Home | Politics | * * *

* * *

image
“Flamuri u ngrit nga Andromaqi Gallani, e veja e zotit Loni Adami, i cili dikur kishte qenë përkthyes i legatës amerikane. Adami, i cili kishte mbaruar shkollën e Harri Fullcit, u burgos, u torturua dhe vdiq në burgjet e Hoxhës. Prandaj ne menduam se ishte diçka simbolike që flamurin ta ngrinte pikërisht ajo.”


Ish ambasadori amerikan në Tiranë, Uilliam Rajerson, i cili qëndroi në Shqipëri nga viti 1991 deri më 1994, thotë se interesat e të dy vendeve janë krejtësisht të njëjta – demokraci, tregje të lira dhe qendrueshmëri. Ai i bëri komentet në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës me rastin e 20-vjetorit të rifillimit të marrëdhënieve diplomatike, ku solli edhe kujtimet e tij për atë kohë si dhe foli për rolin e ambasadorit të tanishëm në Shqipëri.Ish ambasadori amerikan në Shqipëri, Uilliam Rajerson, jeton në njërën nga periferitë e largëta të Uashingtonit, në një kodër plot gjelbërim.

Nga ballkoni i tij mund të shijosh një pamje të rrallë, edhe në një ditë me shi si kjo.Nga librat dhe objektet e tjera që e rrethojnë mund të kuptosh lehtë se zoti Rajerson i ka mjaft për zemër vitet që kaloi në Shqipëri si ambasadori i parë amerikan në Tiranë pas rifillimit të marrëdhënieve në vitin 1991.
 
Ai ruan madje flamurin që u ngrit në ndërtesën e ambasadës më 1 Tetor 1991, kur ajo rifilloi nga funksionimi.
 
“Flamuri u ngrit nga Andromaqi Gallani, e veja e zotit Loni Adami, i cili dikur kishte qenë përkthyes i legatës amerikane. Adami, i cili kishte mbaruar shkollën e Harri Fullcit, u burgos, u torturua dhe vdiq në burgjet e Hoxhës. Prandaj ne menduam se ishte diçka simbolike që flamurin ta ngrinte pikërisht ajo.”
 
Zoti Rajerson tregon se ai nuk ndodhej në Tiranë kur u ngrit flamuri sepse iu desh të qendronte në Uashington deri sa të bëhej konfirmimi i tij nga Senati si ambasador në Shqipëri. Ai u kthye në Tiranë disa javë më vonë.
 
Zoti Rajerson kujton se sa emocionuese ishte për të hyrja në ndërtesën e dikurshme të ambasadës, e ndërtuar shumë dekada më parë me ndihmën e nxënësve të shkollës së Fullcit në Tiranë.
 
“Ishte një ngjarje aq e gëzueshme sa që vazhdoi të më linte pa gjumë për netë të tëra. Në fakt, e gjithë situata ishte e gëzueshme sepse Shqipëria kishte filluar tranzicionin nga një regjim që dihet si ishte në një regjim të ri. Natyrisht, mobiliet në ndërtesë ishin të vjetra, divani nuk ishte i rehatshëm por gjithçka tjetër ishte mjaft e këndshme.”
 
Në atë kohë, tregon ish ambasadori, Shqipëria kishte nevojë të madhe për ushqime.
 
“Ne ndihmuam në një farë mase me ushqime që kishin tepruar nga Lufta e Gjirit dhe e bëmë këtë përmes organizatës së Nënë Terezës sepse menduam që ata do t’i shpërndanin ushqimet tek njerëzit që vërtet kishin nevojë. Ky ishte edhe një rast për mua që të takoja Nënë Terezën.”
 
Zoti Rajerson ishte në Shqipëri në një periudhë interesante, kur ndryshimet politike sapo kishin filluar. Ai e ilustron këtë me disa shenja, qoftë edhe të vogla, që vinte re në atë kohë:
 
“Demokratët në parlament thoshin “Zoti Kryetar”, kur i drejtoheshin kryetarit të seancës, ndërsa grupi i njerëzve të Hoxhës fliste me “Shoku Kryetar”. Por pak nga pak, disa nga këta filluan të thoshin “Zoti Kryetar”. Mendova se gjërat kishin filluar të ndryshonin nga pak.”
 
Ka kaluar shumë kohë qysh atëhere. Sot diplomatit në pension, Uilliam Rajerson, i pëlqen të reflektojë për Shqipërinë.
 
