Home | Politics | Greqia dhe sovraniteti i saj

Greqia dhe sovraniteti i saj

image
Ndihma e Europës për Greqinë është shembull i një marrëveshjeje të përbashkët, sipas së cilës palët negociojnë duke pasur parasysh interesin e të tjerëve. Greqia u kërkoi ndihmë anëtarëve të tjerë të BE-së dhe ata janë përgjigjur me një sasi kolosale. 
 
 



Nga Javier Solana
 
 
 
 



Dinamikat e ndërvarësisë janë bërë të mirëngulitura -kaq shumë të tilla sa nuk mund të zhbëhen. Ti brendashkruhesh një koncepti të ngushtë vestfalian të sovranitetit në këtë botë, është një anakronizëm i pamend, në rastin më të mirë, dhe një bast i rrezikshëm, në më të keqin

Pavarësisht shumave kolosale deleguar për të shlyer borxhin e jashtëm të Greqisë, ka pasur një protestë mos aprovimi lidhur me ‘interferencën’ në sovranitetin kombëtar të këtij vendi. E vërtetë, në këmbim të ndihmës së konsiderueshme europiane, aftësia e Greqisë për të manovruar mëvetësisht do të jetë e kufizuar. Por, a janë ankesat se sovraniteti grek është dëmtuar rëndë, të përligjura?

Ideja e sovraniteti të një shteti-komb i ka rrënjët në traktatin e Vestfalisë të shekullit të 17-të, i cili ligjëroi mos ndërhyrjen nga agjentë të jashtëm në çështjet e brendshme, si parim udhëheqës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, e ngritur në ekstremin e saj logjik, sovraniteti kombëtar do të kërkonte izolimin e plotë fizik dhe shoqëror të shteteve nga njëri-tjetri. Në fakt, një theksim i tepruar i sovraniteti kombëtar çon në probleme serioze: në fund të fundit, çdo marrëveshje ndërkombëtare, politike apo ekonomike, përmban njëfarë transferimi të sovranitetit.

Ndihma e Europës për Greqinë është shembull i një marrëveshjeje të përbashkët, sipas së cilës palët negociojnë duke pasur parasysh interesin e të tjerëve. Greqia u kërkoi ndihmë anëtarëve të tjerë të BE-së dhe ata janë përgjigjur me një sasi kolosale. Përveç 130 miliardë eurove në kredi (më shumë se 40 për qind e PBB-së së Greqisë, plus 110 miliardëve të dhëna në vitin 2010) një ‘qethje’ prej 50 për qind u është imponuar kreditorëve privatë të Greqisë dhe Banka Qendrore Europiane ka hequr dorë nga këstet e pritshme të aksioneve të saj në bondet greke.

Pavarësisht asaj nëse kjo është teknikisht dhe ekonomikisht zgjidhja më e mirë për problemin e Greqisë, është logjike që BE të merrte pjesë në hartimin e saj. Pjesëmarrja në jetën kolektive të komunitetit ndërkombëtar të shteteve, do të thotë të kesh në mendje mbarëvajtjen e të tjerëve dhe, kur të jetë e nevojshme, të lëshosh pak prej prerogativave të sovranitetit.

Për shembull, kur Spanja vendosi t’i bashkohej Organizatës Botërore të tregtisë lëshoi nga sovraniteti i saj duke pranuar rregullat e OBT. Iu desh të hiqte dorë nga trajtimi preferencial tregtar për disa vende dhe t’i trajtonte të gjithë anëtarët e OBT njëlloj. Spanja e pranoi këtë në këmbim të mundësisë për të tregtuar në terma të barabartë me pjesën tjetër të botës.

Sociologu britanik Anthony Giddens me të drejtë i përshkruan shembuj të tillë si raste të integrimit apo bashkimit në këmbim të influencës globale. Shtetet bashkëpunojnë sepse ka përparësi për to në të vepruarit kështu, por në të njëjtën kohë ata e humbin kontrollin mbi disa çështje të caktuara të brendshme. Ata kalojnë nga vendimmarrjet njëpalëshe tek ato të përbashkëta.

