Latest News
Në vendin e mendjeve të shkurtra
Mes viteve 1945 dhe 1990 shqiptarët në Ballkan jetuan nën sundimin komunist, por me dallime të mëdha. Komunizmi shqiptar i përngjante romanit “1984” të Orwellit, që nënkuptonte kontrollin e trupave dhe shpirtrave të njerëzve nga Partia e Punës e Shqipërisë.
Enver Robelli
Shqiptarë, osmanë, mercenarë, orientalë, perëndimorë, të paorganizuar, kaotikë, të degjeneruar nga komunizmi i Enver Hoxhës dhe të shtypur nga Jugosllavia e Titos: historia shqiptare është plot drama dhe absurde. Historiani Oliver Jens Schmitt zbërthen dhe shpalos detaje të rëndësishme nga rrugëtimi i shqiptarëve nëpër shekuj.
5.
Përmes disa “biografive perandorake” historiani Oliver Jens Schmitt tregon në librin e tij “Shqiptarët – Një histori mes Orientit dhe Oksidentit” se si përziheshin dhe ndërlidheshin osmanizmi, nacionalizimi shqiptar dhe ndikimet perëndimore në shoqërinë shqiptare. Schmitt përmend struganin Ibrahim Temo, i cili - ndonëse ishte luajal ndaj Perandorisë Osmane dhe përpiqej të konsolidonte opozitën osmane – nxiti tendencat nacionale shqiptare në diasporën në Rumani, pastaj Hasan Prishtinën, i cili fillimisht ardhmërinë e shqiptarëve myslimanë e shihte në Perandorinë Osmane, e cila do të ofronte mbrojtje nga Serbia. Më vonë Hasan Prishtina shkëputi lidhjet me osmanët në shenjë proteste kundër një ekspedite të tyre ndëshkuese në malet shqiptare dhe synoi një aleancë shqiptaro-bullgare kundër Serbisë. Si etër të kombit shqiptar Schmitt i sheh vëllezërit Frashëri, veçanërisht Sami Frashërin, i cili jo vetëm ishte aktivist kombëtar shqiptar, por si Shemsedin Sami ai shkroi romanin e parë në gjuhën turke dhe një fjalor themelor turqisht-frëngjisht. Nga ana tjetër: i biri i Sami Frashërit zgjodhi identitetin turk dhe qe kryetari i parë i ekipit futbollistik Galatasaray Istanbul. Një vëmendje të veçantë Schmitt i kushton Eqrem Bej Vlorës, shqiptarit që si ndoshta asnjë kohanik i tij jetoi në botën osmane dhe atë perëndimore, la kujtimet e tij në gjuhën gjermane, rridhte nga një familje, e cila kishte një kryevezir, u edukua në Stamboll dhe në gjimnazin elitar të Vjenës “Theresianum”, pastaj me përkrahje austriake dhe hungareze ai veproi si nacionalist shqiptar, njëkohësisht Sulltani e dërgoi në hapjen e hekurudhës mes Mekës dhe Medinës (1908). Eqrem Bej Vlora u martua me një damë myslimane, por mbajti një lidhje të ngushtë edhe me publicisten bavareze Amelie von Godin, me të cilën ai publikoi vepra shkencore. “Beu i arsimuar mirë zotëronte persishten, gjermanishten dhe frëngjishten, ishte osman dhe nacionalist shqiptar në një person, ishte shkrimtar me arsimim evropian, por edhe përfaqësues i bejlerëve antireformator dhe më vonë përkrahës i fashizmit italian”, shkruan Schmitt.
6.
Sipas Schmitt shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë nuk ishte një përfundim madhështor i një zhvillimi të gjatë, por një akt dëshpërimi pa alternativë. Pse? Arsyeja duhet kërkuar në Shqipërinë e epërme. Kryengritësit shqiptarë më 1912 çliruan Shkupin dhe kështu u krijuan rrethanat për krijimin e një Shqipërie autonome në Perandorinë Osmane. Schmitt mendon se sikur të mos kishin ndërhyrë fuqitë ballkanike Shkupi sot do të ishte kryeqytet shqiptar. Të ndarë e të përçarë, shqiptarët u shndërruan në top loje të fuqive ballkanike dhe evropiane; aventurierë të llojllojshëm synonin fronin shqiptar, politikanë shqiptarë me mendësi anadollake nuk dinin ç’duan për popullin e tyre. Në fund ishte kërcënimi me luftë i Austro-Hungarisë dhe qëndrimi antiserb dhe antigrek i Italisë që ia siguruan Shqipërisë mbijetesën. Themelimi i Shqipërisë, sipas Schmitt, është suksesi më i dukshëm i politikës së jashtme austrohungareze. Ky sukses kishte shumë mangësi, pasi që një pjesë e madhe e shqiptarëve dhe territoreve të banuara prej tyre mbetën jashtë shtetit të sapopavarësuar. Këto territore i mbajtën Serbia dhe Greqia. Me fjalët e Luigj Gurakuqit: “Na i morën qytetet dhe na i lanë malet, na e morën Dibrën dhe na e lanë malësinë, na e morën Gjakovën dhe na e lanë malësinë, kështu ne i përngjajmë një trupi pa kokë”.
