Home | Politics | Puna e opozitës është fjala - fjala e qeverisë është puna

Puna e opozitës është fjala - fjala e qeverisë është puna

image
Ja vlerat tona:

Liria e njerëzve dhe e konkurrencës pa asnjë diskriminim e kufizim politik, në funksion të meritës...

Ja edhe bindja jonë: 

Shqipëria meriton më shumë...


 







I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar hirësi klerikë,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuara deputete e deputetë,

Të nderuara zonja e zotërinj të ftuar,

Fort të dashur qytetarë dhe bashkatdhetarë kudo ku jeni,

Po bëhet dalëngadalë çerek shekulli prej dhjetorit të vitit 1990, kur Shqipëria rinisi udhëtimin e ndërprerë forcërisht, drejt Perëndimit.

Qysh atëherë s’ka fije dyshimi se kanë ndryshuar shumë gjëra.

Falë lirisë.

Falë energjisë së jashtëzakonshme dhe dhuntive të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Falë pse jo, edhe atyre punëve të mira që të zgjedhur apo drejtues e punonjës, në çdo nivel, kanë bërë në tërë këto vite në detyra shtetërore - përgjatë një rrugëtimi për ndërtimin e shtetit demokratik që rezultoi, shumë herë më i vështirë se çfarë e parafytyronim në çastin magjik, të shembjes së regjimit komunist dhe të thirrjes gjithëpopullore: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”.


***

Por të jetë e qartë për të gjithë:


Ne do të dëgjojmë, po do të udhëheqim.

Ne do të dialogojmë, po do të marrim vendime.

Ne do të kërkojmë konsensuse sa më të gjera, po do të qeverisim me vlerat dhe me bindjet tona të shpallura.

Ja vlerat tona:

Liria e njerëzve dhe e konkurrencës pa asnjë diskriminim e kufizim politik, në funksion të meritës.

Përgjegjësia e gjithkujt përpara vendit e ligjit, në funksion të një shoqërie ku të drejtat e secilit nuk ndahen nga detyrimet ndaj komunitetit;

Solidariteti me më të dobëtit, në funksion të një bashkëjetese ku barazia e mundësive s’mund të mjaftojë pa drejtësinë sociale.

Ja edhe bindja jonë: 

Shqipëria meriton më shumë. 

Shqipëria nuk e meriton korrupsionin dhe kriminalitetin që e kanë lidhur këmbë e duar dhe po e mbysin.

Nuk e meriton Shqipëria as renditjen në fund të çdo tabele ndërkombëtare për standardet e jetës së shqiptarëve dhe të shërbimeve publike për qytetarët e saj.

As imazhin e rënduar si mos më keq në tërë këto vite, kryekreje prej pushtetesh që kanë ndërruar ngjyrë jo natyrë, radhë jo zakon, vend jo model, nuk e meriton Shqipëria.

Shqipëria meriton më shumë sepse ka gjithçka i duhet që ky popull, të jetojë në një ekonomi normale, një shoqëri të sigurt, një vend të denjë mes të barabartësh në tryezën e Familjes së Bashkuar Europiane.

Shqiptarët meritojnë më shumë, sepse mund të bëjnë shumë më shumë, nëse kush flet, vendos dhe vepron në emër të tyre, nuk sheh thjesht interesat e punët e veta; nëse kush qeveris nuk i ndan dhe përçan për t’i sunduar, po i drejton me forcën bashkuese të shembullit; nëse kush bën dhe miraton ligje e rregulla nuk është shkelësi i parë i tyre, po i pari që ligjeve e rregullave u nënshtrohet pa kushte.

Ne jemi këtu për të bërë për Shqipërinë atë që atdheu ynë dhe bashkëqytetarët tanë pa dallim, meritojnë në katër vitet e ardhshme.

Vizioni ynë është Një Rilindje Shqiptare.

Misioni ynë është të ecim më shpejt, për të ndërtuar Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër.

Funksioni ynë është mirëqeverisja për të përmbushur zotimet tona duke vënë në jetë, me kurajë dhe vendosmëri politika të reja dhe duke i dhënë jetë, një kulture të re të ushtrimit të pushtetit.

