Home | Politics | Clinton viziton Kosovën

Clinton viziton Kosovën

image
Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ka arritur në Prishtinë, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së tij në kryeqytet.

 

Clinton ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë, ndërkaq, së shpejti pritet takimi i tij me krerët e shtetit, Presidentin dhe Kryeministrin, pastaj me Kryetarin e Kuvendit, ndërsa më pas do të mbahet seanca solemne, me ç’rast Clinton do t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Pas këtij fjalimi ish-Presidenti i SHBA-ve, së bashku me udhëheqësit e lartë të vendit do të bëjnë përurimin e shtatores së tij në sheshin “Bill Clinton”.
Ish-Presidenti amerikan, Bill Klinton, pas takimeve që ka zhvilluar me krerët më të lartë vendit, ka folur para Kuvendit të Kosovës - ku ka theksuar se, populli i Kosovës duhet të jetë krenar për atë që ka arritur. 

“....Duhet të jeni shumë krenarë për atë që keni arritur dhe unë i thashë Presidentit dhe Kryeministrit se e keni bërë punën shumë më mirë se sa kanë menduar të tjerët”, tha mes tjerash ish-Presidenti amerikan, i cili po qëndron në Kosovë, për të marrë pjesë në inaugurimin e shtatores së tij në Prishtinë.

Clinton vlerësoi se Kosova ka konsoliduar institucionet demokratike – ndërsa duke kujtuar se Kosova tashmë është pjesë e FMN-së tha se, “shumë shpejt do jeni edhe pjesë e NATO-s e BE-së”.

Ai po ashtu përgëzoi institucionet e vendit për punën e mirë që ka bërë me pakicat. “Mund t’ju siguroj të vazhdoni për të punuar që pakicat të integrohen plotësisht dhe ju do ta bëni këtë sepse jeni pjesë e botës së shek 21”, tha Clinton, duke inkurajuar popullin e Kosovës të mendojë për të ardhmen dhe jo për të shkuarën”.

Në fjalën e tij, Clinton nuk harroi të përshëndesë kontributin e çmuar të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe t’u përcillte kosovarëve përshëndetjet nga sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton.

Ndërkaq, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se Clinton ka pasur një rol të veçantë në pavarësinë e Kosovës, ndaj sipas tij, Kosova do të jetë përjetë mirënjohës ish-Presidentit Clinton.

"Qytetarët e vendit tim do të jenë përherë mirënjohës dhe falënderues, për përkrahjen në të gjitha periudhat, si dhe për vendimin kapital që morët në një moment të vështirë dhe dramatik, për të ndërhyrë ushtarakisht dhe për të ndalur spastrimin etnik që po kanoste një popull të tërë dhe vrasjen e tij kolektive të planifikuar", tha Sejdiu.

Kryeministri Hashtim Thaçi tha se sot “nderojmë Mikun tonë të madh”, duke i shprehur atij mirënjohje për ndihmën e dhënë. “Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton është Hero i madh për Kosovën”, theksoi Thaçi.

Duke shprehur mirënjohjen më të thellë të qytetarëve të Kosovës për ish presidentin Clinton, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se ishte vendimi i tij që ka ndaluar pastrimet dhe vuajtjen e popullit të Kosovës.

Më pastaj Presidenti Clinton, i shoqëruar nga krerët e shtetit të Kosovës, presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi, me prezencën edhe të diplomatëve ndërkombëtarë në vendin tonë, u drejtua drejt sheshit Bill Clinton, ku u bë edhe inaugurimi solemn i shtatores së tij, me ç’rast u prit në mënyrë madhështore dhe me ovacione nga mijëra qytetarë, jo vetëm nga Kosova por edhe nga vendet fqinje.

Vizita e Presidentit Klinton në Kosovë, është e treta me radhë që prej përfundimit të luftës dhe e para që prej Shpalljes së Pavarësisë më 17 Shkurt 2008.  /Telegrafi/

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00