Home | Politics | Vija e kuqe e radikalizimit opozitar

Vija e kuqe e radikalizimit opozitar

image
Paralelisht, opozita duhet të sensibilizojë median prestigjioze perëndimore, me asistencën edhe të mërgimtarëve të shquar në ato vende, për të pasqyruar sagën e votës së lirë duke ushtruar indirekt një presion shtesë ndaj vetë kancelarive perëndimore në pozicionimin objektiv e në kohë të tyre.

 

 

 

 

Nga Prof. As. Dr. Artan Xh. Duka

 

 

 

 

 

Nga një mazhorancë që nuk i ka votat por i ‘bën’ ato, pritet gjithçka. Si e humbur që e humbur është, ajo nuk ia përton çdo shansi për diversion ndaj opozitës dhe votuesit të saj me synim kohezionin opozitar, dekurajimin e votuesit dhe abstenimin deri në bojkot. Politika e faktit të kryer dhe arbitrariteti elektoral, është për të ‘një rrugë e dy punë’ teksa paralelisht me intimidimin e votës ajo shpreson të provokojë edhe radikalizim opozitar sikurse 1996 apo 2009 dëshmoi.

 

Bojkot elektoral!

Bojkoti opozitar i procesit zgjedhor mbetet ëndrra e mazhorancës ndërkohë që për opozitën, sado i justifikueshëm, do të ishte thikë me dy presa dhe bumerang absurd tanimë që koha punon për të. Pavarësisht se bojkoti i votimit në kushtet kur premisat për votë të lirë kompromentohen jashtë çdo limiti, mbetet reagim demokratik, efekti i tij varet nga konteksti dhe kombinimi me elementët e tjerë të aksionit opozitar. Ndonëse ai mund të gjenerojë fillimisht publicitet të jashtëzakonshëm në perëndim, ai mund të provokojë më pas keqkuptime e spekulime rreth opozitës dhe për ironi, përfitime të pamerituara politike për mazhorancën që e provokoi atë. Për perëndimin, bojkoti, veçanërisht ai i votimit, konsiderohet apriori atavizëm demokratik (sikurse edhe greva e urisë) dhe i pakonceptueshëm për një demokracie funksionale ndërkohë që problemi ynë është pikërisht ky. Perëndimi apriori nuk arrin të imagjinojë se në një vend të NATO mund të abuzohet masivisht dhe haptazi vota e lirë aq sa të mund të tjetërsojë fituesin e zgjedhjeve, duke u tunduar rrjedhimisht që të interpretojë pretendimet e këtij lloji si ekzagjerim(!) opozitar. Për më tepër kur në lojë futet gjeopolitika apo lobimi ‘allaPodesta’ që filtrojnë informacionin në ‘muzikë’ për veshët e atyre larg në inercinë e sindromës së ‘kusisë me presion’ (le të vlojë, sa kohë mbetet brenda). Perëndimi do prirej të interpretonte bojkotin e procesit zgjedhor si paragjykim të votës së lirë dhe vullnetit të qeverisë(!) për ta garantuar atë duke kredituar për inerci politikisht mazhorancën që në garë pa rival jo vetëm do të ishte diskrete në abuzimin e saj por dhe do të pozonte ‘luajalen’ ndaj rregullave të lojës(!) duke akuzuar opozitën si refuzuese të tyre, një avaz ky që do të devijonte vëmendjen prej shkaqeve që provokuan bojkotin në fjalë. Për më tepër, kur ajo ka demonstruar se nuk ka gajle të qeverisë edhe ‘gjysmagjel’ bile edhe të fabrikojë ‘opozitë’ duke e bërë bojkotin në vetvete akoma më të pavlerë. Në këtë sens, bojkoti i votës do të ishte stërkëmbësh ndaj vetvetes për opozitën, një argument i cekët për mirëkuptim nga perëndimi dhe precedent negativ për të ardhmen. Beteja dhe vetëm beteja zgjedhore do të ishte e vetmja alternativë si për të përmbushur përgjegjësinë e misionit historik të rotacionit të shumëpritur, ashtu dhe parandaluar tjetërsimin e votës apo zënien ‘mat’ të mazhorancës në përpjekjen për të shmangur të pashmangshmen.

 

Vija e kuqe e bojkotit parlamentar

Me rotacionin pritshmëri, në rast cënimi flagrant të votës së lirë që shpie në vijimësi të pamerituar të kësaj qeverisjeje, bojkoti parlamentar, ndonëse mund të paragjykohet prej perëndimit si shpërfillje e të drejtës së votuesit për zëdhënie dhe lojës në demokraci, ndoshta ia vlen barra qeranë sipas optikës opozitare, sa kohë ajo i jep shansin dhe kohën e duhur jetës parlamentare dhe gjyqësorit për të futur gjërat në hullinë e zgjidhjes – komision hetimor efektiv parlamentar, verdikte korrekte nga ana e Kolegjit etj. Nëse opozita gjykon se bojkoti parlamentar është i pashmangshëm, që ai të jetë efektiv duhet që (a) së pari të paraprihet që tani nga deklarimi i ‘vijës së kuqe’ përtej të cilës cënimi i votës së lirë bëhet i papranueshëm, (b) të shoqërohet me lobimin efektiv në perëndim dhe (c) të shoqërohet me protestën paqësore dhe të pandërprerë. ‘Vija e kuqe’ apo ndryshe rrethanat e abuzimet para dhe pas-zgjedhore që sipas opozitës kompromentojnë votën e lirë në atë masë sa tjetërsojnë fituesin dhe cënojnë integritetin e parlamentit (për analogji e tillë mund të hiqet edhe për bojkotin elektoral) duhet të deklarohet, të monitorohet, dokumentohet dhe t’i vihet në dispozicion perëndimit qysh tani për të zgjuar në kohë sensibilitetet e duhura tek ai. Duke filluar nga manipulimi i listave zgjedhore me ndikim thelbësor në rezultat, shpërdorimi ekstrem i shtetit në shërbim të partisë, abuzimi flagrant i administrimit të materialeve zgjedhore, verdiktet farsë ndaj ankimimit elektoral, detaje teknike që shndërrohen në dukuri tipike dhe masive etj ekstreme abuzimi që vetvetiu paragjykojnë integritetin e parlamentit dhe lënë të hapur e përligjin opsionin e bojkotit parlamentar dhe protestës non-stop. Vend për iluzion nuk ka. Psh. në media deklarohet se ‘Opozita fiton betejën e parë në Kolegjin Zgjedhor’ ndonëse për ironi kjo ndodhi edhe gjatë 2009 apo 2011 (iluzioni i paanshmërisë së gjyqësorit me verdikte korrekte për çështje anësore) ndërkohë që kur vjen puna për çështje vendimtare, gjyqësori ‘legalizon’ pa teklif abuzimin elektoral. Vija e kuqe ndërkohë presupozon konsensus mbarëopozitar për të shmangur interpretime, subjektivizëm apo oportunizëm eventual që dëmton kauzën e kohezionin opozitar gjatë denoncimit e sensibizimit perëndimor.

 

Podestim opozitar!

Opozita duhet të kompensojë efektin Podesta duke bërë të njëjtën gjë. Nëse i ka fondet për këshillimin prej Blair në qeveri, të ndajë mënjanë edhe për lobimin parazgjedhor pa të cilin vihet në pikëpyetje shansi i qeverisjes më pas. Me vëmendje të veçantë botën anglo-saksone, SHBA në rradhë të parë, përkundrejt traditës së deritanishme të tranzicionit ku spikat orientimi frankofon apo gjeopolitika përreth. Paralelisht, opozita duhet të sensibilizojë median prestigjioze perëndimore, me asistencën edhe të mërgimtarëve të shquar në ato vende, për të pasqyruar sagën e votës së lirë duke ushtruar indirekt një presion shtesë ndaj vetë kancelarive perëndimore në pozicionimin objektiv e në kohë të tyre.

 

Bojkot e protestë!

Nëse imponohet dhe gjykohet realist, bojkoti parlamentar duhet të shoqërohet me protestën e pandërprerë dhe paqësore deri në ripërsëritje të zgjedhjeve nën një qeverisje alternative. Ajo duhet të bartet nga i gjithë spektri opozitar për të zgjuar sensibilitetet e duhura në të majtë apo të djathtë të politikës në perëndim. Ndryshe nga bojkoti i zgjedhjeve ku vakumi, sado domethënës, mund të mos mirëkuptohej në perëndim duke mos qenë efektiv në kuturisjen e mazhorancës me qeverisjen e mbrapshtë, bojkoti parlamentar, nëse opozita i del borxhit mazhorancës dhe arrin ta dëshmojë këtë gjë, vështirë të përcillet si normalitet demokratik dhe do të ishte jo vetëm i përligjur por dhe i domosdoshëm për të garantuar mbijetesën e demokracisë. Pas 2009 dhe 2011, 2013 i bie të jetë e treta e vërteta!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0