Home | Politics | “NYT”: Si të shërohen plagët e Ballkanit

“NYT”: Si të shërohen plagët e Ballkanit

image
Perëndimi ka nevojë për një qasje të re për Ballkanin, një aranzhim diku midis ndarjes në shtet mono-etnik dhe një super-shteti të gjerë kontinental. Kjo mënyrë e mesme – ta quajmë “solidaritet interesi” - do të ruajë sovranitetin kombëtar dhe kufijtë, duke mundësuar anëtarët e grupeve të tjera etnike të bashkëpunojnë me homologët e tyre në rajon, në fushat si tregti, transport, arsim, media dhe art.

 

 

 

 

 

 

Pas disa muajsh bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje muajin e kaluar për të zgjidhur mosmarrëveshjet që datojnë nga vitet ’90, kur Kosova, një ish-krahinë e ish-Jugosllavisë, në mënyrë efektive fitoi pavarësinë pas një ndërhyrjeje ushtarake të udhëhequr nga Perëndimi, shkruan David L. Phillips, në një artikull të botuar në të përditshmen "New York Times". Por, gazeta thekson se marrëveshja nuk do t’i pajtojë dy kombet ballkanike, e as nuk do t’iu ndihmojë atyre që të fitojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. “Për t'i bërë gjërat edhe më keq, të dy shtetet thanë në këtë javë se nuk mund të pajtohen për një afat kohor për zbatimin e marrëveshjes”, shkruan David L. Phillips, drejtor i Programeve në Institutin për Studimin e të drejtave të Njeriut, në Universitetin Columbia, i cili është edhe autor i “Çlirimi i Kosovës: Diplomacia Detyruese dhe Intervenimi i SHBA-së". NYT thekson se kjo pengesë nuk është asgjë krahasuar me shkallën e masakrave të Ballkanit në vitet e ’90-ta, por përfaqëson një dështim të vazhdueshëm për ta lënë pas të kaluarën e trazuar dhe për të vazhduar drejt integrimit me pjesën tjetër të Evropës. Shumica e 1.7 milionë banorëve të Kosovës janë shqiptarë të përkatësisë myslimane, por një pjesë e konsiderueshme e serbëve dhe të pakicave ortodokse në veri kanë mbrojtjen e NATO dhe janë autonomë nga qeveria kombëtare. Marrëveshja, e nënshkruar më 19 prill, pranon se Serbia - e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008 - ka një rol të vazhdueshëm në mbrojtjen e interesave të serbëve në veri të Kosovës. Në fakt, ajo ndan Kosovën në zonë qendrore me shqiptarët dhe me një shtojcë serbe.

 

Ndarjet etnike e sektare

 

