Latest News
Bac, ‘e kënaqën’!
Kosovo* na ktheu 13 vjet mbrapa dhe na e dëshmoi pafuqinë e një populli të vogël, posaçërisht kur udhëhiqet nga injorantët mbi të cilët rëndon edhe barra e dyshimit se nuk i kanë duart të pastra.
Flaka Surroi
Se sa e mjerueshme është të jesh pjesëtar i një populli të vogël, që e shkel kush do, si do dhe kur do, posaçërisht kur udhëhiqet nga injorantët dhe arrogantët, e dëshmoi konkluzioni për fusnotën. Bashkë me të gjitha gjërat, e vendimet, e veprimet që sollën deri te pika në të cilën u miratua një marrëveshje për përfaqësimin rajonal të Kosovës, që, sipas deklaratës zyrtare të BE-së, thotë: “Emërtimi Kosovo* është pa paragjykimin e palëve për statusin dhe në linjë me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 si dhe Opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”. Sipas formulimit “pa paragjykim”, del se as Kosova s’e paragjykon shtetësinë dhe pavarësinë e vet. Që edhe Kosova ka statusin neutral karshi pavarësisë së vet.
Nuk ka pasur ditë që nga krisja e luftës në Kosovë që nuk jam pyetur se me çfarë e kishim merituar përkrahjen aq të fuqishme të Perëndimit. E dija se një pjesë e përgjigjes gjendej te rrethana se “kishim qenë me fat” që Bosnja u shkatërrua dhe u masakrua sistematikisht për tre vjet me radhë e që në fund ndodhi Srebrenica, në kohën kur ishte “zonë e mbrojtur” nga OKB-ja. Pjesë e përgjigjes ishte vendosmëria e Perëndimit që kjo e fundit të mos përsëritej në Kosovë dhe fakti se bota demokratike nuk ia dilte që të merrej vesh se më mirë ishte të parandalohej sesa të shërohej. Dhe në rastin e ish-Jugosllavisë, tri herë u detyra të ndërhynte për t’i shpëtuar jetët e civilëve, që u bënë pre e fashizmit serb që i nisi katër lufta, të cilat fatmirësisht i humbi.
Kam dashur të besoj se njëra nga arsyet ka qenë edhe fakti se si popull jemi specifik, e simpatik, e liridashës, e çfarëdo pozitive që mund të të bjerë në mend, dhe se për këtë arsye na donin të huajt, posaçërisht amerikanët. Zhvillimet në vitet e fundit që nga pavarësia, më bëjnë të mendoj se në mos ndoshta jemi shndërruar monedhë kusurimi: me djegien e Kosovës (fusnota*) arrihet kënaqja e aspiratave dhe e ambicieve të Serbisë (shndërrimi në shtet kandidat për BE) dhe njëkohësisht arrihet zbutja e qëndrimit të Rusisë në OKB – në raport me Sirinë dhe Iranin. Duke mbetur shtet i pakryer, me problemin shumë serioz të qeverisjes nga një strukturë e paaftë dhe e korruptuar, e me problemin edhe më serioz të veriut të barrikadave dhe të strukturave paralele serbe, Kosovo* mund të riaktivizohet kurdo qoftë si problem ose si zgjidhje shtesë për kënaqjen e ndonjë qejfi tjetër – për shembull federalizmin e Kosovës...
E që shteti mund të shndërrohet në një gjë kaq të pavlefshme e dëshmoi kryeministri i Kosovës, i cili, duke marrë parasysh se ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura dhe se hëpërhë duket të jetë nën hetime pas raportit të zviceranit Marti, është brumë i jashtëzakonshëm për gatim ashtu siç kujt i konvenon në çastin e caktuar. Si njeri që ka problem t’i lidhë tri fjali pa i lexuar (të cilat edhe kur t’i lexon, i lexon gabimisht), është i prirë që të flasë shumë e të mos thotë gjë; ose të thotë diçka, e më pas ta demantojë veten pa asnjë fije telashe, as pa u skuqur e as pa u zverdhur.
Sa pak vlerë ka shteti ynë i udhëhequr nga kjo Qeveri, e dëshmon fakti se të huajt e bindën, thënë më mirë, e obliguan Thaçin që t’i niste “bisedimet teknike” me Serbinë. Ishte mahnitëse që gati pas një viti, ta dëgjonim zonjën Ashton (së cilës kryetari serb i drejtohet me “Keti”) tek e përsëriste të njëjtën fjali në lidhje me qëllimin e bisedave të ndërmjetësuara nga Cooperi: “Ekipin që e kemi dërguar atje për momentin është duke punuar bashkërisht në përpjekje për t’i mbështetur të dyja palët për të ardhmen e tyre. Shpresoj se të dyja vendet do të jenë në gjendje të punojnë në bazë të planit që do t’ia mundësojë Serbisë që ta marrë statusin e kandidatit, kurse Kosovës do t’i mundësojë hapjen e dialogut për vizat”.
Këtë e ka ditur edhe Thaçi, edhe Qeveria e Kosovës dhe, natyrisht, e kanë ditur të huajt që kanë insistuar që të shkohet me negociata teknike që janë thellësisht politike dhe që shkaktojnë pasoja politike. Do të ishte shumë tronditëse po të kuptohej se kryeministri dhe Qeveria nuk e kanë ditur pse po futen në bisedime me Beogradin. Mbase nuk do të kenë pasur iluzionin se me këto bisedime, Serbia përnjëmend do ta pranonte Kosovën shtet dhe se qysh vitin e ardhshëm do të bëhemi shtet kandidat për në BE dhe për në NATO.
E ajo që ka ndodhur në javën e shkuar, tregon thjesht se kjo Qeveri me shefin e vet e kanë parë se janë futur në një rrugë nga e cila nuk kanë ditur si të dalin, dhe prandaj i janë qasur për këshilla, përkatësisht urdhra, “miqve ndërkombëtarë”. Sa për ilustrim, ja pak kronologji, e cila jo pak i ngjet një vargu karikaturash të Pimpsonsave:
E enjte, 2 shkurt 2012; Hashim Thaçi: “...Dua t’ju siguroj juve (Kuvendin) dhe të gjithë qytetarët e RKS, se Rezoluta 1244, për mua, Qeverinë e Kosovës, Kuvendin e Kosovës, Popullin e Kosovës është e tejkalueshme, ndërsa shteti sovran dhe i pavarur i Kosovës është i përjetshëm”.
Siç do ta thoshte Konjufca nga “Vetëvendosja”, Rezoluta 1244 është “zgjidhje vamprisite”, se posa shpallet e vdekur, ajo ringjallet. Si dhompiri, i kishin thënë nëpër katundet tona. Nëse nuk e besoni, lexojeni deklaratën e ardhshme të kryeministrit.
E hënë, 20 shkurt; Hashim Thaçi: “Kosova, do të përfaqësohet edhe me marrëdhëniet regjionale, apo në përfaqësimin, pra do të përfaqësohet edhe me Deklaratën e Pavarësisë 17 shkurt 2008, Opinioni i GJND-së që konfirmon ndërkombëtarisht shtetin e Kosovës që ka bazë dokumentin e presidentit Ahtisaari, do të përfaqësohet me Rezolutën 1244 që njeh dhe garanton integritetin territorial të RKS dhe siguron prezencën e NATO-s në Kosovë, pra Kosova do të përfaqësohet si e barabartë dhe si shtet... Të gjithë ata që pretendojnë të vejnë sot dilema kanë një qëllim të kundërt, pra Kosovën e izoluar antievropiane, antiamerikane. Kjo nuk do të ndodhë”.
Dhe për ta bindur popullin se këtë punë po e bën sipas këshillave që vijnë nga Amerika, Qeveria doli me një komunikatë ku thuhej:
E martë, 21 shkurt: “Në një bisedë telefonike, sekretarja amerikane Hillary Clinton i ka rikujtuar edhe një herë kryeministrit Hashim Thaçi dhe gjithë popullit të Kosovës që SHBA-ja asnjëherë nuk do t'i sugjeronte Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë veprime të cilat do t'i dëmtonin interesat e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”.
Nuk e dyshoj se Amerika na e do të mirën. Por problemi është se Amerika e pranoi dhe e legjitimoi këtë Qeveri, duke ditur se përfaqësuesi i saj në Kosovë pati thënë vetë se vjedhja votave, posaçërisht në Skenderaj, ishte e “përmasave industriale”. Për më keq, ishte përfaqësuesi i Amerikës në Kosovë, ai i cili e shpiku formulën e zgjedhjes së kryetarit me zarf, nga e cila pliko, mund të dalin deklarata sikur kjo:
E martë, 21 shkurt: Atifete Jahjaga “...Përfaqësimi i Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe nismat rajonale bëhet vetëm mbi bazat e reciprocitetit dhe barabarësisë me të gjitha vendet tjera pjesëmarrëse”.
Kjo do të thotë se tash e mbas, në takimet ndërkombëtare, të gjithë kryetarët e shteteve të rajonit do të dalin nga zarfi i ambasadorit amerikan. Kjo gjithashtu do të thotë se pushtetarët, pavarësisht nivelit, tash e mbas do ta mbajnë nga një fusnotë si zbukurim në rever. Shembullin më së miri do t’ua paraqesë dikur zëvendëskryeministri i parë, e tash nuk e di cili me rend:
E mërkurë 22 shkurt: Në pyetjen “A e pranoni fusnotën?”, Hajredin Kuçi përgjigjet: “A dëshironi të përgjigjem sinqerisht. Nëse do të më kërkohej nga SHBA-ja, ose miq të tjerë, dhe që do të ishte e mirëseardhur për t’u integruar në BE, do ta pranoja – por nuk do ta ndërroja emrin e as identitetin".
Pra, fusnotistit që del për t’ia mbrojtur deklaratat Thaçit, sa herë që ky shkreton diçka, kësaj radhe iu bashkua edhe ambasadori amerikan, i cili, pos që e quajti LDK-në antiamerikane dhe antievropiane, na mbajti edhe një fjalim për dhompirin dhe për atë çfarë domethënie ka shteti dhe si forcohet shtetësia:
E enjte, 23 shkurt: Christopher Dell: “Shtetësia e Kosovës forcohet nëpërmjet ushtrimit të shtetësisë. Ai nuk ushtrohet duke u mbështjellë me flamur e duke thënë unë jam Kosova, jam i lirë. Jo. Ju e fitoni shtetësinë duke punuar për të. Ju e fitoni shtetin duke e ndërtuar atë. Ju e fitoni vendin në komunitetin ndërkombëtar duke punuar për të dhe duke punuar me të tjerët. Jo duke qëndruar ulur në shtëpi, duke pirë kafe në ndërtesën e Parlamentit dhe duke folur për simbole dhe formula të pakuptimta. Kemi parë komente të mira nga analistë ndërkombëtarë të cilët vërejnë se për arsye krejt praktike, Rezoluta 1244 është e vdekur. Ajo është në libra, sepse vende të caktuara që kanë të drejtë vetoje në Kombet e Bashkuara, nuk duan të lejojnë largimin e saj nga librat. Por, në pikëpamje praktike, nuk ka kuptim...”.
Atë që harron ta thotë ambasadori amerikan është se flamurin me të cilin mbështillemi na e ka dizajnuar paraardhësja e tij, e cila gjithashtu na ka treguar se himni ynë nuk bën të ketë fjalë. Në këto kushte dhe në rrethanat kur nuk e di sa njerëz e kanë hëngër burgun për formulën “Kosova Republikë”, ta mbrosh jo emërtimin, por esencën e saj, nuk do të duhej të ishte as krim, as antiamerikanizëm e as antievropianizëm. Por shprehje e një mendimi demokratik, i cili nuk është i dhunshëm.
Edhe pse nuk ka shumë nevojë për sqarime, megjithatë duhet rikujtuar se shumica e njerëzve rrinë në shtëpi për shkak se nuk kanë punë. Për këtë, në fakt, do të duhej të dilnin në rrugë e të protestonin, për shkak se programi ekonomik i “skijave” të Bullgarisë, nuk ka krijuar asgjë tjetër, pos më shumë varfëri. E nga ana tjetër, duhet thënë se deputetët pinë kafe në Parlament, për shkak se negocimi i stilit me ndërmjetësimin e Cooperit e mbyt demokracinë dhe i bart kompetencat legjislative te ekzekutivi. Në vend se Kuvendi të merrej me punë substanciale, merret me suxhuka. Por, natyrisht, ky nuk është faji i ambasadorit, por i atyre të cilëve ua legjitimuan votat e vjedhura për të krijuar qeveri – jo me duar të pastra.
Si për shembull i dikujt që të shikon në sy, të buzëqesh e të rren. I dikujt që sot ta thotë një gjë, nesër i ha fjalët e veta, pa një fije brejtje ndërgjegje e kërkimfaljeje, thuajse Kosova është prona e tij:
E enjte, 23 shkurt: Hashim Thaçi: “Krahas kërkesës së Serbisë, për Rezolutën 1244 do të jenë edhe mendimi i GJND-së për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës. Nëse nuk pranohen edhe këto fusnota, atëherë nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë”.
E marrëveshje megjithatë pati, ngase u fut në telashe, u ngul dhe “e nxorën” miqtë ndërkombëtarë, sepse, garant edhe atij i kanë thënë “se puna e fusnotës është si një fjollë bore që shkrihet në pranverë (sic!)”:
E premte, 24 shkurt; HashimThaçi: “Jam shumë i vetëdijshëm se formula në fusnotë nuk është ideale, por është më e pranueshmja, nëpër situatën nëpër të cilën po kalon rajoni. Kjo është formulë e përkohshme.
Sa herë e shoh fjalën “e përkohshme” më kujtohet puna ime e parë – dhe punëtorët sezonalë në Zvicër. Shumë nga ata që kanë shkuar në Zvicër më 1986, janë ende në punë të përkohshme në botën e jashtme.
Prej zemrës së plasur, s’kam çfarë them tjetër pos Bac, ‘e kënaqën’!
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment