Latest News
A po përjeton BE-ja një krizë ekzistence?!
Në kushtet e një krize tepër serioze Europa po tenton të koordinojë më mirë ekonominë, ndërkohë që Britania nuk dëshiron t’i bashkëngjitet kësaj rruge.
Rexhep Mejdani
Mbledhja maratonë e Brukselit
Në Bruksel, natën e 8-9 dhjetorit, liderët europianë, edhe pse jo të gjithë, arritën…në një marrëveshje, pikat kryesore të së cilës paraqiten si më poshtë:
• Arritja e marrëveshja në trajtën e një pakete fiskale për ta bërë shumë më të fuqishëm “koordinimin e politikave ekonomike në fusha të interesit të përbashkët”.
• Buxhetet e shteteve të eurozonës duhet të jenë të balancuara ose me surplus, madje ky parim konsiderohet si i respektuar nëse, si rregull, deficiti vjetor nuk kalon vlerën 0.5% të GDP-së.
• Ky rregull do të përfshihet në sistemet legale kombëtare të anëtarëve të eurozonës, ata duhet të raportojnë paraprakisht për borxhin kombëtar.
• Sapo një vend anëtar i eurozonës është në prag të tavanit të deficitit prej 3%, ai do të përballet automatikisht me pasoja, përfshirë sanksione të mundshme, me përjashtim kur kësaj i kundërvihet një shumicë e kualifikuar e shteteve të eurozonës.
• Mekanizmi europian i stabilitetit (ESM), fondi i përhershëm i eurozonës, do të bëhet aktiv në qershor 2012; mekanizmi ekzistues EFSF (European Financial Stability Facility) do të mbetet në fuqi deri në mes të vitit 2013. Tavani i EFSF/ESM prej 500 miliardë eurosh do të rishitet në mars 2012.
• Eurozona e shtetet e tjera të BE-së, brenda 10 ditësh, do të duhet të konfirmojnë vënien në dispozicion të fondeve për FMN mbi 200 miliardë euro në trajtën e borxheve bilaterale në trajtimin e krizës.
• Rregullat e votimit në ESM do të ndryshojnë për të lejuar vendime me një shumicë të kualifikuar prej 85% në kushte emergjence, megjithatë një pikë e tillë mbetet të konfirmohet nga Parlamenti finlandez.
Ajo që ndodhi në Bruksel natën e 8-9 dhjetorit, a mos ishte konfirmimi i idesë së Europës me dy shpejtësi? Gati mund të pohohet se po. Në kushtet e një krize tepër serioze Europa po tenton të koordinojë më mirë ekonominë, ndërkohë që Britania nuk dëshiron t’i bashkëngjitet kësaj rruge.
Sidoqoftë, vendimi përfundimtar mbi eurozonën dhe vendet e tjera që duan t’i bashkohen kësaj monedhe është ende i turbullt, veçse për çdo rast ai nënkupton një integrim fiskal shumë më tërësor. A mjafton ky rezultat i arritur që të kënaqë tregjet financiare? Është ende herët për ta thënë, ndërkohë çështjet për zgjidhje kërkojnë shumë më shumë kohë. Megjithatë, ka mjaft mundësi që përgjigjja të mos jetë pozitive, sepse, siç pohohet në rrethet e specialistëve, kërkohet më tepër mish në kocka për të qetësuar panikun e tregjeve. Sidomos për të shmangur rënien e kreditimit, aq më tepër në se dalin në skenë dhe diferencat tradicionale europiane të samiteve të tilla.
Dhe pyetja tjetër: A ka ndonjë shans që vendimi i marrë të parandalojë zhytjen e Europës në recesion? Si vështirë, sepse, për fat të keq, gjithçka u arrit me vonesë. Madje, fillimi i vitit 2012 mund ta dëshmojë më qartë diçka të tillë. Aq më tepër që me “paketën fiskale” kërkohet të kapërcehet kriza e borxheve me koordinim politikash ekonomike me futje tavani të këtij deficiti. Po ashtu, edhe mosarritja e konsensusit, nisur dhe nga “meraku” i Britanisë të qëndrojë jashtë kësaj vendimmarrje në mbrojtje të sektorit të saj financiar, mund të ketë ndikimet e veta negative. .
