* * *
Shumica kanë filluar ta pranojnë se ndryshimi shoqërohet më së miri nga stabiliteti dhe demokracia funksionon vetëm nëse debati zhvillohet në një atmosferë të arsyeshme, ku fjalët mund të jenë edhe madje të ashpra, por jo të provokojnë dhunë.
Tony Blair
Londër, 6 Gusht (Guardian) – Gjendja në Siri i përngjan ankthit. Egjipti ndodhet buzë greminës. Por, siç dëshmon edhe rifillimi i javës së kaluar i procesit paqësor në Lindjen e Mesme, ka arsye për optimizëm. Dhe ndonëse mund të mos tingëllojë korrekte, nën të gjitha trazirat, problemet rrënjësore të rajonit më në fund janë shpërfaqur në atë mënyrë që ato do të mund të tejkalohen. Për ne ka ardhur koha jo për dëshpërim, por për angazhim aktiv.
Të gjithë mendonin se gjasat për ringjalljen e procesit paqësor në Lindjen e Mesme ishin minimale. Por një gjë e tillë ndodhi javën e kaluar në Washington. Dhe, fjala nuk është vetëm për bisedimet rreth bisedimeve, por për trajtimin e plotë të negociatave për statusin final, me zotimin e të dyja palëve që të angazhohen rreth procesit për të paktën nëntë muaj. Për të gjithë neve që jemi munduar gjatë viteve të kaluara, shpesh pa arritur ndonjë rezultat, është kjo një e arritur e madhe e John Kerryt, që u tregua i vendosur deri në fund, ashtu si edhe dy liderëve, të cilët kanë rrezikuar, me gjithë skepticizmin e qytetarëve të tyre.
Shumë më pak bëri bujë vizita e presidentit jemenas në Washington. Jemeni, me gjithë vështirësitë, është duke kaluar nëpër një proces të transformimit politik, me 500 delegatë nga të gjitha segmentet e shoqërisë që janë duke punuar në planet për demokraci, drejtësi dhe barazi.
Në Irak, ndonëse numri i viktimave të dhunës sektare kishte rënë vazhdimisht vit pas viti, gjendja sërish ka filluar që të përkeqësohet, pjesërisht për shkak të luftës në Siri. Megjithatë, edhe atje kohë më parë është bërë një deklaratë e rëndësishme nga ajatollahu i madh, Ali al-Sistani, imami më me ndikim shiit në Irak, që e theksoi domosdoshmërinë për një shtet civil, e jo fetar, në të cilin të gjithë njerëzit kanë liri të barabartë për të marrë pjesë dhe për të mos u pajtuar me atë që janë të afërt me Iranin, që duan që shiitët të shkojnë në Siri për të luftuar për Assadin.
Në fillim të Ramazanit mbreti i Arabisë Saudite, që është po ashtu kujdestar i dy xhamive të shenjta, bëri një deklaratë të fuqishme, duke thënë se Islami nuk u takon atyre që e shtrembërojnë për shkak të politikës.
Gjendja në Libi dhe Tunizi është larg të qenit e rregulluar, siç tregojnë edhe vrasja e politikanit kryesor opozitar në Tunizi dhe prania e militantëve në qytetet libiane. Por, demokratët nuk po dorëzohen. Në tërë pjesën veriore të Afrikës nën-Saharë ka sfida të mëdha prej grupeve të armatosura dhe të financuara terroriste, që e kanë importuar ideologjinë toksike nga Lindja e Mesme. Shtetet si Nigeria kanë pësuar shumë nga terrorizmi i bazuar në ekstremizmin fetar, që është i huaj për shoqërinë e tyre. Megjithatë, shteti është duke përjetuar rritje rapide ekonomike, derisa ka pasur reforma të mëdha në pushtet, gjë kjo të cilën njerëzit e kanë konsideruar të pamundur pak kohë më parë.
Egjipti mund të kthehet në rrugën drejt demokracisë, me një kushtetutë që përfshin të gjithë dhe që zbatohet në mënyrë objektive. Ekziston premtimi për zgjedhje në fillim të 2014-s dhe të gjitha partitë, përfshirë “Vëllazërinë Myslimane”, mund të marrin pjesë. Ose, Egjipti mund të paralizohet, duke mos qenë në gjendje të lëvizë përpara, duke mos qenë në gjendje ta rikthejë ekonominë në binarë dhe ta vendosë rendin, pa të cilat gjëra progresi është i pamundur.
Por, pikërisht këto ndasi në Egjipt ilustrojnë një ringjallje më të thellë në rajon, e cila tani e ka rëndësinë e vet. Leksionet rreth qeverisë, qeverisjes dhe demokracisë, të cilat Perëndimit i janë dashur me shekuj për t’i mësuar, tani po mësohen me shpejtësi të jashtëzakonshme. Tani është e qartë se status quoja nuk do të mund të mbahet në rajon. Ideja e qeverisë së “diktatorit” që mban rendin dhe me të cilin pjesa tjetër e botës ka qejf të punojë, tani është zhdukur. Nuk ka rëndësi nëse “diktatori” është i tipit psikopatik, si Saddami, ose i të moderuarit Hosni Mubaraku, që e mbante paqen në rajon. Është ky shekulli 21 dhe njerëzit duan që të marrin pjesë në politikat e shtetit të tyre. Ata duhet të zgjedhin midis evolucionit dhe revolucionit.
Është njëjtë e qartë se evolucioni është definitivisht i preferuar, po qe se mund të mbahet. Sinqerisht, kjo do të kishte qenë më e mirë për Sirinë. Në tërë rajonin ekziston lodhja nga kaosi dhe mungesa e rendit, të cilat i sjell politika. Shumica kanë filluar ta pranojnë se ndryshimi shoqërohet më së miri nga stabiliteti dhe demokracia funksionon vetëm nëse debati zhvillohet në një atmosferë të arsyeshme, ku fjalët mund të jenë edhe madje të ashpra, por jo të provokojnë dhunë.
Ekziston pranimi se liria fetare është pjesë e domosdoshme e shoqërive të lira dhe të hapura. Diskutimet rreth vendit të fesë në qeveri dhe shoqëri tani janë duke u zhvilluar me të madhe. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e shëndoshë. Për herë të parë është duke u zhvilluar një debat i nxehtë rreth kësaj çështjeje, që qëndron në themel të problemeve të Lindjes së Mesme.
Po ashtu, ekonomitë e mbyllura nuk e kanë vendin në shoqëri të hapura. Nevoja për reforma ekonomike, të cilat do të siguronin vende pune, është absolute. Një sektor funksional privat dhe një sistem arsimor që do të arsimonte popullatën e re për një botë të ndërlidhur paraqet parakusht për progresin.
Çështja izraelito-palestineze është vendimtare për arsye të dukshme. Por ajo paraqet edhe test për kapacitetin e rajonit për të pasur një të ardhme tjetër fare dhe më të mirë. Po qe se këta dy popuj mund të gjejnë një bazë të përbashkët për të krijuar dy shtete, demokratike dhe të lira, pas gjakderdhjes dhe armiqësisë shumëvjeçare, atëherë shpresat janë të mëdha.
Por, java e kaluar nuk do të mund të kishte ndodhur pa angazhimin e plotë të SHBA-së dhe partnerëve tjerë ndërkombëtarë. Ky është leksioni për ne. Është leksioni që duhet ta kemi parasysh derisa Siria po shkatërrohet para syve tanë dhe derisa po vazhdon debati se cila palë përdori armët kimike në Khan al-Assal.
Megjithatë, pa marrë parasysh se sa do të donim t’i mbyllnim sytë, pasojat e gjakderdhjes në Siri do të jenë absolutisht katastrofike për rajonin dhe për sigurinë tonë.
11 shtatori, Afganistani, Iraku, revolucionet arabe, Irani, Siria, Egjipti dhe përhapja e terrorizmit ekstremist fetar kanë të përbashkëta. Një nga ato është se si shtetet dalin nga vitet e represionit, për të ndërtuar institucione që janë në gjendje t’u përgjigjen nevojave të botës moderne. Tjetra është se si shumica e shteteve myslimane e definojnë vendin e fesë në shoqërinë politike. Kemi interes të madh për një rezultat pozitiv.
Comments (0 posted)
Post your comment