Home | Politics | A do të hapë FRD, një erë të re në të djathtën shqiptare?

A do të hapë FRD, një erë të re në të djathtën shqiptare?

image
Figurat që janë formatuar rreth kësaj partie, që nga Topi, tek Aleksandër Biberaj, Alfred Caka, Afrim Krasniqi, Sali Shehu e të tjerë, janë intelektualë kualitativë, që kanë dhënë prova si politikanë të ekuilibruar, me vizion të djathtë, por që kanë kontestuar të gjitha rastet e njëpasnjëshme të populizmit dhe anarkisë politike në këtë vend. 

 

 

Nga Av. Serxhio Mazreku 

 

 

 

 

 

Analistët dhe politologët, jo vetëm të spektrit të djathtë, ka disa kohë që janë fokusuar rreth FRD-së, si një parti serioze, që rreh të zërë një vend deri tani bosh në spektrin e djathtë politik shqiptar. Konturimi i spektrit politik shqiptar, që gjatë këtyre njëzet e dy viteve tranzicion të brishtë e demokraci të cunguar ka qenë vendosur në instikame ballë për ballë, duke konkurruar dy parti kryesore politike, PD e PS, për herë të parë thyhet me daljen në skenë dhe konkurrimin në këto zgjedhje të FRD-së. Në ambientin konfrontues dhe epiko-komik të politikës sonë, ku vringëllijnë mamuzet e betejave fantazmagorike, një parti vizionare si FRD-ja po tregon një fytyrë tjetër, fytyrën e një politike ndryshe. FRD-ja është e vetmja parti e spektrit mbarë-garues për zgjedhjet e 23 qershorit, që ka përjashtuar çdo aleancë parazgjedhore. Kjo, jo për vetëm për t’u vetëtestuar në raport me elektoratin, por dhe për të vënë pikat mbi “i” në vijën e ndarjes mes politikës amatore dhe asaj të kualifikuar në alternativa dhe situata programore.

 

Përtej çdo retorike dhe virtualiteti, me të cilat është mbushur dëng bipartitizmi politik në Shqipëri, FRD-ja po konturohet gjithnjë e më shumë si një parti realisht e djathtë, pa eksese, pa ekstremizma, pa nota inatçore e mllefe provinciale, me të cilat është mbushur deri në grykë politika tjetër, në këtë fillim fushate elektorale. Topi, figura numër një e FRD-së, është një personalitet i spikatur politik, me një civi të begatë vlerash intelektuale e politike, të cilat i ka dëshmuar gjatë gjithë karrierës së tij si politikan i matur dhe reformator. Si njëra nga ish figurat kryesore të PD-së, gjatë gjithë kohës ai ka qenë fytyra e moderuar e oborrit blu, që ka kontribuar realisht në emancipimin politik të kësaj partie dhe gjithë spektrit të djathtë shqiptar.

 

Në kohën kur ishte Ministër Bujqësie, Topi ndërmori reforma të mëdha në sektorin agrobujqësor, që kishin dy qëllime kryesore: së pari të vihej bujqësia në binarë të fortë, me vlera konkurruese reale në tregun e lirë, dhe së dyti të konturohej klasa e ish pronarëve të tokave dhe pasurive të tjera, si vlerë reale e sistemit demokratik dhe konkurrencës së lirë, por dhe si shtresë mbështetëse e një të djathte serioze. Në kohën kur ishte President i Republikës, pozicioni i tij ka qenë gjithmonë solid dhe në të kundërt të rrjedhave konfliktuale dhe avraguese të politikës së rrugës, që ka qenë prezente për më shumë se dy dekada stanjacioni në këtë vend. Tonet e tij të qeta, nuk kanë shprehur në asnjë rast kompromis në favor të politikës agresive dhe infatilo- diletante, por maturi dhe seriozitet, për një shoqëri të drejtë dhe një shtet të vërtetë ligjor. Topi ka kthyer disa herë për rishqyrtim të gjitha ligjet që Kuvendi ka marrë në kundërshtim me interesat e ish pronarëve, ish të burgosurve politikë dhe shtresave të tjera sociale të shoqërisë shqiptare, ende të paintegruara plotësisht, për shkak të problemeve me të kaluarën e afërt komuniste. Ish presidenti Topi ka qenë dhe mbetet një politikan i dialogut dhe debatit konstruktiv, i alternativave dhe platformave konkurruese dhe jo i delireve emfatike e populiste, siç janë shfaqur në vijë lineare gjatë gjithë kësaj kohe shumica e politikanëve të tjerë në këtë vend. Dalja në skenë dhe konkurrimi i FRD-së është një alternativë e një politike ndryshe, që synon të rigrupojë dhe të rikonturojë vlerat e të djathtës reale, që realisht ka munguar në Shqipëri gjatë këtyre viteve të vështira dhe pa vizion. Një e djathtë e tillë, duket se do të refuzojë çdo kompromis me kulisat e rëndomta të bipartitizmit, në emër të një morali të ri politik, që ka munguar deri tani në Shqipëri.

 

Figurat që janë formatuar rreth kësaj partie, që nga Topi, tek Aleksandër Biberaj, Alfred Caka, Afrim Krasniqi, Sali Shehu e të tjerë, janë intelektualë kualitativë, që kanë dhënë prova si politikanë të ekuilibruar, me vizion të djathtë, por që kanë kontestuar të gjitha rastet e njëpasnjëshme të populizmit dhe anarkisë politike në këtë vend. FRD-ja vjen dhe konturohet në politikën shqiptare, si një frymë vërtetë e re, me një mendësi të re, me alternativa gjithëpërfshirëse, jo vetëm për ish pronarët, ish të përndjekurit, por dhe për shtresat në nevojë të shoqërisë sonë, pasi humanzimi nuk vjen nga barazitizmi në varfëri, por nga kamja dhe pasuria, nga shpirti human i shtresës së fisnikëve të këtij vendi, që gjithmonë kanë qenë në unison me nevojat më imediate të shoqërisë shqiptare. FRD-ja, tani që fushata elektorale, megjithëse e pashpallur zyrtarisht, ka filluar me tone shumë të përflakura mllefesh dhe paranojash, ku egërsia, gjuha e forcës, gjuha e hekurave të burgut thyen çdo çast brishtësinë e ekraneve televizive, po tregon mençuri, maturi, realizëm, refuzim të çdo oferte të bipartitizmit, që do t’ia lidhte këmbët, siç dhe ka ndodhur, çdo partie e spektri serioz politik. Kjo parti po konturohet çdo ditë e më fort si një parti serioze, si një parti me rezonancë jo vetëm të një djathtizmi real, por dhe si një shprese për të ndryshuar gjithë mentalitetin e sjelljes së politikës sonë të egër e të kapur në grackat e primitivizmit. FRD-ja, sigurisht, që është e vetëdijshme për sfidat që ka përpara, për muret e shumtë që ka ngritur politika diletante, për gjithçka që duhet të kapërcejë, në emër të një politike të re, të një politike ndryshe. Por ajo i ka mundësitë, strukturat, resurset intelektuale, idetë dhe vizionet e duhura për t’ia dalë mbanë kësaj aventure kurajoze që synon të hapë një erë të re në spektrin e djathtë dhe pse jo në gjithë politikën shqiptare.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0