“Bomba” e A. Zhypes
Në një intervistë të dhënë së përjavshmes “L’ Express”, më 30 nëntor 2011, Alen Zhype (Alain Juppe), ish-kryeministër dhe ministër francez i Punëve të Jashtme dhe Europiane, hodhi një “bombë” të vërtetë mbi godinën europiane…
Në përgjigje të pyetjes mbi seriozitetin e krizës së borxhit dhe sfidën aktuale europiane, A. Zhype thekson: “Kushdo po e ndien që kriza është jashtëzakonisht serioze dhe mund të vërë në pikëpyetje çdo gjë kemi ndërtuar deri tani, jo thjesht atë të arritur vetëm pas miratimit të Traktatit të Mahstritit afro 20 vjet më parë, por gjithçka të realizuar që me konceptimin e Komunitetit Europian. E thënë ndryshe, kjo është një krizë ekzistence për Europën: asaj duhet t’i përkushtohemi me të gjitha energjitë tona për ta kapërcyer atë. Por, kjo krizë të shihet dhe si një shans për Europën që po vazhdon të zhytet thellë apo vetë Francën; është koha për të ndërprerë zakonet e liga në menaxhimin e financave tona…”. Ndaj pyetjes për një skenar më pak optimist, ku përfshihet dhe eksplozioni i zonës “euro” apo një bllokim të plotë i saj, po ashtu Zhupe thekson: “Një shpërthim i eurozonës mund të çojë në një shpërthim të vetë Bashkimit Europian. Në një skenar të tillë gjithçka bëhet e mundur.
Bile dhe më e keqja. Ne jemi llastuar në dekada, bile i kemi bërë qejfin vetes që kemi çrrënjosur rrezikun e konfliktit në kontinentin tonë, veçse të mos jemi më aq të sigurt për këtë. Forcimi i populizmit, rritja e nacionalizmit dhe ekstremizmit në Europë e bën ndërmarrjen europiane shumë më vitale se kurrë ndonjëherë – pra, një Europë që na mbron e fuqizohet në kushtet e globalizimit…”. Ndaj pyetjes për çuarjen përpara të federimit europian, sidomos në sferën financiare, Zhupe sqaron: “Gjithkush po ndërgjegjësohet gjithnjë e më tepër për këtë, në Francë apo në vende të tjera: kur ke një monedhë të përbashkët, nuk mund t’ia lejosh sot vetes zbatimin e politikave ekonomike ende jokonvergjente. Përgjigjja e parë është, pra, për të ecur më tej në procesin e integrimit të eurozonës në mënyrë që politikat ekonomike, buxhetore dhe fiskale të jenë më të harmonizuara. Franca ka bërë për këtë gjë dhe propozimet e saj të rëndësishme. Ideja e qeverisjes ekonomike, e konsideruar si tabu dy vjet më parë, në sajë dhe të ndërhyrjes sonë, është sot e pranuar në parim. Në një eurozonë më të integruar dhe rreth saj del nevoja e një sistemi mjaft më elastik. Franca dhe Gjermania duhet të bihen dakord në këtë arkitekturë të re europiane. Aq më tepër që me euron ne kemi shkuar shumë larg, sa që nuk ka kthim prapa…”.
Pak më tej, ministri Zhype, duke komentuar pyetjen nëse mund të vlerësohet eurozona një prodhim i gabuar, sqaron: “Në traktatin e Mahstritit nuk është insistuar në mënyrë të mjaftueshme mbi koherencën e nevojshme të politikave ekonomike. Bile, tërësia e kritereve të Paktit të Stabilitetit nuk kanë qenë zbatuar siç duhej e kërkohej, në fakt. Me rënien apo ngadalësimin e ritmeve të ekonomisë, çdo vend nuk e parapëlqente dhe nuk po e respektonte këtë disiplinë, por dhe mekanizmat që mundësonin monitorimin e kritereve dhe garantimin e aplikimit të tyre. Rast ekstrem është Greqia…”. Duke iu përgjigjur pyetjes se një Europe me dy shpejtësi, Alen Zhype sqaron: “Nuk është çështja për ta bërë eurozonën një klub i mbyllur. Disa vende nuk duan t’i bashkohen eurozonës, p.sh., Britania e Madhe, kurse të tjera nuk munden. Por, ne duhet t’u propozojmë atyre diçka tjetër për të vazhduar bashkëjetesën me ta”. Dhe pak më tej, shton: “Tregjet kërkojnë reagim në minuta, ndërkohë që koha e këtij reagimi në qeverisjen europiane është në javë apo muaj…”.
