ndër ato qëndrime në përputhje me atë frymë që e ka bërë SHBA-në kampion të lirisë në botë. Pa fjalë një akt tejet emancipues për politikën dhe median shqiptare. Krejt i kundërt me atë traditë intolerante dhe inkuizitive, mjerisht tipike edhe për politikën shqiptare, që edhe pse sot nuk e pushkaton apo burgos dot kritikën, gjen mënyrën për ta persekutuar, denigruar apo terrorizuar duke tentuar ta shpallë edhe armike të popullit apo të Amerikës. Një mendësi e kalbur antiliri që nuk arrin të kuptojë se është amerikane të kritikosh Amerikën. Që nuk kupton se kur je në anën e lirisë je në anën e Amerikës edhe kur e kritikon Amerikën. Që nuk kupton dot se mund të thuash gjithë ditën se je me Amerikën, por në fakt je kundër saj, për sa kohë je kundër lirisë së fjalës, lirisë së kritikës, lirisë së institucioneve që mbrojnë lirinë e të drejtat e qytetarëve pikërisht nga arrogancat e qeverive. Një mendësi e truve të mbyllur që s’rrok dot se ka momente kur edhe një qeveri amerikane mund të bëjë gabime që janë kundër Amerikës, pra kundër popullit amerikan, dhe se t’i kritikosh këto gabime, do të thotë të jesh me Amerikën.
* * *
Përpara se të kuptohet se ç’është antiamerikanizmi duhet kuptuar se ç’është amerikanizmi. Dhe thelbi i këtij të fundit zbulohet në të vërtetat e vetëkuptueshme se njerëzit janë krijuar të barabartë dhe pajisur nga Krijuesi me disa të drejta të patjetërsueshme sikundër Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë. Se qeveritë bëhen që të sigurohen këto të drejta dhe se prandaj, nëse një qeveri shkatërron këto të drejta, është e drejta e popullit ta ndërrojë atë. Ky është thelbi i amerikanizimit i shpallur në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA shekuj më parë. Rrjedhimisht, çështja e amerikanizmit dhe antiamerikanizmit ka të bëjë thelbësisht me qëndrimin ndaj lirisë njerëzore. Tashmë është konsoliduar një e vërtetë aksiomatike: kush është me lirinë është me Amerikën dhe kush është kundër lirisë, është edhe kundër Amerikës. Dhe një nga liritë e shenjta, themeltare për amerikanizimin është edhe ajo e fjalës. Por liria e fjalës nuk ka asnjë kuptim nëse nuk është edhe liri e kritikës. Asnjë qeveri, edhe më despotikja në botë, nuk do të ishte shtypëse ndaj fjalës së lirë nëse mediat do të thurnin vetëm lavdërime për të. Çështja është se ç’qëndrim mban një qeveri, ç’tolerancë, ç’refeleksion shfaq ndaj kritikave që i bëhen. Amerikanizmi është t’i japësh liri kritikës, të krijosh mjedis nxitës dhe jo mbytës për kritikën, ta inkurajosh kritikën. Ta shpallësh atë që të kritikon mik dhe jo armik. Të bësh atë që bëri ambasadori Arvizu. Ta lësh median të lirë dhe jo të tentosh t’i marrësh përdore të gjithë televizionet apo gazetat, në mënyrë që ato të përhapin në publik vetëm “të vërtetat” e qeverisë, ndërkohë që i nxit të mbyllin ekranet për kritikët e saj. Kjo e fundit është antiamerikanizëm.
* * *
Prandaj nuk është amerikane, por antiamerikane edhe tendenca e ulët për t’i ekspozuar disa gazetarë dhe analistë që qëllon të kritikojnë edhe SHBA apo ambasadën si antiamerikanë. Kritikat që ngrihen për performancën e diplomacisë amerikane dhe përgjithësisht perëndimore në Shqipëri, për verbërinë e dëshmuar në momente të caktuara ndaj dhunimit të parimeve të lirisë, nuk është antiamerikanizëm, por ushtrim i lirisë për të shprehur atë që mendon. Dhe liria e gjithçkaje që ushqen lirinë, është shpirti i SHBA-së, i shtetit dhe popullit amerikan. Krejt në kundërshtim me këtë frymë, që është thelbi i qytetërimit amerikan, disa analistë që kanë guxuar të kritikojnë ambasadën amerikane apo edhe zyrtarë të lartë të SHBA për qëndrimet oportuniste ndaj autokratit Berisha, janë etiketuar me nxitim nga mbështetësit dhe propaganda e pushtetit berishist si antiamerikanë. Një propagandë vulgare që nuk përton në asnjë moment ta paraqesë Berishën si mik të amerikanëve. Dhe në silogjizëm banal, kush kritikon Berishën është edhe armik i amerikanëve. Në këtë rrafsh ishte shumë me vlerë prononcimi i ambasadorit Aleksandër Arvizu. Dhe autokratët nuk duhet t’i gënjejë mendja. Politika dhe diplomacia e sjell që ata të dalin në foto, duke shtrënguar duart edhe me ndonjë President të SHBA. Ka ndodhur edhe me gedafët dhe mubarakët. Por kur vjen ora e lirisë, SHBA do të jetë përherë mike e lirisë dhe jo e autokratëve.
* * *
Jo vetëm përvoja botërore, por edhe ajo e Shqipërisë na ka treguar se liria, jeta dhe lumturia e njeriut nuk prosperojnë nën pushtete të përqendruara, absolute dhe të përjetshme. Përvoja e SHBA, amerikanizmi i realizuar në praktikë, tregon se liria, jeta dhe lumturia prosperojnë vetëm të qeverisura nga liderë që vijnë në pushtet me votë, por që megjithatë, kanë edhe një mandat të kufizuar me Kushtetutë. Për Xhorxh Uashingtonin dhe amerikanizmin, liderët e përjetshëm janë të rrezikshëm për lirinë. Prandaj sado të suksesshëm që të jenë presidentët amerikanë, ata largohen pas dy mandatesh 4-vjeçare. Praktika që po instalohet përsëri në Shqipëri me liderë që okupojnë përmbi 2 dekada majat e politikës në pushtet apo në opozitë, madje që deklarohen se do qëndrojnë edhe 30 vjet në pushtet, janë refleks i praktikave enveristo-bolshevike dhe s’kanë asgjë të përbashkët me amerikanizimin. Kjo është një praktikë antiamerikane. Prandaj edhe kritika e kalbëzimit të këtij lidershipit të ndenjur, por edhe e çdo tolerance të treguar në ndonjë moment ndaj tij nga ndërkombëtarët, përfshi vetë amerikanët, është amerikanizëm dhe jo antiamerikanizëm. Nuk është amerikane, por antiamerikane edhe tendenca gjithnjë dhe më e fuqishme dhe e palodhur për kapjen dhe përqendrimin e pushteteve në duart e Kryeministrit Berisha. Që nga shpallja e Kartës së Madhe të lirive është mësuar, dhe amerikanizimi e ruan në themel të vet këtë përvojë, se përqendrimi i pushteteve është armik i lirisë dhe të drejtave dhe se ndarja dhe pavarësimi i tyre, metoda e vetme për ta mënjanuar këtë rrezik. Por jo përherë amerikanizmi dhe antiamerikanizmi diferencohen qartë. Sepse të gjithë rendin të shpallen miq të Amerikës. Edhe autokratët. Por që të bësh dallimin mes tyre, duhet t’i ballafaqosh zhvillimet, dukuritë, qëndrimet me lirinë. Nëse e mbrojnë dhe e fuqizojnë apo nëse e varrosin atë.
Comments (0 posted)
Post your comment