"Franca merr borxh me përqindje negative : a duhet t'i gëzohemi vërtet ?"
Parisi ka marrë 6 miliardë euro obligacione me tre dhe gjashtë muaj, me përqindje përkatëse prej –0,005% dhe –0,006%. Me fjalë të tjera, Franca fiton para duke marrë borxh. Sigurisht, bëhet fjalë thjesht për hua në afatshkurtër.
Përkthyer nga Urim Nerguti
Për herë të parë, Franca merr hua me përqindje negative. Parisi ka marrë 6 miliardë euro obligacione me tre dhe gjashtë muaj, me përqindje përkatëse prej –0,005% dhe –0,006%. Me fjalë të tjera, Franca fiton para duke marrë borxh. Sigurisht, bëhet fjalë thjesht për hua në afatshkurtër. Por e mira për vendin është ende më e madhe, sepse përqindja e interesit real, e cila merr parasysh inflacionin, është ende më negative. Sidoqoftë, kjo situatë e paparë ka lënë menjëherë vend për vetëlavdërime politike. Nëse ish-ministrja e buxhetit (UMP) Valérie Pécresse sheh këtu gjurmën e "bilancit të mirë të Nicolas Sarkozy", socialisti François Rebsamen dëshiron të besojë se kjo është rrjedhojë e muajve të parë në pushtet të François Hollande. Guvernatori i Bankës së Francës, Christian Noyer hedh një vështrim më pak optimist. Ai gjykon se këto përqindje negative janë prova e "një çfunksionimi të tregjeve brenda zonës euro". Këtu më poshtë, analiza e Jean-François Robin, strategjist në Natixis, dhe specialist i tregjeve të obligacioneve.
Si i shpjegoni ju këto përqindje negative ?
Ka dy gjëra, njëherësh në planin e brendshëm dhe atë europian. Nuk ka mosbesim ndaj Francës, dhe ata që parashikonin se ajo do të sulmohej menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale, kanë gabuar. Borxhi francez shihet sot si një nga më të sigurtët e zonës euro. Kjo shihet edhe në përqindjet e gjata, 10-vjeçare, që janë mjaft të ulta (2.4%), dhe ku shmangia me Gjermaninë po ngushtohet gjithnjë e më shumë. Dhe në rrafshin europian, kemi një frikë mjaft të theksuar të investuesve në zonën euro, dhe veçanërisht frikë për Spanjën, Italinë, Greqinë. Kështu, investuesit shkojnë drejt investimesh më të besueshme, dhe Franca përfiton nga kjo. Investuesit arsyetojnë pra më tepër në rrafsh ekonomik se në politik, dhe as rishikimi i buxhetit javën e kaluar, as bilanci i Nicolas Sarkozy nuk janë vënë në shkak.
Pra, është një lajm i mirë për Francën ?
Po, është një lajm i mirë. Kjo pasqyron besimin e investuesve në trajektoren e uljes së defiçitit të Francës. Nga ky këndvështrim, përsëritja e synimeve për 4.5% defiçit më 2012 dhe 3% më 2013, padyshim që ka ndihmuar shumë. Ne jemi në klubin e ngushtë të atyre vendeve që gjykohen si tepër të sigurta, me Gjermaninë, Finlandën, Austrinë, Danimarkën dhe Holandën.
Po për Europën ?
Kjo është më shqetësuese, dhe e tregon qartë frikën e investuesve : ata parapëlqejnë që të humbasin pak para me Francën sesa të fitojnë shumë me Italinë apo Spanjën. Dhe nëse këto vende s’arrijnë të rifinancohen më, gjë që duket plotësisht e besueshme duke pasur parasysh përqindjet e tyre mjaft të larta (rreth 7.5%), ata do të duhet t’i bënin thirrje solidaritetit europian, siç e kanë bërë këtë Portugalia, Greqia dhe Irlanda. Atëherë do të kishte një ndihmesë më të madhe nga ana e Francës dhe Gjermanisë, gjë që do t’i dëmtonte financat e tyre publike. Investuesit presin përgjigje politike, më shumë federalizëm.
A fiton para Franca duke marrë borxh ?
Po, dhe thesari publik ka interes që në këtë kohë të marrë borxh në maksimum. Aq më tepër që kjo situatë do të mund të vazhdonte sa kohë që nuk janë fashitur shqetësimet mbi zonën euro. Këto përqindje do ta lehtësojnë arritjen e synimit të 4.5% defiçit publik në fund të vitit. Që nga janari, falë këtyre përqindjeve të ulta, Franca ka fituar tashmë një miliard euro në krahasim me atë ç’ishte buxhetizuar. Kjo s’është pak ! Në fund të vitit, kjo do të arrijë në dy miliardë, pra rreth çereku i parasë që mungon, sipas Gjykatës së Llogarive, për të arritur synimet tona. ¦
Disa piketa :
Përqindja mesatare : që nga fillimi i 2012-ës, përqindja mesatare, e cila merr parasysh vetëm emetimet për më shumë se një vit, është 2.14%. Kjo përqindje ishte 2.80 më 2011, 2.95% më 2009, dhe 4.15% për periudhën 1999-2007.
Shteti francez ka realizuar deri tani 69% të programit të vet të emetimit. Mbeten ende 55 miliardë euro për t’u vendosur deri në fund të vitit.
Borxhi francez është i mbajtur në masën 63.8% nga investues të huaj apo që s’jetojnë në Francë.
Spread : shmangia ndërmjet përqindjeve në dhjetë vjet gjermane dhe franceze është 1.03%
Revista L'Express, date 10 korrik 2012
Comments (0 posted)
Post your comment