Home | Politics | President, sipas “kollares” së z. Arvizu!

President, sipas “kollares” së z. Arvizu!

image
Prandaj, ti o popull mendo se sa shumë të “qajnë” hallin politikanë, presidentë, ambasadorë, etj., etj., por sidomos, kur afrohet fushata zgjedhore! Mos harro t’i japësh votën nëqoftëse, po të duash që të “shpëtosh”nga mjerimi!...
 



Nga Pandeli Bardhi 

 
 
 

Sa i vonuar është Fatos Nano, për të ardhur në krye të institucionit të Presidentit, aq edhe i shpejtuar është në kohë. E kanë zënë keq “ethet” presidenciale, prandaj edhe e filloi “startin” e tij, me intervistën që dha para pak kohësh. Nuk priti që ta propozonte dikush, por morri guximin vetë dhe ja bëri “bam”. Megjithatë, kjo nuk ka asgjë të keqe. Ajo, ç’ka është e keqe, ta themi qysh në fillim, është se Fatos Nano i përket një të kaluare, me të mirat e të metat e tij, por që nuk ka dhënë asnjë provë, për këtë ambicie të tij. I vetmi argument “bindës”që ai paraqiti, si pretendent për këtë post të rëndësishëm, është ndërrimi i “qimes”. Të ndërrosh ngjyrën e “qimes”, nuk do të thotë se ke harruar edhe zakonet... Janë ato zakone që ai ka manifestuar, të cilat bëhen pengesë. I vjen mirë kur e quajnë ish lideri historik i të majtës. Për aq sa bëri, ky ishte edhe “shpërblimi” që mori. Por sot, ai nuk mund të quhet më i tillë. Liderët kanë disa cilësi, që i bëjnë të dallojnë nga të tjerët, që kanë aftësi mobilizuese dhe organizative.
 
Ata, me punën e tyre fitojnë besimin e një force të caktuar politike. Edhe Fatos Nano u përpoq dhe diçka bëri për krijimin dhe konsolidimin e të majtës shqiptare. Por, mënyra se si ai e braktisi këtë të majtë që e krijoi, të lë përshtypjen se nuk e kishte “seriozisht” dhe tani kërkon të hiqet si serioz. Ai premton se “më bëni edhe një herë nuse, pa di unë si nusëroj”. Këtë mund ta besojë vetëm z. Arvizu, i cili na thotë se “Është gjë e mirë, që dikush ka vullnet të punojë për vendin”! Edhe Fatos Nano e ka treguar me “vepra” se vërtet i “digjet barku” për popullin dhe jo për vehten e vet. Ai ka afro tetë vjet që “mendon” vetëm për popullin, diku larg i mërguar dhe mbas periudhës së gjatë të “muajit të mjaltit”, tani gjeti momentin që të hidhet në aksion e t’i “qajë” hallin popullit. Ashtu si “arkitekti i “Norvegjisë së vogël” në Ballkan, edhe Fatos Nano ka përgjegjësinë e vet, po aq sa edhe ky, që e kanë katandisur këtë popull, “kockë e lëkurë” e të pashpresë për të ardhmen. Nuk mundet që sot, Fatos Nano t’u mbushi mendjen qytetarëve, se do të bëhet “faktor konsensual” dhe faktor “stabiliteti”, ky faktor “sherri” në krye të “sherrxhinjve”që aq shumë ka vuajtur dhe po vuan politika shqiptare. Se sa “konsensual” dhe “pajtues” ishte ky, këtë e ka treguar edhe kur ishte Kryeministër, disa herë dhe në të gjitha rastet, asnjëherë nuk e gjeti gjuhën, me faktorët politikë! Ai nuk e gjeti gjuhën e pajtimit, as me ministrat e vet, të cilët i akuzoi si hajdutë e të korruptuar. Mundet që të ketë vënë “mend” në egzil dhe vjen me ide të reja, por kjo nuk është shumë e besueshme! Vetëm rolin e faktorit konsensual, Fatos Nano, nuk mund ta luajë sepse populli këtë e ka provuar dhe nuk e beson më. Nuk e beson më as e majta, por as e djathta, me gjithë favoret që i ka bërë, por që ata e njohin mirë... Ishte ky “konsensual”, që përçau të majtën në zgjedhjet e vitit 2005, ajo ç’ka solli edhe humbjen e së majtës dhe ishte po kjo “pjesëz” e të majtës, që u bë “patericë” e këtij pushteti “rrangallë” që qeveris vendin. Atë që e bëri kundërshtar për interesat e të majtës, kërkon ta bëjë aleat për t’i marrë votën për interesat e “popullit”!
 
 Si çdo njeri, edhe Fatos Nano ka mendimet dhe vlerësimet e tij për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve në politikën shqiptare. Për të qenë sa më “bindës” para opinionit për ngjarjet e 21 Janarit, ai fajëson edhe qeverinë edhe opozitën, por më tepër këtë të fundit. Ai i ndoqi këto ngjarje që nga tarraca e shtëpisë së tij dhe mbasi u bëri atyre “analizën” e hollësishme, mbas afro një viti e gjysmë, sot na “paraqet” konkluzionet. As më shumë e as më pak, ashtu siç ka thënë edhe z. Arvizu dhe ky, nuk do të dalë jashtë kornizave të “aleatit të tij strategjik”! Në të njëjtin “thes” ai fut edhe vrasësin edhe viktimën. Që opozita ka kusuret e saj, kjo është mëse e vërtetë, por tjetër janë protestuesit, që ngrihen për hallet e tyre që u ka vajtur “thika” në palcë dhe tjetër janë vrasësit, pavarësisht se kush janë ata. Z. Nano për këtë fajëson edhe Presidentin, që “nuk e luajti rolin e tij presidencial, e aq më pak atë politik”. Ai, mirë thotë, që të kish dalë në ballë të turmës, duke sjellë për këtë shembullin e z. Neritan Ceka në vitet e para të demokracisë. Po mirë, kur ky qenka kaq “faktor stabiliteti”, pse nuk doli në krye të turmës në ngjarjet e Korrikut të vitit 1998 për të qetësuar gjendjen, por ja mbathi duke i lënë institucionet në mëshirë të fatit? Nuk është aspak bindës, as konkluzioni i tij se qëndrimi i opozitës sotme është “qëndrim katastrofik” dhe  qëndrimi i qeverisë “euforik”! Katastrofën ekonomike, morale e politike, këtij vendi po ja sjell kjo qeveri dhe jo opozita... Është qeveria, ajo që nuk ka kurajon t’ia thotë të vërtetën popullit për krizën e gjithanshme, por e “ngop” atë me përrallat e “Babasaliut”!
 
Qeveria ka gjetur një opozitë të përçarë, të mefshët dhe të “çarmatosur” dhe bën “gallatë” gjithë ditën, duke ia lënë asaj “në derë” të gjitha dështimet! Si asnjëherë tjetër, opozita ka në dorë “armë” të fuqishme, si korrupsionin galopant, krimin e organizuar, trafiqet e drogës e të qenieve njerëzore, shkatërrimin e vjedhjen e pronës, pasigurinë, etj., etj., që po na lënë jashtë dyerve të Europës. Për të gjitha këto “bëma” qeveritare, opozita e “godet” qeverinë me “topa prej lecke”, ose “proteston me “ciu-ciu”në twitter. Nuk i intereson më ish liderit historik të bëhet një herë “i gjallë” për “ushtrinë” e tij, por i ka vëzhguar nga larg, ashtu si ka vëzhguar edhe ngjarjet e 21 Janarit. Ajo, ç’ka i intereson “ambiciozit” për President, është që t’u kërkojë këtyre votën! Edhe përsa i përket zgjedhjeve të Majit të vitit të kaluar, ish lideri pretendon se votat nuk janë vjedhur! Siç duket, ka marrë përsipër t’i bëjë qejfin mazhorancës më shumë se sa opozitës, mbasi tani për tani i intereson më tepër ta bëjë atë për vehte! Kjo është strategjia e këtij ish lideri historik të së majtës, për të ardhur në krye të Shtetit. Ishte ky lider historik, që na e bëri “pilaf” këtë qeveri, të cilën e quan “të lodhur”. Kështu e ka quajtur atë edhe z. Arvizu dhe për t’i bërë qejfin atij, thotë: “I takon opozitës, që të nxisë qeverinë e lodhur për të nisur revanin...! Që z. Nano ka vlera “pozitive”, këto duhet t’ia vërë në dukje vetëm z. Arvizu. Ky e ka shumë për zëmër dhe mirë bën, por më mirë do të ishte të mos merret shumë me këtë punë dhe t’ua lërë atyre që duhet të merren. “Nuk bëhet fjalë për ndonjë ministër në kabinet, por për Presidentin e vendit”, shprehet z. Arvizu. Me këtë, ai don të thotë se “Burri i shtetit” është shumë “i trashë” dhe nuk e kupton rëndësinë që ka zgjedhja e presidentit!
 
Më tej z. Arvizu, thotë: “Shqipëria ka nevojë për një President, që punon me nder”. Vetëm z. Arvizu ka gjetur njeriun më “adapt” për këtë post të lartë dhe u tregon qytetarëve shqiptarë se ka “zbuluar” një President! Kush ju është ankuar juve që presidentët tanë të mëparshëm kanë punuar “jo me nder” për interesat e vendit? Do të ishte më mirë që t’a lini në dorën e popullit, zgjedhjen e Presidentit dhe juve të flisni në fund, se përsëri do të ngatërroheni si u ngatërruat me “burrin e shtetit”. Është e drejtë e z. Arvizu, që të vendosë kollaren me ngjyrën që i pëlqen, kur bën takime me të majtët apo me të djathtët. Por, përsa i përket Presidentit, aq shumë i nevojshëm për interesat madhore të vendit, këtë le ta lërë në dorën e atyre që u takon! Prandaj, ti o popull mendo se sa shumë të “qajnë” hallin politikanë, presidentë, ambasadorë, etj., etj., por sidomos, kur afrohet fushata zgjedhore! Mos harro t’i japësh votën nëqoftëse, po të duash që të “shpëtosh”nga mjerimi!...

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0