Zonja dhe Zotërinj, 

Anomalia e tranzicionit ekskluzivisht shqiptar të pushteteve në rast rotacioni, krijoi qysh prej 23 qershorit një vakum shumë problematik.

Inercia e keqqeverisjes u kthye në një sprint vendimesh, privatizimesh, shpërblimesh.

Pa asnjë të drejtë morale.

Pa asnjë legjitimitet politik.

Pa asnjë sens etik.

Me legjitimitetin e pushtetit moral të popullit Sovran, kemi kërkuar publikisht, qysh në fillim, seriozitet dhe vetëpërmbajtje nga ana e qeverisë në ikje. 

Kemi paralajmëruar anulimin e çdo vendimi që do t’i binte ndesh këtij legjitimiteti dhe vetë interesave të publikut. 

Fatkeqësisht, zëri i arsyes sonë ka rënë në vesh të shurdhër dhe fatura e cenimit të interesit publik në këta muaj është shumë e lartë. Por fatmirësisht, koha e ndërmjetme ka mbaruar dhe është koha jonë të fillojmë punën, për të lidhur fjalët me veprat.

Dua të jem i qartë në këtë pikë për raportin e shumicës së re dhe të qeverisë sonë, me dëmet e kohës që iku: 

Ne nuk kemi mandat për të harruar krimet e pa gjykuara që janë bërë. 

Mandati ynë na është dhënë për të mos harruar popullin e vrarë në Gërdec, protestuesit e vrarë në bulevard, deputetin e vrarë në oborr, kryekomunarin e vrarë në rrugë, komisarët e policisë të vrarë në krye të detyrës. 

Jo për t’u hakmarrë për të shkuarën, po për të mos i hyrë në hak të ardhmes; jo për të bërë politikë me drejtësinë, po për të bërë çmos që drejtësia të mos bëhet politikë; jo për të marrë rolin e prokurorëve e të gjykatësve, po për të krijuar kushtet që prokurorët dhe gjykatësit ta bëjnë rolin e tyre.

Ne nuk kemi mandat për të amnistuar falje pronash që i janë grabitur popullit me vendime qeverie, apo për të njohur të drejta që pushteti u ka dhuruar në rrugë abuzive klientëve të tij. 

Mandati ynë na është dhënë për të bërë transparencë të plotë, të të gjitha proceseve të dyshimta ose të dyshuara për korrupsion e krim ekonomik, me pasojë dëmtime pasurore ose cenim të interesave të publikut dhe të qytetarëve të pambrojtur. 

E kemi premtuar, do ta bëjmë deri në fund këtë transparencë të katrahurës me pronat e shqiptarëve, si qeveri dhe si shumicë qeverisëse në kuvend.

Jo për të zhbërë gjithçka që është bërë, po për të mos lejuar që ç’është bërë keq për vendin apo për shqiptarët e pambrojtur, të mbetet keq dhe të përsëritet pastaj edhe më keq në dëm të vendit apo të njerëzve të pambrojtur; jo për të goditur biznesin, po për të nisur demokratizimin e ekonomisë dhe marrë në mbrojtje interesin e publikut; jo për të dekurajuar investimet e huaja me politika antiglobaliste, po për t’u dhënë fund praktikave antishqiptare të lidhjes së fatit të investimeve të huaja, me oxhakun e shtëpisë time. 

Ne, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, nuk kemi padyshim as mandat për të bërë sehir rrënimin e sistemit të drejtësisë në këtë vend. 

I yni është një mandat që na është dhënë, qëllimisht, i blinduar nga populli Sovran, deri në pragun e shumicës së cilësuar; për të bërë me vizion, kurajë, ritëm të lartë, reforma të mëdha të shtetit dhe për të mos i ngritur duart lart para popullit që kërkon drejtësi, duke u mjaftuar me shprehjen “prokuroria është e pavarur, gjykatat janë të pavarura”. 

