Latest News
BQE: Kriza e Eurozonës ka përfunduar
Situata po stabilizohet”, tha ai në intervistën për gjermanen “Bild”. Shefi i Bankës Qendrore Europiane është vlerësuar si njeriu që mundi të shmangë një krizë shumë serioze, duke u dhënë hua bankave europiane, shuma të mëdha parash, me norma shumë të ulëta interesi.
Sipas presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi, më e keqja e krizës së euros ka kaluar. Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild”, Dragi tha se situata në Europë është stabilizuar. Sipas tij, të dhënat ekonomike, mes të cilave inflacioni dhe deficiti buxhetor, po tregojnë se Europa është “ekonomikisht” më mirë se Amerika. “Më e keqja ka kaluar, por ka ende rreziqe. Situata po stabilizohet”, tha ai në intervistën për gjermanen “Bild”. Shefi i Bankës Qendrore Europiane është vlerësuar si njeriu që mundi të shmangë një krizë shumë serioze, duke u dhënë hua bankave europiane, shuma të mëdha parash, me norma shumë të ulëta interesi. Në dy turne, njëri në dhjetor dhe tjetri në shkurt, operacioni afatgjatë për rifinancim, injektoi gjysmë miliard euro në fondet e reja të bankave europine. Dragi e përshkroi këtë nismë si “një ilaç i fuqishëm”. “Vjeshtën e kaluar, situata ishte me të vërtetë kritike dhe ishim në prag të një periudhë të rrezikshme për krizën e kredive. Si pasojë, shumë biznese mund të falimentonin dhe ne e parandaluam këtë”, tha kreu i BQE. Megjithatë Dragi bëri thirrje që liderët e Europës të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre dhe të tregohen të kujdesshëm. “Besimi i investitorëve po rikthehet dhe situata është përmirësuar ndjeshëm.
Por tanimë gjithçka është në duart e qeverive të vendeve të prekura nga kriza. Ato duhet ta shohin krizën e kaluar si një mësim të mirë, për të shmangur me çdo kusht që të tilla situata kaq të rënda për ekonominë të mos përsëriten. Duhet me patjetër që ta mbajnë Eurozonën imune ndaj krizës” tha italiani Mario Dragi, i cili është vlerësuar shpesh për veprimet e guximshme që ndërmori në kulmin e krizës për ta ndaluar atë. Dragi, i cili e mori detyrën e kreut të BQE në dhjetor, e pranoi se është gjendur përballë vendimeve që më parë nuk i kishte menduar kurrë. “Situata ka qenë e tmerrshme. Kemi punuar shumë për të ardhur deri këtu”, tha ai. Të njëjtat fjalë kishte thënë pak ditë më parë edhe kreu i FMN-së, Christine Lagarde. Sipas saj, ekonomia e Eurozonës po tregonte shenja të rikuperimit dhe se situata ishte më shpresëdhënëse se SHBA, që vazhdojnë ende të mos e marrin veten nga kriza ekonomike që ka prekur vendin që nga viti 2007. Ai vuri në dukje edhe lajmet pozitive për stabilizimin e ekonomisë. Sipas saj, ekonomia botërore nuk është në buzë të greminës dhe kemi arsye për të qenë më optimistë. “Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara.
Megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm. Por optimizmi nuk duhet të na joshë me një ndjenjë të rreme sigurie. Ekzistojnë akoma dobësi të mëdha ekonomike dhe financiare që duhet të përballim”, tha kreu i FMN-së pak ditë më parë. Pavarësisht optimizmit të kreut të BQE-së, sondazhi i fundit i Indeksit të Blerjeve të Menaxherëve (PMI) dëshmon se disa prej ekonomive europiane vazhdojnë të shënojnë rënie. Shifrat për ekonominë më të rëndësishme të Eurozonës, Gjermaninë, dëshmojnë se aktivitetet prodhuese kanë rënë në muajin mars, po kështu edhe kërkesat. Kjo kontribuoi në tatëpjetën e Eurozonës, ku sipas PMI, në muajin mars kushtet e biznesit u përkeqësuan.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment