Latest News
Kosova, tregim i suksesit
Katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova paraqet një tregim të suksesit, thanë të enjten udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës gjatë një seance solemne të Kuvendit, me rastin e katër-vjetorit të pavarësise.
Katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova paraqet një tregim të suksesit, thanë të enjten udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës gjatë një seance solemne të Kuvendit, me rastin e katër-vjetorit të pavarësisë.
Seanca filloi me ekzekutimin e himnit të Kosovës.
Ndërkaq, të pranishëm në vendet e rezervuara për mysafirë ishin edhe përfaqësuesit më të lartë të pranisë ndërkombëtare, si dhe ambasadorët e vendeve të ndryshme.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se ëndrra e Kosovës për t’u bërë shtet u realizua me sakrificat e mëdha të popullit dhe ndihmën e madhe nga shtetet aleate me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurse sot, kur është e pavarur, Kosova, nënvizoi Jahjaga, e ka vendin e vet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Ne jemi faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon e më gjerë. Kosova e ka ndërtuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar dhe do të përfaqësohet e barabartë dhe me reciprocitet të plotë. Proceset nuk kthehen prapa dhe askush nuk mund të krijojë përshtypjen se procesi i pavarësisë së Kosovës nuk është i përfunduar. Të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim bashkohen në vizionin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, tha Jahjaga.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se 17 Shkurti i vitit 2008 paraqet datën më kulmore të historisë së Kosovës. Ai tha se Republika e Kosovës është një tregim i suksesit, me të cilin mund të krenohet bashkë me partnerët ndërkombëtar.
Fakti që katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova po hyn në muajt e fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, sipas Hashim Thaçit, paraqet një argument të përparimeve të shpejta në shtetin më të ri.
“Në vitin e katërt të pavarësisë, Kosova ka shënuar suksese të njëpasnjëshme në rrafshin politik diplomatik dhe atë të zhvillimit ekonomik. Republika e Kosovës sot është njohur nga 87 shtete të botës dhe ka hapur procesin e dialogut për liberalizimin e vizave duke bërë hapa konkret në perspektivën e integrimeve evropiane. Viti 2012 është viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, si shenjë e arritjes së standardeve demokratike”, theksoi Thaçi.
Në fjalimin e tij, edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se shpallja e pavarësisë ishte sublimin i aspiratave shekullore të popullit të Kosovës. Ai tha se për katër vjet të pavarësisë, Kosova ka shënuar shumë përparime, por si një shtet i ri ende ka shumë sfida.
“Kosova u pavarësua e fundit nga subjektet konstituive të Federatës së ish-Jugosllavisë. Tash jo vetëm që nuk kemi kohë për të humbur, por duhet kompensuar hapat e munguar. Vetëm duke dyfishuar ritmet e zhvillimit historik Kosova mund të barazohet me vendet e lira prej kohësh. Vetëm duke shfrytëzuar gjithë potencialin dhe vlerat e saj, mund të hyjë denjësisht dhe kokëlartë në familjen e integruar evropiane”, u shpreh Krasniqi.
Të tre liderët e institucioneve nuk kanë lënë anash pa i përmendur kontributet që presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova dhe komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, kanë dhënë në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë së saj.
Kosova si shtet i pavarur është njohur nga 87 vende, numër ky që vlerësohet të jetë ende i vogël për aspiratat e shtetit më të ri evropian.
Ndërkaq, nga aspektet e zhvillimeve të brendshme, sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare, Kosova ballafaqohet ende me sfida të sundimit të rendit dhe ligjit, shkallë të lartë të korrupsionit e krimit të organizuar dhe mungesë të shtrirje së sovranitetit në veri të vendit. /rel
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment