Home | Politics | Lugina proteston

Lugina proteston

image
Lugina shqiptare nuk shitet, as nuk ndërrohet; ss nuk falet, as nuk harrohet... Por, fitohet!

 

 

 

Halil Selimi

 

 

 

 

 

Lugina shqiptare nuk shitet, as nuk ndërrohet; ss nuk falet, as nuk harrohet... Por, fitohet!

 

Le të përsëritet dhe të vlejë për të gjithë ky parim politik, me të cilin jemi udhëhequr dje dhe duhet të na shërbejë edhe sot e derisa të arrijmë ta tejkalojmë realisht dhe jo vetëm ta kujtojmë manipulueshëm dhe deklarativisht.

 

Lugina e Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Mendvegjë) është një regjion i banuar me shumicë etnike shqiptare, i cili, adminstrativisht është shkëputur dhunshëm nga tërësia etnike e territoriale shqiptare, për të mbetur akoma nën pushtetin serb.

 

Shqiptarët, nën pushtetin serb, gjithmonë janë ndjerë dhe janë trajtuar si qytetarë të huaj nën pushtim. Edhe pas “demokratizimit” të Serbisë gjendja vazhdon të jetë e rënduar nën administrimin qendror ushtarako-policor, ku vetëqeverisja lokale nuk i ngjanë as për së afërmi autonomisë demokratike të vetëqeverisje lokale.

 

Shqiptarët shumicë janë të organizuar politikisht në subjekte politike, por vota e tyre e lirë ka vetë kuptimin e një farse demokratike për një pushtet lokal të dhunuar administrativisht nga pushteti qendror dhe forcat ushtarako-policore që prodhojnë vetëm presion ndëretnik, pasiguri dhe varfëri.

 

Liria e kufizuar qytetare, ekonomike dhe nacionale kërkon angazhim të gjithmbarshëm politik vendor dhe mbikëqyrje civile ndërkombëtare, për të relaksuar gjendjen aktuale përmes një vetëqeverisjeje të mirëfilltë lokale me standarde evropiane, në shërbim të qytetarëve dhe ruajtjes së substancës shqiptare në këtë rajon konfliktuoz dhe parandalimin e një pastrimi etnik në vazhdim.

 

Në vazhdën e zgjidhjes së kontesteve politiko-territoriale në rajon, edhe çështja shqiptare në Luginën e Preshevës kërkon një qasje politike më serioze, përtej interesave individuale, partiake e komunale, nën përkujdesjen ndërkombëtare, në shërbim të tejkalimit të krizës që po thellohet, për të arritur një zgjidhje politike të qëndrueshme brenda kuadrit të zgjidhjeve të përgjithshme që po përmbyllen në rajon!

 

Njëzetë vjet pas referendumit gjithëpopullor për autonomi politiko-territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, dhe pas më shumë se dhjetë vjet nga lufta e armatosur për liri, drejtësi, shqiptari dhe demokraci, Lugina e Preshevës proteston!

 

Dhe, pas gjithë kësaj historie dhe historiku liridashës, nuk duket politikisht e besueshme kërkesa për autonomi!

 

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë kërkesa politike të krahasueshme me askënd, por të drejta origjinale të parealizuara dhe që duhet t’i realizojnë aty ku jetojnë dhe janë autokton, historikisht!

 

Kur mohohen të gjitha të drejtat elementare, politike, njerëzore dhe kombëtare, atëherë vetëm e drejta e protestës ngelet e përhershme dhe e patjetërsueshme!

 

Të protestosh për të realizuar të drejtat legjitime si njeri, si qytetar dhe si nacionalitet, është e vetmja alternativë e pamohueshme në demokraci.

 

Serbisë, në Luginë të Preshevës, mund t’i bëhet vetëm një kërkesë: largimi i xhandarmërisë dhe i të gjitha strukturave famëkeqe të dhunës serbe, që terrorizojnë komunitetin autokton shumicë të shqiptarëve në Luginë.

 

Ndërsa, të gjitha të drejtat tjera varen dhe realizohen nga vetë ne me përgjegjësi të plotë politike, kombëtare, qytetare dhe demokratike, pa lejen e dhunuesit të barazisë!

 

Autonomia nuk kërkohet më, pas një plebishiti gjithëpopullor dhe pas një konflikti të armatosur, por ndërtohet me një përgjegjësi politike të deleguar me votë!

 

Zgjidhja është imperativ i kohës dhe domosdoshmëri demokratike e angazhimit të përbashkët politik, qytetar e kombëtar, nën kujdestarinë e një administrimi civil të përkohshëm ndërkombëtar!

 

Të gjithë, pa përjashtim, politikisht dhe kombëtarisht, duhet të vihen, dhe jo vetëm të deklarohen, në mbrojtje të interesit politik, kombëtar dhe qytetar! Në shërbim të sigurisë dhe lëvizjes së lirë, të pronës private, mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik, barazisë shoqërore, përkujdesit shëndetësor e të kulturës, të qytetarisë dhe perspektivës në liri, barazi e demokraci.

 

Është dhe mbetet çdoherë domosdoshmëri dhe obligim i institucioneve lokale, partive politike, OJQ-ve dhe gjithë qytetarëve të Luginës dhe përtej saj, që të jenë gardianë të barazisë dhe jetës së lirë për shqiptarët në Luginë!

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00