Disa komente alarmuese
Europa, sipas Zhypes, po përballet me një “krizë ekzistence”, që mund të provokojë deri përplasje serioze, pse jo, dhe mundësinë e kthimit të një konflikti të dhunshëm në kontinentin tonë. Ai shkon dhe më tej se një spirale e krizës së borxheve mund të shkaktojë dhe “eksplozionin e vetë Bashkimit Europian”. Por, ajo që të krijon alarmin është se, duke komentuar ngjarjet e fundit, Alen Zhype thekson me mjaft shqetësim mundësinë e thellimit të krizës, që nga ana saj mund të bëhet një ushqim i vërtetë për një nacionalizëm të dhunshëm, të ngjashëm me atë të viteve ‘30. Për më tepër, në intervistën e mësipërme, sidomos komentet shoqëruese mbi të, paralajmërohet mundësia e precipitimit të mëtejshëm të situatës, pa përjashtuar konfliktet e dhunshme, deri luftën. Dhe, alarmi shkon deri aty sa që të vihet në pikëpyetje gjithçka që është krijuar dhe arritur jo vetëm në 20 vjetët që nga
Traktati i Mastrihtit, por që në themelimin e Komunitetit Europian…
Paralajmërimet e Zhupes u bënë disa ditë pas deklarimeve të Zhak Atalisë (Jacques Attali), një prej ekonomistëve me zë të Francës, ish-presidentit të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH). Edhe sipas këtij të fundit, situata ishte tepër shqetësuese, madje shansi për euron për të mbijetuar deri në Krishtlindje ishte “50–50”. Prandaj, edhe ai kërkonte veprime të “menjëhershme e urgjente” brenda disa javëve, për të shmangur kolapsin e euros. Edhe kancelarja Merkel, pak kohë më parë, ka paralajmëruar se dështimi në zgjidhjen e krizës së euros është një kërcënim potencial për paqen dhe stabilitetin në Europë. Dhe, ndërkohë që koha po bën punën e saj, duke presuar e tronditur tregjet, janë organizuar disa samite për krizën e borxheve, që kanë rezultuar jo aq premtuese. Madje, drejtuesit e BE-së kanë qenë të paaftë për të rënë dakord midis tyre për një paketë masash që do të kënaqnin tregjet financiare. Kjo edhe pse stërmundimi e mobilizimi ka qenë relativisht serioz për të ndihmuar vende të tilla si Greqia, Portugalia apo Italia, pra edhe për të shpëtuar euron…
Alarm në vesh të shurdhër?!
Në Shqipëri, nga mënyra si reagohet, nga deklarimet kryeministrore e vetëkënaqësia qeveritare, nga prerjet e riprerjet e shiritave, nga mungesa e analizës dhe transparencës publike financiare, nga refuzimi i ndërveprimit e bashkëpunimit ekonomik midis forcave politike, kuptohet se jo çdo gjë është marrë me seriozitetin e duhur. Natyrisht, jo që nuk është vepruar fare, madje masat shtrënguese nuk kanë qenë të pakta. Por kjo nuk mjafton! Mbi të gjitha kërkohet transparencë e gjithanshme ekonomike-financiare, sqarim i plotë publik mbi çdo projekt të rëndësishëm ekonomik dhe bindje e miratim opozitar të këtij projekti…
Me të drejtë shtrirja e mëtejshme e krizës së borxhit po e bën alarmin shumë më konkret edhe për vetë ekonominë shqiptare. Bile, ndërkohë që eurobondet greke e italiane janë bërë tepër shqetësuese, sidomos kur krahasohen me ato gjermane, në mënyrë publike nuk flitet fare për ato shqiptare të afro një viti apo dy vitesh më parë. Nuk thotë asgjë qeveria shqiptare, Kryeministri e ministri i Financave, por nuk flet as opozita dhe specialistët e komisionet e saj! Nuk kërkohet as interpelancë parlamentare, por hesht dhe Banka e Shqipërisë! Dhe ndërkohë në media flitet për trysni apo nevojë rritjeje të borxhit publik. Kjo duhet ndjekur, kjo duhet analizuar dhe, në rast rrezikshmërie, kjo duhet luftuar. Përndryshe, ekonomia shqiptare, shumë më e brishtë nga ajo greke, aq më tepër nga ajo italiane, mund të pësojë kolapsin fqinjësor të radhës, duke u kthyer në një gropë të zezë të vetë shqiptarëve, një burim rrënimi e konflikti social…
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment