Home | Politics | Ballkanizimi i Europës

Ballkanizimi i Europës

image
Sidomos ne, shqiptarët, duke u përgatitur për t’u bërë eventualisht anëtarë të Bashkimit Europian, siç dëshirojmë shumica prej nesh, duhet të përgatitemi edhe për të vazhduar ekzistencën, për të forcuar sigurinë dhe për të rritur mirëqenien tonë edhe jashtë Bashkimit Europian, nëse ai eventualisht do të shpërbëhet.
 
 
 
 

Fatos Tarifa






Pesë vjet më parë, më 7 prill 2007, gazeta Financial Times publikoi një deklaratë të komisionerit të BE-së për zgjerimin në atë kohë, Olli Rehn, i cili shprehej se, në mungesë të kapaciteteve absorbuese të Bashkimit Europian, disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor mund t’i gjejnë të mbyllura dyert e BE-së. Kjo ishte hera e parë që një ndër zyrtarët më të lartë të Brukselit bënte një deklaratë të tillë, duke paralajmëruar një qëndrim të ri të BE-së, ose ndoshta një rivlerësim të politikës së tij të zgjerimit të mëtejshëm.

Edhe pse shumë dekurajues, ky lajm nuk duhej të kishte qenë surprizë për ne, shqiptarët, siç shkroi në atë kohë shtypi i vendit. Ekonomikisht, Shqipëria vazhdon të jetë vendi më pak i zhvilluar në Ballkan. Politikisht, vendi ynë vazhdon të jetë i pastabilizuar, në atë masë sa është vështirë të bësh parashikime mbi zhvillimet e brendshme politike dhe ekonomike qoftë edhe për këtë vit, ose për vitin e ardhshëm. Në Indeksin e Demokracisë për vitin 2011, The Economist përsëri e rendit Shqipërinë ndër vendet me një regjim politik hibrid, 15 vende më poshtë, në klasifikim, se Maqedonia, 14 vende më poshtë se Mali i Zi dhe 22 vende më poshtë se Serbia, vende këto me një sistem demokratik, edhe pse me probleme. Ndërkohë, në të njëjtin grup me Shqipërinë renditen vende si territoret palestineze, Bangladeshi, Iraku, Tanzania, Uganda, Haiti, Egjipti etj.

Pas dhënies së statusit të vendit kandidat Malit të Zi në vitin 2010 dhe Serbisë pak javë më parë, dhe pas anëtarësimit të Kroacisë në BE më 1 korrik të vitit të ardhshëm, lëvizja historike për zgjerimin e Bashkimit Europian mund të njohë një pauzë të gjatë, në pritje të zhvillimeve të reja brenda vetë Bashkimit Europian. Mali i Zi dhe Serbia e kanë të sigurt anëtarësimin e tyre në BE, edhe pse kjo mund t’u marrë ca kohë. Shanset e Maqedonisë, si një vend kandidat qysh nga viti 2005, janë më të zymta, por gjithashtu shpresëdhënëse. Shqipëria, Bosnja dhe Kosova kanë shpresat më të pakta, nëse këto vende kanë vërtet ndonjë shpresë.

Edhe pse procesi i integrimit europian të Shqipërisë ka filluar 20 vjet më parë, me nënshkrimin e Marrëveshjes për Tregtinë dhe Bashkëpunimin midis saj dhe BE-së, në vitin 1992, hapi i parë serioz drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian u hodh 14 vjet më vonë, me nënshkrimin prej saj të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, në qershor 2006. Sipas një analisti të huaj, kjo marrëveshje ka qenë “ngjarja politike më e rëndësishme në tranzicionin e dhimbshëm 15-vjeçar të Shqipërisë, edhe [pse nënshkrimi i saj] ishte më shumë rezultat i dashamirësisë europiane sesa i arritjeve të Shqipërisë”. Qysh nga ajo kohë, Tirana dhe Brukseli kanë nënshkruar disa marrëveshje të rëndësishme, si Marrëveshja Interim mbi tregtinë dhe çështjet që lidhen me të, adoptimi i një Marrëveshjeje të re të Partneritetit Europian me Shqipërinë, Marrëveshja për Liberalizimin e Vizave etj. Sidoqoftë, refuzimi dy herë, kohët e fundit, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, dëshmon se zhvillimet e brendshme në vendin tonë Brukseli i sheh me skepticizëm dhe me mosbesim dhe, nëse politika shqiptare nuk ndryshon stil, Brukseli i ka të gjitha arsyet që t’i shtyjë edhe më tej vendimet e ardhshme lidhur me Shqipërinë, madje edhe të na “harrojë”.

