Home | Politics | BE, si një OKB e vogël

BE, si një OKB e vogël

image
BE rrezikon të shndërrohet në formën e një OKB-je të vogël, ku anëtarët mund të bllokojnë apo injorojnë njëri-tjetrin, ku vendimet e qendrës nuk respektohen!
 
 
 


Bardhyl Minxhozi
 
 
 
 
 
 
 
Retorika rebeluese e Kryeministrit hungarez kundër Brukselit, deklarata e hidhur e Presidentit francez për mundësi të largimit të Francës nga sistemi “Shengen”, si dhe mosfirmosja e paketës së përbashkët fiskale nga Britania dhe Republika Çeke javë më parë, janë mbase vetëm maja e ajsbergut e krizës së Bashkimit Europian. Nuk ka dyshim që nëpër korridoret e Brukselit, si dhe në kancelaritë e qeverive, gjuha duhet të jetë më e ashpër dhe pakënaqësitë duhet të jenë shumë më të mëdha. Është tashmë e qartë që veç krizës financiare të Unionit, kemi dhe një krisje të rëndë edhe të natyrës politike të Bashkimit Europian.
Mbase këto divergjenca apo pakënaqësi mund të kenë ekzistuar edhe më parë, por ato asnjëherë nuk janë shfaqur në këtë mënyrë.
Kriza e euros dhe eurozonës nxiti dukshëm diferencat dhe kontradiktat e brendshme të bartura prej shumë vitesh. Mungesa e një vizioni të qartë për daljen nga kriza ka shtuar jo vetëm thirrjet nacionaliste, por ka ulur dhe influencën e europianistëve në Bruksel dhe jashtë tij. Është tashmë e qartë që Brukseli nuk ka as fleksibilitetin dhe as fuqinë për të reaguar. Mekanizmi i marrjes së vendimeve është i ngadalshëm dhe më shumë ka dallime, sesa të përbashkëta. Për më tepër, vendimet thelbësore merren në Berlin dhe në Paris. Administrata e fryrë e Brukselit duket jo vetëm e ngadalshme, por dhe jashtë loje, në fakt.
 
Në grupin e anëtarëve tradicionalë kemi dallime midis eurozonës dhe atyre jashtë euros. Brenda eurozonës kemi diferenca në zhvillimin dhe situatën ekonomike dhe financiare. Disa nuk duan më që të financojnë borxhet e të tjerëve. Monedha e përbashkët nuk ka shanse afatmesme që të përhapet në vende të tjera. Monedhës i duhet të mbijetojë nëpërmjet standardizimit të politikave fiskale. Me fjalë të tjera, mbase nuk do të kemi kurrë një Europë të bashkuar rreth një monedhe. Nga ana tjetër, gjithmonë e më shumë po thellohen dallimet midis anëtarëve lindorë të Brukselit dhe atyre që e kanë themeluar BE-në. Mbase Brukseli u nxitua në përfshirjen para kohe të disa vendeve lindore në BE. Tashmë flitet hapur për vende të kategorisë së parë dhe të dytë, si dhe për qytetarë të kategorisë së dytë.
Paragjykimet e vjetra po gja­llërohen dhe klima brenda klubit nuk është aspak miqësore.
Në rrethanat ekzistuese, e ardhmja e BE-së do të vazhdojë të ecë më shumë për inerci të së shkuarës, sesa për hir të së ardhmes. Vende apo grupe të caktuara vendesh kanë interesa dhe objektiva të ndryshme ekzistence dhe zhvillimi. BE rrezikon të shndërrohet në formën e një OKB-je të vogël, ku anëtarët mund të bllokojnë apo injorojnë njëri-tjetrin, ku vendimet e qendrës nuk respektohen!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0