Home | Politics | Ora e Europës

Ora e Europës

image
Derisa 11 vendet anëtare të BE-së vendosën më 15 janar 1992 të pranojnë pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë, një shtet tjetër me ndikim në Evropë këtë hap e ndërmori më herët: më 23 dhjetor 1991 Gjermania bëri publik vendimin për njohjen e dy republikave të ...
 
 


Enver Robelli

 
 

Para 20 vjetësh Bashkësia e atëhershme Evropiane vendosi të njohë pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë. Atëbotë lindi edhe miti serb se Gjermania shkatërroi Jugosllavinë, duke ua mbajtur krahun sllovenëve dhe kroatëve. Këtij miti, kundër të cilit flasin faktet historike, me vite të tëra i kanë besuar edhe disa qarqe gjoja majtiste nëpër Evropë.

Ndoshta asgjë nuk është rastësi në zhvillimet politike dhe historike. Këtë përshtypje mund të kenë pasur vëzhguesit, pasi qytetarët me të drejtë vote në Kroaci para disa ditësh vendosën me referendum që vendi i tyre të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE). Referendumi u mbajt rrafsh 20 vjet pasi vendet e Bashkësisë Evropiane, siç quhej atëherë BE-ja e sotme, pranuan pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë. Para dy dekadash Kroacia ndodhej në luftë, pjesë të mëdha të territorit të saj gjendeshin nën kontrollin e kryengritësve serbë dhe Armatës Popullore të Jugosllavisë, e cila ishte vënë në shërbim të politikës së kryetarit të atëhershëm të Serbisë, Slobodan Milosheviqit. Qytete si Vukovari dhe Dubrovniku po shkatërroheshin, mijëra civilë detyroheshin të braktisnin vatrat e tyre dhe qindra të tjerë vriteshin në stuhinë e urrejtjes etnike. Dy dekada më vonë, në dimrin e vitit 2012, Kroacia përmbylli një kapitull të rëndësishëm historik: ajo më 1 korrik 2013 do të jetë vendi i 28-të anëtar i BE-së dhe lumi Danub në Vukovar do të jetë kufiri i ri i BE-së. Dy dekada më herët nga brigjet e këtij lumi evropian bombardohej qyteza baroke me ekonominë më të zhvilluar në gjithë Jugosllavinë e atëhershme.



mst: Fushatë antigjermane



Derisa 11 vendet anëtare të BE-së vendosën më 15 janar 1992 të pranojnë pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë, një shtet tjetër me ndikim në Evropë këtë hap e ndërmori më herët: më 23 dhjetor 1991 Gjermania bëri publik vendimin për njohjen e dy republikave të atëhershme jugosllave, të cilat kishin shpallur pavarësinë gjashtë muaj më parë. Ky akt atëbotë te jo pak serbë betonoi mitin se Gjermania i dha Jugosllavisë shtyrjen vdekjeprurëse. Në muajt e mëhershëm mediet serbe kishin bërë një propagandë të gjerë kundër gjermanëve kinse arrogantë, të cilët po riktheheshin në Ballkan si pushtues. Gazeta “Večernje novosti” botoi një karikaturë, e cila tregonte Adolf Hitlerin, Ante Paveliqin dhe Franjo Tugjmanin në një rend. Kështu synohej të ilustrohej kontinuiteti prej nazizmit të Luftës së Dytë Botërore deri te politika e Tugjmanit në fillim të viteve 90-të. Gazeta “Glas” nga Banjalluka në edicionin e datave 26-27 tetor 1991 transmetonte një proklamatë të Partisë Demokratike Serbe, ku mes tjerash nënvizohej: “Nëse nuk bashkohen të gjitha kombet patriotike në luftë kundër Gjermanisë fashiste dhe ustashëve, atëherë ne së shpejti do të zhdukemi nga faqja e dheut”. Në një karikaturë të botuar më 9 shkurt 1994 në gazetën “Zapadna Srbija” ilustrohej dimri në Kroaci: në vend të fjollave të borës në këtë vend binin kryqe naziste. (Shembuj të tillë mund të gjenden me bollëk në studimin e Armina Galijash mbi Banjallukën në kohën e luftës së viteve 90-të). Vite më vonë, gjatë procesit gjyqësor në Hagë, Slobodan Milosheviqi do të deklaronte se “kryekrimineli i shkatërrimit të Jugosllavisë” është Hans-Dietrich Genscheri, ministri i Jashtëm gjerman në fillim të viteve 90-të.

Këto akuza nuk i qëndrojnë asnjë analize serioze. Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë më 25 qershor 1991, pasi ishte bërë e qartë se Jugosllavia nuk kishte ardhmëri. Vendimi për shkëputje ishte marrë përmes referendumeve në të dy republikat jugosllave. Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare (lexo: bota perëndimore, përfshirë edhe Amerikën) vazhdonte të ishte skeptike. Ajo fillimisht nuk e përkrahu zyrtarisht pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë. Më 19 dhe 20 qershor 1991 në Berlin u mbajt Samiti i Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE, më vonë OSBE), ku Gjermania si vend mikpritës formuloi edhe deklaratën përfundimtare. Në të bëhej thirrje për ruajtjen e Jugosllavisë unike dhe për zgjidhjen e konfliktit pa dhunë. Edhe në javët në vijim tërësia territoriale e Jugosllavisë nuk vihej në pyetje nga Bonni, kryeqyteti i atëhershëm i Gjermanisë.



mst: Analiza e Genscherit



Shkatërrimi i Vukovarit, sulmet kundër qytetit të vjetër të Dubrovnikut, pamjet e civilëve të masakruar tronditën opinionin gjerman, i cili për dallim prej publikut në vendet e tjera evropiane ishte më mirë i informuar për ngjarjet në Jugosllavi edhe falë gazetarëve kompetentë. Ata e njihnin Jugosllavinë mirë, disa prej tyre si Johann Georg Reissmülleri i “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (F.A.Z.) kishin qenë korrespondent në Beograd. Presioni i disa medieve për të ndërmarrë diçka kundër agresionit serb në Slloveni dhe Kroaci ishte i madh. Por politikanët ngurronin. Ministri i Jashtëm Hans-Dietrich Genscher atëbotë deklaronte: “Zonja dhe zotërinj, Gjermania në këtë konflikt të Jugosllavisë nuk po ia mban anën një populli kundër një tjetri të këtij vendi, me të cilin kemi miqësi të ngushtë. Ne po ua mbajmë anën grave dhe nënave, të cilat nuk duan që burrat dhe djemtë e tyre të derdhin gjak në këtë luftë të pakuptimtë”. 

Nga mesi i nëntorit 1991 forcat serbe pushtuan Vukovarin e shkatërruar pothuaj plotësisht, sulmet mbi Dubrovnik vazhdonin dhe konflikti në Kroaci shkonte duke u ashpërsuar. Në atë kohë ndryshoi edhe qëndrimi i Gjermanisë, e cila vlerësonte me të drejtë se Jugosllavia tashmë ekzistonte vetëm në letër. Por Genscheri nuk veproi në mënyrë unilaterale, siç janë të prirë të mendojnë disa vëzhgues serbë ose majtistë evropianoperëndimorë. Më 17 dhjetor 1991 kryediplomati gjerman arriti t’i bindë kolegët e tij nga vendet anëtare të BE-së se kush dëshiron mund ta pranojë pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë. Me atë rast Genscher kishte thënë se “ruajtja e strukturave, të cilat nuk pranohen nga popujt, vetëm mund të shtojë tensionet”. Tek pasi BE miratoi një qëndrim të përbashkët për njohjen e dy republikave jugosllave, Gjermania veproi më 23 dhjetor 1991. Tri javë më vonë pasuan shtetet e tjera të BE-së.

Megjithatë, miti ishte krijuar tashmë. Madje edhe ministri i Jashtëm francez Roland Dumas e bëri përgjegjës Gjermaninë për ashpërsimin e krizës në Jugosllavi, duke thënë se me njohjen e pavarësisë së Kroacisë dhe Sllovenisë ishte huqur shansi për një zgjidhje politike. Se Dumas nuk mund të merrej aq seriozisht si politikan tregon edhe fakti se ai në vitin 2001 u dënua për korrupsion nga një gjyq francez. Një pozicion indiferent ndaj krimeve mbajti edhe presidenti francez François Miterrand. Në një intervistë dhënë gazetës „Frankfurter Allgemeine Zeitung“ në dhjetor 1991 ai ishte pyetur mbi shkaktarët e krizës në Jugosllavi. Përgjigjja e tij: „Ju po më pyetni kush është agresor dhe kush i sulmuar? Nuk mund t’jua them. Por ajo që di është se historia e Serbisë dhe Kroacisë është plot me drama“. Sa thellë ishte ngulitur miti se Gjermania kishte shkatërruar Jugosllavinë tregon edhe një deklaratë e Warren Christopherit, ministrit të Jashtëm amerikan në administratën e presidentit Bill Clinton. Në një intervistë për gazetën “USA Today” ai kishte thënë: „Në gjithë procesin e njohjes… u bënë gabime të rënda dhe gjermanët për këtë bartin një përgjegjësi të veçantë“.



mst: Një teori komploti



Krejt ndryshe mendon Marie-Janine Calic, e cila është profesoreshë për historinë e Evropës Lindore dhe Juglindore në Universitetin Ludwig-Maximilian të Mynihut. Së fundi ajo deklaroi për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se “as për shkatërrimin, as për ecurinë e përgjakshme të konfliktit nuk e bartin fajin aktorët e jashtëm, por vetëm përgjegjësit e republikave”. Duket se ndërkohë në teorinë e komplotit se Jugosllavinë e shkatërroi Gjermania beson vetëm shkrimtari austriak Peter Handke dhe disa nacionalistë në Beograd. Në librin e tij “Një udhëtim dimëror te lumenjtë Danub, Sava, Morava dhe Drina ose drejtësi për Serbinë”, Handke kishte atakuar intelektualët francezë Alain Finkielkraut dhe Bernard-Henri Lévy, duke i fyer si antiserbë, e në fakt të dy ishin vetëm kritikë të ashpër të indiferencës së Evropës ndaj krimeve të llahtarshme në Ballkan. Gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Handke e kishte quajtur “fletoren qendrore evropiane serbëngrënëse”. Përgjigjja nuk vonoi: Finkielkraut e quajti Handken një “përbindësh ideologjik”, ndërsa gazeta “FAZ” e këshilloi të shkojë në psikiatri. Handke deklaronte se nuk kishte qenë qëllimi i tij të shkruante një pamflet, por pranonte se në tekst “sigurisht ka edhe momente të pamfletit”. Si akuzat e Handkes ashtu edhe supozimet se Gjermania shkatërroi Jugosllavinë hyjnë në perandorinë e fantazisë. Është dashur të kalojnë 20 vjet që e vërteta e plotë të dalë në shesh: me vendimin e saj për të njohur Slloveninë dhe Kroacinë Qeveria e atëhershme gjermane vetëm kishte pranuar realitetin e krijuar në Jugosllavi. Me këtë realitet shumë shpejt u pajtuan edhe vendet e tjera të BE-së.


Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0