Latest News
Varësia
Varësia nga “miqtë ndërkombëtarë” ua ka humbur udhëheqësve kosovarëve aftësinë për të menduar dhe për të vendosur vetë. Marrja e pakontrolluar e udhëzimeve dhe e këshillave është sikur kur të hash shumë çokollatë – me një çast mund të biesh në kolaps.
Flaka Surroi
Varësia nga “miqtë ndërkombëtarë” ua ka humbur udhëheqësve kosovarëve aftësinë për të menduar dhe për të vendosur vetë. Marrja e pakontrolluar e udhëzimeve dhe e këshillave është sikur kur të hash shumë çokollatë – me një çast mund të biesh në kolaps.
Para rrafsh 14-vjetësh, në të gjithë Kosovën kishin dalë nëpër rrugë rreth 500 mijë njerëz për të protestuar kundër masakrimit të civilëve shqiptarë në fshatrat Likoshan e Qirez. Populli i dalë në rrugë kishte për armë vetëm gishtërinjtë e ngritur në ajër në formë të shkronjës “V” – shenjë e cila në kohën e lëvizjes “hippie” kishte domethënien “paqe” e që në të gjitha rastet të tjera, “lexohej” si “fitore” (për “victoria”). Atëbotë, krahas përshkrimit të lajmit për sulmin e pamëshirshëm policor me forca tokësore dhe me helikopterë, KOHA Ditore kishte vendosur t’i botonte fotografitë e viktimave – sado që ishte e tmerrshme dhe rrëqethëse të shikoheshin imazhet e grave shtatzëna apo e të rinjve të sakatuar, me gjysmat e kokave të copëtuara nga rafalët e mitralozave. Duhej, ngase ishin dëshmia e vetme që kishim për t’i treguar botës se kjo tashmë ishte luftë – luftë e fëlliqur kundër civilëve të pafuqishëm dhe të paarmatosur.
Se çfarë vazhdonte të ishte tërbimi i policëve serbë edhe gjatë demonstratave, e dëshmonte fakti se të nesërmen raportohej për afro 300 veta që kishin kërkuar ndihmë në Spitalin e Prishtinës të kontrolluar nga serbët – aq të dërrmuar ishin nga dajaku. E demonstronte edhe shënimi se policët me kallasha ia kishin mësyrë edhe redaksisë së gazetës KOHA Ditore, duke rrahur me shkopinj gome këdo që shihnin korridoreve, duke mbjellë tmerr te, kryesisht, gratë dhe më të moshuarit, që kishin gjetur strehë në zyrat e gazetës.
Likoshani dhe Qirezi e shënonin fillimin e luftës në Kosovë, që nisi me një sulm jo fort të suksesshëm të njësitit të UÇK-së kundër një patrulle policie prej dy veturash te “gjashtë lisat” në hyrje të Likoshanit. Sulmi po ndodhte kur zyrtarisht komunikohej se në Kosovë ishin stacionuar 13.000 policë të rregullt, 25.000 përforcime policore, 6.500 ushtarë të AJ-së dhe 4.000 rezervistë të MUP-it serb dhe të ushtrisë serbe të kamufluar me emrin e ish-shtetit federativ. Likoshani dhe Qirezi shënuan 24 viktimat e para të afro 12.000 që do të regjistroheshin në fund të luftës e që do të vriteshin prej afro 100.000 ushtarëve dhe policëve serbë, të dërguar nga pushteti fashist i Beogradit për t’i zhdukur shqiptarët nga Kosova. Për ta ruajtur sovranitetin e pretenduar mbi Kosovën. Për ta bërë edhe një luftë të re që do ta forconte nacionalizimin serb dhe do t’ia siguronte pushtetin një despoti, me përkrahje të gjerë të popullit serb në Serbi, e edhe në Kosovë.
Dje, 14 vjet pas demonstratës më masive që kishte përjetuar Prishtina, po ai shtet, i cili së pari shkaktoi gjenocidin në Bosnjë ashtu që kjo më kurrë nuk ia doli t’i kthehej normales, e më pas u përpoq ta shkatërrojë Kroacinë, për të ardhur në fund në Kosovë në përpjekje për t’i shfarosur shqiptarët – fitoi statusin e shtetit kandidat për anëtarësimin në BE. Dhe për të qenë ironia edhe më e madhe dhe që puna të jetë edhe më paradoksale është se ecja përpara e Beogradit u arrit me alibinë që ia siguroi Prishtina – me bisedimet krejtësisht të improvizuara, pa absolutisht kurrfarë ideje apo strategjie. E mbi të gjitha, pa kurrfarë transparence.
Serbisë iu kumtua lajmi i hapjes së Evropës ndaj shtetit, i cili mbi 20 vjetët e fundit i ka shkaktuar tragjeditë më të mëdha në tokën e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore; shtetit i cili i ka mbajtur të fshehur dhe i ka mbrojtur kriminelët e luftës më gjatë se dhjetë vjet; shtetit, i cili i mban strukturat paralele dhe një pjesë të konsiderueshme të atyre policëve nga fillimi i kësaj kolumne në Kosovë për ndërtuar barrikada e për të copëtuar territore, edhe pse fjala kyç për të hyrë në Evropë është “integrim”... E këtë Serbisë ia mundësoi Kosova me udhëheqësit e saj me vizion shkurtpamës, përplot deklarata të kota, të pabesueshme dhe përplot rrena sikurse kjo: “Me fusnotën, Serbia e njohu Republikën e Kosovës”. E sa për ilustrim, qe sa e ka pranuar Serbia Kosovën: “Pozicioni i Serbisë është i qartë. Nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës me asnjë kusht. As sot, as nesër. Ky është qëndrimi ynë i pandryshuar”. Kështu thotë Boris Tadiq.
Dhe përderisa Serbia u shpërblye me status kandidati, ne u “shpërblyem” me nisjen e studimit të fizibilitetit, të cilin me aq shumë eufori na e kishin paralajmëruar udhëheqësit kosovarë më 5 nëntor 2008. Bëjeni hesap, po “shpërblehemi” me një vlerësim teknik, me të cilin ishim “shpërblyer” para gati tre vjetësh e gjysmë dhe prej të cilit nuk kemi fituar absolutisht asgjë, për shkak se shtetet që nuk na kanë njohur kanë thënë se kjo ndërmarrje është e kotë dhe e paefekt. Lehtë do të mund të na ndodhte që pas tre vjetësh të “shpërblehemi” sërish me po të njëjtin “shpërblim”.
Me studimin e fizibilitetit, Kosova e ka humbur rrugën në oborr të vetin. E ka humbur edhe atë pak sistem demokratik që ka pasur; e ka humbur të drejtën ta ketë mendimin e vet e që të shprehet lirshëm pa iu frikësuar shantazhit dhe kërcënimit që vjen nga të huajt. Kjo ngase është vështirë të gjendet argument tjetër për të shpjeguar reagimin e partive opozitare, me përjashtim “VV”-në, të cilës megjithatë i nevojitet një ndërrim radikal veprimesh për të pasur më shumë jehonë ndër masa.
Shkojmë me rend. Të hënën, pas fusnotës së famshme, u thirr një “protestë gjithëpopullore” në të cilën nuk morën pjesë më shumë se mbase dy mijë veta. Policia thotë 600 – mbase ata 1400 të tjerë do të kenë qenë anëtarë të SHIK-ut që kishin shkuar t’i evidentonin pjesëmarrësit për t’ua kompletuar dosjet. Sidoqoftë, protesta ishte keq e organizuar dhe devijoi në momentin kur nisi brohoritja “Vetëvendosje, Vetëvendosje”. Nëse dikush thërret protestë gjithëpopullore, ajo nuk mund t’i atribuohet një subjekti politik, sepse atëherë nuk ka kuptim, për shkak se më nuk është gjithëpopullore. Fakti se VV-ja nuk ia doli t’i animonte as aktivistët e shumtë që i ka për të marrë pjesë në të, bëri që protesta të dështonte dhe të dëshmonte dy gjëra: 1) që njerëzit refuzonin të merrnin pjesë në një demonstratë të thirrur nga “VV”-ja që të mos etiketoheshin “antiamerikanë” dhe 2) protestat gjithëpopullore pa veprimin e përbashkët të opozitës, e posaçërisht të opozitës, dhe të shoqërisë civile nuk mund të kenë sukses.
E se Kosova nuk ka opozitë mund të na e tregojnë edhe zogjtë e Feithit. Është e pabesueshme se pas prezantimit të shkëlqyer të argumenteve kundër fusnotës nga Vjosa Osmani në Interaktiv, LDK-ja të mos jetë prononcuar hiç, asnjëherë, me një diçka më substanciale sesa një deklaratë prej disa rreshtash që nuk thoshte shumë. Nuk ka mjaftuar as dalja shumë e vonshme e nënkryetarit të LDK-së, Hamiti, në parlament për të na treguar se emri i Kosovës tash e mbas në fakt është nofkë. Është mjaft frikësuese që një intervistë e ambasadorit amerikan në Zërin e Amerikës ku LDK-ja ishte cilësuar antiamerikane të ketë ndikuar aq shumë në mosdeklarimin e partisë më të madhe opozitare që kemi, së paku në letër.
Por më duket shumë më skandaloz arsyetimi i AAK-së se pse nuk pranonte të nënshkruante nismën e “VV”-së për një seancë të jashtëzakonshme. Sekretari i përgjithshëm, Ramadani, kishte thënë diçka si: “Nuk po e nënshkruajmë nismën, për shkak se e dimë se nuk i kemi votat dhe mocioni ynë nuk kalon”. Po zoti Ramadani, kjo i bie njësoj sikur të pyetej se përse i ka hyrë zgjedhjeve AAK-ja, kur e ka ditur, e këtë e përsëriste vetë, se pa Ramushin nuk mund t’i fitonte zgjedhjet parlamentare. Argumentimi i këtillë është një ofendim i inteligjencës së votuesve të kësaj partie, e edhe të atyre që nuk e kanë votuar atë, por që i shikojnë deputetët e saj si një mekanizëm për kundërshtimin e së keqes që vjen nga keqqeverisja. Natyrisht, në asnjërin rast nuk e dimë konkretisht se cili ishte kërcënimi direkt dhe nga kush u është bërë partive në fjalë, por mund të imagjinohet se duhet të ketë qenë diçka tepër e madhe që ua ndali hovin me aq shumë efekt. Me këso opozite, pozita mund të “flejë dathë”.
Kështu, për pozitën, “fli zbathur” do të thotë të vazhdosh të jesh arrogant edhe ndaj partnerit tënd të koalicionit, i cili gjatë gjithë kohës nuk e pati as komentin e vetëm për fusnotën. Me heshtje, AKR-ja bëhet bashkëfajtore për një vendim, i cili u mor pas një sërë deklaratash dhe veprimesh inkonsistente – ashtu çfarë edhe është politika kosovare. Mbase do të jetë marrë edhe pa u konsultuar fare me ta, meqenëse duket se Pacolli ka nisur ta nevrikosë Thaçin, duke ia kërkuar edhe një ministri. Për pasojë të kësaj të fundit, AKR-së iu tha: “Mundemi edhe pa ju, sepse ka plot që dëshirojnë të bëhen pjesë e koalicionit”. Kaq sa për lojalitet dhe bashkëpunim. Por arroganca duket e arrin kulmin kur kryeministri flet kundër opozitës. “Po të ishte gjallë Rugova, e po të ishte Ramushi në Kosovë, do të qeshnin me antiamerikanizmin e LDK-së dhe me veprimet e AAK-së”. Mbase do të duhej sqaruar kryeministrit, se Haradinaj është gjallë, dhe mund të qeshë edhe në Hagë, po pati për çfarë të qeshë. Por kryeministri do të duhej të dinte se është absolutisht joetike që të flasë në emër të njerëzve që për shkaqe shumë objektive nuk mund t’i përgjigjen. Është shumë joetike që të ndërtojë politika populiste, duke i përdorur emrat e njerëzve me të cilët kurrë nuk i ka pasur raportet të mira dhe normale. E vetmja gjë që i ka mbetur në fund është të thotë se është përfaqësuesi më autentik i “filozofisë rugoviane” dhe të fryhet me betejat të cilat Ramushi i ka fituar në luftë.
Në vend të kësaj, më mirë do të ishte që të shikonte se si do t’ia bënte punës së Azem Sylës, i cili është deputet i partisë së tij; bashkëpunëtor i tij shumë i afërt, e dikush thotë madje edhe dajë i tij, e cili në Zvicër është shpallur 100 % i paaftë psikikisht, përderisa këtu përfaqëson interesat e PDK-së në Kuvend, ani që nuk bën pjesë në asnjë komision parlamentar. Më mirë do të ishte po të merrej me problemin e pensionistëve, të cilëve është këputur duke u premtuar rritjen e pensioneve me kalimin e ligjit të ri. Le të merret me deputetët e vet që nuk po dinë si të votojnë dhe që për shkak të tyre votimet në Kuvend përsëriten nga dy e nga tri herë, duke i shkelur procedurat, për shkak se po “votuakan gabimisht”.
Mbi të gjitha, do të duhej të preokupohej dhe të merrej me paralajmërimin të cilin po e bën Serbia për organizimin e zgjedhjeve të saj lokale dhe parlamentare edhe në territorin e Kosovës. Zgjedhjet lokale do të mbahen aty ku mandatet u kanë skaduar këshilltarëve lokalë (në rastin e Kosovës, sipas kryetares se Kuvendit te Serbisë, kjo duhet të ndodhë në Zubin Potok dhe Zveçan), kurse ato parlamentaret “... në të gjithë territorin e Republikës – kurse Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, sipas Kushtetutës së Serbisë dhe Ligjit për zgjedhjet si dhe Rezolutës 1244”. E për të vërtetuar seriozitetin e kësaj deklarate, i bashkohet edhe një tjetër e Tadiqit që thotë se (mos)shpallja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë nuk është kusht që Serbia duhet ta plotësojë për t’iu caktuar data për nisjen e negociatave për aderim në BE. Për fat të keq, krejt çka ka thënë Tadiqi deri tash, ka dalë të jetë e vërtetë.
Po thuhet se bisedimet me Beogradin do të vazhdojnë me tema telekomunikacionin dhe energjetikën – mbase kjo do të ndodhë që javën tjetër e deri në shpalljen e zgjedhjeve të Serbisë më 13 mars. Do të ishte një alibi e shkëlqyer për kryenegociatoren që të mos kthehet në Kosovë edhe për disa ditë, meqë dëshmoi të mos ketë pasur asnjë grimë ndërgjegjeje dhe guximi për t’u ballafaquar me “antiamerikanët dhe antievropianët” që kishin çfarë për ta pyetur. Në javët në vijim, nuk ka dyshim se rreziku më i madhi do të jetë imponimi i negociatave për veriun, tashmë të paralajmëruar ndërmjet rreshtave nga diplomatët evropianoperëndimorë të akredituar në Prishtinë. Dhe imponimi tashmë nuk ka nevojë të vijë nga amerikanët, sepse me fusnotë, Kosova doli në tarafin e ndikimit të shteteve evropianoperëndimore. Çdoherë e më tepër, Kosova po bëhet patatja e nxehtë që papandehur ka kaluar në duart e BE-së, përderisa Amerika merret me probleme të tjera globale.
Më 29 shkurt, Koreja e Veriut arriti marrëveshje, pas sa a sa vjetësh refuzimi, me SHBA-në për ndërprerjen (“e përkohshme”) të programit të vet bërthamor, në këmbim për ushqim. Deri më këtë datë, Koreja madje ka refuzuar inspektimin e instalimeve të veta nga ana e ekipit të inspektorëve të OKB-së (duke llogaritur në veton përkrahëse të Rusisë dhe të Kinës). Tash edhe këta inspektorë janë të mirëseardhur. Thuhet se kjo është rezultat i mençurisë dhe i pragmatizmit të liderit të ri koreanoverior. Bindja ime është se kjo është një koincidencë tepër e madhe dhe se ka njëfarë lidhje ndërmjet fusnotës dhe ndaljes së urisë në Kore... por njohuritë e kufizuara për politikën globale të kësaj natyre, nuk më mundësojnë elaborim të mëtejmë. Por më nxisin kërshërinë për të lexuar tekste të ca profesorëve universitarë e ish-analistë inteligjence të CIA-s, që flasin për një zhvendosje më të theksuar interesi të SHBA-së drejt vatrave të tjera problematike në botë dhe për arkivimin gradual të rasteve siç është ky i Kosovës. Natyrisht koha do ta dëshmojë vërtetësinë e teorive të tyre.
Kështu e ka varësia e kombinuar me injorancën. Kur nuk di, i drejtohesh dikujt për një këshillë, por edhe marrja e këshillave e ka një kufi, sepse sikurse te çokollatat, konsumi i tepërt i tyre mund të të çojnë në kolaps.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment