* * *
Mund të them që kjo marrëveshje është shumë komplekse, po ashtu dhe shumë e vështirë, për faktin se pala greke nuk e ka pranuar se marrëveshja e parë ishte në disfavor të Shqipërisë. Pala greke kërkoi marrëveshjen e vjetër, e cila u rrëzua nga Kushtetuesja”, është shprehur kolonel Pasha.
Nisja e negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar, tashmë ka ngjallur edhe reagimin e ekspertëve. Kolonel Myslim Pasha, njeriu që kontribuoi për rrëzimin e pazareve të qeverisë për shitjen e detit, i shikon me dyshimin negociatat e reja Shqipëri-Greqi për të arritur në një marrëveshje të re. Në një prononcim për gazetën “Sot”, kolonel Pasha e ka konsideruar marrëveshjen e re me palën greke si mjaft komplekse dhe të vështirë për t’u realizuar. Ai ka deklaruar se do të jetë shumë e vështirë për të bindur palën greke për të pranuar një ndarje të drejtë, duke marrë parasysh këtu ekzistencën e marrëveshjes së vjetër që është firmosur nga të dyja palët.
Ajo që është më e diskutueshmja sipas tij në gjithë këtë proces, është pikërisht interesi që po tregon pala greke për rikthimin e paktit të vjetër, sipas së cilit shteti fqinj përfitonte shumë nga ujërat e territorit shqiptar. “Jam në dijeni që negociatat kanë nisur për një marrëveshje të re lidhur me ujërat detare. Është e qartë se kjo marrëveshje nuk do të bazohet mbi ndarjen e parë, por mbi baza të reja, mbi njerëz të rinj në këtë fushë. Mund të them që kjo marrëveshje është shumë komplekse, po ashtu dhe shumë e vështirë, për faktin se pala greke nuk e ka pranuar se marrëveshja e parë ishte në disfavor të Shqipërisë. Pala greke kërkoi marrëveshjen e vjetër, e cila u rrëzua nga Kushtetuesja”, është shprehur kolonel Pasha. Ndër të tjera, sipas tij vështirësitë për këtë pak do të shfaqen nga pala e shtetit fqinj, e cila disponon marrëveshjen e vjetër të firmosur nga të dy palët, por që është rrëzuar, pasi nuk kishte firmën e kreut të shtetit shqiptar. “Aktualisht qeveria greke ka në tavolinë një marrëveshje të firmosur dhe mendoj se do të jetë e vështirë që të rifillojnë negociatat për një marrëveshje të re, të ndryshme nga ajo e para”, është shprehur kolonel Pasha.
Greqia shpreh hapur mbështetjen e paktit të vjetër
Duke vazhduar komentin e tij në lidhje me negociatat që pritet të fillohen me palën greke për paktin detar, koloneli që ka rrëzuar marrëveshjen e vjetër, tha se ka pak shpresa që grekët të pranojnë një ndarje të drejtë. Pasha kujtoi reagimet grekëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Ky qëndrim është zbuluar dhe nga deklaratat që ka dhënë ministri i Jashtëm grek në Bruksel. Ai ka thënë pikërisht se ekziston një marrëveshje e firmosur nga të dyja palët.”, është shprehur kolonel Pasha. Sipas tij, kjo do ta vështirësonte së tepërmi ndryshimin e marrëveshjes së vjetër dhe fillimin për marrëveshjen e re. “Kjo na zbulon një fakt që bisedimet e reja do të jenë të vështira. Ekipi shqiptar do të hasë vështirësi në këtë marrëveshje që do ndërmarrë qeveria”, është shprehur kolonel Pasha.
Kume: Nuk janë mbyllur kushtet ligjore për një marrëveshje të re me Greqinë
Lidhur me ligjshmërinë që mund të ketë marrëveshja e re për paktin detar që do bëhet me shtetin fqinj të Greqisë, ka reaguar dhe ish kreu i KQZ Kristaq Kume. Në një reagim për gazetën “Sot”, Kume ka deklaruar se sipas procedurave ligjore ekziston mundësia për fillimin e negociatave për marrëveshjen e re, edhe pse lidhur me këtë çështje Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar paktin para një viti. “Marrëveshja e re nuk mund të përsëritet fjalë për fjalë si ajo që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Megjithëse Kushtetuesja ka rrëzuar marrëveshjen e vjetër për ujërat detare me Greqinë, nuk janë të mbyllura hapësirat për fillimin e negociatave për një marrëveshje të re’, është shprehur Kume. Sipas tij, marrëveshja e re duhet të përqendrohet në argumente të tjera dhe e bazuar në ligje krahasuar me atë të vjetër. “Kjo marrëveshje e re nuk do të diskutohet mbi të njëjtët ligje dhe argumente nga ajo që është rrëzuar. Vendimmarrja e Kushtetueses nuk mbyll njëherë e përgjithmonë hapësira për marrëveshje të reja”, është shprehur Kume. Ndërkohë që pala shqiptare nëpërmjet ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto vetëm dy ditë më parë ka deklaruar se marrëveshja e ujërave me Greqinë do të realizohet bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Sipas tij për paktin detar do të ngrihet grupi i punës i cili do të punojë paralelisht me atë grek. “Mund të them që kemi disenjuar komisionin përkatës, përbërjen e tij. Ky komision do të plotësohet nga përfaqësues të institucioneve respective të cilat do të jenë pjesë e ekipit i cili do të shqyrtojë me palën greke të gjithë hapësirat dhe mundësitë për ta konkluduar marrëveshjen në fjalë”, tha Haxhinasto. Ndarja e kufirit ujor me Greqinë mbetet një prej çështjeve më të nxehta mes dy vendeve, veçanërisht pasi Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen e nënshkruar nga ministrat e Jashtëm të asaj kohe Bakojanis-Basha.
Ceka: Marrëveshja me Greqinë, kushte të reja në mbrojtjen e ujërave
Kreu i Aleancës Demokratike Neritan Ceka në një prononcim për gazetën “Sot”, ka theksuar se negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë për një marrëveshje të re detare, janë të ligjshme, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e rrëzoi paktin e parë. “Lidhur me paktin detar, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një marrëveshje, por nuk e ka rrëzuar atë në parim. Përsa i përket marrëveshjes së re me grekët mund të them se në qoftë se kjo qeveri mendon se duhet të realizohet, atëherë le të bëhet, por me kushte të tjera”, ka thënë Ceka. Ndër të tjera ai ka pohuar se e rëndësishme për një marrëveshje të tillë me rëndësi për mbrojtjen e territoreve shqiptare, nevojiten edhe ekspertë përkatës pse jo dhe asistencë ndërkombëtare. “Pse jo, të përfshihen ekspertë të tjerë të kësaj fushe apo dhe të kërkohen asistentë ndërkombëtarë, pasi ky pakt duhet të zgjidhet sa më shpejt mes dy vendeve fqinje, duke kaluar në këtë mënyrë dhe barrierat historike”, është shprehur Ceka.
Pazari me detin, si u shmang Presidenti
Një ndër arsyet më të forta që detyruan Gjykatën të rrëzonte paktin e ujërave, ka qenë fakti se anëtarët e grupit negociator të palës shqiptare nuk e kishin marrë lejen speciale nga Presidenti i Republikës për të negociuar me palën greke. Pra, ekspertët nuk kanë pasur plotfuqishmërinë për të negociuar në emër të shtetit shqiptar. Rrjedhimisht, marrëveshja nga pikëpamja ligjore është quajtur nul nga Gjykata Kushtetuese. Burime brenda këtij institucioni kanë sqaruar se ky fakt ka përbërë një cenim e shkelje të parimeve dhe të frymës së Kushtetutës, e cila kërkon kooperimin institucional si procedurë, nëpërmjet së cilës garantohet rendi juridik, shteti i së drejtës, e nëpërmjet tyre, edhe interesat kombëtare të mbrojtura nëpërmjet zbatimit të dispozitave të Kushtetutës. Në këto rrethana, përfaqësuesit e shtetit shqiptar kanë negociuar një marrëveshje që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë, pa pasur plotfuqinë e kryetarit të shtetit, Presidentit të Republikës.
Shkeljet në paktin e vjetër për ujërat
Marrëveshja e vjetër për paktin detar me Greqinë është konsideruar nga ekspertët si një akt diplomatik i shpejtë dhe i dyshimtë, i cili dokumenton, përulësi të dinjitetit kombëtar. Ndër të tjera është theksuar se interesat e Shqipërisë nuk janë parë si " të barabartë, të paanshme" me palën fqinjë, por ka pasur të bëhet pikërisht me rrëgjim gjeohapësinor detar dhe cënim të gjeohistorisë iliroshqiptare. Sipas ekspertëve të ndryshëm, nëpërmjet marrëveshjes së vjetër është hasur cenim i hapur i mëvetësisë së Shqipërisë në Ujërat Detare, Detin Shtetëror, Hapësirën e Afërt Vijimore, Shtratdetin Kontinental dhe Hapësirën e Veçantë Ekonomike. Ndër të tjera është theksuar se ngushtesa e Otrantos, kjo urë natyrore ujore, e Ballkanit Jugperëndimor, është një synim i drejtpërdrejtë, i jetësimit të kësaj marrëveshjeje. Nga kjo marrëveshje Shqipëria, do të humbiste një pjesë të vetvetes së saj, në shtratdetin Kontinental Jonik, një sipërfaqe ujore prej 354 km2.
Comments (0 posted)
Post your comment