NYT thekson se larg nga kapërcimi i ndasive etnike dhe sektare, marrëveshja vleftëson agjendën e dhunshme nacionaliste të “Serbisë së Madhe” të promovuar nga Sllobodan Millosheviçi, i cili vdiq në burg në vitin 2006, ndërsa përballej me akuzat për krime lufte. Kjo gjithashtu, thuhet në artikull, inkurajon aspiratat për një “Shqipëri të madhe” në mesin e shqiptarëve etnikë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ankesat datojnë që nga epoka e sundimit osman. Ato janë shtypur nën komunizëm, për të ngritur kokën pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991. Ndërsa ndërhyrja ushtarake perëndimore ka ndihmuar për të ndalur vrasjen e boshnjakëve myslimanë në vitin 1995 dhe të kosovarëve në vitin 1999, ajo nuk ka zgjidhur mosmarrëveshjet politike të Ballkanit. Joshja e anëtarësimit në Bashkimin Evropian ishte menduar të kapërcejë armiqësitë. Nga ish republikat jugosllave, Sllovenia iu bashkua e para BE-së, në vitin 2004. Kroacia do të anëtarësohet më 1 korrik. Por, të tjerët nuk janë afër përmbushjes së kushteve të anëtarësimit, edhe pse Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia zyrtarisht janë “kandidatë”, ndërsa Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë “kandidate potenciale”, siç është edhe Shqipëria. Por, NYT thekson, se siç e ka provuar mirë Turqia, disa shtete evropiane thjesht nuk dëshirojnë një shtet me shumicë myslimane në klubin e tyre. Disa gjithashtu denigrojnë Ballkanin si bastion i paqëndrueshmërisë fiskale dhe si strehë për trafikantët e drogës dhe bandat kriminale. Dhe tashmë janë përtërirë pretendimet e padëshmuara, që datojnë nga vitet e ’90-ta, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke përfshirë edhe disa liderë të tanishëm të Kosovës, janë të përfshirë në trafikimin e organeve të qenieve njerëzore, vë në pah gazeta. Javën e kaluar në Prishtinë, një panel gjyqtarësh të Bashkimit Evropian dhe Kosovës ka dënuar një urolog dhe katër persona të tjerë se janë përfshirë së fundi në trafikimin e organeve. “Prandaj, derisa qëllimi i një “Evrope të bashkuar dhe në paqe” vazhdon, serbët dhe kosovarët janë bërë cinikë në lidhje me shanset e tyre të pranimit. Prandaj edhe u organizuan protesta në rrugë që ngulfatën Beogradin dhe Prishtinën, pas arritjes së marrëveshjes”, theksohet në artikull.

 

Qasje e re për politikën

 

Perëndimi ka nevojë për një qasje të re për Ballkanin, një aranzhim diku midis ndarjes në shtet mono-etnik dhe një super-shteti të gjerë kontinental. Kjo mënyrë e mesme – ta quajmë “solidaritet interesi” - do të ruajë sovranitetin kombëtar dhe kufijtë, duke mundësuar anëtarët e grupeve të tjera etnike të bashkëpunojnë me homologët e tyre në rajon, në fushat si tregti, transport, arsim, media dhe art. NYT përmend planin e Ahtisaarit të vitit 207, ku siç thuhet u përfshinë të drejta të avancuara për pakicat - duke përfshirë autonominë vendore në fushat ekonomike, kulturore, mjedisore dhe të tjera. Serbia e ka refuzuar këtë plan, por, parimet e tij ende paraqesin standard për zgjidhje të qëndrueshme. Ndërtimi i lidhjeve të interesit të përbashkët përtej kufijve ka ndihmuar në stabilizimin e Irlandës së Veriut që nga viti 1998. NYT shkruan se me model të ngjashëm mund të përmirësohen marrëdhëniet midis sunitëve dhe myslimanëve shiitë në Lindjen e Mesme, dhe të ofrohen hapësira për ëndrrat e kurdëve të “pa shtet” në Turqi, Irak dhe Iran. Kjo do të funksionojë vetëm nën qeveritë që promovojnë të drejtat e pakicave, dhe në mesin e partive që kanë udhëheqës të gatshëm për paqe. Një shumicë dërmuese e shqiptarëve mbështet demokracinë, të drejtat e njeriut dhe tregun e lirë. Ata janë pro-perëndimorë dhe pro-NATO. Por, është e kundërta me serbët, që kanë pasur një histori të jotolerancës kundër jo-serbëve dhe ndaj myslimanëve si dhe të agresionit dhe dëbimit të detyruar për të krijuar një atdhe serb në territoret ku ata kanë pretendime historike – veçanërisht në Kosovë, por edhe në Bosnjë. Është e sigurt, se ky plan për një “fqinjësi shqiptare” paqësore- ose një “fqinjësi serbe”, - do të mund të manipulohet nga ekstremistët. Iu përket liderëve përgjegjës lokalë dhe komunitetit ndërkombëtar që ta parandalojnë këtë. Por, “Solidariteti i interesit” ofron shpresë reale të reduktimit të tensioneve sektare, thekson NYT.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0