Por le të supozojmë, për një çast të pamundurën, që situata politike në vendin tonë të normalizohet vitin e ardhshëm, pas zgjedhjeve legjislative, dhe Shqipërisë t’i njihet, më në fund, statusi i vendit kandidat. Pas kësaj pikërisht, nis edhe përpjekja më e madhe. Negociatat midis Tiranës dhe Brukselit për të mbyllur 35 kapitujt e acquis communautaire mund të marrin një kohë shumë të gjatë, në gjykimin tim, më shumë sesa një dhjetëvjeçar. Në vitin e saj të shtatë si vend kandidat, Turqia ka çelur negociatat me BE-në vetëm për 14 nga 35 kapitujt që duhen negociuar dhe ka mbyllur vetëm 1 kapitull. Në këto 7 vjet, si vend kandidat, Maqedonia nuk ka mundur të nisë negociatat për asnjë nga të 35 kapitujt. Nëse ritmet e negociimit të Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Europian në këto 7 vjet që ajo gëzon statusin e vendit kandidat mund të merren si një indikator, mund të thuhet se parashikimi se Shqipërisë do i duhen 10 deri 15 vjet për t’i negociuar të 35 kapitujt, nuk është jorealist. Kjo do të thotë që, nëse vendit tonë i njihet statusi i vendit kandidat në vitin 2013 ose 2014, atëhere mund të presim, gjithnjë nëse zhvillimet brenda vendit nuk shënojnë kthesa prapa, që shqiptarët të bëhen qytetarë të Bashkimit Europian jo më parë se në vitin 2025 ose 2030.

Dhe nëse ndodh vërtet kështu, siç është bindja e këtij autori, kush mund të thotë me siguri sesi do të jenë Bashkimi Europian në atë kohë dhe, mbi të gjitha, nëse ai do të vazhdojë të ekzistojë deri atëherë? Në vitin 2005, një raport i CIA-s parashikonte se Bashkimi Europian (dhe NATO) mund të pushojnë së ekzistuari në vitin 2020, nëse nuk reformohen në mënyrë thelbësore. Pasojat e krizës së fundit financiare i kanë bërë elitat politike të vendeve anëtare të BE-së dhe burokracinë e Brukselit të mendohen mirë për çdo hap që mund të hedhin në drejtim të zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian. Nëse Greqia dhe vende të tjera periferike eventualisht dalin nga eurozona, siç duket se është akoma një mundësi, vështirë se ndonjë vend tjetër do të bëhet pjesë e saj dhe, madje, vetë Eurozona mund të shpërbëhej. Por, pa këtë bashkim ekonomik dhe monetar europian, nuk mund të ketë më as Bashkim Europian. Thellimi i mëtejshëm i integrimit europian dhe zgjerimi i mëtejshëm i tij duken sot më shumë të pamundur, sesa të mundur. Po kështu, edhe pse europianizimi i Ballkanit vazhdon të jetë një mundësi reale, po kaq reale mbetet edhe mundësia që, për shkak të mungesës së kohezionit të brendshëm, ose të asaj që Robert Schuman e quante “solidaritet de facto”, vetë Europa të ballkanizohet.

Në Britaninë e Madhe, kohët e fundit, janë intensifikuar zërat që kërkojnë daljen e vendit të tyre nga Bashkimi Europian dhe shumë mendojnë se sot është “momenti që agjendës së BE-së t’i jepet një goditje e rëndë”. “Martesa e lumtur” franko-gjermane, apo çifti “Merkozi” (Merkel-Sarkozi) mund të mos zgjasë shumë. Vetë Gjermania thotë se ajo nuk është e përkushtuar ndaj solidaritetit europian ad infinitum. Në mëse një rast, presidenti francez Sarkozy ka kërcënuar se do ta nxjerrë vendin e tij nga zona Shengen. Sentimentet kundër Bashkimit Europian në radhët e partive nacionaliste dhe të një pjesë të konsiderueshme të elektoratit në vende të tilla si, Holanda dhe Danimarka, janë intensifikuar. Shumë në Europë nuk e duan një “Europë gjermanike”, të sunduar nga politikat e Berlinit, apo një Gjermani që të ishte Goliathi i Europës. Pakënaqësia e qeverive të vendeve të veçanta të BE-së ndaj politikave të Brukselit mund të thellohet edhe më shumë, siç shohim të ndodhë aktualisht në Hungari. 81 për qind e çekëve e vlerësojë situatën e sotme të Bashkimit Europian si shumë të keqe etj.

Të gjitha këto janë shenja jo të mira për të ardhmen e Bashkimit Europian. Nëse një ditë mund të shohim që vende të veçanta dalin nga Eurozona, ose edhe nga Bashkimi Europian, kjo nuk duhet të na habisë shumë. Dhe nuk duhet të na gjejë të papërgatitur. Sidomos ne, shqiptarët, duke u përgatitur për t’u bërë eventualisht anëtarë të Bashkimit Europian, siç dëshirojmë shumica prej nesh, duhet të përgatitemi edhe për të vazhduar ekzistencën, për të forcuar sigurinë dhe për të rritur mirëqenien tonë edhe jashtë Bashkimit Europian, nëse ai eventualisht do të shpërbëhet.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0