Home | Politics | Europianizimi i Europës

Europianizimi i Europës

image
Nëse europianët nuk i adresojnë menjëherë problemet e veta, askush nuk do t’ua zgjidhë. Nëse Europa e sotme nuk bëhet agjent i fatit të vet, do të shndërrohet në objekt të fuqive të reja botërore.








Joschka Fischer
 
 



E paaftë t’i kundërpërgjigjet në mënyrë të vendosur një krize, eurozona po e humb besueshmërinë që është aseti kryesor më i rëndësishëm i çdo monedhe. Derisa fuqia politike në Europë nuk evropianizohet, me konfederatën e tanishme të zhvilluar drejt një federate, eurozona – dhe BE-ja si një tërësi – do të dezintegrohet. Kostot financiare, ekonomike dhe politike të rinacionalizimit do të ishin enorme; druhet se një kolaps i BE-së do të perceptohej në botë se ndodhi për një arsye të mirë

Berlin – Eurozona është në qendër të krizës financiare globale, sepse vetëm këtu, në zonën ku përdoret monedha e dytë më e rëndësishme pas dollarit, kriza më parë godet një “strukturë” të dobët, sesa një shtet me një fuqi të njëmendtë. Është një strukturë që po e shpenzon besimin e qytetarëve dhe tregjeve në aftësinë e saj për t’i zgjidhur konfliktet – e në të njëjtën kohë po e çon sistemin financiar ndërkombëtar buzë gremine.

Me fjalë të tjera, kriza financiare tani reflekton një krizë politike të eurozonës – një që e vë në dyshim themelin e ekzistencës së projektit evropian si një tërësi. Nëse dështon bashkimi monetar i Evropës, pak gjëra do të mbesin prej tregtisë së përbashkët, ose të institucioneve dhe traktateve europiane. Ne do të duhet t’i shlyejmë gjashtë dekada të integrimit të suksesshëm europian, me pasoja të panjohura.

Dështimi do të rastisë me nevojën emergjente të një rendi të ri botëror, në kohën kur dy shekujve të dominimit perëndimor po u vjen fundi. Fuqia dhe pasuria tani po shmangen nga vendet aziatikolindore dhe të tjerat në shpërthim, derisa Amerika gajle më të madhe do ta ketë menaxhimin e problemeve të veta dhe do ta ndryshojë kahun prej Atlantikut nga Paqësori. Nëse europianët nuk i adresojnë menjëherë problemet e veta, askush nuk do t’ua zgjidhë. Nëse Europa e sotme nuk bëhet agjent i fatit të vet, do të shndërrohet në objekt të fuqive të reja botërore.

Shkak i krizës europiane nuk janë tri dekadat e neoliberalizmit. As nuk është rezultati i kolapsit të krizës së aseteve të avulluara, shkelja e kritereve të Maastrichtit, borxhi i madh, apo bankat e rraskapitura. Më i rëndësishëm se të gjitha këta faktorë, nuk është ajo çfarë i ka ndodhur Europës, por, ama ajo çfarë s’i ka ndodhur: krijimi i një qeverive të përbashkët europiane.

Në fillim të viteve ’90, kur shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Europian vendosën të krijonin një bashkim monetar me një monedhë të përbashkët dhe një bankë qendrore, nuk gëzoi mbështetje ideja për një qeveri qendrore. Si rezultat i kësaj, ishte shtyrë faza e ndërtimit të unionit monetar, duke krijuar një hapësirë të madhe, në vend të krijimit të mekanizmi që do të sillte stabilitet në kohë krizash. Sovraniteti monetar ishte bërë një kauzë e përbashkët; por pushteti i nevojshëm për ta zbatuar atë ishte lënë në duar të kryeqyteteve kombëtare.

Atëbotë ishte menduar se rregullat e formalizuara – vendosja e kufizimeve mandatore në deficite, borxhe dhe inflacion – do të ishin të mjaftueshme. Por ky krijim i rregullave doli të jetë një iluzion: parimet gjithnjë kanë nevojë për mbështetje të fuqisë; ndryshe nuk mund t’i bëjnë ballë testit të realitetit.

Eurozona, një konfederatë e shteteve sovrane me një monedhë të përbashkët dhe me parime dhe mekanizma të përbashkët, tani po dështon ta përballojë këtë test. E paaftë t’i kundërpërgjigjet në mënyrë të vendosur një krize, eurozona po e humb besueshmërinë që është aseti kryesor më i rëndësishëm i çdo monedhe. Derisa fuqia politike në Europë nuk europianizohet, me konfederatën e tanishme të zhvilluar drejt një federate, eurozona – dhe BE-ja si një tërësi – do të dezintegrohet. Kostot financiare, ekonomike dhe politike të rinacionalizimit do të ishin enorme; druhet se një kolaps i BE-së do të perceptohej në botë se ndodhi për një arsye të mirë.

Përkundrazi, nëse tani do të adresohej deficiti politik i unionit monetar, fillimisht duke themeluar një union fiskal (një buxhet të përbashkët dhe mundësi të barabarta), do të ishte i mundshëm krijimi i një federate të njëmendtë politike. Le ta themi troç: gjithçka më pak se një Shtet i Bashkuar i Europës do të ishte i pafuqishëm për të parandaluar katastrofën në shpërthim.

Ju pëlqen ose jo, eurozonës do t’i duhet të veprojë si një avangardë e Bashkimit Europian, sepse BE-ja si një tërësi, me 27 shtetet e saj anëtare, as nuk do të jetë e gatshme, e as e aftë të zgjerohet drejt një unifikimi politik. Fatkeqësisht nuk mund të sigurohen mbështetje unanime për ndryshime të nevojshme të traktatit të BE-së. Prandaj, çfarë duhet bërë?

Europianët kanë shënuar një progres vendimtar në integrim jashtë sferës së traktateve të BE-së(që më shumë ishte në kuadër të shpirtit europian) kur u pajtuan të hapnin kufijtë e tyre me marrëveshjen e njohur si Schengen(sot pjesë e traktateve të BE-së). Duke ndjekur atë përvojë të suksesshme, eurozona duhet të shmangë mëkatin origjinal të BE-së në krijimin e strukturës supernacionale që nuk e kishte legjitimimin demokratik.

Eurozona ka nevojë për një qeveri, e cila, si qëndrojnë tani gjërat, mund të përbëhet vetëm nga krerët respektivë të shteteve dhe qeverive – një zhvillim që tashmë ka filluar. Dhe, meqë nuk mund të ketë një union monetar pa një politikë të përbashkët buxhetore, asgjë nuk mund të vendoset pa parlamentet kombëtare. Kjo do të thotë është e domosdoshme një “Dhomë Europiane”, e përbërë nga kryetarët e parlamenteve kombëtare.

Fillimisht, një dhomë e tillë do të mund të ishte një trup këshillues, me parlamentet kombëtare duke ruajtur kompetencat e tyre, e më vonë, sipas bazës së një traktati ndërqeveritar, duhet të shndërrohet në një kontrollues të vërtetë parlamentar dhe një trup vendimmarrës, i përbërë nga deputetë të dërguar nga parlamentet kombëtare. Natyrisht, meqë një traktat i tillë do të kërkonte transferim të zgjeruar të sovranitetit institucioneve ndërqeveritare evropiane, do të duhej legjitimim të drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve në të gjitha vendet anëtare, përfshirë(dhe veçanërisht) Gjermaninë.

Nëse nuk adresohen asnjë prej këtyre dilemave të rëndësishme, nuk do të ketë stabilitetit ekonomik dhe promovim të rritjes. Nëse kemi mësuar diçka nga kriza e tanishme, është se çështje të tilla nuk mund të futen brenda kornizës derisa nuk do të ketë një kornizë të besueshme dhe institucionale të eurozonës, me themelim të një qeverie të vërtetë konsistente, kontroll efektiv parlamentar, dhe legjitimim të nevojshëm demokratik.



* Ish-Lider i Partisë së Gjelbër, Ministër dhe Zv.Kancelar gjerman 




Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00