Shtëpia europiane e Britanisë
1 Janari i vitit 2013 shënoi 40-vjetorin e anëtarësimit të Britanisë së Madhe në BE. BE-ja do të bëhet edhe më e rëndësishme gjatë 40 vjetëve të ardhshëm dhe për këtë arsye Britania e Madhe duhet të mbetet tërësisht e përkushtuar në formësimin e së ardhmes së saj.
Martin Schulz*
Bruksel – Fjalimi i shumëpritur rreth Europës i kryeministrit britanik, David Cameron, që do të mbahet në Holandë, mund të shënojë një pikë kthese sa i përket pozitës së Britanisë përbrenda Bashkimit Europian. Çfarëdo përpjekjeje e Britanisë së Madhe për kthimin e kompetencave në Westminster do të jetë pikë e negociatave të stërzgjatura dhe të koklavitura. Siç kanë dëshmuar edhe përvojat e mëparshme, bisedimet e brendshme rreth kompetencave kushtetuese mund ta largojnë vëmendjen nga çështjet shumë më të rëndësishme, si rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës. Përpjekja për rishqyrtim të pjesëve kryesore të acquis communautaire (trungu i ligjeve të BE-së), dhe përzgjedhja e pjesëve të cilat do të miratoheshin nga Britania e Madhe, do të mund të krijonte një presedencë të rrezikshme. Në të vërtetë, ajo do të mund të rezultonte me copëtim dhe shpërbërje të Unionit. Sado tërheqës të duket kthimi i kompetencave, ai do të përfshinte procedura të gjata dhe komplekse – pa garanci për një rezultat të favorshëm
Megjithatë, në fund të fundit, kthimi i kompetencave apo dalja nga Bashkimi Europian janë vendime që duhet të merren nga qeveria britanike dhe populli britanik. Por, unë besoj fuqimisht se anëtarësimi i plotë i Britanisë së Madhe është në interesin si të Britanisë, ashtu edhe Europës. Ekonomia britanike përfiton shumë nga tregu unik, derisa BE-ja mbetet deri më tani partneri më i madh tregtar i Britanisë së Madhe, duke përfshirë gati 50 për qind të eksporteve britanike.
Në një botë të globalizuar, nuk është në interesin e Britanisë së Madhe që ta degradojë pozitën e vet në BE, pasi që një gjë e tillë vetëm sa do të dobësonte ndikimin e saj në Europë dhe përtej. Natyrisht se miqtë e Britanisë e kuptojnë një gjë të tillë. Gjatë ditëve të fundit, SHBA-ja ka paralajmëruar me të drejtë se një referendum i mundshëm në Britaninë e Madhe do të mund të nënkuptonte izolimin e këtij shteti, derisa kryeministri irlandez, Enda Kenny ka thënë se dalja e Britanisë nga BE-ja do të ishte “katastrofike”. Biznesmenë të shumtë britanikë po ashtu ia kanë tërhequr vërejtjen Cameronit se ai rrezikon që ta destabilizojë ekonominë e Britanisë së Madhe, po qe se kërkon rinegociim të tërësishëm të anëtarësimit në BE. Zërat e tyre, pa marrë parasysh se kanë qenë të vonuar, duhet të dëgjohen.
Eurozona është duke u integruar gjithnjë e më shumë, për shkak të domosdoshmërisë që ekziston për një gjë të tillë. Britania e Madhe ka vendosur që të mbetet jashtë unionit monetar. Për këtë arsye, ndonëse përkrahja e qeverisë së Cameronit për një integrim më të thellë të eurozonës është e mirëseardhur, eurozona nuk mundet dhe nuk do të formësohet nga jashtë dhe në pajtim me interesat britanikë.
Britania e Madhe nuk është në pozitë që të bllokojë shtetet tjera anëtare të BE-së nga integrimi më i thellë, duke e pasur parasysh vullnetin politik të shumicës së shteteve tjera anëtare të BE-së për të lëvizur përpara. Në të vërtetë, negociatat e vitit të kaluar rreth politikave fiskale është dashur t’ia dëshmojnë Cameronit vështirësinë e përdorimit të të ashtuquajturës veto nacionale.
Sidoqoftë, Britania e Madhe e ka luajtur rolin kryesor në përpilimin e politikave kryesore të BE-së, përfshirë masat e lidhura me tregun unik, ndihmat zhvillimore për jashtë, tregtinë dhe ndryshimet klimatike. Udhëheqja e Britanisë së Madhe në këto aspekte ka qenë tejet e mirëseardhur – dhe për këtë arsye do të mungonte jashtë mase, po qe se britanikët vendosin të largohen. Në fushën e Drejtësisë dhe Politikave të Brendshme, për shembull, Britania e Madhe ka luajtur deri më tani një rol të rëndësishëm në përpilimin e politikave të BE-së, të cilat të gjitha shtetet anëtare duhet t’i miratojnë për më pak se dy vjet.
Por, qeveria e Cameronit duket se po përgatitet të tërhiqet nga këto politika. Natyrisht se nuk duhet pritur që institucionet e BE-së dhe 26 shtetet tjera anëtare do të qëndrojnë duarkryq, derisa Britania e Madhe të tërhiqet nga më shumë se 130 masa politike – duke ringritur në esencë kufijtë shtetërorë në luftën ndaj krijimit ndërkufitar – dhe të ribashkohet në disa masa të përzgjedhura, të cilat i konsideron të jenë në “interesin e saj shtetëror”.
Përpjekja e kthimit të kompetencave nga BE-ja mund të përkrahej në mediet tejet euroskeptike të Britanisë dhe elemente të Partisë Konzervative, por unë dyshoj se një gjë e tillë është njëmend në interesin afatgjatë të Britanisë së Madhe.
BE-ja është shumë më tepër sesa një numër masash që rregullojnë tregun e brendshëm dhe lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. BE-ja është projekt historik dhe unik që ka bashkuar kontinentin europian. Shtetet anëtare kanë dorëzuar sovranitetin vullnetarisht, për shkak se ato besojnë që së bashku janë më të fuqishme. Unë besoj në rolin e Britanisë së Madhe për këtë projekt – që do të ishte si në interesin e Europës, ashtu edhe në atë britanik.
Megjithatë, mendoj se Cameron është duke e luajtur një lojë tejet të rrezikshme për shkaqe thjesht taktike dhe të brendshme. Unë i besoj atij kur thotë se dëshiron që Britania e Madhe të mbesë anëtare e BE-së. Megjithatë ai nuk mund të mposhtë forcat, të cilave u ka dhënë fuqi vetë – forca që duan të largohen nga BE-ja për shkaqe ideologjike, në dëm të popullit britanik.
1 Janari i vitit 2013 shënoi 40-vjetorin e anëtarësimit të Britanisë së Madhe në BE. BE-ja do të bëhet edhe më e rëndësishme gjatë 40 vjetëve të ardhshëm dhe për këtë arsye Britania e Madhe duhet të mbetet tërësisht e përkushtuar në formësimin e së ardhmes së saj.
*Autori është President i Parlamentit Europian.
Comments (0 posted)
Post your comment