Home | Politics | Shqipëria do ta ketë një rilindje

Shqipëria do ta ketë një rilindje

image
Sot vizioni i Shqipërisë nuk është më që të jetë thjesht e lirë dhe e pavarur. Ky është një vizion demokratik. Është vizioni i një shoqërie të sunduar nga ligje të drejta dhe të barabarta. Është vizioni i shpresës për drejtësi, liri, institucione të pavarura, për drejtësi dhe ndershmëri. Unë i kuptoj sfidat që ju presin, por besoj po ashtu tek Shqipëria dhe populli shqiptar. 

 


Jhon Withers*

 

 

 

 

 

Përpara se të vija në këtë podium kisha ndërmend disa gjëra që doja të thosha. Por dua ta nis me diçka që nuk e kisha menduar fillimisht. Dua ta nis duke e siguruar kryetarin e Bashkisë Gjika se Vlora ende zë një vend të veçantë në zemrën time. Kjo është hera e parë që kthehem në Shqipëri që kur u largova si ambasador në vitin 2010. Kthehem tani si një qytetar i thjeshtë amerikan.

Por ajo që unë dua të shpreh është kjo: nderi që më është bërë mua sot është nderi më i madh që unë kam marrë ndonjëherë në jetën time private apo diplomatike dhe unë dua të falënderoj Kryetarin e Bashkisë Gjika, dua të falenderoj Këshillin e Bashkisë, dua të falenderoj qytetarët e Vlorës. Nuk jam i sigurt nëse e meritoj këtë, që të asociohem me individë të shquar si zoti Rexhep Qosja, të asociohem me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, të asociohem me njerëzit e këtij qyteti të mrekullueshëm. Nuk i gjej fjalët, thjesht nuk i gjej fjalët, por duhet ta pranoni mirënjohjen e thellë për këtë çmimin që po më jepni. Dhe ju bëj një premtim: Ju premtoj që gjithmonë do bëj çmos që t’ju bëj juve, qytetarëve të Vlorës, krenarë.

100 vjet më parë, thuajse në të njëjtën ditë, 83 burra u mblodhën në këtë vend dhe firmosën një copëz të vogël letre. Ishte e gjatë vetëm dy fjali, por duke firmosur këtë copëz të vogël letra të shkruar me dorë, këta 83 burra trima firmosën një zotim të shenjtë që deri në ditët e sotme, Shqipëria të jetë e pavarur dhe e lirë. Disa fjalë të shkurtra por thanë gjithçka që duhej të thuhej. Me firmosjen e këtij zotimi këta njerëz vunë jetën e tyre në rrezik. Ashtu siç e tha dhe Ismail Qemali atë ditë, ata përballeshin me rreziqe të jashtëzakonshme. Ata përballeshin me rrezikun e pushtimit, ata përballeshin me rrezikun e ndarjes, ata përballeshin me rrezikun e kolonizimit, por megjithatë vizioni që i frymëzoi ata ishte aq i fuqishëm sa më në fund, të gjitha rreziqet u mposhtën dhe lindja e Shqipërisë filloi me ata dhe me veprën e tyre. Të gjithë ne u kemi atyre borxh një mirënjohje që është e vështirë të shprehet. Unë ju uroj juve dhe popullin e Shqipërisë për atë moment historik dhe për atë ditë të jashtëzakonshme.

Vizioni i tyre i mposhti rreziqet. Sot Shqipëria përballet me kërcënime të reja, por Shqipëria ka një vizion të ri. Sot vizioni i Shqipërisë nuk është më që të jetë thjesht e lirë dhe e pavarur. Ky është një vizion demokratik. Është vizioni i një shoqërie të sunduar nga ligje të drejta dhe të barabarta. Është vizioni i shpresës për drejtësi, liri, institucione të pavarura, për drejtësi dhe ndershmëri. Unë i kuptoj sfidat që ju presin, por besoj po ashtu tek Shqipëria dhe populli shqiptar. Dhe unë besoj tek ju për shkak të asaj që dija për ju përpara se të vija këtu dhe për shkak të asaj që mësova kur erdha këtu.

Përpara se të vija këtu dija për Skënderbeun, por kur erdha këtu zbulova që fisnikëria e tij është ende me ju. Unë dija për Nënë Terezën dhe mësova se mirësia e saj është ende me ju. Dija për Musine Kokalarin dhe mësova se dedikimi i saj është ende me ju. Dija për Isa Boletinin dhe mësova se guximi i tij është ende me ju. Dija për Rexhep Qosen dhe Ismail Kadarenë dhe mësova se gjenialiteti i tyre është ende me ju. Dija për Ismail Qemalin dhe mësova se vizioni i tij është ende me ju.

Dhe së fundi, unë dija për qytetin e Vlorës dhe mësova se shpirti i pavarësisë dhe lirisë që lindi këtu është ende me ju. Dhe për shkak se kjo fisnikëri, për shkak se kjo mirësi, ky dedikim, ky gjenialitet, ky guxim dhe ky vizion janë ende me ju, unë nuk kam asnjë dyshim se Shqipëria do të ketë një rilindje të lirisë dhe se ashtu siç i udhëhoqi vizioni i Ismail Qemalit ata burra trima, vizioni i Shqipërisë moderne dhe populli i Shqipërisë do t’ju lejojë të tejkaloni të gjitha krizat me të cilat përballeni sot. Ju do ta përmbushni vizionin e demokracisë tuaj, ju do të krijoni mundësi, ju do të krijoni një Shqipëri që është e begatë dhe e lirë.

*Fjala e plotë e ish ambasadorit Xhon Uidhers, në ceremoninë e marrjes së titullit “Qytetar Nderi i Vlorës”

 

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00