Latest News
Nepotizmi si përafrim “sklerotik”
Madje, në kushtet e fuqizimit të një “dinastie” nepotizmi e korrupsioni, bëhet më i lehtë mbulimi i inkriminimit ekonomik-financiar. Gjë që, në një mënyrë apo tjetrën, mund të dëmtojë e sëmurë më tej politikën, zbatimin e ligjit dhe respektimin e tij.
Rexhep Mejdani
Kriza e borxheve dhe “skleroza” politike
Disa muaj më parë, pas një referimi në Institutin e Diplomacisë Kulturore në Berlin, u ula për të pirë për një kafe me pjesëmarrësit. Njëri prej tyre, një i ri gjerman ishte krejt i pakënaqur nga sakrifica gjermane për kapërcimin e krizës financiare brenda Eurozonës. Sipas tij kishte arsye të mjaftueshme për të besuar se ai dhe bashkëkombës të tjerë, ashtu si dhe të gjithë qytetarët e BE-së, kishin rënë në duar qeverisëse jo vizionare e të afta. Po ashtu, ai ishte i bindur se ky perceptim negativ ishte më i theksuar ndërmjet qytetarëve të tjerë të Eurozonës, sidomos në vendet e tronditura nga kriza e borxheve si Greqia, Irlanda, Italia, Portugalia, Spanja etj… Në këtë lloj perceptimi ka dhënë ndikimin e vet edhe dështimi i modelit social europian. Ky model nga një anë ka mishëruar përmbajtjen e institucioneve të tregut (p.sh., lirinë e çmimeve), kurse, nga ana tjetër, ka tentuar një rishpërndarje të pasurisë, brenda një shteti të mirëqenies sociale e rregullimeve të forta në tregun e punës. Përgjithësisht, ndërhyrjet e koordinimet nga lart-poshtë brenda qeverive kombëtare e europiane janë realizuar e kontrolluar nga politikanë profesionistë.
Rasti më tipik i abuzimit ka qenë ai në ekonominë greke, ku në dekada kanë qenë jashtë kontrollit shpenzimet qeveritare apo janë konstatuar incentiva të pamenduara mirë, një korrupsion i lartë në administratë, një sektor publik me përmasa të stërmëdha dhe jo efektiv (deri duke paguar dy persona për një vend pune!…). Nga ky “ushqim yndyror” në vite u shfaq dhe u rëndua “skleroza” greke. Ajo, në një mënyrë ose tjetrën, është dhe pasqyrim i “Eurosclerosis”, krahas shpalosjes së avokatisë për më shumë centralizim në politikën ekonomike, për më tepër rregullime në luftën kundër abuzimeve dhe koordinimit në nivel evropian. Deri diku, shfaqje e kësaj skleroze është edhe mosnjohja e mirë e funksionimit dhe administrimit të sektorit jo publik, të ndërmarrjes private nga shumica e parlamentarëve të legjislaturave kombëtare e evropiane. P.sh., në një rast të kohëve të fundit, në Senatin francez nga 331 anëtarë të tij vetëm 30 anëtarë ishin aktivizuar apo kishin punuar më parë në sektorin privat. Sidoqoftë, nuk është thjesht problemi tek mungesa e ndjeshmërisë së brendshme ndaj sektorit privat, por tek mbështetja konkrete legjislative ndaj biznesit e ndërmarrjes private, përfshirë dhe kapacitetin e punësimit prej tij. Mbi të gjitha, për ta vlerësuar atë drejt dhe jo nëpërmjet të ardhurave në buxhet dhe shifrave tatimore! Madje, po ta analizosh situatën e sotme kritike, krahasuar me atë të mëparshme, klasa politike ose ka mësuar pak, ose nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara, pa harruar asgjë të prodhuar prej saj. Shembull tipik për këtë është Greqia! Dhe, si gjithmonë, janë qytetarët që paguajnë çmimin e gabimeve të shumta të qeverisjes, jo vetë “mjeshtërit” politikë të saj. Kjo ka bërë që të regjistrohet një ulje besimi ndaj vetë klasës politike!…
Rënia e besimit ndaj klasës politike
Probleme besimi mbi klasën politike shfaqen, si në vende të tjera, edhe në Shqipëri. Sidomos vitet e fundit, kriza e borxhit kudo ka tronditur rëndë besimin qytetar ndaj klasës politike europiane. Aq më tepër që, gjatë këtyre 50-60 vjetëve, kjo klasë politike i kishte siguruar qytetarët e Europës se dinte se ç’po bënte, se ku po shkonte, se ç’do të arrinte. Por, ndryshe shihet situata kritike aktuale. Me ngërçin e saj, sot, ajo godet çdo vend, shtresë e derë, po i hap sytë çdo qytetari europian. Madje, ky i fundit, në situatën e sotme është tepër i pakënaqur. Për më tepër, ai e ndien se, në përballimin e kësaj krize, reagimi politik i kësaj klase në të shumtën e rasteve është kontradiktor e konfuz, për më tepër më shumë se zgjidhës, është i karakterit elektoral e pushtetmbajtës. Nga ana tjetër, kjo situatë e paqartë ka krijuar perceptimin se tronditja në vendet kryesore të Eurozonës dhe në ShBA është pasojë e të njëjtit përafrim e model të aplikuar në dekada nga klasa drejtuese, i një konceptimi të rafinuar në formë gjatë viteve, por i papërpunuar në përmbajtje, deri duke lejuar abuzime e prodhime toksike. Dhe vetë klasa politike ka mbetur relativisht prapa evolucionit shoqëror. Ndërkohë, përshtatja ndaj realiteteve të reja në kushtet e globalizimit e ndërvarësisë, revolucionit në fushën e informacionit e telekomunikimit, medias sociale etj., ka nevojë për procese shumë më tërësore në përtëritjen e zëvendësimin e gjeneratave, për kualifikime profesionale e seleksionime cilësore, vlerësime ndershmërie, personaliteti e integriteti, larg “pistonave” politikë të dinastive partiake e familjare…
“Dinastitë” politike në demokraci
Pohimi i fundit bëhet më “intim” po të analizohet dukuria e trashëgimisë midis disa familjeve politike në disa vende europiane. Kështu, Jorgos Papandreu (i riu) si kryeministër, deri diku, pagoi dhe mbajti politikisht edhe “peshën” e dinastisë, së cilës i takonte (me gjyshin Jorgos Papandreu dhe babain e tij Andreas Papandreu, disa herë kryeministra të Greqisë). Raste të ngjashme ndeshen dhe në ShBA. Aty, p.sh., dallohen familja Kenedi (me një president, 3 senatorë, 4 përfaqësues dhe 1 anëtar kabineti), familja Ruzvelt (me dy presidentë, një zëvendës-president, dy guvernatorë dhe 4 anëtarë të dhomës), familja Rokfeler (me një zëvendëspresident, 3 guvernatorë, 2 senatorë dhe 2 anëtarë të dhomës). Familjet Harrison dhe Adams rreshtohen në vendin e katërt dhe të pestë në këtë listë, kurse në dekadat e fundit, si dinasti e gjashtë mund të konsiderohet familja Bush (me 2 presidentë, i pari duke shërbyer dhe si zëvendëspresident, 2 senatorë, 2 guvernatorë dhe një anëtar të Gjykatës së Lartë). Krahasuar me rastet e mësipërme, në fazën e sotme nuk mund të klasifikohet si dinasti politike familja Klinton.
Por le të kthehemi në Europë. Kështu, në Greqi, siç u theksua më sipër, kanë dominuar në dekadat e fundit familje të tilla politike, si Papandreu, Karamanlis dhe Mitsotakis. Ndërsa, në Francë, në garën brenda PS-së franceze për kandidatin për President, krahas Holande, ishte kryetarja e partisë Obri – vajza e Zhak Delorit (President i Komisionit Europian dhe ministër Ekonomie nën presidentin Miteran). Ndërkohë që Segolen Royal, kandidatja socialiste për presidente e Francës në zgjedhjet e vitit 2007, ka qenë partnerja e Holande për një periudhë 30-vjeçare. Njëlloj, nipi i Miteranit ka qenë ministër kulture nën presidentin Sarkozi. Vetë djali i këtij të fundit u zgjodh këshilltar në nivel qyteti në moshën 22 vjeç. Rast më tipik është ai i Frontit Kombëtar, ku Lë Peni i lë “trashëgiminë” e partisë vajzës së tij. Akoma më tipike janë dinastitë politike në Irlandë (Aty në legjislatura të ndryshme, që nga shpallja e pavarësisë më 1922 e deri më sot, ndeshen familje politike si Dillon, Esmond, Redmond, Sullivan, etj.).
