Unioni i domosdoshëm i Europës
Reformat dhe masat e konsolidimit po aplikohen kudo në BE. Ndihma të përbashkëta financiare tashmë janë ndarë. Ndërsa Banka Qendrore Evropiane ka treguar vazhdimisht se do t’i qëndrojë pranë euros. Megjithatë ekspertët dhe partnerët shpesh i minimizojnë përkushtimet tona.
José Manuel Barroso
Krijimi i një unioni bankar deri në vitin 2013 nuk do t’ia japë Evropës në dorë një shkop magjik, me të cilin do ta zhduknim krizën ekonomike brenda natës, por është një hap i madh dhe i rëndësishëm për të rikthyer besimin e qytetarëve evropianë, të partnerëve ndërkombëtarë dhe të investuesve. Ai do të siguronte stabilitet financiar, do të rriste transparencën, do ta bënte sektorin bankar më të përgjegjshëm dhe do të mbronte paranë e taksapaguesve.
Pasojat e krizës së borxheve të Evropës janë më se të dukshme në pjesën më të madhe të Bashkimit Evropian, ndërsa ekonomitë e tkurrura tentojnë të stabilizohen dhe të rriten në të njëjtën kohë. Pavarësisht nga vendimet e rëndësishme të marra gjatë disa vjetëve të fundit, realitet është se ne duhet të bëjmë më shumë për t’u bërë ballë sfidave që e presin eurozonën.
Reformat dhe masat e konsolidimit po aplikohen kudo në BE. Ndihma të përbashkëta financiare tashmë janë ndarë. Ndërsa Banka Qendrore Evropiane ka treguar vazhdimisht se do t’i qëndrojë pranë euros. Megjithatë ekspertët dhe partnerët shpesh i minimizojnë përkushtimet tona.
Të gjithë hapat e ndërmarrë deri më tash kanë rezultuar me integrim më të madh evropian, e jo më të paktë. Është e vërtetë se ndonjëherë vendimmarrja në sistemin tonë demokratik kërkon kohë. Mirëpo mos na vlerësoni gabimisht: negociatat kanë të bëjnë me marrëveshje, e jo me rezultatet përfundimtare.
Ekziston një vullnet i mjaftueshëm politik në BE për të bërë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur euron, për shkak se e ardhmja e valutës unike do të përcaktojë atë të integrimit evropian.
Masat shtesë që Evropës i nevojiten duhen të bazohen vendosmërisht në një përkushtim ndaj integrimit më të thellë. Shkallët e larta të borxhit sovran, bashkë me sjelljen e pjesëve të caktuara të sektorit financiar, kanë shumëfishuar krizën në eurozonë dhe kanë vënë në pikëpyetje çështjet e rëndësishme të besimit, të cilat tanimë kërkojnë përgjigje sistematike.
Kjo është arsyeja se pse ne duhet të kompletojmë punët e papërfunduara të unionit ekonomik dhe monetar – dhe pse Komisioni Evropian ka argumentuar për një kohë të gjatë rreth krijimit të një unioni bankar. Propozimet e ardhshme të Komisionit janë pjesë e një pakoje më të gjerë që çon drejt një unioni ekonomik, fiskal dhe politik, i cili do të ripërcaktojë kufijtë e integrimit evropian.
Kriza ka demaskuar plotësisht mangësitë e mbikëqyrjes ekzistuese bankare. Duhet të shkojmë përtej bashkëpunimit dhe të krijojmë një autoritet mbikëqyrës mbarevropian, sidomos në eurozonë. Lidhja ndërmjet borxhit sovran dhe borxhit të bankave duhet thyer njëherë e përgjithmonë. Duhet t’i japim fund qarkut vicioz të përdorimit të fondeve të taksapaguesve – më shumë se 5.7 trilionë euro deri më tash – për të shpëtuar bankat që i dobësojnë buxhetet qeveritare, ndërsa e rrisin vazhdimisht rrezikun që bankat të ndalojnë huadhënien për bizneset që kanë nevojë për fonde, me ta minuar ekonominë edhe më shumë.
