Latest News
Ankandi presidencial
Transparenca në përzgjedhjen e kandidatit për President nuk ka aspak lidhje me mirushtrimin e detyrës, pasi nuk kemi të bëjmë me zgjedhjen e një drejtuesi të ndonjë institucioni ku kërkohet vizion individual apo platformë pune, sikundër drejtori i Teatrit Kombëtar...
Leonard Olli
Prej disa javësh, edhe pse për të gjithë ata që e njohin çështjen në themel është e qartë se është herët, ankthi për zgjedhjen e Presidentit të ri ka kapluar shumë aktorë dhe faktorë. Debati i nisur në distancë nga juristë konstitucionalistë, analistë, e më pas i prekur nga politikanë e mandej, si gjithmonë, edhe një pjesë e Trupit Diplomatik, tashmë është temë e ditës. Diskutimet shkojnë e vijnë, por në thelb mbeten të njëjta: cila prej palëve do të përzgjedhë Presidentin e ardhshëm? Gjithë pështjellimi për ta trajtuar si një çështje që kërkon interpretim kushtetues është thjesht dhe vetëm një demarsh për të impresionuar publikun e gjerë dhe për t’i bërë presion maxhorancës se ajo nuk mund ta zgjedhë Presidentin me votat e saj. Sa thelbësor është ky diskutim, kjo nuk ka nevojë për koment. Si z. Berisha, ashtu dhe z. Rama, nëse ka diçka që vlerësuan nga ndryshimet kushtetuese të korrikut të vitit 2008, ka qenë pikërisht fakti i heqjes së disa neneve apo më saktë moderimi i tyre në nene, të cilat shmangnin krizën politike dhe institucionale në vend. E, sigurisht, zgjedhja e Presidentit është një nga këto pika. Dhe këtë të gjithë e kujtojnë kthjellët. Atëherë përse këto lodërzime lidhur me kuorume në votimin e Presidentit në seancë nëse prevalon Kushtetuta apo Rregullorja e Kuvendit, konsensual apo jo? Po kaq e thjeshtë në thelb.
Opozita po përpiqet të marrë diçka që nuk i takon ligjërisht. E bindur për këtë fakt, ajo po rend drejt alibive interpretative të ligjit, në mënyrë që të krijojë një atmosferë në mbarë opinionin publik se Presidenti duhet të jetë konsensual, se nuk mund të zgjidhet pa votat e opozitës (në fakt, thjesht të vijë me propozimin e opozitës). Kushdo me njohuri të pakta juridike dhe me shpjegime të thjeshta nga persona kompetentë, arrin të kuptojë se nuk ka asnjë nevojë për interpretime: Presidenti zgjidhet me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të Parlamentit nëse nuk ka qenë e mundur zgjedhja e tij në raundet e mëparshme. Nëse nuk do të ishte kështu, përse liderët e dy partive më të mëdha në vend, por edhe konstitucionalistët pranuan asokohe se zgjedhja e Presidentit nuk përbën më ngërç dhe vendi shmang krizën politike e nuk shkon në zgjedhje të parakohshme? Ky ndryshim kushtetues, më shumë se çdo ndryshim tjetër, kushtëzon nevojën e konsensusit dhe bashkëpunimit të opozitës me maxhorancën, por sigurisht, duke i hequr opozitës mundësinë e shantazhit, imponimit të njëanshëm apo dhe mundësinë praktike për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, si një synim normal i çdo opozite, edhe pse me rrugën e gabuar në një rast si ky. Për më tepër, opozita tejet e ndërgjegjshme se debati që ka provokuar është i humbur ende pa filluar, si zakonisht, ka hyrë në një sërë veprimesh kaotike, të cilave nuk u ndahet prej disa vitesh.
Tashmë është shfaqur me një version të ri: garë e hapur për postin e Presidentit. Paniku presidencial ka krijuar një tjetër risi në jetën politiko-sociale të vendit: ankandin e zgjedhjes së Presidentit. E kjo, me një iniciativë të njëanshme, në një përpjekje-blof për ta detyruar maxhorancën të “falë” kandidaturën e Presidentit apo për t’ia “rrëmbyer” me një imponim publik mbi nevojën e një Presidenti konsensual.
Konfuze dhe pa asnjë strategji të qartë, opozita tentoi të përdorë sërish bllokimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, në kurriz, si gjithmonë, të interesave të vendit, në një demonstrim force lidhur me çështjen “Presidenti”. Mosvotimi i kalendarit të punimeve të Kuvendit në këtë sesion është vetëm një tregues.
E me të drejtë shtrohet pyetja: Nëse Presidenti, si simbol i unitetit kombëtar, me detyra të përcaktuara qartë nga Kushtetuta, përse duhet t’i përkasë njërës apo tjetrës palë, pasi, sido që të jetë, në ushtrimin e detyrës së tij ai është mbi palët dhe në ushtrim të detyrimeve kushtetuese? Për më tepër, përse një zgjedhje me ankand apo në stil gare për një vend pune do të ishte më pozitive? Vështirë të jepet përgjigjja, por një gjë është e sigurt: Presidenti propozon prokurorin e Përgjithshëm dhe ka kompetenca të gjera në emërimet në Drejtësi. Një i zgjedhur me “mund” e “sakrifica”, ndoshta do të kishte “detyrimin” t’i bënte disa favore politikës në këto drejtime. E pra, nuk duket se përzgjedhja e Presidentit nga ana e opozitës lidhet me elemente të principit apo konsensuales në interes të pavarësisë institucionale, por me aspekte pragmatiste për të rritur sa më shumë të mundet kontrollin në sistemin e drejtësisë apo dhe organit të akuzës nëpërmjet Presidentit.
Transparenca në përzgjedhjen e kandidatit për President nuk ka aspak lidhje me mirushtrimin e detyrës, pasi nuk kemi të bëjmë me zgjedhjen e një drejtuesi të ndonjë institucioni ku kërkohet vizion individual apo platformë pune, sikundër drejtori i Teatrit Kombëtar, Galerisë së Arteve apo ndonjë institucioni të ngjashëm. Kemi të bëjmë me Presidentin e Republikës, i cili betohet se do të zbatojë Kushtetutën. Është sa qesharak, po edhe aq grotesk fakti se do të zhvillohet një ankand për t’i dhënë postin e Presidentit atij që bind se do të zbatojë më mirë Kushtetutën. E cila do të jetë njësia matëse për këtë? Të shkelësh në shtigje të reja e të kërkosh të rikrijosh rrotën, kjo vetëm në skenën politike shqiptare mund të ndodhë. E megjithatë, tenderi-ankand tashmë formalisht është artikuluar dhe pritet të miratohet nga organet drejtuese të Partisë Socialiste. Mbetet të mësojmë se cilat do të jenë kriteret që duhet të plotësojë dikush për postin e Presidentit, sasia maksimale e pikëve për të fituar, anëtarët e komisionit të vlerësimit, e sigurisht edhe punëdhënësin…
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment