Gëzuar Kosovë!
Monumenti NEWBORN u vendos në qendër të Prishtinës Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Ai ka fituar shumë çmime ndërkombëtare në lëmin e dizajnit, përfshi edhe çmimin më prestigjioz në botë, Luanin e Artë në Cannes. Monumenti “NEWBORN” (nga anglishtja “i porsalindur”)...
Kompania Ogilvy | Karrota, që realizoi monumentin NEWBORN, simbol i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, nëpërmjet rrjeteve sociale u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëngjiten në ngjyrosjen e këtij monumenti me flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas njoftimit, qytetarët janë ftuar ti bashkohen kësaj nisme ditën e shtunë, më 16 shkurt nga ora 10:00 në mëngjes, në mënyrë që 5-vjetori i pavarësisë të pritet me pamje të re. Ky propozim nga autori i monumentit, Fisnik Ismaili, që të lyhet në këtë mënyrë dhe t’i ndryshojë pamja më 17 shkurt të çdo viti, i është paraqitur si kërkesë Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës qysh nga përvjetori i parë i pavarësisë, më 2009, por i është refuzuar vazhdimisht çdo vit pa ndonjë arsye të veçantë, por gjithherë me prapavijë politike.
Këtë vit, Komisioni për Organizimin e Manifestimit të 5-vjetorit të pavarësisë, i udhëhequr nga zyrtarë Qeverisë së Kosovës, mori vendim që ta ngjyroste monumentin NEWBORN sërish me ngjyrë të verdhë (dhe jo sikur e verdha origjinale), pa u konsultuar asnjëherë me autorin për qëllimin, simbolikën apo mirëmbajtjen e mirëfilltë të kësaj vepre, duke i mbuluar nënshkrimet e shumta të qytetarëve pa asnjë lloj sqarimi, dhe duke i mos përfillur të drejtat autoriale dhe implikimet legale që mund të shkaktojë ky veprim. Prandaj, si reagim ndaj kësaj shkeljeje të rëndë, jo vetëm ndaj të drejtave autoriale, por edhe shprehjes së lirë, Fisnik Ismaili mori vendimin për ta ngjyrosur monumentin ashtu si është menduar që nga përvjetori i parë, pa miratimin e autoriteteve zyrtare, duke gjetur përkrahje të madhe nga qytetarët, të cilët do t’i bashkëngjiten kësaj nisme, që po vërehet nga reagimi masiv në Facebook dhe Twitter.
Ismaili sqaron se NEWBORN është një vepër, e cila i shërben secilit qytetar për t’u shprehur në të, në çfarëdo mënyre, qoftë edhe duke ngjyrosur me ngjyra tjera. Kështu, ngjyrosja me flamujt e shteteve që pranuan pavarësinë e Kosovës simbolizon mirënjohjen e qytetarëve ndaj këtyre vendeve, dhe njëherësh shërben si porosi, duke kërkuar nga shtetet tjera të na njohin sa më shpejt.
Fisniku po ashtu paralajmëron se do të vazhdojë ta realizojë idenë që iu mohua për 5 vjet rresht, duke e ngjyrosur monumentin NEWBORN ndryshe për çdo përvjetor. “Në këtë mënyrë,- ai shton,- jo vetëm se do të mirëmbahet ky konstruksion çeliku që ndryshket, por edhe do ta krijojë një monument të veçantë në botë, i cili do ta ruajë formën e njëjtë gjithherë, por do ta ndryshojë pamjen çdo vit”.
Kjo jo vetëm se do t’i kontribuojë ngritjes së vlerës artistike të monumentit NEWBORN, që tashmë njihet si portret i imazhit të mirë të Kosovës në botë, por edhe do të nxisë vizita më të shpeshta si atraksion turistik, duke ndikuar sadopak edhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Organet e rendit do të njoftohen ditën e sotme për këtë aktivitet krejtësisht paqësor dhe pa asnjë implikim politik, i cili po përkrahet nga shumë qytetarë që duan ta shohin monumentin NEWBORN duke u realizuar ashtu siç ka lindur si ide qysh 5 vjet më parë.
Monumenti NEWBORN u vendos në qendër të Prishtinës Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Ai ka fituar shumë çmime ndërkombëtare në lëmin e dizajnit, përfshi edhe çmimin më prestigjioz në botë, Luanin e Artë në Cannes. Monumenti “NEWBORN” (nga anglishtja “i porsalindur”), është i ndërtuar nga një skelet çeliku i mbuluar me shtresë metali 4mm të trashë. Çdo shkronjë është 3 metra e lartë dhe 1 metër e thellë, me peshë prej përafërsisht 1 tonelate. E ngjyrosur me ngjyrë të qëndrueshme metali dhe rezistente ndaj shumë elementeve. I gjithë instalacioni është 24 metra i gjerë.
Comments (0 posted)
Post your comment