Home | Politics | Mesazhet e qeverisë së re

Mesazhet e qeverisë së re

image
Në këtë preferencë të Ramës për drejtues të rinj të Ekzekutivit, me përjashtim të Canit, Panaritit, Kumbaros, Ahmetajt, Beqës, që janë autoritete të sprovuara, ose me një farë qëndrueshmërie në fushat që do drejtojnë, ngjan se ka diçka realiste.

 

 

 

Mentor Nazarko

 

 

 

 

Përbërja e kabinetit të ri siç deshi dhe autori i listës, Kryeministri i ardhshëm, në një situatë politike dhe institucionale si kjo e Shqipërisë sot, të krijon shumë ide apo përfytyrime që mbase s’janë domosdoshmërisht ato që ka menduar ai kur ka vënë firmën për ta. Mesazhet lidhen me mënyrën si ne e perceptojmë përbërjen e qeverisë së re dhe aftësitë apo mjeshtëritë e të zgjedhurve, përfytyrimin tonë mbi dinamikën që do të krijohet me Parlamentin, Grupin Parlamentar të shumicës apo shoqërinë në përgjithësi. Para se të shkojmë te ky grup mesazhesh, që janë në fakt edhe hipoteza që synojnë leximin e mendjes së autorit të listës së ministrave apo përngjasimin me idetë e tij, do duhet thënë diçka që lidhet me kontekstin institucional të shpalljes së qeverisë së re. Të mësosh listën e ministrave të rinj një muaj e gjysmë përpara është diçka unike në historinë e pluralizmit shqiptar. Ndërkohë të krijon një ndjenjë humori shikimi i mbledhjes së kabinetit ekzistues që merret jo thjesht me administrimin e zakonshëm që i imponon praktika kushtetuese botërore, por me qokat e minutës së fundit dhe me humorin e krizës psikologjike prej humbjes të shefit të saj. Jo thjesht prej diferencës së kohës që na ndan nga miratimi parlamentar i kësaj qeverie, por prej solemnitetit të rrejshëm të kabinetit humbës në kësi mbledhjesh, që megjithatë, po kanë dhe mund të kenë pasoja në qeverisje.

 

Dhe le të shkojmë më së pari tek organigrama e kësaj qeverie, megjithëse ajo është shpallur shumë më herët. Në ndarjen e funksioneve ngjan se kemi një ndikim italian. Pra, kemi një ndarje rolesh të ngjashme kryesisht me ekzekutivët italianë, i cili lidhet mbase me konsulencën e fondacionit të së majtës së vendit fqinj, udhëhequr prej D’Alemës, siç u evidentua dhe nga ambasadori italian në një intervistë të paradokohshme të tij. Megjithëse me një numër pak më të madh ministrish me portofol, modeli i ri i Ekzekutivit shqiptar nuk bart numrin e madh të zëvendësministrave dhe nënsekretarëve të shtetit si modeli italian, që ka gjithashtu dhe më shumë ministra pa portofol.

Risitë prej dje, ama, lidhen me përbërjen njerëzore që do të mbushë funksionet e rinj ekzekutivë. Përveç atyre që përmendi Rama, janë dhe disa risi të tjera që lexohen jo vetëm indirekt prej fjalëve të Kryeministrit të ri, por dhe nga disa përfytyrime të caktuara të punëve të shtetit prej artikullshkruesit.

 

Në kushtet e një grupi të madh parlamentar qeverisës, pra të zvogëlimit të protagonizmit të deputetit të shumicës, kapela e ministrit ngjan se ka qenë shumë motivuese, aq sa kemi deputetë që do ta lënë mandatin për secilën prej këtyre funksioneve, madje dhe ministrive pa portofol, siç është rasti i Haritos apo Celibashit. Kjo u duk dhe nga ndjenja e shpallur e sakrificës prej disave prej tyre në intervistat që paraprinë shpalljen e kabinetit. Si pasojë, përkundër risisë që shpalli Rama me 90% të ministrave për herë të parë, që sot duhet të jenë të gëzuar, ekziston dhe vuajtja e të vjetërve nga mospërfshirja në qeveri. Përjashtim bën Majko, i cili preferonte të ishte në Parlament si alternativë e ministërllëkut, por dhe ai mund të mos jetë i lumtur në rrethanat e sotme. Asocimi me ndjenjën e vuajtjes bëhet më i plotë po të imagjinosh se Rama, megjithatë, nuk ka dashur që vuajtja të vazhdojë një muaj e gjysmë, derisa qeveria të miratohet, por i shpalli emrat shumë kohë më parë, një hap që i ndalon dhe shtrirjen për një kohë të gjatë të lobimit të fortë për t’u bërë pjesë e kabinetit. Me përjashtim të financave, një fushë serioze dhe problematike ku Rama ka dashur të tregojë se i beson eksperiencës të ish-guvernatorit Cani, në dikasteret e tjera Rama ka preferuar të vërë individë rinj, që kanë treguar luajalitet ndaj tij gjatë qëndrimit në opozitë. Kështu, ai po dëften, përveç nevojës për ndjenjë skuadre brenda qeverisë (ku s’ka emra shumë të përveçëm), edhe një dëshmi të forcës së vet brenda partisë apo Grupit të ri Parlamentar, pikërisht duke mos përfshirë ndonjë senator brenda qeverisë së re. Kur tregon forcë, tregon autoritet përkatësisht, autoritet që ngjan i përforcuar në kushtet e drejtimit të Ekzekutivit. Dhe kjo ishte diçka e përfytyrueshme. Nëse Rama mund të mos ketë pasur autoritet absolut si kryetar i PS-së, pra i një organizate me baza vullnetare, në qeveri, ku komandon shumëçka, ngjashëm me bashkinë ku dominon principi i hierarkisë, Rama rivendosi autoritetin e vet në nivele të larta. 