Megjithatë, në shumicën e vendeve të zhvilluara, këto lloj “transferimesh” politike-familjare, në prani të një demokracie pjesëmarrëse, opinioni të shëndoshë publik dhe media vigjilente e qytetare, administrate civile jo partiake, Gjyqësori të pavarur apo institucionesh të tjera mbi palët, nuk kanë prodhuar situata problematike e autokratike, nuk kanë prekur dot thelbin e demokracisë dhe ta zbehnin atë. Gjithashtu, vlen të theksohet se shumica e politikanëve europianë kanë ndjekur rrugën e tyre të rritjes, nisur nga angazhime e kontribute të thjeshta, në pozicione më të larta partiake e përfaqësuese, pa “pistona” familjarë; Ndryshe nga rekrutimet politike-partiake të viteve të fundit në Shqipëri…
Nepotizmi si variant shqiptar parapërgatitor i “dinastive” politike
Në rastin shqiptar, sistemi politik në kuptimin demokratik dhe të qeverisjes konsiderohet hibrid. Aty ndeshen probleme serioze rekrutimi e avancimi në kushtet e një opinioni të dobët publik e media shumë shpesh partizane e pro qeveritare, me një administratë partiake, një Gjyqësor nën trysni politike apo institucione të tjera të pavarura të brishta dhe me ndikim të pafuqishëm. Megjithatë, sistemi politik shqiptar, në tërësinë e tij, është prekur ende pak nga sindroma “aristokratike” e suksesionit apo e vazhdimësisë në kuptimin klasik. Ndoshta, edhe pse për kohën e shkurtër të pluralizmit, është herët për t’u shfaqur dukshëm fenomeni i “trashëgimisë” politike, i krijimit të dinastive politike, që mund të bashkëshoqërojnë më tej elitat brenda shoqërisë shqiptare, shtetit e politikës. Megjithatë, në vend të tyre, në mjaft raste janë shfaqur, deri kanë zënë rrënjë, prirjet për nepotizëm e klanizëm, krahinizëm e bajraktarizëm. Madje, nuk mungojnë shembujt, që brenda një konfiguracioni politik, në drejtimin e tij dhe përfaqësimet përkatëse qeverisëse e parlamentare, të ketë lidhje familjare e farefisnore, edhe pse më shpesh të rendit të dytë, të tretë etj. Kjo duhet të jetë në qendër të vëmendjes, sepse mungesa e vigjilencës qytetare dhe e reagimit publik, në kushtet e një mediaje (sidomos elektronike) në përqindje të madhe gati në “duar qeveritare”, mund të shoqërohet edhe më tej me shformime serioze, tepër shqetësuese e mjaft ushqyese të çdo patologjie autokratike. Madje, sot, më tepër se shenja, ka veprime të shumta për një rritje të mëtejshme të probabilitetit të shformimeve të këtij lloji, të shoqëruara me korrupsion e mbulim të tij. Aq më keq, që tipari aktual i administratës aktuale është jo efektiviteti e paaftësia. Në shumicën e kohës ajo bën sikur luan rolin e saj administrues, deri duke pretenduar edhe ndonjë “rrezatim” modeli ekonomik-politik tek vendet e tjera (!). Ndërkohë, drejtimi i saj ruan “halucinacionin” e pushtetit, duke mishëruar iluzionin e tij. Kjo, edhe pse kërkon një farë “talenti”, veçanërisht për të përzier realitetin me dëshirën e ëndrrën, mundësitë me dobësitë e kapacitetin e qeverisjes, të vërtetën me gënjeshtrën e mashtrimin, modestinë e transparencën me populizmin e demagogjinë! Për fat të keq, në këtë “pompë” e “iluzion” pushteti, brenda një dorëzimi apo heshtjeje intelektuale dhe indiference vrastare, vetë individi e shoqëria po pësojnë deformimin e tyre, duke mundësuar kështu shtrirjen nëpër “damarë” një korrupsion kapilar shkatërrimtar…
Shqetësimi bëhet akoma më i madh kur, në vend të vullnetit për t’u shërbyer të tjerëve, dominon vullneti për t’i shërbyer vetëm vetes! Aq më keq kur, nëpërmjet konfrontimit të realitetit me mundësinë, dëshirës me kapacitetin konkret, rezultati administrativ e qeverisës në shumicën e rasteve vesh ngjyrë propagandistike e makiaveliste, sidomos në përpjekjet e zhurmshme dhe zullumqare për mbulim të korrupsionit në një administratë partiake. Në një mënyrë apo tjetrën, një gjë e tillë e ka bërë politikën dhe disa politikanë, që të shndërrohen në ingranazhe të sistemit të përfitimit e vetëpërfitimit. Madje, në vend të investimit politik e qytetar, shkojnë deri aty sa të lënë mënjanë interesat madhore kombëtare në lojën e pandershme të pushtetit e parasë. Madje, deri duke kultivuar një vullnet politik negativ në “manovrat” e përfitimit për veten e familjen. Kjo do ta bëjë më shqetësuese ecjen tonë përpara. Madje, në kushtet e fuqizimit të një “dinastie” nepotizmi e korrupsioni, bëhet më i lehtë mbulimi i inkriminimit ekonomik-financiar. Gjë që, në një mënyrë apo tjetrën, mund të dëmtojë e sëmurë më tej politikën, zbatimin e ligjit dhe respektimin e tij. Dhe, mbi të gjitha, do të vonojnë e pengojnë në kohë proceset kryesore demokratike në shoqërinë shqiptare, zhvillimin politik-institucional e social-ekonomik të vendit, anëtarësimin e Shqipërisë në BE…
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment