Ngjela: Poli i Qendrës imediat për Shqipërinë
Partitë e qendrës janë parti që nuk janë me asnjërin krah, sot për sot Shqipëria nuk e ka këtë luks. Këtu nuk ka qendër, ka një qendër të djathtë, që shikon djathtas. Problemi është shumë i thjeshtë.
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i njohur për deklaratat e tij të ashpra dhe si kundërshtar i përbetuar i pushtetit, deklaroi dje se krijimi i Polit të Qendrës për zgjedhjet e 23 Qershorit, është një çështje imediate. Ngjela tha se politika shqiptare ka nevojë për një pol të tretë, ndërsa parashikoi trazira pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, me argumentin se kryeministri Berisha po përgatitet të vjedhë zgjedhjet. Ngjela tha se ngjarjet e ’97 erdhën pikërisht se u manipuluan zgjedhjet.
-Nga vjen dhe ku shkon e djathta shqiptare?
E djathta shqiptare erdhi majtas, me prurje nga e majta sepse kështu ishte ndërtuar shoqëria shqiptare. Ç’është më kryesorja ishte nga një e majtë banale. Shqipëria nuk ka kaluar ndonjëherë social-demokraci, si Çekia, që ishin shtete që edhe në komunizëm i kishin bashkuar dy partitë. E djathta shqiptare erdhi nga hoxhizmi. Kjo krijoi një krizë permanente. Erdhi nga mentaliteti i keq, me urrejtje. Çështja është që erdhi nga e majta dhe nuk e krijoi dot sistemin. Pse? Sepse filozofinë e kishte materialiste dhe të brumosur me atë që e fsheh si luftë klasash, por ishte urrejtje.
-Ju të dy keni qenë dukshëm bashkëpunëtorë shumë të afërt me z. Berisha. Kur bashkëpunonit nuk e dinit që ishte i majtë apo i djathtë. Pse ne shqiptarët i kujtojmë tjetrit ç’ke qenë kur nuk jemi më me të?
Bisedat bëhen në sens politik jo në sens familjar. Çështja është që ne po flasim politikisht. Dhe kur pyet si u bashkove, u bashkova politikisht. Ne të dy, unë dhe z. Topi kemi bërë bashkim politik, më esencial e kam bërë unë bashkimin sepse z. Topi ka qenë rrjedhë e asaj partie. Unë kam vajtur atje pasi i kisha rënë Saliut. Pastaj ai ishte në opozitë, unë nuk kam qenë asnjë ditë me të në pushtet. Problemi është që kam qenë në opozitë në krahun e djathtë. Unë mendoj se si të fitonim. E dyta vijmë tek pozicioni i presidentit. Unë kam qenë pjesë e lojës. Kam bërë çështë e mundur që Bamir Topi me vendin që kishte në PD, dhe kishte vota më shumë se Saliu, kam dashur të bëhej kryeministër. Ai u tremb se ky mund të dilte kryeministër dhe koha e tregoi që Berisha e përkrahu për ta bërë president sepse ndjente rrezik brenda. Kur Bamir Topi u bë president, pyetja është ky ishte me shtetin apo e mbrojti shtetin apo jo? Fakti që mbrojti shtetin hyri në armiqësi me Berishën.
-Në ato ditë si ishin marrëdhëniet tuaja me Berishën?
Forca në politikë është mbështetje e popullit. Atë ditë në Tiranë, ne prisnim të vinin 300 mijë shqiptarë. 300 mijë amerikanë para Shtëpisë së Bardhë të nesërmen nuk dihet nëse qëndron kryeministri. 21 janari është rezultat i manipulimit të zgjedhjeve. Edhe ngjarjet e 97-ës erdhën nga manipulimi i zgjedhjeve. Qeveritë që nuk duan të vrasin popullin japin dorëheqje. Në demokraci nuk ka pushtime institucionesh. 8 milionë francezë bënë të jepte dorëheqjen De Gol. Një nga figurat qendrore të historie franceze ka dhënë dorëheqjen për masën kompakte të popullit që doli me barrikada. Ky kryeministër e ka tmerr protestën. 21 janari ishte një mllef popullor kundër qeverisë. Atë ditë ai ishte i trembur pasi e pa popullin në këmbë dhe i vrau kur ata ikën.
-Z. Ngjela, pyetja që bëj shpesh me veten time është kjo: Si do të mundet të bashkëjetoni politikisht me zotin Rama nëse ai do të bëhet kryeministër?
Rama në këto momente ka në dorë një shans historik. Prishja e Kushtetutës ka sjellë të gjithë këtë dallgë asociale në Shqipëri. Sot shqiptarët nuk kanë një parlamentar që ta njohin dhe të dinë se çfarë ndihme do të japin. Kanë hequr betejën elektorale. Të gjitha këto janë në dëm të zotit Rama. Krijojnë një konglomerat që nuk lejon më përfundimisht karrierën politike. Një ndër konfliktet që kam pasur me Berishën është se i kam thënë, ti po ndalon karrierën politike Bamit Topi sot ndodhet jashtë PD, se ai kishte frikë se po të rrinte në parti i merrte partinë. Vijmë tek Rama, ai ka një shans historik. Të vijë me vota të shumta dhe të krijojë dy gjëra. Emancipimin politik të dy partive të mëdha dhe të krijojë shtetin demokratik. Atij i ka rënë shansi ta bëjë, e bën apo nuk e bën atëherë do ta shikoj do rri apo jo edhe unë. Unë nuk marr përsipër se çbën X apo Y, unë bëj marrëveshje, nisem me mirëbesim.
-Z. Ngjela, meqë nuk replikoni në mënyrë të drejtpërdrejtë me z. Topi po ndërhyj. Topi tha se bashkë-autorësia e PD-PS për Kodin Zgjedhor ka bërë që politika të komandohet nga dy pole, ai demokratik në pushtet dhe socialisti në opozitë. Si do të merrni frymë?
Duhet të kemi parasysh një gjë, që partitë e mëdha quhen ato që kanë një numër të madh votash. Unë kam bërë aleancë me një parti të madhe, kryetarin e së cilës nuk e kam zgjedhur unë. Ai ishte në opozitë unë i jam bashkuar opozitës me parimet e mia. Shteti është në banalitet të plotë institucional dhe partitë pjellin banalitete. Nëse do jenë me defekte të dy lidershipet e partive, këneta do jetë kjo. Ajo që nxjerr si konkluzion dhe që kam bërë marrëveshje me kreun socialist, është ndërtimi i institucioneve, drejtësia dhe zgjedhje të lira.
-A duhet të formohet një pol i qendrës përtej PD e PS?
Një pol i ri i qendrës së djathtë është imediat për shoqërinë. Partitë e qendrës janë parti që nuk janë me asnjërin krah, sot për sot Shqipëria nuk e ka këtë luks. Këtu nuk ka qendër, ka një qendër të djathtë, që shikon djathtas. Problemi është shumë i thjeshtë. Unë pres që mund të kemi një supernova të madhe të PD pas humbjes dhe do ndodhi më keq se në 97. Dalja në skenë e një lideri qendror të PD, jep shpresën se do riformohet, sepse pres një proces shumë të gjatë të PS-së në pushtet që mund të kthehet i dëmshëm.
Comments (0 posted)
Post your comment