Home | Politics | Turist i rastësishëm pranë krimit dhe detit

Turist i rastësishëm pranë krimit dhe detit

image
Në gjithë Shqipërinë ka një dëshirë: Askush, gati askush, nuk dëshiron pritjen në radhë. Të gjithë duan jashtë radhës. Të gjithë nguten – nguten për të zënë asgjë. Pas kisha lënë tre të vdekur dhe asnjë shpresë se mund të rrinin në radhë për të pritur daljen nga tuneli...

 

 

 

Nga Baton Haxhiu

 

 

 

 

 

Shqipëria është vend i paradokseve. Shpeshherë është një çmendinë që s’ta kap truri. Ndonjëherë është oaz i shpresës dhe vend që ofron mundësi. Kurse ndonjëherë është vend që tejkalon secilin vend fqinj me dijen dhe shpjegimet që jepen për shoqërinë. Të gjitha këto mund t’i gjesh brenda ditës në shtetin shqiptar.

 

Unë i kam shijuar të gjitha – edhe kënaqësitë, edhe hidhërimet. Hiq qëndrimin tim të përkohshëm, sa vullnetar aq edhe të detyruar, por edhe të përjetuar me kënaqësitë që të ofrojnë miqësitë, nuk do të kisha jetuar gjatë atje pa u ngritur për ta shprehur hidhërimin për papërgjegjësinë dhe edukatën e munguar në shumë pjesë të jetës në Shqipëri.

 

Shpeshherë kjo papërgjegjësi është pasojë e mungesës së ndjenjës për shtetin dhe për jetën shoqërore. Këto sjellje janë pasojë e papjekurisë shpirtërore të një pjese të popullit shqiptar, por në radhë të parë të zvetënimit moral të shtetit dhe të qytetarit shqiptar, duke i munguar ideja për respektimin e ligjit dhe shtetit ku jeton.

 

Prishja e rendit jetësor krijon probleme, që në rrethana të tanishme është e pamundur të zgjidhen pa ndërhyrje të ashpër të shtetit përmes ligjit.

 

Si përshkruhet një shtet nga një i huaj kur kalon nëpër bukuritë shqiptare?

 

Pjesa e rrugës Dhërmi- Vlorë kalohet lehtë, për një orë. Një rrugë e bukur, që shëtit nëpër malet e Llogarasë ku është ruajtur natyra – puna, bukuria e rrugës, mënyra se si ishin radhitur gjërat – gjithçka ishte Evropë. Bukur, rrethojat, gjelbërimi, gurëzit anash dhe ajo që ishte më e bukura – mungesa e frikës se mund të dalë dikush në mes të rrugës.

 

Sapo hyn në territorin e Orikumit, në mes të rrugës je i shoqëruar me një tufë lopësh, të cilat nuk çajnë kokën se po hiqeshin zvarrë.

 

Një orë e kaluar për mrekulli dhe shpejt, të bëra pa ndonjë trazim shpirti, të humbin para sysh kur përballë të del një rend i gjatë dhe i padurueshëm në rrugën e Vlorës, te Tuneli dhe të plazhi i ‘Ujit të Ftohtë’.

 

Shumë nga ata që kalonin rend e pa rend – në rrugën që çonte në qytet – në një rrugë me një korsi – ishin pesë rreshta veturash që s’kishin as radhë, as rend dhe as pritje. Ishte model i pashembullt në një rrugë shqiptare.

 

Në rrugën që shpinte nga Orikumi në Vlorë mungonte dhe nuk shihej rendi, tradita, ligji. Policia ishte e pamundur, shteti jofunksional, dallgët e pasioneve të qytetarëve dukeshin sikur ishin të lëshuara nga zinxhiri.

 

Dhe në atë rrugë nuk kishte as ligj, as polici që mund ta bënte zap një çmendi të quajtur papërgjegjësi qytetare.

 

Ky lëmsh kishte shumë fajtorë. Kishte njerëz që edukatën ndaj asfaltit dhe rregullave të rrugës e kishin të huaj. Kishte policë që rrinin kot me filikaçin e tyre – fishkëllenin çmendurisht, pa asnjë shenjë dhe pa asnjë qëllim.

 

Kishte vetura të bukura që tejkalonin gjithçka duke bllokuar, gjithashtu, gjithçka.

 

Unë shijova plotësisht hidhërimin e një rrëmuje të pakuptimtë, e cila kapte kilometra të pakaluar të mijëra veturave që kishin bllokuar njëra-tjetrën.

 

Nuk bënte punë as policia. As shteti dhe as Shqipëria e lirë post-zgjedhore. Dje pashë papjekurinë shpirtërore të një qyteti bregdetar. Të një shteti që tregoi se pse nuk kishte mbi vete peshën e rregullit dhe pushtetit.

 

E ku shihej këtu Shqipëria turistike?!

 

Të kesh vizitorë në bregdet, do të thotë të kesh sjellje të qytetëruar;

 

të kesh turistë duhet të kesh polici dinjitoze;

 

të kesh turistë duhet të respektosh rregullat;

 

të kesh turistë të huaj duhet ta duash shtetin tënd;

 

të kesh turistë duhet të jetosh i lirë për veten dhe të mos jesh i lëshuar nga dallgët e pasioneve që nuk respektojnë as ligj, as traditë, as polici.

 

Të gjitha këto po lënë gjurmë të thella për Shqipërinë dhe qytetarin e saj. Çdokush që ka parë një rrëmujë të tillë, të krijuar nga vetë qytetarët dhe me ndihmën e policisë së paaftë dhe të pafuqishme, do të ketë një konstatim. KY vend nuk bëhet!

 

Por nuk ishte këtu fundi..

 

Vetëm pak minuta larg isha nga tragjedia tjetër!

 

Më rastisi të jem aty ku ndodhi tragjedia e Vlorës. Një i çmendur zbrazi automatikun në mes të pushuesve. Ishte i ri dhe në krye të plazhit mbante kallashnikovin lart duke i urdhëruar të gjithë të jenë të shtrirë. Më vonë kuptuam se kishte tre të vrarë.

 

Por kur po vinte ambulanca për të shpëtuar viktimat e rastit – ajo, ambulanca, s’kishte rrugë ku të kalonte. Duhej të “fluturonte”. S’kishte mundësi të depërtonte nga rendet e veturave që nguteshin të kalonin pa rend dhe pa krye.

 

Nuk e di a ka shpëtuar dikush nga të plagosurit, por e di që edhe po të kishte mundësi të intervenohej- ishte e pamundur të bëhej kjo. Sepse në gjithë Shqipërinë ka një dëshirë: Askush, gati askush, nuk dëshiron pritjen në radhë. Të gjithë duan jashtë radhës. Të gjithë nguten, në një mënyrë a tjetër, për të zënë asgjë.

 

Në Shqipëri prej kohësh është një marrëzi e shndërruar gati në rregull – gati askush nuk dëshiron të renditet pas tjetrit. Të gjithë turren të tejkalojnë dhe të shkojnë diku. Por askush s’e di se cila mund të jetë urgjenca e tyre për të shkuar me shpejtësi.

 

Të dielën, në kohën kur po kaloja aty, të gjithë po dilnin nga plazhi. Dhe nga një qetësi pushimi po hynin në çmendinë e ngutjes. Se ku shkonin dhe pse nguteshin vetëm ata e dinin.

 

Pas kisha lënë tre të vdekur dhe asnjë shpresë se mund të rrinin në radhë për të pritur daljen nga tuneli.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0