CERN-i shqiptar!?
Në eterin shqiptar këto ditë këndshëm përhapet vargu i Ritës: “We started slow, but we beated you in the final”. Kjo gjithsesi ka kuptim, jo vetëm simbolik. Prandaj, shqiptarë, gëzuar shekulli i ardhëm!
Sami Haliti
Bota e sotme, një realitet dinamik ky i këtij fillim shekulli, na imponon të diskriminojmë shumë ngjarje edhe të nënvizojmë disa nga to. Hiperealiteti kibernetik ka përshkruar furishëm dhe fuqishëm jetën e njeriut, prandaj duke u munduar t’i rezistojë sado pak këtij dinamizmi të paparë, marr shkas t`i përmend dy zhvillime aktuale të cilat tronditen për të mirë vitin 2012 dhe simbolikisht sikur sollën ca shenja apo mesazhe të mira.
Janë këto misioni Curiosity në planetin Mars dhe aktivizimi i CERN-it, një laborator gjigant ndërkombëtar në Zvicër, ku gjatë këtij viti ndodhi konfirmimi i ekzistencës së grimcës quajtur Bozoni i Higsit, pagëzuar sipas shkencëtarit Peter Ware Higgs, grimcë elementare të cilën gazetarët e quajtën me apo pa të drejtë “Grimca e Zotit”.
Përderisa kemi këto zhvillime shkencore të mrekullueshme në nivel global, ndër shqiptarë ngjarja më kulminante në këtë vit s`ka dyshim se është njëqindvjetori i pavarësisë. Por, a ka ndonjë lidhshmëri mes ngjarjeve të përmendura shkencore dhe përvjetorit tonë ?
Mund të themi se nuk ka asnjë lidhje kauzale, por po ashtu mund ta ndjejmë se ka një kuptim simbolik, të qëllimshëm natyrisht. Kjo ngase konsideroj se vitit 2012 shqiptarët mundë t`i vënë shenjën e një viti të suksesshëm. Kometa e “vitit të mbrapsht”, paralajmëruesi simbolik i një shekulli të rënd dhe të kobshëm, tani i lë vend këtyre ngjarjeve shkencore. Prandaj, të njëjtat janë kumte të mira për ne dhe unë dua të besoj se do të jetë kështu, nëse vlen maksima “dita e mirë shihet në mëngjes”.
Pak kush mund të mos i gëzohet këtyre të arriturave të njerëzimit, ashtu sikurse që të gjithë shqiptarët do t`i gëzohen me krenari kremtimit të sivjetshëm. Numri 100 do të mund të ishte edhe më i madh sigurisht, por duke i marrë parasysh skenarët tjerë të mundshëm, them se mund të ndihemi mirë. Kemi njëqindvjetorin e shpalljes së shtetit, po hyjmë në shekullin e dytë dhe pikërisht në këtë vit kemi mrekullitë shkencore CURIOSITY, CERN si dhe Autostradën Shqiptare, trinom ky që më pëlqen.
Po mundohesha ta kuptoja suksesin e CERN-it dhe vëmendjen time e tërheqin disa fragmente që më ngjallin analogji. Modeli standard i fizikës tanimë nuk mjafton për të e përshkruar miken e re (grimcën fondamentale) e cila në fakt është e moçme sa vet koha. Konstatim konsonant i shkencëtarëve është se Bozoni i Higgsit i jep masë lëndës. Aparati mendor i yni nuk e kishte edhe aq të lehtë për të kuptuar këtë, ngase të kuptuarit e kësaj grimce duhej shpjeguar në analogji me linjat e kapelës meksikane, si përshkrim i mundshëm i gjendjeve energjetike të kësaj grimce.
Veçoria e saj e krijimit të masës duhej shpjeguar përmes analogjisë me influencën apo ndikimin shoqëror, ngjashëm sikurse atraktiviteti i artistëve në botën e artit apo sferave të tjera të ndikimit social, si p.sh personat karizmatik. Në një ambient social apo grumbull njerëzish, janë disa nga ata që i tërheqin të tjerët përreth vetes dhe pikërisht këtë e bënë edhe Bozoni i Higgsit. Ai i jep masë materies dhe kjo veti nuk ka shpjegim tjetër pos analogjisë që behet me atraktivitetin shoqërorë.
Pritjet e besueshme janë që modeli standard i mendimit në fizikë do të pësojë ndryshim radikal. Se sa drastik do të jetë ky ndryshim i paradigmës shkencore të deritanishme, mund të merret me mend edhe nga fakti se edhe vet Stephen Hawking, një shkencëtar kulminant ky, humbi bastin tij, ngase kishe besuar se kjo grimcë nuk mund të konfirmohej. Pra, ky konfirmim ndodhi pikërisht në këtë vit dhe vërtetë kjo është një mrekulli shkencore. Dhe, për satisfaksionin tonë, pikërisht këtë vit, unë pretendoj se do të ndodhë edhe një mrekulli, kësaj radhe ndër shqiptarë, në një eksperiment shqiptar ku do të ngjajë (ri)konfirmimi e grimcës sociale shqiptare.
Në këtë nëntor starton eksperimenti më i madh. Është ky funksionalizimi i autostradës e cila lidhë Prishtinën me Tiranën. Nëse dikush kishte (apo ende ka) dyshime se të gjithë shqiptarët i takojnë një kombi, demanti i këtij dyshimi do të provohet fuqishëm. Kombi shqiptar do të (ri)konfirmohet sikurse grimca fondamentale e Bozonit të Higgsit dhe këtë do të e bëj një CERN-i shqiptar - autostrada Prishtinë-Tiranë.
Siç dihet, eksperimenti i CERN-it ndodhi në disa gypa shumë kilometrash nëntokësor rrethorë dhe paralel, që janë të dizajnuar të realizojnë lëvizje të grimcave (protoneve) në kahe te kundërta pas një starti të përbashkët. Me dhjetëra rreth rrotullime rrugësh të ndërtuara në Prishtinë dhe anembanë Kosovës ngjajnë me gypat e CERN-it. Atë çka e ka rrethi të veçantë si figurë është se starti i tij dhe fundi bashkohen dhe nuk duhet ku është fillimi e ku fundi. Grimcat në CERN pas një rrugëtimi ndahen në dy gypa që mundësojnë lëvizje e tyre në kahe të kundërta. Edhe rrugët e zhvillimeve të shqiptarëve që vinin pas shumë shekujsh ekzistencë u ndanë.
Rrugëtimi vazhdoi ndaras për shqiptarët sikurse për grimcat e CERN-it, por me shpejtësi marramendësisht të ndryshme. Derisa në CERN më në fund ngjanë bashkimi i projektuar, për shqiptarët ndarja ishte projektuar e përhershme, sikur një rreth i këputur. Por, ja mu në këtë vit, në këtë nëntor, për shqiptarët bashkimi funksional do të ndodhë. Rrethi këputur do të bashkohet dhe do të formohet një figurë e rregullt. Si duket ky projekt bashkimi lindi në momentin e ndarjes, ngase vetëdija kolektive e shqiptarëve veç ishe e konsoliduar, ngase ishte një njësi sociale funksionale.
Përballë kalimit të makinave të shqiptarëve, do të ndodhë (ri)konfirmimi pesë sigma (besueshmëria shkencore se hipoteza do të konfirmohet 99.99 për qind , apo se 1 në 3.5 milionë raste ka të ngjarë të ndodhë rastësia dhe devijimi i mundshëm) i ekzistencës së grimcës elementare shqiptare, pse të mos themi i një fushe gravitacionale shqiptare e cila është anticipuar dhe deklaruar më 1912. Kur është fjala te grimcat fondamentale, dihet se ato mund të kuptohen edhe si grimcë edhe si valë.
Autostrada shqiptare do t’i kryej që të dy funksionet, ngase grimcat shqiptare që lëvizin në të do të prodhojnë fushë gravitacionale sociale shqiptare. Data 27 Nëntor 2012 është dita D e fillimit të këtij eksperimenti, më i madhi deri më tani ndër shqiptarë. Ndarja, lëvizja dhe në fund bashkimi si tri stade të një procesi. Grimcat e CERN-it pas arritjes së shpejtësisë së përafërt me atë të dritës do të duhet të e godasin njëra-tjetrën dhe kështu të prodhojnë një situatë e cila do t’u mundësojë shkencëtareve konfirmimin e grimcës më fondamentale të cilën mendja e njeriut ka mundur të e anticipoj.
Ky nëntor, ky projekt dhe kjo autostradë, do të bëj të njëjtën për shqiptarët që më 1912 dhunshëm morën dy udhë. Prandaj, simbolikisht ky vit mund (apo duam) të jetë një moment kthese, kah funksionaliteti tërësor yni. Refuzimi i bashkimit tanimë përjetohet një kob, prandaj “nuk është pyetje se a duhet bërë bashkimi, por vetëm si duhet bërë ai”, thotë filozofi Astrit Salihu.
Duke vënë theksin në atmosferën festive të këtij njëqindvjetori, le t’i japim vetes të drejtë që t’i harrojmë për momentin disfunksionalitetet tona. Në fakt, sa herë që festojmë duhet të harrojmë diçka. Për pak, le të fusim botën në kllapa dhe të bëjmë një reduksion fenomenologjik. Kemi arsye të gëzohemi për rrugët që i bashkojnë shqiptarët më shpejtë dhe më mirë se kushdo. Në Kosovën dhe Shqipërinë politike ndërtohen rrugë dhe këto duket se do të luajnë rolin kryesor të bashkimit të shqiptarëve.
Simbolikisht, ky është CERN-i shqiptar, akceleratori dhe softueri më adekuat i gjeneruar i bashkimit të shqiptarëve. Kostoja tanimë s`ka rëndësi financiare, ngase efektet kohezive sociale në relacionin Tiranë-Prishtinë (dhe anasjelltas) jo vetëm do të arrijnë, por edhe do ta tejkalojnë atë.
Prandaj, duke uruar që të ketë shmangie maksimale aksidentesh trafiku, në mënyrë simbolike themi se nga këto përball-kalime shqiptare do të (ri)prodhohet dhe ri-konfirmohet grimca sociale shqiptare, e cila do të jetë një “building block” që i jep masë qenies shqiptare dhe agregatit të saj, atdheut të të gjithë shqiptarëve.
Shqipëria shtet dhe Shqipëria atdhe dallojnë, për këtë pajtohemi që të gjithë. Edhe përfitimet puro ekonomike të këtij eksperimenti shqiptar do të jenë shumë më të mëdha se sa parashikimet. Prandaj ky eksperiment nëntori ka rëndësi qenësore dhe simbolike. Emri Mars, ky fqinj i moçëm i planetit tonë na kujton fjalën mbarësi, e cila urojmë ta përcjellë kombin shqiptarë. Tanimë edhe ky planet i takon njeriut, ngase një laborator robotik punon atje për njerëzimin. Optimizmi i ynë për mbarësinë e kombit shqiptar në këtë përvjetor të njëqindtë le të frymëzohet nga këto shenja të këtij viti të mbarë për shqiptarët. Urojmë të jetë i mbarë shekulli i dytë i pavarësisë, por edhe shumë shekuj të tjerë, në një botë me edhe më shumë liri dhe humanizëm.
Jam i gatshëm të vë bast se shqiptarët pas njëqind vitesh do të jenë komb i konsoliduar plotësisht i cili do të hyj në relacione reciproke intensive dhe kualitative në proceset globale të zhvillimit, si dhe
do të kontribuojë në rritjen e humanizmit në botë. Kushdo që vë një bast të kundërt do të humbë, sikurse Hawkingu.
Me optimizmin të cilin e marr nga këto shenja të mira, uroj shqiptarët për këtë eksperiment të madh dhe të suksesshëm. Numërimi mbrapshtë tashmë veç ka filluar. Në eterin shqiptar këto ditë këndshëm përhapet vargu i Ritës: “We started slow, but we beated you in the final”. Kjo gjithsesi ka kuptim, jo vetëm simbolik. Prandaj, shqiptarë, gëzuar shekulli i ardhëm!
Comments (0 posted)
Post your comment