Home | Politics | “Vdekjet misterioze të procesit të babait”

“Vdekjet misterioze të procesit të babait”

image
“Deri tani janë plot pesë persona, të cilët kanë lidhje me ngjarjen e zhdukjes dhe eliminimit të babait apo hetimin dhe gjykimin e saj, që nuk jetojnë më. Kjo na çudit më shumë se gjithçka”, - shprehet Ardian Hoxha, djali i Remziut. 
 
 



Luan Kondi 






Djali i Remzi Hoxhës

Si u shuan urdhëruesi i rrëmbimit, gjyqtari, mjeku, hetuesi dhe prokurori i dosjes “Hoxha”.

Familjarët e Remzi Hoxhës kanë plot 16 vjet që kërkojnë një varr për njeriun e tyre, por ende s’e kanë. Vazhdojnë të shpresojnë për të realizuar synimin e tyre për të pasur një vend ku ta qajnë babanë, ndërsa çuditen me vdekjet e papritura të personave që kanë lidhje me dosjen “Remzi Hoxha”. “Deri tani janë plot pesë persona, të cilët kanë lidhje me ngjarjen e zhdukjes dhe eliminimit të babait apo hetimin dhe gjykimin e saj, që nuk jetojnë më. Kjo na çudit më shumë se gjithçka”, - shprehet Ardian Hoxha, djali i Remziut. Gjatë gjithë kohës nuk kanë reshtur se hetuari privatisht, duke pyetur dhjetëra persona, e madje duke i dhënë material të bollshëm drejtësisë shqiptare për të implikuarit në ngjarjen e rrëmbimit të Remziut në tetor të vitit 1995. Familja e ka guximin të vërë gishtin mbi personat pjesëmarrës në ngjarjen e dhimbshme të Remzi Hoxhës, shqiptarit të Kosovës, që ushtronte aktivitet tregtar në zemër të Tiranës, por jo për shumë kohë, pasi ai u rrëmbye nga shërbimi i fshehtë shqiptar, pasi sipas tyre, zotëronte një informacion të rëndësishëm. Ardiani thonë se i dinë të implikuarit në rrëmbimin dhe ekzekutimin e njeriut të tyre, ashtu sikurse kanë mjaft informacion për këtë ngjarje, iu janë mirënjohës disa hetuesve, prokurorëve dhe dëshmitarëve të guximshëm që kanë thënë të vërtetën për ngjarjen, edhe atyre që nuk jetojnë më. “Është shumë e çuditshme se si vdesin ‘papritmas’ personat, qoftë në anën e të implikuarve në krimin ndaj babait tim, apo edhe në anën e atyre që e luftojnë atë. Nuk jeton më Bashkim Gazidede, ish-kreu i SHIK-ut në kohën kur u rrëmbye prej këtij institucioni babi im. Po ashtu, pak vite më parë vdiq në rrethana enigmatike, ndonëse u tha nga sëmundje e pashërueshme, Pirro Visari, ish-funksionar i SHISH-it në kohën që ai drejtohej nga Fatos Klosi, personi që u mor me hetimin nga ky institucion të çështjes së tim eti. Të gjithë e kujtojnë vdekjen pas disa ditësh qëndrimi në spital të gjyqtarit Xhelal Elezi, i cili pësoi hemorragji cerebrale në sallën e gjyqit, njeri i nderuar dhe me integritet. Po ashtu, nuk jeton më Ylli Xhaxhika, mjekut i cili ia kishte shëruar plagët babait tim teksa e kishte parë atë në gjendje tejet të mjeruar shëndetësore. Në fund, them me bindje se humbëm një njeri të përkushtuar ndaj profesionit të vet, prokurorin Xhevat Hana, për të cilin as nuk e dinim që ishte i sëmurë. Kjo është e trishtueshme dhe e çuditshme njëkohësisht”, -vijon Ardian Hoxha. Ai konfirmon se familja e tij i ka njohur këta person gjatë kërkimeve që e kanë kaluar një dekadë e gjysmë. Ardiani shprehet se për secilin prej personave që janë marrë me dosjen “Hoxha”’ urdhërues, realizues, dëshmitarë, hetues, prokurorë, gjyqtarë, që nuk jetojnë më, familja ka opinionin e saj.

Ish-kreu i SHIK, Bashkim Gazidede

“Bashkim Gazideden e kemi njohur si emër menjëherë pas zhdukjes së babait tim. Ai ishte drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Informativ Kombëtar në atë kohë (SHIK) (sot SHISH, Shërbimi Informativ Shtetëror), dhe njeriu kyç që e kishte udhëhequr aksionin e zhdukjes së babait. Emri i tij, së bashku me emrin e Arben Sefgjinit dhe Ilir Kumbaros, na ka dalë në çdo ‘pistë’ të cilën hulumtonim në atë kohë dhe e dinim shumë mirë se kush ishin përgjegjësit për këtë krim. Duke e ditur këtë të fundit, përgjegjësit e zhdukjes së babait, filluam të hulumtonim arsyet e zhdukjes së tij dhe i gjetëm. Janë ato që kemi bërë publike edhe më herët. Zbuluam se ato lidhen me frikën e publikimit të ‘takimit të Sali Berishës me Sllobodan Millosheviçin dhe Kiro Glogorovin në Shën Naum, më 31 maj të vitit 1993’ dhe ‘takimin e Bashkim Gazidedes me Arkanin në Shkodër, po ashtu në vitin 1993’”, - thotë Ardiani. Sipas tij, Bashkim Gazidede dhe Arben Sefgjini, gjatë kohës që në pushtet ishte PS-ja, për 8 vite nuk ndodheshin në Shqipëri, ndërsa Ilir Kumbaro ishte në Angli që nga fillimi e deri në nëntor të vitit të kaluar. “U përpoqëm shumë të gjenim se ku ndodheshin dhe s’i gjetëm, ndërsa kur fitoi zgjedhjet PD-ja, ata u kthyen me dëshirë në Shqipëri, gjë që na gëzoi shumë, por vetëm për pak kohë. Ne mendonim se ata do të arrestoheshin dhe do të burgoseshin për krimet që kishin bërë, por vonë, me këmbënguljen tonë u realizua kjo, ndërsa u ndërpre nga Sali Berisha, pasi iu dha liria me amnistinë që ai dha për të gjithë krimet e kryera para vitit 1997, edhe pse ky krim nuk kishte të bënte me ngjarjet e atij viti”, - vijon Ardiani.

Ardiani thotë se kjo nuk mjaftoi dhe Bashkim Gazidede e Arben Sefgjini u emëruan në krye të institucioneve më të larta shtetërore, gjegjësisht Hipotekë dhe Tatime, përkundër faktit që ata ishin duke u hetuar në procesin gjyqësor që u rihap me ndihmën e Avokatit të Popullit, z. Ermir Dobjani. “Më vonë Bashkim Gazidede vdes në mënyrë misterioze, duke u këputur kështu njëra nga hallkat e kuqe të zinxhirit”, - deklaron djali i Remzi Hoxhës.

Gjyqtari Xhelal Elezi

Familja Hoxha nuk e ka njohur nga afër të ndjerin Xhelal Elezi, por ishin në dijeni se ai ka qenë gjyqtari i çështjes “Remzi Hoxha”. “E kemi ditur se kishte kërcënime dhe presione nga më të ndryshmet, dhe ne besojmë se si pasojë e presioneve, ai ra shumë nga ana shëndetësore, dhe siç është tashmë e njohur, ai pësoi goditje cerebrale në tru në sallën e gjyqit. Vetë vdekja e tij në këtë mënyrë tregon se çfarë ndërhyrjesh ka në këtë proces. Nga kush? Këtë e di edhe fëmija më i vogël. Dimë që gjyqtari i ndjerë i Gjykatës së Krimeve të Rënda ka qëndruar për disa ditë në koma në reanimacionin e spitalit neurologjik në Tiranë, pas një hemorragjie të rëndë cerebrale. Vdekja e gjyqtarit Elezi bëhet e ditur për mediat nga burime të policisë së Tiranës, që thanë atëherë se ai ndërroi jetë pesë ditë pasi pësoi një goditje nga tensioni i lartë i gjakut në kokë gjatë një seance gjyqësore. E kujtojmë me respekt këtë njeri të mirë”, - shprehet Ardian Hoxha.

Mjeku i SHIK, Ylli Xhaxhika

Ardiani dhe xhaxhai i tij, Adnani nuk harrojnë të kujtojnë me nderim edhe mjekun Ylli Xhaxhika, i cili ishte një nga dëshmitarët e procesit “Remzi Hoxha”, që sipas tyre vdiq dy javë para se të vinte përsëri si dëshmitar. “Ai ishte personi që pati thënë më herët se i kishte shëruar plagët babait tim. Mendoj se edhe ky duhet të futet në atë listën e humbjeve të mëdha për këtë proces. Mjekun Xhaxhika nuk e harrojmë, pasi mosardhja e tij në gjyq, për shkak se ishte ndarë nga jeta, lidhet me ditën kur ne zhvillonim një protestë paqësore para gjykatës. I bekuar qoftë për shërbimin që i ka bërë babait tim në ato momente të vështira, teksa e kishin keqtrajtuar barbarisht në Vain të Lezhës. Na kanë thënë se edhe mjeku kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë. Sa keq...”, - rrëfen për këtë humbje djali i Remzi Hoxhës.

Zyrtari i SHISH, Pirro Visari

Pinjolli i familjes Hoxha nuk e ka njohur personalisht Pirro Visarin, njeriun që institucioni i shërbimit sekret shqiptar e ngarkoi me detyrën e hetimit të çështjes së zhdukjes së Remzi Hoxhës. “Unë nuk kam informacion për të, ndërsa këtë e disponojnë të plotë xhaxhallarët e mi. Sipas tyre, ai ishte një profesionist i vërtetë dhe ka verifikuar të gjitha të dhënat që ne kishim, e madje ka sjellë për këtë çështje edhe gjëra që s’i dinim. Familja jonë i është mirënjohës për sa ka bërë për zbardhjen e të vërtetës së rrëmbimit dhe ekzekutimit të babait tim”, - vazhdon Ardiani.

Prokurori Xhevat Hana

“Me pikëllim shumë të madh e morëm lajmin e ndarjes nga jeta të prokurorit Xhevat Hana. Ne as që e dinim se ai ishte i sëmurë apo kishte nevojë për ndihmë. Ndihemi shumë keq që nuk kemi qenë të njoftuar më herët nga askush. Kështu paska qenë e shkruar. Zoti e shpërbleftë atë, sepse ai ishte një nga njerëzit më të mirë dhe më të guximshëm në Shqipëri, shembull i një shqiptari të vërtetë. Nuk e di se cila ishte arsyeja e vdekjes së tij misterioze dhe dyshoj se mund t’ia kenë shpejtuar vdekjen në spitalin shtetëror në Tiranë, duke qenë se ai ishte një nga njerëzit kyç që luftonin krimet më të mëdha në Shqipëri, dhe mendoj se duhet të hulumtohet kjo gjë”, - thotë përfaqësuesi i familjes Hoxha, Ardiani.

Xhevat Hanën, ata e kanë njohur më shumë në aspektin profesional se sa në atë personal, pasi e kishin të ndaluar në një farë mënyre të kishin kontakte me të, për shkak se mund të dëmtohej procesi gjyqësor. “Ai ishte një burrë i mrekullueshëm dhe një njeri shembull për drejtësinë. Ne prisnin përfundimin e procesit të babait për ta takuar dhe falënderuar për punën që ka bërë dhe mëkat i madh që u nda nga jeta ai”, - përfundon konsideratat për njerëzit e humbur të procesit “Remzi Hoxha”, djali i tij, Ardiani. Shqip

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0