LSI ngjan se ka vepruar ndryshe. Në Bujqësi LSI ka vendosur një figurë të vetën si Panariti, i cili është brenda fushës së tij të studimeve. Meqenëse Panariti ka bërë shumë mirë ministrin e Jashtëm, atëherë është i plotë besimi se do kryejë shumë mirë angazhimin e tij të ri brenda specializimit të tij profesional. Me këtë qasje Meta ka futur Naçon në Drejtësi apo në Infrastrukturë dhe Transporte Haxhinaston, që po specializohet në fushën e ekonomisë apo pjesëve të saj. Ndërkohë, në negociatat Rama-Meta duhet të ketë ndodhur diçka interesante, por jo thjesht mes tyre, e cila si pasojë ka sjellë zhvendosjen e Kokës në Ministrinë e Mjedisit. Duket se ka fituar opsioni i vetëm një zëvendësi të Ramës që do të ishte socialist, dhe jo i LSI-së. Pra, Rama dhe Meta janë dakordësuar se do ngjante si teprim mbajtja e dy zëvendëskryeministrave në kohën kur struktura e qeverisjes ngjan e bollshme me 16 dikastere. Duke mbetur te zëvendësi i Ramës, Peleshi, kemi disa mesazhe të tjera interesante. Me Peleshin që zhvendoset nga Bashkia e Korçës në Ekzekutiv kemi preferencë të Ramës për të promovuar në qeverisje administratorët e suksesshëm siç duket nga numri i votave gjithmonë në rritje në mandatin e dytë të Peleshit. Është ky modeli i politikanit që Rama synon të promovojë dhe si alternativë e figurave të tjera që vijnë apo kanë qenë përfaqësues të këtij qarku të rëndësishëm, që kanë dukshmëri të madhe publike për ligjërimin e tyre, por jo për cilësitë prej administratori.

 

Me preferencën e tij si Kryeministër njëjtë si kryebashkiak, për të pasur në qeverisje gratë shumë luajale ndaj drejtimit të tij, si Kodheli, Nikolla apo Gjermeni, Rama është përpjekur të luajë dhe për imazhin ndërkombëtar të qeverisë së re. Me Gjoshën e LSI-së në Integrim dhe Kodhelin në Mbrojtje, Rama ka dashur t’i japë fytyrë femërore dhe simpatike qeverisë së tij, në korridoret apo zyrat e Brukselit në BE dhe NATO. Deri diku kjo përpjekje shprehet dhe me përzgjedhjen e Bushatit në Ministrinë e Jashtme.

Përbërja e kabinetit të ri reflekton, përveç parimit të luajalitetit, të skuadrës pa protagonistë të mëdhenj, ndjenjës së ekuilibrit mes sekseve dhe atë të ekuilibrit mes pjesëve të Shqipërisë. Në këtë qeveri ka një numër relativisht të madh përfaqësuesish nga Veriu, diçka krejt normale, kur njolla vishnjë e fitores së PS-së është shtrirë uniformisht dhe në atë pjesë të rëndësishme të vendit. Rama ka treguar forcë dhe duke mos iu nënshtruar presionit të PBDNJ-së për ndonjë dikaster të caktuar, diçka krejt normale kur vetëm me ndihmën e PS-së, PBDNJ-ja do ketë dy deputetë në Kuvend. Ky veprim krejt normal për një parti që u tret në afro 14 vota në tërë Shqipërinë na ka shpëtuar dhurimin e vendit të parlamentarit për Bollanon. Ndërkohë, për shkak të imponimit të LSI-së për të marrë Drejtësinë, Rama nuk ka mundur t’i japë Ngjelës vendin e ministrit të Drejtësisë, që mund të ishte hap normal për një figurë me reputacion publik si Ngjela, me gjithë numrin e vogël të votave të subjektit të tij.

     

Në këtë preferencë të Ramës për drejtues të rinj të Ekzekutivit, me përjashtim të Canit, Panaritit, Kumbaros, Ahmetajt, Beqës, që janë autoritete të sprovuara, ose me një farë qëndrueshmërie në fushat që do drejtojnë, ngjan se ka diçka realiste. PS-ja është një parti 8 vjet larg pushtetit dhe ata që kanë qenë ministra para 8 vjetësh ose s’kanë qenë në simpatitë e Ramës, ose janë përfolur për korrupsion dhe janë qarkulluar në nivele më të ulëta të angazhimit politik brenda PS, ose janë orientuar ndryshe në angazhimet në karrierë. Pra, kërkimi i të rinjve dhe afirmimi i tyre në Ekzekutiv ngjan se është një zgjidhje shumëplanëshe. Ajo është diçka fiziologjike si ndërrim brezor; operacion imazhi brenda dhe jashtë vendit; afirmim autoriteti brenda PS-së në kontekst pushteti; shpërblim për luajalët; kompaktësim i skuadrës. A do të funksionojë kjo skuadër si ekip qeverisjeje, pra a do të ketë sukses Rama si Kryeministër i ardhshëm ngjashëm me një pjesë të mirë të mandateve të tij prej kryebashkiaku, ku gjithashtu promovoi të rinj dhe gra, jo domosdoshmërisht socialistë? Kjo është një pyetje e parakohshme për një qeveri së cilës i duhet dhe më shumë se një muaj që të fillojë nga puna, ndërsa paraardhësja ende nuk i ka boshatisur zyrat pas dënimit të historisë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0