Evropa tani mund ta ndalojë këtë dinamikë negative me veprim të vendosur. Një rregullore e vetme për shërbimet financiare është duke u shqyrtuar për tregun unik. Bazuar në këtë, një autoritet i vetëm i mbikëqyrjes bankare për Evropën do të hapte rrugën për rikapitalizimin e drejtpërdrejtë të bankave nëpërmjet Mekanizmit Evropian të Stabilitetit.
Më 12 shtator Komisioni do të prezantojë propozimet e veta për një mekanizëm të vetëm të mbikëqyrjes bankare, bazuar në tri parime kryesore:
Mbikëqyrja e vetme: Përbrenda eurozonës koordinimi ndërmjet trupave kombëtare të mbikëqyrjes tanimë nuk është i mjaftueshëm. Rreziqet që shfaqen në një shtet mund të prekin të gjithë rajonin e valutës së përbashkët. Mbikëqyrja e përbashkët bankare është e domosdoshme për forcimin e besimit në mesin e shteteve që i përdorin ndihmat e përbashkëta financiare.
Kredibiliteti: Mekanizmi i ri i mbikëqyrjes bankare të eurozonës do të ketë BQE-në në epiqendër. Përzgjedhja e detyrave të mekanizmit të ri të mbikëqyrjes bankare në eurozonë nga BQE-ja do të garantojë një mbikëqyrje rigoroze, kualitative dhe me kujdes të barabartë të bankave të eurozonës, duke i kontribuuar njëkohësisht ruajtjes së besimit ndërmjet bankave – dhe duke rritur në këtë mënyrë stabilitetin financiar përgjatë eurozonës. Bashkëpunimi i afërt me mbikëqyrësit kombëtarë do të ndërtohej mbi një kornizë.
Roli mbikëqyrës i BQE-së do të ndahej plotësisht nga përgjegjësitë e saj të politikave monetare. Paralelisht kësaj, Autoriteti Bankar Evropian do të vazhdojë të kryejë detyrat e veta ekzistuese, duke e zhvilluar kështu një rregullore të vetme për të gjithë tregun unik dhe duke garantuar një praktikë konvergjente mbikëqyrëse përgjatë BE-së.
Mbulimi i gjerë: Të gjitha bankat në eurozonë do të mbulohen nga një sistem i ri mbikëqyrës evropian. Dhe ne do të duhej të krijonim një urë lidhëse ndërmjet shteteve anëtare të eurozonës dhe shteteve anëtare të BE-së për të qëndruar jashtë unionit monetar, me disa prej të cilave shtete do të dëshironin të merrnin pjesë në mekanizmat e rinj mbikëqyrës.
Shtegu që kemi vendosur ta ndjekim do të na lejojë një veprim të shpejtë. Mekanizmi i vetëm mbikëqyrës bankar nuk kërkon ndonjë ndryshim traktati dhe duhet të krijohet deri në janar të vitit 2013.
Një mbikëqyrje e përbashkët dhe më e integruar është hapi i parë drejt unionit bankar. Përveç kësaj, Komisioni do të propozojë skena për garanci depozitash dhe mekanizma për vendimmarrje bankare për të ecur përpara krijimit të një fondi unik të vendimmarrjes dhe një autoritet të vetëm të vendimmarrjes. Pasi këto propozime të përmbushen, unioni bankar do të kompletohet.
Krijimi i një unioni bankar deri në vitin 2013 nuk do t’ia japë Evropës në dorë një shkop magjik, me të cilën do ta zhdukim krizën ekonomike brenda natës, por është një hap i madh dhe i rëndësishëm për të rikthyer besimin e qytetarëve evropianë, partnerëve ndërkombëtarë dhe investuesve. Ai do të siguronte stabilitet financiar, do të rriste transparencën, do ta bënte sektorin bankar më të përgjegjshëm dhe do të mbronte paranë e taksapaguesve.
Për më tepër, ky do të ishte fillimi i një diçkaje edhe më të madhe. Edhe një herë do të dëshiroja të theksoja se eurozona po nxjerr mësime nga e kaluara e vet dhe po e definon rrugën përpara, jo prapa, për sa i përket integrimit. Ky është një lajm i mirë jo vetëm për euron, por edhe për ekonominë globale po ashtu.
Comments (0 posted)
Post your comment