Home | Politics | Projekti Europa: Teutonët kundër Latinëve

Projekti Europa: Teutonët kundër Latinëve

image
Tani që Europën e ka mbërthyer kriza, shumë janë të mendimit, se bashkimi monetar nuk ka qenë kurrë një ide e mirë. Futja e euros nuk ka qenë një projekt ekonomik, por thjesht projekt politik, është argumenti i tyre. Synimi që është dashur të arrihet me të është i ndryshëm në varësi të mënyrës se si rrëfehet: ose që Gjermania e ribashkuar të lidhej në zinxhirin europian.

 

 

 

Andreas Becker

 

 

 

 

 

 

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, më pak se gjysma e europianëve kanë ende besim te BE-ja. Duket sikur kriza i ka larguar njerëzit nga Europa. Por gjërat nuk janë aq të thjeshta sa duken.

 

Tani që Europën e ka mbërthyer kriza, shumë janë të mendimit, se bashkimi monetar nuk ka qenë kurrë një ide e mirë. Futja e euros nuk ka qenë një projekt ekonomik, por thjesht projekt politik, është argumenti i tyre. Synimi që është dashur të arrihet me të është i ndryshëm në varësi të mënyrës se si rrëfehet: ose që Gjermania e ribashkuar të lidhej në zinxhirin europian. Ose anasjelltas: Gjermania dëshironte euron, në mënyrë që t’i vinte fqinjët europianë nën diktatin e saj.

 

Të dyja janë mite, të dyja të gabuara, thotë Harold James, historian britanik në Universitetin Princeton, në SHBA, i cili ka studiuar procesin e gjatë të futjes së euros. James e sheh euron si reagim ndaj luhatjeve të forta të kursit të këmbimit që nga vitet 1970.

 

 

 

Mitet e themelimit

 

Atëherë u mendua: “Në qoftë se bota nuk mund të stabilizohet, atëherë të paktën Europa të jetë e qëndrueshme, me një bankë qendrore të pavarur”, thotë James për DW. “Ky ka qenë edhe parakushti për idenë e stabilitetit”.

 

Ideja e stabilitetit gjeti shprehje në kriteret e Maastricht-it, që përcaktonin kufij të qartë për deficitin e buxhetit dhe borxhin e qeverive të vendeve të euros. Megjithatë shumë vende nuk e kanë respektuar atë, madje as Gjermania dhe Franca.

 

Në të njëjtën kohë, Komisioni Europian çoi përpara bashkimin ekonomik. Qëllimi ka qenë dhe është, që në të gjitha vendet e euros të vlejnë të njëjtat rregulla. “Për tregun e brendshëm kjo është krejtësisht e arsyeshme për të krijohen kushte të barabarta për të gjithë”, thotë për DW Werner Abelshauser, historian i ekonomisë në Universitetin e Bielefeldit. “Por kjo qëndron në kontradiktë me faktin se kulturat ekonomike në Europë janë të ndryshme. Domethënë, ajo që është e mirë për disa, është deri diku e keqe për të tjerët”.

 

Shtatë përballë 35…bilionëve

 

Kulturat e ndryshme të biznesit nuk janë stereotipa të tilla si zelli apo saktësia, por struktura, që janë krijuar për një kohë të gjatë, mendon Abelshauser. Kështu që është një dallim i madh, nëse bizneset e mesme përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë, apo koncernet e mëdha. Dhe gjithashtu përbën dallim, nëse ka një sistem shëndetësor pensionesh, apo vetëm pensione private:

 

“Në SHBA nuk kemi një shtet social. Kjo do të thotë që depozitat për pensionet duhet të nxirren dhe administrohen në tregun e kapitalit”, thotë Abelshauser. “Këto janë 35 miliardë euro, të cilat kërkojnë të investohen”.

 

Fondet e pensioneve dhe sigurimet, që menaxhojnë këtë shumë, bëjnë planifikime në periudha shumë afatshkurtra, për shkak se ndodhen në konkurrencë të vazhdueshme për të ruajtur besimin e investitorëve. Ato duan të bëjnë përshtypje të mirë te këta klientë në çdo tre muaj me shifra të reja edhe më të mira. Kjo bën që rregullat në tregun e kapitalit të bëhen shumë afatshkurtra”, thotë Abelshauser.

 

Por kjo nuk përshtatet me kulturën ekonomike gjermane. Këtu ka rreth shtatë bilionë euro depozita për pensionet shtetërore, të cilat nuk hyjnë fare në lëvizje në tregun e kapitalit. Dhe për shumicën e kompanive të mesme gjermane do të ishte më mirë, sikur tregu i kapitalit të ofronte perspektiva afatgjata, dhjetë vjet në vend të tre muajve.

 

“Por pikërisht këtë gjë nuk e bën tregu i kapitalit”, thotë Abelshauser. “Dhe kështu ndërmarrjet gjermane të vogla dhe të mesme kanë një problem me rregullat e tregut të kapitalit, që u përshtaten nevojave të klientelës angloamerikane”.

 

 

Faji i Brukselit?

 

Edhe mënyra se si është vepruar me arkat europiane të kursimeve është një shembull për dëmin, që mund të shkaktojnë rregullat unike, thotë historiani i ekonomisë. Kështu me këmbënguljen e Brukselit u hoq e ashtuquajtura përgjegjësi e garantuesit, një sistem më shumë se një shekull i lashtë, sipas të cilit komunat hynin garant për arkat e tyre të kursimeve.

 

Pas heqjes së saj, arkat e kursimeve duhej të kërkonin modele të reja biznesi. Në Spanjë kjo pati pasoja dramatike. “Atje arka të ndryshme kursimesh janë bashkuar në një korporatë, në një kompani aksionare me emrin Bankia”, thotë Abelshauser. “Sot ne e njohim rezultatin e kësaj politike: Bankia ka falimentuar dhe përbën një sektor të madh problematik të ekonomisë spanjolle. Kjo ka të bëjë me atë, që këtu përpiqen t’i presin të gjithë me një gërshërë”.

 

Ndoshta kjo është arsyeja pse integrimi europian ka sjellë më tepër dëme, mendojnë shumë europianë sipas një sondazhi nga Pew Research Center. As një ndër tre persona nuk dëshiron forcimin e integrimit ekonomik në Bashkimin Europian.

 

Teutonët kundër latinëve

 

Për Werner Abelshauser, dështimi i euros nuk do të ishte ndonjë dramë e madhe. Normat fikse, por të adaptueshme të këmbimit janë më të përshtatshme për Europën, thotë historiani gjerman i ekonomisë.

 

Kolegu i tij britanik, Harold James, thotë nga ana tjetër se euroja duhet të mbahet, për shkak se në monedhën e përbashkët është investuar shumë tashmë. Ai këshillon gjakftohtësi. “Debatet janë po të njëjtat gjatë dekadave të tëra”, thotë James. “Mund të marrësh pothuajse fjalë për fjalë citate nga vitet ‘60 apo ‘70.

 

James i referohet gjithashtu një citati të ekonomistit britanik, Walter Bagehot. Botuesi i revistës “The Economist” shkroi në vitin 1869 lidhur me pasojat e mundshme të një bashkimi të Europës. Një monedhë e përbashkët për të gjithë Europën atij i dukej jorealiste.

 

Bagehot besonte në konkurrencën midis dy monedhave: në njërën anë paraja e fortë e europianoveriorëve “teutonë”, nga ana tjetër monedha e dobët e shteteve “latine” jugore.

 

Konkluzioni polemizues i Bagehot-it tingëllon sot, gati 150 vjet më vonë, çuditërisht aktual: “Duke pasur parasysh aktivitetin tregtar të teutonëve dhe shkujdesjen deri diku të popujve latinë, me siguri që do të preferohej paraja teutone”. Marrë nga Dojçe Vele

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0