7.
Shqipëria e viteve 10-të, 20-të dhe 30-të e shekullit XX ishte një arenë kaotike. Kastat sundimtare në Tiranë shumë shpejt u pajtuan me mbetjen e Kosovës dhe viseve të tjera jashtë Shqipërisë. Tek në vitin 1918 në Shkodër u themelua Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës. Shumë refugjatë shqiptarë nga Kosova, sipas Schmitt, filluan të ndërhyjnë në politikën shqiptare, të ndikojnë që ajo të jetë më aktive në mbështetjen e lëvizjes kaçake në Kosovë. Kjo ngjalli frikën e dominimit të gegëve në Shqipëri dhe për këtë arsye nuk kishte shumë mirëkuptim për luftën e kosovarëve. Një politikan nacionalist i Shqipërisë së jugut kishte thënë: “Toskët nuk e duan Kosovën”. Lëvizja për Çlirimin e Kosovës u dobësua nga represioni serb dhe nga armiqësia e politikanit Ahmet Zogu kundër aktivistëve kombëtarë kosovarë, disa prej të cilëve Zogu dha urdhër të vriten. Zogu konsiderohej vasal i Jugosllavisë mbretërore, me ndihmën e së cilës kishte ardhur në pushtet, duke e rrëzuar Qeverinë e Fan Nolit, i cili kishte simpati për lëvizjen bolshevike sovjetike. Kjo është njëra anë e medaljes së sundimit të Zogut. Ana tjetër është e ndritshme: Schmitt konstaton se duke marrë parasysh në çfarë gjendjeje e kishte trashëguar Shqipërinë Zogu bëri mjaft për t’i vënë bazat e shtetit shqiptar, duke themeluar një administratë dhe duke vënë nën kontroll komunitetet fetare (sipas shembullit të Ataturkut në Turqi). Më 1937 Zogu kishte arritur që pa presion, por me argumente të nisë procesin e çshamizimit (heqjes së shamive, gjermanisht: Entschleierung). Megjithatë, shoqëria shqiptare nuk po homogjenizohej siç ishte pritur, madje poeti Gjergj Fishta kishte kërkuar krijimin e një kantoni katolik, një mysliman dhe një ortodoks. “Prej bujqve të uritur, analfabetë dhe politikisht apatikë nuk mund të krijohej një komb modern”, shkruan Schmitt. Zogu ishte një imitues shpesh edhe qesharak i Perëndimit. Atij i pëlqente kulti i gjimnastikës i Musolinit dhe pasi kishte dështuar të martohej me një femër nga shtëpia mbretërore e Italisë ai lidhi kurorë me një hungareze. Nën regjimin e Zogut shqiptarët myslimanë duhej të mësoheshin t’i pranonin bashkëkombësit e tyre të krishterë si të barabartë.
8.
Mes viteve 1945 dhe 1990 shqiptarët në Ballkan jetuan nën sundimin komunist, por me dallime të mëdha. Komunizmi shqiptar i përngjante romanit “1984” të Orwellit, që nënkuptonte kontrollin e trupave dhe shpirtrave të njerëzve nga Partia e Punës e Shqipërisë. Ky sundim rezultoi me degjenerimin total shpirtëror të njeriut të ri socialist, duke ia ndaluar të mendojë kokë më vete, duke mos pasur të drejtë të shprehë ndjenjat fetare, duke e varfëruar dhe poshtëruar deri në varr. Shqiptarët nën sundimin jugosllav fillimisht iu nënshtruan represionit brutal nga regjimi i Titos, por pas vitit 1966 (largimi i Rankoviqit) filluan disa ndryshime që kulmuan me autonominë e Kosovës të vitit 1974. Megjithatë, zhvillimi arsimor i Kosovës nuk eci si duhet, së paku jo sa i përket cilësisë. Schmitt mendon se Universiteti i Prishtinës sidomos në vitet 70-të prodhoi më shumë proletariat akademik se sa që nxori kuadro të afta që drejtojnë administratën. Pasojat e këtij zhvillimi negativ duken ashiqare edhe sot. Schmitt e quan Jugosllavinë e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore si shtet totalitar të dhunës që imitonte Stalinin. Megjithatë, dallimin e madh mes strukturave shoqërore në Shqipëri dhe Kosovë e shkaktoi mundësia e kosovarëve për emigrim në Evropën Perëndimore. Thënë më shkurt: derisa banori i Shqipërisë vuante për bukë, në Kosovë në vitet 70-të dhe 80-të debatet familjare silleshin edhe rreth temave të konsumit: kush e ka aparatin televiziv më të mirë, radion apo lavatriçen?
9.
Në vijim edhe disa detaje nga libri më i ri i Schmitt-it. Historiani zviceran hedh poshtë tezën e shkencëtarëve serbë se shqiptarët masivisht kanë ardhur në Kosovë nga shekulli XVI. “...Nuk ka pasur ardhje masive shqiptare, për më tepër që nga Mesjeta vinin fise nga malet, të cilët dëshironin t’i iknin varfërisë dhe rasteve të gjakmarrjes; për arsye krejt të njëjta edhe pjesëtarët e fiseve malazeze erdhën në Kosovë, domethënë: ardhja në Kosovë nuk ishte e kufizuar në një grup etnik”. Në përgjithësi Schmitt konstaton se historia e shqiptarëve është histori migrimi deri në ditët e sotme. Migracioni i ka shndërruar shqiptarët që në Mesjetë në shoqëri transnacionale. Rreth vitit 1850 në Stamboll punonin nja 6 mijë punëtorë shtegtarë nga Epiri dhe Shqipëria jugore. Në fillim të shekullit XX në Kurvelesh si pasojë pozitive e emigrimit shumë më tepër njerëz, edhe gra, dinin shkrim-lexim, në krahasim me malësorët. Shqiptarët nuk ishin vetëm punëtorë, por edhe mercenarë. Schmitt i krahason ata me mercenarët zviceranë, të cilët në Mesjetën e vonshme luftonin nëpër Evropë. Shqiptarët ortodoksë shërbenin në kalorësinë e lehtë të Venedikut, kurse komandant i gardës zvicerane të Papës një kohë kishte qenë një shqiptar me emrin Konstantin Araniti. Me gjasë ky ka qenë i vetmi shqiptar që ka qenë shef i zviceranëve në histori. Zakonisht dhe bazuar në historinë e migracionit shqiptar në Zvicër në 50 vitet e fundit situata paraqitet ndryshe: shef është zvicerani, punëtor shqiptari.
10.
Natyra e kolumnës nuk e lejon një vështrim më të gjatë për librin e Schmitt-it. Detaje të tjera do të gjejnë vend në shtojcën e kulturës të “Kohës Ditore”, në numrat e ardhshëm. Dy fjalë në fund sa i përket prejardhjes së shqiptarëve: Schmitt është skeptik se shqiptarët rrjedhin nga ilirët, sepse për këtë, sipas tij, nuk ka dëshmi, përveç interpretimeve supozuese dhe dëshiruese të shkencëtarëve shqiptarë. Por për autorin një gjë është e sigurt: shqiptarët janë një populli i lashtë ballkanik, nuk janë ardhacakë në këtë rajon. Ndonëse vendas dhe në kontakt me grekë e italianë, më vonë edhe me sllavë, shqiptarët nuk u dëshmuan si të zellshëm në organizimin shtetëror dhe kulturor. Orientalisti dhe publicisti austriak Jakob Philipp Fallmerayer para 150 vitesh ishte bërë i njohur me tezën e tij se grekët antikë janë zhbërë nga faqja e dheut në Mesjetë dhe këta të sotmit, që thonë se janë grekë, në fakt janë sllavë dhe shqiptarë të helenizuar. Për këtë mendim Fallmerayer edhe sot urrehet jo vetëm në qarqet akademike greke. Në lidhje me shqiptarët Fallmerayer kishte shkruar se nuk janë komb kulturor, “madje në fushën mendore gjatë ekzistencës së tyre që mbushi një mijëvjeçar nuk dhanë asgjë dhe sollën dëshminë e gjallë se një popull mund të jetojë (...) edhe pa shkencë, edhe pa art, bile edhe pa alfabet dhe mund të ruajë të patëholluar fuqinë e tij burimore madje edhe mes popujve shumë të arsimuar. (...) Shqiptarët gjithkund i brohorasin ngecjes (...) dhe konservatorizmit të ngurtë siç e kupton atë vetëm orienti i palëvizshëm dhe i ngurtësuar në vetvete. Shqiptarët kudo ku kanë mundur të zhvillojnë lirshëm natyrën e tyre njerëzore janë egoistë, kryengritës, dembelë, bile edhe si të krishterë janë të tmerrshëm. (...) As në politikë, as në shkencë ky popull deri në ditën e sotme nuk ka pasur një mendim të përbashkët dhe duket se shqiptarët nuk e kanë ndier të nevojshme të depërtojnë përtej horizontit të kufizuar të familjes dhe klanit, të fitimit personal, të dobisë personale, të keqdashjes dhe hakmarrjes. Shqipëria është vendi i mendjeve të shkurtra, magazinë e fuqisë fizike, një vend që vullnetarisht nuk i nënshtrohet as vetes as të tjerëve; Shqipëria është element që përherë mohon dhe ku anarkia dhe paligjshmëria janë si të thuash shpirti dhe fryma e jetës”. Fjalët e Fallmerayerit përjashtojnë çdo kundërshtim, prandaj mund të tingëllojnë të rënda. Por, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në 4-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës shqiptarët është mirë të mendojnë për këto fjalë, sepse zor mund të thuhet se Fallmerayer nuk ka pasur fare të drejtë.
Koha Ditore
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment