Drejt udhës së zgjerimit
Progresi i mëtejshëm do të varet në shkallë të gjerë nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria e dialogut mes forcave politike dhe gjithashtu nga arritja e rezultateve konkrete dhe të prekshme nga ana e Shqipërisë në trajtimin e reformave të rëndësishme që lidhen me Bashkimin Europian , që njihen si 12 përparësitë kyçe.
Nga Stefan Fyle/ Nicolai Wammen
Jashtë muajt e fundit është bërë një progres i madh në dosjen e zgjerimit falë bashkëpunimit mes Komisionit Europian dhe Presidencës Daneze. Në fillim ishim mjaft të vetëdijshëm për nevojën e ruajtjes së ritmit të zgjerimit në mes të krizës financiare. Në fund, pasi i kishim dhënë përparësi zgjerimit në agjendat tona, është e drejtë të thuhet se jo vetëm që e ruajtëm ritmin, por edhe e shtuam atë. Ky progres dhe interesi i vazhdueshëm i vendeve fqinje - dhe më tej - për të hyrë në BE, është votëbesimi më domethënës i projektit evropian.
Dhënia e statusit të kandidatit Serbisë nga Këshilli i Europës më 1 mars 2012 i kushtohet jo pak vendosmërisë dhe vizionit të udhëheqjes serbe, përparësisë që i dhanë gjithë institucionet shtetërore serbe agjendës së reformës së BE-së dhe rritjes së efikasitetit nga ana e Serbisë në miratimin dhe zbatimin e reforma kyçe, veçanërisht sipas kritereve politike. Tani marrëdhëniet tona me Serbinë kanë kaluar në një nivel më të lartë me fokus në progresin që ka bërë Serbia për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe në vazhdimësinë dhe kryerjen e reformave, veçanërisht në fusha kyçe si gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit. Ne kemi besim se Serbia do të luajë një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal duke mbështetur dhe forcuar pajtimin në rajonin që ka kaluar konflikte të mëdha në të kaluarën jo të largët.
Negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi u hapën më 29 qershor. Fillimi i negociatave është një sukses për Malin e Zi: për autoritetet, politikanët dhe gjithë shoqërinë e Malit të Zi. Konsensusi i gjerë kombëtar dhe përpjekjet për reforma kanë dhënë rezultate. Ato gjithashtu konfirmojnë se ne i gjykojmë kandidatët sipas meritave të tyre. Mali i Zi ka bërë shumë, por duhet bërë edhe më shumë. Faza tjetër e procesit të pranimit nënkupton më shumë punë në më shumë fusha, me fokus të vazhdueshëm tek liritë themelore, gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor po ecën përpara. Ne kemi nisur një Dialog Anëtarësimi në Nivel të Lartë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Ai siguron një platformë për një diskutim intensiv dhe të qenësishëm mbi përparimin e reformave që lidhen me BE-në. Diskutimi fokusohet në objektiva konkrete dhe veprime për ta shtyrë përpara procesin e reformës në pesë zona kyçe: liria e shprehjes në media; sundimi i ligjit; reforma e administratës publike; reforma zgjedhore; forcimi i ekonomisë së tregut.
Në qershor nisëm edhe një Dialog në Nivel të Lartë për Procesin e Anëtarësimit me Bosnje-Hercegovinën për ta ndihmuar të përparojë në udhën e saj drejt BE-së, duke shpjeguar kërkesat dhe metodologjinë e anëtarësimit dhe çfarë pritet konkretisht nga Bosnje-Hercegovina në procesin e anëtarësimit në BE. Ne shpresojmë që Bosnje-Hercegovina do të arrijë t'i përmbushë sa më shpejt kërkesat e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit që do të hyjë në fuqi dhe se vendi do të përmbushë shpejt kushtet e tjera për një aplikim të besueshëm për anëtarësi në BE.
Këtë pranverë kemi nisur edhe një Studim Fizibiliteti me Kosovën. Objektivi i studimit të fizibilitetit është sigurimi i një analize gjithëpërfshirëse dhe të thelluar të gatishmërisë së Kosovës për të negociuar dhe zbatuar Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit, që përbën bazat ligjore të marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe një trampolinë drejt anëtarësimit. Studimi do të fokusohet në aspektet politike, ekonomike dhe ligjore të gatishmërisë së Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit. Pas nisjes së dialogut me Kosovën në janar për liberalizimin e vizave, në qershor Komisioni i dorëzoi qeverisë kosovare Hartën e Vizave, që i afron edhe më shumë qytetarët kosovarë me lëvizjen pa viza.
Në vijim të marrëveshjes politike mes qeverisë dhe opozitës të arritur në nëntor 2011, në vitin 2012 në Shqipëri janë bërë përpjekje të vërteta nga të dyja palët politike për çuarjen përpara të reformave. Progresi i mëtejshëm do të varet në shkallë të gjerë nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria e dialogut mes forcave politike dhe gjithashtu nga arritja e rezultateve konkrete dhe të prekshme nga ana e Shqipërisë në trajtimin e reformave të rëndësishme që lidhen me Bashkimin Europian , që njihen si 12 përparësitë kyçe.
Duke iu kthyer Islandës, është bërë një progres i mirë në negociatat e anëtarësimit me pjesëmarrjen aktive dhe mbështetjen e Presidencës Daneze. Përqasja jonë ka marrë parasysh veçoritë e Islandës duke respektuar në të njëjtën kohë strukturën që mbështet procesin e negociatave. Në lidhje me Konferencën Ndërqeveritare të 22 qershorit, janë hapur 18 kapituj, 10 nga të cilët janë mbyllur përkohësisht.
Nisja e agjendës pozitive me Turqinë, që mbulon një spektër të gjerë fushash me interes të përbashkët dhe puna që është kryer në ketë kontekst ka qenë një hap i rëndësishëm përpara. Kjo iniciativë është një urë, jo mbi apo rreth negociatave të anëtarësimit, por drejt tyre. Komisioni, Presidenca Daneze dhe kolegët tanë turq kanë punuar shumë për ta shndërruar atë çka dukej si një koncept para disa muajsh, në një kuadër të ri të një përqasjeje pozitive për marrëdhënien tonë të rëndësishme. Miratimi i konkluzioneve të Këshillit në fund të qershorit, ku përmendej qartë - për herë të parë - perspektiva e liberalizimit të vizave me Turqinë tregon angazhimin e fuqishëm të Bashkimit Evropian për të çuar përpara një çështje kaq të rëndësishme për Turqinë dhe qytetarët e saj.
Si përfundim, gjatë gjashtë muajve të fundit Komisioni dhe Presidenca Daneze kanë punuar mirë së bashku për të gjetur zgjidhje praktike dhe mënyra të përshtatshme për të pritur dhe mbështetur në BE ata fqinjë që duan të ndajnë me ne demokracinë, prosperitetin dhe stabilitetit. Janë hedhur themelet që BE të vazhdojë të zgjerohet dhe duke thelluar integrimin e vet të brendshëm, ato do të bëhen edhe më të forta.
Comments (0 posted)
Post your comment