Philip Reeker viziton Tiranën
Dëshiroj të bisedoj me vendet e rajonit të paktën 2 herë në vit. Në këto 7 vende që unë kam përgjegjësinë, Shqipëria është një nga dy që është aleatë e NATO-s, ndaj është e rëndësishme të vij të takohem këtu me kolegët shqiptarë. Fokusi ynë është që të ndihmojmë Shqipërinë që të përmbushë synimin e saj drejt BE-së.
Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker, zbarkoi dje në Tiranë, në një kohë kur marrëdhëniet mes qeverisë Berisha dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë tejet të tensionuara dhe të lëkundura. Gjatë një interviste televizive, Philip Reeker, u ndal tek tezat nacionaliste, zgjedhjet, 21 Janari dhe raportet mes qeverisë Berisha dhe Uashingtoni. Zyrtari i lartë amerikan deklaroi se nacionalizmi po përdoret për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e vendit, ndërsa konfirmoi në një farë mënyre edhe memon drejtuar qeverisë. Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit tha se SHBA nuk do të lejojnë që të preken zgjedhjet e 23 Qershorit, ndërsa tha se Uashingtoni po shpenzon 1 milionë USD për të mbrojtur këto zgjedhje.
-Vizita juaj vjen në një moment të rëndësishëm, siç janë bisedimet Kosovë-Serbi që kanë mbërritur në një fazë të avancuar. Ju vini nga Brukseli, i keni mbikëqyrur ato?
Kam qenë në Bruksel dhe jam i lumtur që vizitoj Shqipërinë tani. Mendoj që dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë për të përmirësuar jetesën e qytetarëve.
-Serbët kërkojnë shumë më tepër nga ç’ofrojnë dhe shqiptarët nuk janë shumë të kënaqur nga këto bisedime. Është një bast i fortë dhe i vështirë ky për SHBA në këto bisedime?
Është marrëzi të fokusohesh tek reagimet. Ne jemi të impresionuar prej asaj që ka treguar kryeministri Thaçi. Këto janë çështje të vështira. SHBA janë mbështetëse shumë të forta të integritetit territorial të Kosovës. Historia është ajo që është ndaj duhet të vendosim atë në kontekst dhe të shikohet përpara drejt integrimit dhe fqinjësisë së mirë. Kjo është e rëndësishme. Është nevoja për pasjen e marrëdhënieve të mira mes gjithë vendeve të Ballkanit. Kam patur mundësinë të ndaloj në Bruksel dhe të marr pjesë në festimet e 5 vjetorit të organizuara nga ambasada e Kosovës aty. Është e rëndësishme që të gjitha vendet e rajonit të punojnë për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme më të mirë dhe europiane.
-Cila është axhenda e vizitës tuaj në Tiranë. Kë do të takoni dhe pse?
Kam kënaqësinë që të rri 2 ditë në Tiranë. Ky është ritmi që dëshiroj të ndjek. Dëshiroj të bisedoj me vendet e rajonit të paktën 2 herë në vit. Në këto 7 vende që unë kam përgjegjësinë, Shqipëria është një nga dy që është aleatë e NATO-s, ndaj është e rëndësishme të vij të takohem këtu me kolegët shqiptarë. Fokusi ynë është që të ndihmojmë Shqipërinë që të përmbushë synimin e saj drejt BE-së.
- Politikanë shqiptarë në Tiranë, Prishtinë, Tetovë dhe Shkup, kanë folur dhe përmendur bashkimin kombëtar. Ka patur teza për dhënie pasaportash. Ajo që ne kemi parë është shqetësimi i SHBA ndaj një retorike të tillë. Çfarë shqetëson SHBA?
Nacionalizmi është diçka që ne e rrokim, sepse të gjithë e kemi parë se në çfarë rruge të çon nacionalizmi, papërgjegjshmëri dhe shpie në shpërqendrim nga fokusi kryesor që janë reformat. Nacionalizmat janë kundërproduktive, sepse shpërqendrojnë nga përparësitë për rajonin. Ambasadori Arvizu ka bërë një punë të shkëlqyer për të përcjellë mesazhin e Uashingtonit këtu.
- Kryeministri Berisha thotë që kjo lloj retorike nuk cënon popujt fqinj. Ka një interpretim kushtetues në fakt, sepse në Kushtetutën tonë flitet për një bashkim kombëtar. Çfarë e bën të papranueshëm për SHBA?
Kufijtë në Europë janë të përcaktuar dhe ajo në të cilën gjendet Europa tani është BE, një përvojë e jashtëzakonshme që ka sjellë zhvillim dhe begati, dhe, e gjitha, kjo sepse kanë lënë mënjanë nacionalizmin për të punuar për të ardhmen. Kush do ta kishte menduar që Gjermania dhe Franca do të ishin kaq partnerë të ngushtë dhe ne kërkojmë të njëjtën gjë edhe në Ballkan.
-Deri në ç’pikë ky nacionalizëm dëmton marrëdhëniet tona?
Nuk mendoj që është diçka që unë mund ta vlerësoj. Ne kemi marrëdhënie të forta dhe i vlerësojmë ato, sikurse me Kosovën, Maqedoninë, Serbinë dhe vende të tjera të rajonit. Të gjitha vendet duke punuar së bashku drejt reformave që do të shpien për standarde jetese më të mirë për qytetarët. Kur ndjejmë retorikë nacionaliste që shqetëson, ne i ngremë këto shqetësime dhe reagojmë për t’i lënë atë mënjanë për të ecur së bashku përtej nacionalizmit dhe kjo vlen për të gjithë politikanët, në Shqipëri dhe kudo.
- Kritikat duket sikur nuk kuptohet ndaj kujt drejtohen, një formacioni të ri politik, qeverisë apo opozitës? Keni ndarje përgjegjësish?
Mendoj që mesazhi është një për të gjithë. Arvizu flet në emër të presidentit të SHBA dhe përcjell mesazhin e tij. Ne po flasim për të gjithë, kemi një mesazh të përbashkët në rajon sepse është një dorë që i është shtrirë të gjithëve dhe ky proces nuk lehtësohet prej nacionalizmave të panevojshme sepse kjo shpie në destabilitet. Ne duhet të përcjellim këtë mesazh tek të gjithë.
-Duket sikur përsëritët fjalët e memos…
Gazetarët pëlqejnë dramat. Unë nuk diskutoj bisedat diplomatike. Kjo lloj retorike nacionaliste nuk është e mirëpritur sepse na shqetëson ne, shqetëson BE dhe partnerët tanë, ndaj mos shpërqendrohemi dhe të ndjekim reformat për të ecur përpara. Ky është mesazhi që unë kam. SHBA dhe Shqipëria ka një marrëdhënie të fortë dhe afatgjatë. Duhet të jemi në gjendje të flasim me njëri-tjetrin në mënyrë të drejtpërdrejtë.
-Në vizitën e saj Clinton foli për zgjedhje të lira dhe të ndershme. A reflekton një shqetësim zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri?
Kemi shqetësime për zgjedhje dhe këto janë tejet të rëndësishme për Brukselin dhe Uashingtonin sepse ato do të vendosin tonin për fazën e ardhshme të Shqipërisë. Shqipëria vetëm dy dekada më parë, ka bërë këtë tranzicion të jashtëzakonshëm. Kemi parë probleme në zgjedhjet e shkuara dhe si miq dëshirojmë t’ju ndihmojmë që këto zgjedhje të jenë të suksesshme. Ne jemi të kënaqur që mund të ndihmojmë në këto zgjedhje duke ngritur kapacitetet, duke vëzhguar, duke ofruar 1 milion dollarë, i bindur se duke punuar së bashku këto zgjedhje mund të shihen si të suksesshme nga Brukseli e Uashingtoni, por edhe nga qytetarët shqiptar.
-Në fakt duket pak kontradiktore, një vend anëtar në NATO që nuk realizon dot dhe zgjedhje të lira…
Jemi shumë krenarë që Shqipëria është anëtare e NATO-s. Më kujtohet kur Shqipëria erdhi e u ul në tryezë. Shqipëria ka bërë shumë për të arritur këtë gjë dhe ne jemi këtu që këto zgjedhje të jenë të suksesshme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
-21 janari. Si e shikoni vendimin e gjykatës?
Mendoj që deklarata jonë, deklarata e ambasadorit flet vetë. Është deklaratë e koordinuar me Uashingtonin dhe ne kemi qenë të shqetësuar nga vendimi dhe kemi shprehur pikëpamjet tona për të. Asgjë nuk ka për të rikthyer jetën e katër të vrarëve atë ditë që u lënduan, familjet e të cilëve janë ndryshuar përgjithmonë, por ajo që njerëzit duan të shohin është llogaridhënia dhe ne kemi dhënë asistencën tonë kur na është kërkuar nga Shqipëria dhe ne e kemi ofruar këtë. Ndaj ne kërkojmë që të ketë llogaridhënie. Kjo është një çështje shqiptare, por përfshirja jonë ka rrjedhur prej kërkesës së Prokurorit për asistencë teknike. Kjo nuk është një çështje politike. Ka një tendencë që të mund të politizohen çështjet. Asnjë palë nuk duhet përdorur si një top futbolli në këtë periudhë.
-Keni theksuar që ju flisni me një zë, edhe në Tiranë përmes z. Arvizu. Këtu ka patur edhe në të shkuarën, gjithmonë është thënë mos është qëndrim personal i ambasadorit. Sot a ka qëndrime personale të ambasadorit?
Sikurse e thashë, Arvizu është përfaqësuesi personal i Presidentit të SHBA në Shqipëri. Jam krenar që ai është këtu dhe koleg i imi. Ne punojmë jashtë mase ngushtë me njëri-tjetrin. Bota e sotme është botë e komunikimit thuajse çdo ditë dhe në baza të përhershme.
-Qeveria shqiptare kohët e fundit ka kërkuar dhe financuar grupe lobiste siç është Podesta Group dhe Patton Boggs. Zyrtarisht është për lobim për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë. Por këtu ka shumë dilema, mos lobimi është për interesat e qeverisë dhe jo Shqipërisë…
Unë nuk mund të komentoj mbi transaksione private, sepse këto grupe janë kompani private dhe më duhet të referoj tek ata ose qeveria shqiptare. Politikat vendosen prej Presidentit të SHBA dhe Sekretarit të Shtetit. Unë bashkërendoj politikat. Shqipëria ka një ambasadë të shkëlqyer në Uashington. Ambasada është pika kryesore për politikat zyrtare, të tjerët mund të luajnë një rol të shpjeguarit se si Uashingtoni punon. Aty ka shumë privatë që punojnë me individë, por mos ketë keqkuptim, është ambasadori…
-Këto lobime a e tejkalojnë punën e ambasadorit?
Është e rëndësishme që të kuptoni që politika e jashtme vendoset nga Presidenti dhe Sekretari i Shtetit. Ambasadat janë kontakti ynë kryesor.
-Rajoni nuk duket se po kalon një moment të mirë. Rritje e nacionalizmit në Greqi, në Maqedoni ngërç politik dhe në Shqipëri retorika nacionaliste, bisedimet Serbi-Kosovë, incidente në Preshevë. Roli i shqiptarëve në stabilitetin e rajonit?
Ky është 100 vjetori i luftës ballkanike që ka përfunduar më 1913, dhe duke patur parasysh se sa përpara kemi bërë me këtë rajon, është me të vërtetë diçka që duhet menduar. Tani në 2013 janë vendet e këtij rajoni që përcaktojnë jetën e qytetarëve të tyre, dhe jo fuqitë e mëdha si para 100 viteve. Nuk është një udhëtim i lehtë, por ne duhet t’i ngjitemi këtyre parimeve bazë dhe për këtë SHBA kanë nënvizuar pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial dhe qëndrojmë përkrah Maqedonisë për integrimin, si dhe mbështesim Serbinë për t’u anëtarësuar në BE sa më shpejt. Nxisim rajonin për t’u përballur për çështjet ekonomike, luftën kundër terrorizmit apo ngrohjen globale. Kjo është e ardhmja më e mirë për secilin prej këtyre vendeve. Vendet duhet të lënë mënjanë gjuhën nacionaliste dhe të jenë krenarë për vendet e tyre përmes institucioneve si NATO dhe BE, për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të paqtë.
Comments (0 posted)
Post your comment