“Presidenti Udro Uillson bëri që Shqipëria të mbetej në hartë dhe shqiptarët nuk e kanë harruar këtë. Shqiptarët janë ndoshta vendi më proamerikan në Evropë… Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria nuk kanë konflikte interesash. Ne nuk duam ta pushtojmë apo ta aneksojmë Shqipërinë, as Shqipëria nuk synon të pushtojë Amerikën, të marrë Misisipin apo Kaliforninë. Interesat tona janë krejtësisht të njëjta – demokraci, tregje të lira, qendrueshmëri në Ballkan dhe në Evropë.”
 
Zoti Rajerson nuk ka qenë në Shqipëri që nga largimi si ambasador në vitin 1994 por ai gjykon për vendin nga ato që lexon, nga takimet me njerëz që shkojnë në Shqipëri dhe sidomos nga bisedat me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.
 
“Shqipëria ka bërë përparim, kjo nuk ka dyshim. Problem është  hendeku në të ardhurat e njerëzve, i cili duket se po thellohet. Por ky është problem edhe në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, ne u predikojmë shqiptarëve nevojën që partitë politike të pajtohen me njëra-tjetrën. Po kush jemi ne që të flasim kështu? Mes demokratëve dhe republikanëve në Shtetet e Bashkuara ka një acarim po aq të madh sa edhe në Shqipëri.”
 
Zoti Rajerson mendon se ka një gjë për të cilën në Shqipëri nuk po bëhen hapa përpara.
 
“Ajo që nuk po ndryshon në Shqipëri është fakti se ende nuk po shihet drejt e në sy e kaluara. Në bisedën e parë që kam patur me Ramiz Alinë i thashë: “Zoti President, duhet të pranoni ato që kanë ndodhur në të kaluarën, ashtu siç kanë bërë gjermanët.” Ai mu përgjigj: “Kjo nuk ka të bëjë fare me ne.”
 
Por zoti Rajerson mendon se ekziston nevoja që kjo të bëhet, pasi ka ende plagë të hapura që duhen shëruar.
 
“Ndjekja ligjore e atyre që kryen torturat do të ishte një fillim i mirë, pra identifikimi i tyre. Si alternativë mund të ishte ngritja e një komisioni për të vërtetën dhe ripajtimin, ashtu siç u bë në Afrikën e Jugut, ku njerëzit të dalin e të thonë: Po, kam qenë roje në burgun e Spaçit. Kam spiunuar kunatin ose vëllanë e kështu me radhë, pasi këto gjëra jam i sigurt që kanë ndodhur.”
 
Nga përvoja e tij në Shqipëri, zoti Rajerson e di se sa delikate bëhet ndonjëherë pozita e ambasadorit amerikan. Kjo ndodh sidomos kur tensionet politike rriten.
 
“Ambasadori është përfaqësues personal i Presidentit dhe merr urdhra nga Presidenti përmes Sekretarit të Shtetit. Ndryshimet që shqiptarët shohin tek ambasadorët e ndryshëm janë ndryshime të personalitetit në mënyrën se si ambasadorët e përcjellin mesazhin e tyre. Unë u kritikova në atë kohë për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Kritika ishte e drejtë sepse në atë kohë, çdo njeri që nxiste demokracinë në fakt ndërhynte në punët e brendshme të Shqipërisë dhe s’kishte si të ishte ndryshe. Unë isha dërguar atje për të nxitur demokracinë dhe tregjet e lira, për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara.”
 
Por ç’mendon zoti Rajerson për ambasadorin e tanishëm amerikan Aleksandër Arvizu?
 
“Nuk e kam takuar ndonjëherë ambasadorin Arvizu dhe më vjen keq që nuk e kam takuar sepse më ka lënë përshtypje mjaft pozitive çdo gjë që kam lexuar rreth tij. Ai po e përfaqëson me dinjitet politikën e Shteteve të Bashkuara dhe i ka thënë gjërat shumë hapur e pa dorashka, për njërën palë dhe për tjetrën.Për shembull, mënyra se si ai veproi në rastin e mosmarrëveshjeve rreth vrasjeve të 21 janarit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të ndihmonin në hetimin e ngjarjes, pra le të sqarojmë se cilat janë faktet, pavarësisht se cilën palë mund të dëmtojë kjo. Mendoj se është treguar shumë i balancuar dhe shpresoj ta takoj një ditë.”VOA

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00