Home | Politics | Z. Withers: DASH duhet të shikojë gërryerjen e demokracisë në Shqipëri

Z. Withers: DASH duhet të shikojë gërryerjen e demokracisë në Shqipëri

image
Withers shprehet dakord me pesë pikat e deklaratës se Departamentit të Shtetit, por shton se ajo deklaratë nuk preku thelbin e shqetësimeve të tij, gërryerjen e demokracisë dhe keqqeverisjen.



 
 
 


Withers shprehet dakord me pesë pikat e deklaratës se Departamentit të Shtetit, por shton se ajo deklaratë nuk preku thelbin e shqetësimeve të tij, gërryerjen e demokracisë dhe keqqeverisjen.
 
Më poshtë letra e plotë e zotit Withers për publikun shqiptar:

 
Të dashur miq!
 
 
Po ju shkruaj për të komentuar mbi një deklaratë të Departamentit të Shtetit të disa ditëve më parë, e cila mund të ketë shkaktuar disa keqperceptime lidhur me pikëpamjet e mia për Shqipërinë. Unë vetë nuk kam marrë ndonjë njoftim formal lidhur me deklaratën dhe për pasojë më duhet të përdor informacion që e kam marrë tërthorazi.
 
Edhe pse deklarata ofron vetëm informacion që tashmë është publikisht shumë i mirënjohur, dëshiroj të sigurohem që asnjë prej jush të mos besojë gabimisht se unë kam qëndrime që në fakt, nuk i kam apo që paskam thënë gjëra që unë në fakt nuk i kam thënë.
 
Deklarata e Departmamentit ngre pesë pika. Dëshiroj ta trajtoj secilën prej tyre me radhë. Deklarata pohon që:
 
•        Pikëpamjet e mia janë të një qytetari privat: kjo është absolutisht e vërtetë, siç e kam bërë gjithmonë të qartë, si në fjalët e mia drejtuar medias shqiptare ashtu edhe në fjalimet që mbaj këtu në Amerikë.
 
•        Pikëpamjet e Ambasadorit Arvizu përfaqësojnë pozicionet zyrtare të qeverisë së SHBA: edhe kjo është absolutisht e vërtetë. Alexander Arvizu është Ambasadori Amerikan në Shqipëri. Është ai që flet në emër të qeverisë amerikane.
 
•        SHBA mbështesin fort Shqipërinë si anëtare e NATO-s: Po kështu edhe unë. Në fakt, gjatë qëndrimit tim si ambasador në Shqipëri, nuk ka pasur asnjë çast më të mrekullueshëm se sa ditën kur Shqipëria u ftua në aleancën e NATO-s. Sot, heroizmi i ushtarëve shqiptarë në operacionet e NATO-s  – ashtu si trimëria e Kapitenit Vogli dhe Nëntetarit Peci në Afganistan – më bën shumë krenar.
 
•        SHBA mbështesin fort aspiratat e Shqipërisë për në BE: Unë besoj vendosmërisht që hyrja e Shqipërisë më në fund në BE do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për vendin tuaj dhe për Europën. Pikërisht për këtë arsye, raporti i fundit i progresit i BE-së për Shqipërinë ishte aq zhgënjyes dhe pse ka rëndësi jetësore që Shqipëria t’ia ripërkushtojë veten përmbushjes së kritereve të BE-së.
 
•        Qeveria dhe opozita duhet të punojnë në mënyrë bashkëpunuese dhe të përgjegjshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre politike dhe për të qeverisur në interesin kombëtar: Unë mendoj se ka rëndësi kritike që udhëheqja juaj politike të kapërcejë, këtu po citoj intervistën time të fundit, “ndasia që mbizotëron aktualisht mes dy partive kryesore politike – një ndasi aq e hidhur sa e ka bërë qeverisjen, për të mos përmendur reformat për të cilat vendi ka aq shumë nevojë – thuajse të ndalojnë.”
 
Në përmbledhje, unë nuk kam problem me asnjë prej çështjeve të ngritura në deklaratën e Departamentit. Në fakt, jam në një mendje me të pesta pikat. Megjithatë, deklarata nuk trajton pikën qëndrore të shqetësimit tim, atë mbi të cilën edhe kam përqendruar fjalët e mia në të kaluarën: gërryerja e demokracisë në Shqipëri. E thënë thjesht, frika ime është që në pak duar po përqendrohet tepër pushtet; që, nën trysninë e paepur të qeverisë, institucionet e pavarura që janë kyçe për të ruajtur praktikat demokratike, sundimin e ligjit, madje edhe zgjedhjet e ndershme, janë dobësuar seriozisht; që lufta për të ruajtur pushtetin e ka eklipsuar qeverisjen si përparësi të qeverisë; dhe që, nëse vazhdojnë prirjet e tanishme, Shqipëria ka rrezik të bjerë në atë lloj sundimi të të fortit që ka qenë edhe tragjedia e rajonit të Ballkanit gjatë gjithë historisë së tij.
 
Këto janë pikëpamjet e mia – dhe më lejoni të ritheksoj, janë pikëpamjet e mia si një qytetar privat amerikan. Por, në një perspektivë më të gjerë, pikëpamjet e mia – dhe, në fakt, ato të cilitdo vëzhguesi të huaj, zyrtar apo jo – as nuk i afrohen për nga rëndësia pikëpamjeve tuaja, pikëpamjeve të popullit shqiptar.
 
A besoni se qeveria juaj është vërtet demokratike? A besoni se ajo vepron në interesin tuaj? A besoni se ju thotë të vërtetën? A besoni se gjykatat japin drejtësi për të gjithë? A besoni që qeveria i merr vendimet tregtare dhe ekonomike në mënyrë transparente? A besoni se po e lufton seriozisht korrupsionin dhe nepotizmin? A besoni se po miraton politika që do t’ju sjellin vende pune dhe do të krijojnë mundësi për fëmijët tuaj? A shihni nga e ardhmja me shpresë dhe optimizëm apo me pesimizëm dhe dëshpërim?
 
Këto janë vetëm disa prej pyetjeve që shtrohen përpara jush dhe të cilave mund t’iu përgjigjeni vetëm ju.
 
E vlerësoj këtë mundësi për të ndarë pikëpamjet e mia me ju, miqtë e mi shqiptarë. Edhe pse disa mund të mos jenë në një mendje me sinqeritetin tim, ju premtoj që do të them gjithmonë të vërtetën ashtu siç e shoh.


Përshëndetjet më të përzemërta për të gjithë ju!


 
Miku juaj,
 
John L. Withers, II

TCH

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00