Europa provinciale
Europa duhet të rritet dhe të zhvillojë kapacitetet për t’i mbrojtur interesat e saj, për shkak se po afrohet me nxitim dita kur të tjerët do të jenë më pak të aftë dhe të vullnetshëm për ta bërë këtë gjë për ne.
Joschka Fischer
Berlin – Angazhimi në shumë fusha njëkohësisht nuk është ana më e fortë e gjeneratës aktuale të liderëve të Europës. Ata me të drejtë i kanë dhënë prioritet krizës së eurozonës – çështje kjo qendrore që e përcakton të ardhmen e Bashkimit Europian. Mirëpo të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme – mbi të gjitha, politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë – pothuajse janë injoruar krejtësisht. Dhe pikërisht këtu – në marrëdhëniet e brendshme të Europës, çështje absolutisht vitale për të gjithë qytetarët e BE-së – rinacionalizimi po e ngre kokën e vet të shëmtuar përsëri.
Sot ne jemi në gjendje që të njohim themelet e një (ç)rregullimi ndërkombëtar pasamerikan – jo vetëm strukturat e reja të tij, por po ashtu edhe rreziqet, kërcënimet dhe konfliktet, të cilat vetëm sa po intensifikohen. Për Europën – dhe për pjesën e mbetur të botës – kriza financiare është dëshmuar të jetë një katalizator i ndryshimeve gjithëpërfshirëse.
Në Azinë Lindore, rajonin më dinamik dhe më dominues të botës për sa i përket të ardhmes së zhvillimit global ekonomik, konfrontimi po eshalon ndërmjet fuqive kryesore – Kinës, Japonisë, Koresë Jugore dhe Tajvanit – rreth çështjeve kufitare, pretendimeve territoriale, prestigjit dhe punëve të papërfunduara historike. Shtojani të gjithë kësaj edhe krizën shumëvjeçare të gadishullit korean dhe konfliktin e Tajvanit, të cilat mund të ndizen përsëri në çdo moment.
Fuqitë rajonale të Azisë Lindore operojnë pothuajse pa ndonjë kornizë multilaterale, një gjendje kjo shtetërore që mund të krahasohet me atë në të cilën ishte Europa nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Vetëm prezenca ushtarake dhe politike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës garanton stabilitet rajonal. Për më tepër, të paktën në aspektin afatmesëm, kjo prezencë paraqet rrezik të madh për nxitjen e një konfrontimi global ndërmjet Kinës dhe SHBA-së. Për më tepër, Rusia – e cila shtrihet në Azinë Lindore, por, falë dobësisë së saj ekonomike dhe politike, ka qenë një aktor në prapavijë – do të kërkojë pa dyshim të përfitojë nga ky zhvillim.
Europa, sidoqoftë, nuk do të luajë ndonjë rol në rajon, thjesht për shkak se çdo tentativë për të pasur ndonjë rol do t’i tendoste të arriturat dhe burimet e saj. Megjithatë, falë varshmërisë gjithnjë e më të madhe ekonomike të Evropës nga Azia Lindore, interesat e saj janë së tepërmi të përfshira – një mospërputhje kjo që do të mund t’i shkaktojë shumë parehati BE-së në aspektin afatmesëm.
E njëjta gjë vlen, deri në një masë të caktuar, për marrëdhëniet e Evropës me Azinë Jugore; mirëpo aty konflikti Indi-Pakistan, një Afganistan kanosës “pasamerikan” më 2014 dhe paqartësia për sa i përket Iranit dhe Gjirit Persik kanë ndikim të drejtpërdrejtë sigurie në BE. E në këtë pikë parehatia ndeshet me rrezik.
Rusia, nën presidencën e tretë të Vladimir Putinit, e ka bërë zgjedhjen e vet. Nën sloganin e një “Unioni Euroaziatik” dhe duke u mbështetur në rinacionalizimin e sektorëve të naftës dhe gazit, Kremlini dëshiron t’i bashkojë sa më shumë territore të ish-Bashkimit Sovjetik në shtetin amë. Në qendër të kësaj politike është Ukraina, hallka e rendit passovjetik të Europës.
Sidoqoftë Putini është ngujuar në një kontradiktë fondamentale. Politika e tij e Rusisë së Madhe kërkon forcë ekonomike dhe për më tepër modernizim të suksesshëm të shtetit. Mirëpo, për të arritur këtë, ai duhet të inkurajojë reformat që do të çonin drejt një klase të mesme të fuqishme, e cila, siç tanimë mund të shihet në qytetet e mëdha të Rusisë, e kundërshton “demokracinë e menaxhuar” të Putinit dhe korrupsionin në shkallë masive që vjen bashkë me të.
Dilema e Putinit paraqet një sfidë reale për BE-në dhe SHBA-në – por po ashtu edhe një mundësi, në rast se zgjedhin angazhimin e rëndësishëm afatgjatë. Nga të dyja anët e Atlantikut, megjithatë, injorimi i kësaj çështjeje duket se është ngatërruar për politikë.
Kjo është një pavëmendje e rëndë, pasi që është e qartë se politika e jashtme e Rusisë ka marrë përsëri kthesë provokuese dhe konfrontuese. Rusia mbetet një mbështetëse e palëkundur e presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe nuk i shmanget konfliktit me Turqinë apo aleancës de facto me Iranin, me qëllim të mbrojtjes së regjimit Assad.
Bashkë me retë e luftës që po e mbulojnë programin bërthamor të Iranit, procesi i dështuar paqësor izraelito-palestinez dhe ndryshimi radikal politik përgjatë Lindjes së Mesme, konflikti në Siri tregon se juglindja e Europës do të vazhdojë të jetë një sfidë e madhe sigurie. Megjithatë, përkundër ambicieve të Rusisë për riformësimin e fqinjëve të vet – dhe përkundër përfshirjes në rënie të SHBA-së në Lindje të Mesme – Europa zor se është e gatshme të veprojë.
Qartazi, marrëdhënia ndërmjet Turqisë dhe BE-së duhet të ketë “rivendosjen” e tyre.
Përndryshe, të dyja palët do të gjenden në radhët e humbësve. Turqia aktualisht është duke u konfrontuar me kufijtë e mundësive të saj, ndërsa BE-ja zbulon se mund të bëjë shumë pak gjëra në këtë rajon pa Turqinë.
Dhe, në jugun e Europës, përgjatë Mesdheut, rreziqe të reja po shfaqen vazhdimisht në Afrikën Veriore dhe Sahara, përfshirë këtu edhe kërcënimet e krijimit të një shteti të “Al-Qaedas” në veri të Malit.
Nëse kësaj harte të zhvillimit global evropian i shtohet fakti se, pa marrë parasysh se rezultatin e zgjedhjeve amerikane, Amerika do të ndryshojë përqendrimin e vet strategjik në Azinë Lindore (ose përndryshe do të kthehet kryesisht nga vetja), pothuajse gjithçka sinjalizon fuqizimin e politikave të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Fatkeqësisht, pikërisht e kundërta është duke ndodhur: edhe këtu, po ashtu, rinacionalizimi është në epiqendër të mendjes së qytetarëve dhe vendimmarrësve të Evropës.
Në Berlin pyetja që shtrohet gjithnjë e më shpesh është: “Çfarë nënkupton kjo për Gjermaninë?” në vend se: “Çfarë do të thotë kjo për Europën?” E vërteta vlen edhe për kryeqytetet e tjera evropiane. Mirëpo pyetja e gabuar çon drejt përgjigjes së gabuar, për shkak se interesat e sigurisë të Evropës mund të mbrohen vetëm përbrenda një konteksti evropian dhe perëndimor, e jo në nivelin kombëtar.
Kjo dhe është arsyeja pse tani ka ardhur vërtet koha që evropianët të heqin dorë nga provincializmi, të ndërmarrin një politikë të përbashkët të jashtme që e meriton emrin e tyre dhe që përfundimisht t’ia nisin të investojnë ashtu si duhet në të ardhmen e sigurisë. Europa duhet të rritet dhe të zhvillojë kapacitet për t’i mbrojtur interesat e saj, për shkak se po afrohet me nxitim dita kur të tjerët do të jenë më pak të aftë dhe të vullnetshëm për ta bërë këtë gjë për ne.
Comments (0 posted)
Post your comment