Nëse kjo është dhunim i sovranitetit, varet te koncepti ynë mbi sovranitetin. Ashtu si koncepti i lirisë individuale, sovraniteti kombëtar varet tek ajo sesi janë përkufizuar përbërësit e tij. Në librin e tij klasik ‘Mbi lirinë’, John Stuart Mill përdori ‘parimin e dëmit për të shprehur pikëpamjen se liria individuale e një personi mund të kufizohet vetëm në mënyrë që të mbrohen të tjerët dhe të shmanget dëmi. Debati zhvillohet rreth asaj sesi e përkufizojmë ne ‘dëmin’ ndaj të tjerëve.

Në të njëjtën mënyrë debati rreth domethënies së sovraniteti kombëtar zhvillohet rreth asaj që ne konsiderojmë çështje ‘të brendshme’. Në varësi të ku e vëmë ne theksin dhe sa i gjerë është fokusi ynë, ne i japim një përmasë ‘globale’ (ose të paktën ‘federale’) sovranitetit, ose një përmasë ‘kombëtare’.

BE duket se përfaqëson një pikë midis këtyre dy koncepteve të sovranitetit. Por po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të përcaktuar ndryshimin ndërmjet çështjeve pastërtish të brendshme dhe atyre që kërkojnë aksion të përbashkët ndërkombëtar.

Globalizimi i ka bërë më porozë kufijtë. Tani shohim sesi politikat e një vendi, qoftë në raport me punën, mjedisin, shëndetin publik, taksimin, apo një miriadë çështjesh të tjera, mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë te të tjerët. Shohim se një ndërvarësi e tillë është më e qartë në performancën e tyre ekonomike: rritja vjetore e PBB-së së Kinës, për shembull, do të ngadalësohet me dy për qind këtë vit, falë limontisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkimin Europian.

Ngjashëm me shumë vende (gjithnjë e më të ndryshme në karakterin dhe trajektoren historike të tyre), po shfaqen bindshëm në teatrin global: PBB e Brazilit së fundmi e kapërceu atë të Mbretërisë së Bashkuar. Shfaqja e tyre ka implikime të rëndësishme për qeverisjen globale, në një kohë kur disbalanca ndërmjet probleme/kërcënimeve ekzistuese dhe mjetet në dispozicion të shteteve për të garantuar sigurinë e qytetarëve rritet.

Në një shkallë globale, kjo botë komplekse dhe e ndërvarur ka nevojë për një organizatë shtetesh dhe strukturash qeverisëse të prira kah dialogu i përgjegjshëm, me synimin e lehtësimit të abuzimit me pushtetin dhe mbrojtjen e aseteve publike globale. Pa struktura të tilla bota rrezikon një garë të fortë dhe jashtë rregullave ndërmjet shteteve -siç ndodh shpesh me taksimin- bashkë me një reagim proteksionist. Historia ka dëshmuar se zhvillime të tilla shpesh çojnë te konfliktet shkatërrimtare.

Në nivel europian legjitimiteti është thelbësor dhe -le të jemi realistë- nuk do të arrihet në qoftë se dhe derikur europianët i kapërcejnë disa ide të caktuara të vjetruara rreth sovranitetit. Tani që kërkon të përparojë në këtë drejtim, Unioni akuzohet për cenim të sovranitetit kombëtar.

Qytetarët duhet të kenë ndjesinë se institucionet që i qeverisin punojnë për interesat e tyre dhe i bëjnë ata pjesë të vendimmarrjes, që do të thotë një union të bazuar te rregullat dhe jo te fuqia. Fakti se BE nuk i ka gati të gjitha përgjigjet për një problem, nuk do të thotë se nuk ka një të ardhme. BE është një eksperiment i ri dhe i mrekullueshëm i cili, si me të gjitha eksperimentet, ka një farë mase pasigurie. Por kjo nuk duhet të na bëjë ta shpërfillim koston e oportunitetit të një koncepti më ‘kombëtar’ të sovranitetit.

Në fakt dinamikat e ndërvarësisë janë bërë të mirëngulitura -kaq shumë të tilla sa nuk mund të zhbëhen. Ti brendashkruhesh një koncepti të ngushtë vestfalian të sovranitetit në këtë botë, është një anakronizëm i pamend, në rastin më të mirë, dhe një bast i rrezikshëm, në më të keqin.

Poeti Jose Angel Valente mund ta quajë këtë një dëshirë “…të presësh për Historinë t’u fryjë orëve dhe të na kthejë mbrapa në kohët kur ne do të uronim që gjithçka t’ia niste nga fillimi”. Por në këtë botë prozaike, këtu e tani, koncepti i sovranitetit ndërkohë ka bërë përpara.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0