Home | Politics | Për një zgjedhje të Presidentit nga populli

Për një zgjedhje të Presidentit nga populli

image
Zgjedhja e presidentit nga populli do t’u krijonte mundësi konkurrimi të gjithë atyre që plotësonin kriteret për president dhe që vendosnin të hynin në një garë të tillë. 






Zef Brozi 






-Mënyra më demokratike, më efikase dhe më e përshtatshme për Shqipërinë

Në këtë shkrim, dua të jap mendimin tim lidhur me zgjedhjen e Presidentit me votim direkt nga populli, si një ndër mënyrat më demokratike dhe më të përshtatshme për vendin tonë. Ata që sot në Shqipëri janë kundër zgjedhjes së presidentit nga populli dëshmojnë se kanë frikë nga populli, prandaj ata edhe meritojnë ndëshkimin më të fortë prej popullit dhe jo vetëm kur ka zgjedhje. Më të frikësuarit nga populli në Shqipëri e kudo janë diktatorët dhe pushtetarët e korruptuar.

Mbase do të ishte më demokratike dhe e përshtatshme që edhe Prokurori i Përgjithshëm, edhe kryetari e anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të zgjidheshin nga populli dhe kriteret e detajuara se kush mund të zgjidhet në këto funksione të përcaktoheshin me Kushtetutë.

Mendimi që disa në Shqipëri kanë pasur, se vetëm në republikat presidenciale, presidenti zgjidhet direkt nga populli, është një teori që i përket shekullit dhe mijëvjeçarit të kaluar dhe që është hedhur poshtë nga realiteti i sotëm botëror. Aktualisht në mjaft vende, përfshirë dhe ato të Europës Lindore, edhe pse në Kushtetutë kanë fiksuar formën republikane të qeverisjes, presidenti zgjidhet nga populli. Edhe shteti më i ri, Kosova, ndonëse Republikë Parlamentare, e ndryshoi Kushtetutën dhe së shpejti do të bëjë zgjedhjen e presidentit me votim nga populli.

Propozimi që presidenti të zgjidhet direkt nga populli nuk është një diskutim a propozim i ri në Shqipëri. Edhe në Komisionin për Hartimin e Kushtetutës në vitet 1993-1994 ka pasur propozim që presidenti të zgjidhet nga populli, por presidenti i asaj kohe synonte të rizgjidhej dhe nuk kishte siguri që populli mund ta votonte për një mandat të dytë. Rezultati i referendumit për Kushtetutën në Nëntor 1994, befasoi dhe alarmoi pushtetin, por dëshmoi edhe pjekurinë politike të popullit. Ndonëse pritej që Kushtetuta e 1998-s të vendoste që presidenti të zgjidhej nga populli, ajo ruajti po atë model të Kushtetutës që humbi në referendumin e 1994-s. Mesa duket dhe Njëshi i së Majtës në pushtet, ashtu si ai i së Djathtës, donte që Presidentin ta emëronte vetë që ta kishte kukull të tij. Është domethënës fakti që kur janë në opozitë, kryetarët e partive të mëdha kërkojnë zgjedhjen e presidentit nga populli, por sa vijnë në pushtet bëjnë të kundërtën.

Atëherë shtrohet pyetja: kush pengoi më 1994, më 1998 dhe kush e pengon edhe sot vendosjen në Kushtetutë që presidenti të zgjidhet nga populli? Përgjigjja është e thjeshtë: Në Shqipëri, Kushtetuta dhe ligjet nuk janë hartuar e as hartohen duke pasur si qëllim interesat e Shqipërisë dhe ndërtimin e një shteti të vërtetë ligjor e demokratik, por diktohen nga interesat e Njëshit a Njëshave në pushtet e politikë. Nëse kjo praktikë nuk merr fund, Shqipëria nuk do të arrijë të ketë as stabilitet kushtetues e ligjor, as shtet të konsoliduar demokratik.

1. Pse duke filluar që këtë vit, presidenti duhet të zgjidhet nga populli?

Presidenti mendoj se që këtë vit duhet të zgjidhet me votim direkt nga populli, në çdo katër vjet me të drejtë rizgjedhjeje vetëm edhe për një mandat tjetër. Në këtë mënyrë, presidenti del si përfaqësues jo i një partie politike, por i shumicës së popullit; ushtron në mënyrë më të pavarur kompetencat e tij dhe luan rol aktiv e merr vendime të guximshme sidomos në raste krizash politike dhe ngjarjesh tragjike, si ajo e terrorit shtetëror të 21 janarit 2011, tragjedisë së Gërdecit etj. Zgjedhja e presidentit nga populli i jep mundësi të gjithë votuesve që ata dhe jo kryetarët e dy a tre partive parlamentare të vendosin se kush do të jetë kreu i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit të popullit. Kryetarët e partive nuk mund të përfaqësojnë as unitetin, as vullnetin e popullit. Partitë politike nuk mund të barazohen me popullin, sepse ato janë vetëm një pjesë e tij, një fragment i organizimit të tij social e politik.

Zgjedhja e presidentit nga populli do t’u krijonte mundësi konkurrimi të gjithë atyre që plotësonin kriteret për president dhe që vendosnin të hynin në një garë të tillë. Kandidatët do të vinin si nga partitë e mëdha, ashtu edhe nga partitë e vogla, shoqëria civile, rrethet mësimore e kulturore, biznesi etj. Kandidatët do të duhej të bënin fushatë, të bënin takime me zgjedhësit dhe të shpjegonin programin e tyre dhe t’u përgjigjeshin pyetjeve të zgjedhësve. Me interes është organizimi i debateve publike dhe debateve të drejtpërdrejta në televizion me kandidatët për president. Në këto debate bëhen edhe pyetje jo vetëm nga ata që janë prezentë në sallën ku bëhet debati, por edhe nga publiku i gjerë, përfshirë edhe shqiptarët që janë me qindra a mijëra kilometra larg, gjë që sot mundësohet nga mjetet e shumta të komunikimit elektronik. Konkurrenca e disa kandidatëve dhe komunikimi i tyre i hapur dhe direkt me publikun do të mundësojnë që zgjedhësit të njohin mirë kandidatët dhe të përzgjedhin më të mirin midis tyre. Pra do të marrin fund mënyrat mafioze, korruptive, madje edhe qesharake të zgjedhjes së presidentit. Do të marrë fund edhe humbja e kohës për të arritur në të ashtuquajturin “president konsensual”, që do të thotë një president kukull në duart e kryetarit të partisë.

2. Duhen bërë brenda muajit mars 2012 ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë lidhur me zgjedhjen e Presidentit nga populli që këtë vit, si dhe për kriteret e kandidatëve për president dhe kompetencat e presidentit.

Po të jetë vullneti politik për ta zgjedhur presidentin nga populli, ndryshimet e neneve përkatëse në Kushtetutë janë shumë të thjeshta, pra mund të bëhen shumë shpejt, brenda muajit mars të këtij viti. Me qëllim që t’i vijë në ndihmë Komisionit që mund të krijohet për këto ndryshime sugjeroj edhe formulimet e disa neneve më kryesore lidhur me Presidentin.

Mendoj se Neni 86 i Kushtetutës mund të formulohet kështu:

President i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.

President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, që ka mbushur moshën 35 vjeç dhe që ka banuar në Shqipëri jo më pak se 10 vjet.

Presidenti zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë e të fshehtë nga populli.

Presidenti zgjidhet për 4 vjet dhe me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë.

Siç shihet në këtë formulim sugjerohet që mosha minimale e kërkuar për Presidentin të ulet nga 40 vjeç që është sot, në 35 vjeç. Kjo për faktin se Shqipëria ka një përqindje të lartë popullsie të re në moshë dhe se u duhet krijuar mundësi edhe grupmoshës 35-40 vjeç, kësaj pjese vitale të popullsisë, që të konkurrojnë për President. Edhe në Amerikën që ka sot mbi 300 milionë banorë, kufiri minimal i moshës për President është 35 vjeç. Gjithashtu mendoj se mandati i Presidentit duhet të jetë 4 vjet dhe jo 5 vjet sa është sot. Edhe në Amerikë mandati i Presidentit është 4 vjet dhe me të drejtë rizgjedhjeje edhe për 4 vjet të tjera. Në kushtet e Shqipërisë, të kesh 10 vjet të njëjtin person si President është një kohë shumë e gjatë dhe kufizon konkurrencën e brezave te rinj.

Në vitin 1998, një profesor i së Drejtës Kushtetuese këtu në Washington, DC dhe njohës shumë i mirë edhe i Kushtetutave dhe situatës në Europë, përfshirë edhe Shqipërinë, duke komentuar projektkushtetutën e vitit 1998 (Kushtetuta e sotme e Shqipërisë) kishte kapur një detaj të rëndësishëm të saj: vënia e kushtit që për t’u zgjedhur president, personi duhet të ketë banuar 10 vjetët e fundit pa shkëputje në Shqipëri. Ndër të tjera ai arsyetonte: “Me këtë kufizim, duket se qëllimisht politikanët në Shqipëri duan të pengojnë intelektualët dhe të rinjtë e të rejat shqiptare që studiojnë, punojnë dhe jetojnë në Perëndim. Pra këta nuk lejohen të angazhohen në jetën politike të vendit të tyre përfshirë edhe konkurrencën për këtë post të lartë. Duket se edhe projektkushtetuta e 1998-s nuk i ka shpëtuar mendësive e praktikave të diktaturës komuniste…” . Ndonëse vënia e kriterit që personi që konkurron për president të ketë banuar njëfarë kohe në Shqipëri është i drejtë, kushti që kjo kohë të jetë pa shkëputje në 10 vjetët e fundit është i padrejtë. Aq më tepër kjo në kushtet e vendit tonë që ka një emigracion unik në botë me më se 1/3 e popullsisë jashtë vendit dhe në këtë shekull të globalizmit dhe lëvizjes së lirë. Përse edhe ish-studentët e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që përmbysën diktaturën, por që ka vite që janë në imigracion të pengohen nga ky kufizim për të konkurruar për president? Kushtetuta Amerikane kërkon që personi që kandidon për president duhet të ketë banuar jo më pak se 10 vjet në Amerikë, por ndryshe nga Kushtetuta e Shqipërisë, ajo nuk vë asnjë kufizim tjetër se kur duhet të jetë ky afat 10- vjeçar.

Neni 87 i Kushtetutës mund të formulohet si vijon:

Kandidatët për president mund të propozohen nga partitë politike, shoqëria civile ose dalin si kandidatë të pavarur.

Zgjedhjet për president bëhen jo më vonë se dy muaj para mbarimit të mandatit të Presidentit.

Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se gjysmën e votave të përgjithshme, atëherë bëhet votim i dytë, jo më vonë se 2 javë pas shpalljes së rezultateve, ku votohet për dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Quhet i zgjedhur kandidati që siguron më shumë vota.

Nëse në votimin e dytë kandidatët marrin numër të barabartë votash, atëherë të dy kandidatët votohen në Kuvend dhe kandidati që merr më shumë vota, quhet i zgjedhur.

Në rast se në votimin e parë në Kuvend, të dy kandidatët marrin numër të barabartë votash, bëhet votim i dytë brenda një jave. Në rast se edhe në këtë votim, rezultati i votave është i barabartë, Kuvendi shpërndahet dhe bëhen zgjedhje të reja për Kuvendin dhe Presidentin.

Presidenti qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e Presidentit të ri.

3. Mendoj se duhen rishikuar edhe disa kompetenca të presidentit me qëllim që të mos jetë thjesht një figurë pa tagra pushteti.

Më kryesorja, mendoj se duhet të ndryshojë neni i Kushtetutës, që ka të bëjë me veton e presidentit për ligjet dhe duhet sanksionuar që në rast se presidenti ia kthen ligjin Parlamentit për rishqyrtim, ky ligj mund të miratohet me jo më pak se 2/3 e gjithë deputetëve të Kuvendit. Sot në një rast të tillë, Kuvendi e miraton ligjin e kthyer nga president me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të Kuvendit. Një zgjidhje e tillë e bën veton praktikisht pa asnjë vlerë.

Prandaj mendoj që neni 85 duhet ndryshuar dhe mund të formulohet kështu :

Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë.

Ligji i kthyer nga presidenti për rishqyrtim mund të miratohet nga Kuvendi, kur për të votojnë jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në këtë rast Presidenti nuk ka më të drejtë ta kthejë për rishqyrtim këtë ligj.

Mendoj se do ishte mirë që Garda e Republikës të jetë në vartësinë direkte të Presidentit dhe komandanti i saj të emërohej dhe shkarkohej nga Presidenti. Garda të mos jetë në strukturën e varësinë e Ministrisë së Brendshme a të ndonjë ministrie tjetër. Gjithashtu mendoj se do të ishte efektive që në rastet kur për shkak të implikimit të qeveritarëve në korrupsion, në akte të rënda diskredituese dhe në pengim të organeve të drejtësisë, presidenti të ketë të drejtë të shkarkojë kryeministrin a ministra të veçantë.

Së fundi, mendoj se për këto ndryshime kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit nga populli nuk ka asnjë nevojë për të humbur kohë me ekspertë konstitucionalistë të huaj, madje as me Komisionin e Venecias a institucione të tjera. Që zgjedhja e Presidentit nga populli është rruga më demokratike, këtë e dinë të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe fshatarët e zonave më të thella dhe shqiptarët (me përjashtim të ndonjë pushtetari të inkriminuar) nuk kanë më nevojë për leksione a këshilla për këtë çështje. Kjo duhet bërë edhe për të kursyer paratë e taksapaguesve perëndimorë në këtë periudhë të vështirë ekonomike, edhe për të mos u marrë kohën e çmuar institucioneve ndërkombëtare dhe ekspertëve të huaj. Dhe më e rëndësishmja është se sot, në Shqipëri, ka specialistë shumë të mirë për Kushtetutën dhe fusha të tjera të ligjit, të cilët kanë studiuar, ose janë kualifikuar, ose edhe kanë punuar në Perëndim e në institucione ndërkombëtare dhe lexojnë edhe literaturë në disa gjuhë të huaja. Në Tiranë është edhe ish-gjykatësi i nderuar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe ish-anëtar i Komisioneve Kushtetuese. Politikanët dhe pushtetarët shqiptarë duhet të kenë më shumë besim në këtë pasuri të çmuar intelektuale që ka sot vendi ynë dhe ta dëgjojnë realisht zërin e tyre. Atëherë edhe Kushtetuta, edhe ligjet do të jenë shumë më të mira, më demokratike, më jetëgjata.
 

Washington, DC, 12 Shkurt 2012

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00