Sigurisht, që organet e drejtësisë janë të pavarura sipas Kushtetutës së Republikës sonë. Po fati i përpjekjes për një drejtësi të drejtë, varet padyshim edhe nga parlamenti, edhe nga qeveria, edhe nga vet shoqëria po e po. 

Ne do ta bëjmë Kuvendin dhe qeverinë pjesë shumë aktive të kësaj përpjekjeje, për shqiptarët, po edhe për vendin tonë në Familjen Europiane - ku s’do të ketë vend për ne në tryezën e të barabartëve, nëse s’do bëhemi të barabartë para ligjit këtu, në këtë vend. 

Dora jonë e bashkëpunimit me pushtetin gjyqësor do të jetë e shtrirë pa kushte. 

Në katër vitet që vijnë, opinioni brenda sistemit të drejtësisë do të dëgjohet me respekt për çdo vendim ose reformë, që lidhet me mirëfunksionimin e prokurorisë apo gjykatave. 

Ne do të bëjmë çmos që t’i mbështesim organet e drejtësisë, me mjete financiare e logjistike për të përmbushur detyrimin e tyre kushtetues ndaj publikut në kushte sa më normale. 

Por ne nuk do të rrimë duarkryq, as përpara shfaqjeve të përsëritura në sallat e gjyqeve, të triumfit të vrasësve të qytetarëve të pafajshëm apo të pafajësimit të killerave të policëve të vrarë në krye të detyrës; as përballë goditjeve të çekiçit të gjykatësve që ligjërojnë padrejtësira flagrante në dëm të këtij vendi dhe të shumë qytetarëve të pambrojtur që më kot e kërkojnë drejtësinë tek ata që vrasin; as ndaj spirales së korrupsionit në drejtësi që tërë këto vite e ka tërhequr poshtë e më poshtë pushtetin gjyqësor në Shqipëri. 

Shumica jonë dërrmuese ka lindur nga një emergjencë demokratike dhe adresimi i kësaj emergjence kërkon, padyshim, një sens shumë të fortë të së drejtës; nga organet e drejtësisë padyshim, por nga qeveria në radhë të parë. 

Në mbrojtje të bindjes sime të hershme se kur një vend qeveriset përmes padrejtësisë, është e kotë ta kërkosh drejtësinë në prokurori e gjykatë, dua t’ju them sot të gjithëve në këtë vend se sensi i të drejtës do të më udhëheqë, në çdo vendim e veprim si kryeministri juaj. 

Kam besimin më të plotë se nga i njëjti sens i së drejtës do të udhëhiqet, çdo ministre dhe ministër i ri i Republikës dhe dua t’i garantoj kështu të gjithë se gabimet e mundshme, në ushtrimin e një përgjegjësie kaq të madhe sa e jona, nuk do të jenë mëkate të qëllimshme në dëm të Shqipërisë e të qytetarëve shqiptarë. 

Askush në këtë sallë nuk ka de jure imunitet kushtetues dhe askush ndër ne, përfaqësuesit e kësaj shumice të re, nuk do të lejohet të marrë de facto kurrfarë imuniteti të posaçëm, në marrëdhëniet me ligjin dhe me shtetin. 

Por nga ana tjetër, kjo shumicë nuk do të njohë asnjë formë imuniteti të askujt që të drejtën për të kërkuar apo dhënë drejtësi, qoftë prokuror apo gjykatës, e kthen në një mjet për të përfituar lekë dhe pasuri të patundshme duke bërë padrejtësi.

Ministrat tanë s’do të kenë as mandatin e deputetit, për të qenë tërësisht në dispozicion të detyrës së lartë por edhe, për të mos pasur asnjë alibi dhe mburojë tjetër veç rezultateve të tyre në punë.

Sipas një praktike të mirë të djepit të demokracisë moderne, Britanisë së Madhe, ne do të miratojmë në mbledhjen e parë të qeverisë Kodin Etik të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Ky kod do të sanksionojë angazhimin formal, të secilit dhe të gjithë skuadrës qeveritare të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për të qëndruar në detyrën e lartë me nderin dhe me dinjitetin që shqiptarët menduan se do të kemi në qeverisje, kur na dhanë 1 milionë vota. 

Ata e dërrmuan me plotë 1 milionë shuplaka pushtetin e forcës, sepse duan të qeverisen nga pushteti i shembullit. 

Ne jemi këtu për t’ua plotësuar këtë ekzigjencë themelore dhe për të qeverisur me forcën e shembullit. 

Kolege dhe kolegë deputetë, 

Unë e ndaj në çdo pikë e presje me Kryetarin e këtij Kuvendi, fjalën që na adresoi dje dhe dua veçanërisht të rinënvizoj se përsa na takon armiqtë tanë nuk janë në këtë sallë. Nuk janë as në opozitë me qeverinë jashtë kësaj salle. 

Po janë përballë të gjithëve ne pa dallim: 

Varfëria dhe Papunësia! 

Ne jemi këtu për t’i luftuar pa pushim këta armiq, duke e nisur çdo ditë të re me kundërvënien ndaj varfërisë së aspiratave dhe duke e ushqyer përditë qeverisjen tonë, me aspirata të larta për Shqipërinë.

Shqipëria e varfër e 1 milionë të papunëve, pas gati çerek shekulli liri, është më së pari pjellë e varfërisë së aspiratave të atyre që e kanë udhëhequr duke e tradhtuar; 

Shqipëria e gjysmës së më të rinjve analfabetë funksionalë, dy dekada dhe kusur pas rënies së komunizmit, është më së pari bijë e varfërisë së aspiratave të atyre që e kanë drejtuar duke e gënjyer; 

Shqipëria e prapambetur e shqiptarëve pa ujë për të pirë e as vaditur, pa legalizime dhe as kanalizime, pa asnjë shërbim publik sipas nevojës po vetëm sipas xhepit, mu në mes të Europës së shekullit XXI, është më së pari viktimë e atyre që e kanë qeverisur duke e harruar. 

Ne s’do ta harrojmë asnjë ditë Shqipërinë që vuan për ujë, punë, shërbime dhe nuk do t’i tradhtojmë dhe gënjejmë asnjëherë shqiptarët. 

Nëse do të ngecim diku, do të japim shpjegime. 

Nëse do të gabojmë diku, do të kërkojmë ndjesë. 

Por gjithherë dhe gjithkund, do të jemi me njerëzit e për njerëzit, me Shqipërinë reale të halleve të panumërta dhe për Shqipërinë Europiane të shpresave të rilindura. 

Jemi zotuar se do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. Do të gdhihemi e ngrysemi në betejën për t’ia dalë dhe jam besimplotë se do t’ia dalim, që Shqipëria e pas katër viteve nga sot, të jetë hapësira e punësimit real jo tuneli i rritjes së papunësisë.

Jemi zotuar se uji në rubinet dhe në parcelë nuk do të jetë më temë fushate elektorale në vitin 2017. Programi ynë parasheh realizimin e këtij zotimi me etapa të përcaktuara qartë. Unë dua të ndaj me ju sot, bindjen time se në mbylljen e këtij mandati, do të jetë mbyllur edhe odiseja e etjes për ujë të njerëzve e të tokave të këtij vendi.

Jemi zotuar se do legalizojmë falas shtëpitë në zonat informale brenda këtij mandati. Nuk tundemi nga ky zotim. Zbatimin e planit të detajuar për ta përmbushur në harkun e katër viteve nga Paskuqani në Sauk, nga “Kodra e Priftit” në Bathore, nga këneta e Durrësit në lagjen Marlulaj të Shkodrës, nga Lagja “5 Maji” e Elbasanit në lagjen “Afrim i Ri” të Fierit e në lagjen “Nënë Tereza” të Lezhës, unë do ta mbikëqyr drejtpërdrejtë vetë siç ju kam premtuar atyre njerëzve, në çdo hap.

Do t’i bëjmë këto realitete migjeniane, pjella të varfërisë së aspiratave, modele të vizionit tonë të ri të zhvillimit urban të Shqipërisë për të respektuar aspiratat e atyre që i kanë ndërtuar ato shtëpi.

Por një gjë të mos e ngatërrojë askush:

Ne do të legalizojmë falas në zonat informale shtëpi të ndërtuara për të filluar një jetë të re familjare, jo vila pa leje në vijën bregdetare. Dhe jo e jo, ndërtime të paligjshme për të bërë biznes duke i bërë shtetit ngado një karshillëk të paparë, thellësisht antieuropian e fyes për dinjitetin e shoqërisë. Nëse të varfërve që kërkuan Amerikën këtu në Shqipëri, duke ardhur nga humbëtirat e varfërisë e të papunësisë, për të ndërtuar një jetë të re rreth Tiranës e qyteteve të mëdha, ne nuk do t’u kërkojmë lekë po vetëm përmbushjen e detyrimeve të zakonshme të çdo shtetasi për ujin, dritat, plehrat, zengjinëve të betonarmesë së hedhur kuturu pa asnjë leje e gajle për të drejtat e pronës, komunitetit, natyrës, do t’u rezervojmë një faturë sa të kripur aq edhe të paharrueshme. Mjaft e kanë dëmtuar Shqipërinë, është koha ta dëmshpërblejnë publikun. Kjo qeveri do t’ua kërkojë dhe marrë dëmshpërblimin një më një.

Jemi zotuar se vota për ne do të ishte fillimi i një kapitulli të ri të taksimit të ndershëm dhe fundi i kapitullit të vjetër të taksës së sheshtë. Sot ju siguroj se kështu do të jetë. Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do të paguajë më pak. Mësuesi – Mjeku – Polici do të jenë tre figurat kyçe të rimëkëmbjes së shtetit në katër vitet e ardhshme dhe do të përfitojnë nga taksimi i ndershëm.

Sipërmarrësit e vegjël, gabimisht quhen biznesmenë, po në fakt janë familjarë të vetëpunësuar që nuk do të paguajnë më për furrën e tyre të bukës, kafenenë në cep të pallatit apo dyqanin e vogël të mbijetesës, sa ç’paguajnë fabrikat e çimentos, kompanitë e naftës apo hotelet në zemër të Tiranës. Ata shpëtuan në 23 qershor nga tatimi i dyfishtë antikushtetues dhe taksa e tyre e biznesit të vogël nuk do të ekzistojë më. Ne do të bëjmë çmos në këto katër vite që ta nxjerrim biznesin e vogël, nga kthetrat mbytëse të borxheve për të paguar taksa dhe të fusim sa më shumë familjarë në rrugën e vetëpunësimit.

Jemi zotuar se në fund të katër viteve do të kemi ulur taksat për 95% të shqiptarëve. Do të ecim hap pas hapi, me planin tonë konkret në përmbushjen e këtij zotimi dhe në fund të mandatit tonë, shtresa e mesme si edhe më të varfrit do të kenë më shumë para në xhep, e do të shërbehen më mirë.

Jemi zotuar se do ta mbështesim biznesin duke krijuar një marrëdhënie të re partneriteti me sipërmarrësit dhe do të ndalim rrënimin e tij duke shkatërruar monopolet, shkrirë klientelat, thirrur në skenë lirinë e konkurrencës. Jemi gati për një transformim të madh në shërbimin doganor dhe tatimor me konsulencën e Agjentëve të Kurorës (Crown Agents). Organizata e famshme britanike do të na asistojë qysh në ditët e para të qeverisjes për t’u dhënë doganave e tatimeve, gjatë këtij mandati, fytyrën dhe mirësjelljen e Shqipërisë Europiane; për të rritur të ardhurat në buxhet, jo duke tkurrur biznesin me kontrolle të dhunshme e gjoba arbitrare, po duke vendosur rregulla të qartë, të qëndrueshëm e të respektuar nga të dyja palët; për të ecur më shpejt drejt heqjes së referencave dhe shpartallimit të mbretërisë së ryshfetit në dogana e tatime.

Doganierët e Shqipërisë nuk do të jenë më ushtria e partisë. Të reja e të rinj të shkolluar, të edukuar, të dëshiruar për t’i dhënë këtij vendi dinjitetin e ëndrrës europiane aty ku sot ndeshesh jo me kufirin ku fillon Shqipëria, po me traun ku fillon zymtia zhvatëse e mbretërisë së korrupsionit e të injorancës, janë të thirrur të konkurrojnë. Ne do të vigjilojmë që një gjeneratë e re profesionistësh ta marrë në dorë këtë punë që sot e bëjnë torturues profesionistë të biznesit dhe ustallarë të kontrabandës me mbulim politikën. S’ka pikë dyshimi se edhe agjentët tatimorë nuk do të jenë më veglat e korruptuara të një lufte qorre që rrënon dinjitetin, shkatërron nervat dhe hedh në erë planet e biznesit.

Lufta qorre e qeverisë me biznesin ka mbaruar në 23 qershor. Ka mbaruar në 23 qershor edhe pushteti i një klientele që diktoi për vite të tëra se kush qenë të paktët që duhet të ngroheshin në diell, rëndom pa i dhënë hesap askujt, e kush të shumtët që u mbetej për hise rrebeshi i gjobave, ryshfeteve, padrejtësive.

Qeveria dhe biznesi janë dy palë, po ekonomia e Shqipërisë është një dhe ne do t’i japim fund keqtrajtimit të sipërmarrësve, duke filluar nga dhënia fund e marrëzisë së faturave të papaguara apo të TVSH-së së parimbursuar. Efekti zinxhir i moskorrektesës së qeverisë me biznesin në këtë lëmë të detyrimeve të ndërsjella - për të përdorur terma shumë të butë -, ka bllokuar tërësisht zinxhirin e ekonomisë. 

Ideja se ç’është e biznesit është e botës dhe ç’është e shtetit është e qeverisë e pastaj ç’është e qeverisë është e imja nuk ka lidhje me demokracinë e çdo dite, po me reminishencat e ideologjisë së Partisë së Punës. Bashkë me pushtetin që iku ikën edhe ato reminishenca nga koka e këshillit të ministrave, dhe do të hapet menjëherë një kapitull i ri i në marrëdhëniet me biznesin. Biznesi nuk do të jetë kundërshtari ynë dhe kjo qeveri nuk do të bëjë ortakëri me asnjë biznes apo klientelë të re biznesmenësh. Biznesi do të jetë partneri ynë dhe ne do të jemi të hapur e luajalë me të, e do të kërkojmë të njëjtin luajalitet prej tij.

Jemi zotuar se shërbimet nuk do të varen nga xhepi, po nga nevoja - duke filluar nga shëndetësia e arsimi padyshim. Cilido merret me politikë këtyre anëve dhe vazhdon të mendojë se shëndeti është mall që blihet e vazhdon të thotë, kujdesi shëndetësor merret vetëm me para sepse shëndetësia kushton prandaj kush s’ka para nuk duhet të sëmuret, i ka merituar qoftë dhe për kaq të 1 milionë shuplakat e 23 qershorit. Unë i qëndroj plotësisht zotimit që kemi marrë dhe ky mandat do të jetë mandati i një reforme radikale në shëndetësi.

Ne do të themelojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor që do ta blejë shërbimin nga shteti dhe do ta ofrojë atë pastaj pa sigurime shëndetësore e as para në dorë, për të gjithë pa dallim. Shëndetësia falas nuk është një sadaka që bie nga qielli, po një e mirë publike që i ofrohet çdo njeriu në nevojë për kujdes shëndetësor - falë shtetit që nuk e ngre fondin për shëndetësinë me sigurime po në rrugë alternative. Sigurisht që shëndetësia kushton, pyetja është kush paguan. Dhe përgjigjja është jo ata që s’kanë, po e gjithë shoqëria për këdo që ka nevojë.

E rëndësishme është që përtej debatit mes palëve që në këtë rast, i ngjan atij debatit të famshëm të Kostandinopojës për gjininë e engjëjve teksa muret e qytetit po binin përgjithmonë nga lufta, ne t’ia marrim spitalet pushtetit të korrupsionit, pisllëkut e matrapazllëkut dhe t’ua kthejmë njerëzve.

Debatin a bëhet a s’bëhet, unë jam i gatshëm ta vazhdojmë pas katër vjetësh mu tek sheshi i Spitalit “Nënë Tereza”, mbi provat e kësaj reforme radikale jo mbi hamendjet e atyre që thonë bëhet apo atyre që thonë s’bëhet. Dinë të thonë vetëm s’bëhet, s’bëhet ndryshe dhe të bëjnë sehir rrënimin, siç bënë 8 vjet me radhë, ndërkohë që duhet të vizitohen se mos përveç pushtetit, kanë humbur edhe zemrën.

Do të jem gati po ashtu të dal pas katër vjetësh përpara çdo mësuesi e nxënësi, me krenarinë që koha e dhunës psikologjike për t’i kthyer ata në skllevër të partisë në pushtet; koha e kryeministrit që u futet në oborr e në klasë për të sharë opozitën para kalamajve; koha e drejtorëve që mbyllin shkollat për t’i marrë me pahir si bagëti në mitingjet e barinjve të qeverisë, do të ketë mbetur vetëm një ëndërr e keqe që u tret në dritën e 23 qershorit 2013. Ëndërr e keqe do të ketë mbetur edhe moslejimi i përfaqësuesve të opozitës në auditorët e universiteteve për të komunikuar idetë e tyre me çdokënd që ka interes ti dëgjojë.

Por edhe me krenarinë që atë ditë nuk do të kem status të posaçëm vetëm unë, kryeministri, po edhe çdo mësues e mësuese e Shqipërisë. Jemi zotuar që t’i kthejmë shkollës lirinë e një hapësire të dijes, përgjegjësinë e një qendre të komunitetit, solidaritetin mes mësuesve – prindërve – qeverisë. Këtë do të bëjmë përmes zbatimit rigoroz të programit tonë qeverisës. Kemi gati planin e veprimit për të filluar nga projektet pilot të zgjedhjes së mësuesve në bashkëpunim me përfaqësuesit e prindërve.

Kemi gati projektin për të nisur programimin e tabletave elektronike dhe shtrirë vit pas viti në shkolla, teknologjinë e re që do të zëvendësojë librat e dërrasat e zeza.

Kemi gati reformën e domosdoshme të teksteve shkollore dhe të maturës shtetërore për t’i dhënë kuptim konkurrencës dhe meritës përgjatë gjithë viteve, si edhe për të zmbrapsur lumin shpartallues të prurjeve pa kriter e as karar në dyert e universitetit. Besoj që është lajm i mirë për opozitën që në tekstet e historisë për nxënësit nuk do lejohet përfshirja e figurave heroike të kryetarit të kuvendit apo të kryeministrit të Shqipërisë.

Do të fillojmë reformën e madhe të edukimit përmes kulturës dhe sportit, për të gjitha grupmoshat. Nëpër shkolla do të mbyllet çdo lloj diskoje e kafeneje dhe në lokalet rreth shkollave deri në një distancë të përcaktuar, do të ndalohet alkooli. Por nga ana tjetër fëmijëve e të rinjve do t’u japim alternativën e edukimit sportiv e kulturor. Klasat sportive do të fillojnë të organizohen në çdo shkollë dhe atelietë e kulturës për kalamajtë e të rinjtë do të ngrihen si fillim, në çdo institucion ekzistues kulturor.

Jemi zotëruar të akreditojmë universitetet dhe të ndryshojmë rrënjësisht rrugën e arsimit të lartë, duke i hapur rrugë lirisë së konkurrencës dhe krijuar kushte për vlerësimin e meritës; qoftë mes universiteteve, pa dallim publike apo private; qoftë mes studentëve që duan të hyjnë në universitet, apo që duan diplomë nga universiteti. Do të ndërtojmë një urë dialogu e bashkëpunimi sistematik me rektoratet e dekanatet, por nuk do të pajtohemi në asnjë mënyrë me shpërdorimet e parave, me shitblerjet e provimeve, me logjikën e kastës kudo dhe kurdo ajo të shfaqet, sidomos nëse shfaqet në formën e autonomisë për të bërë dëm. Financimi ynë për arsimin e lartë do të bazohet në rezultate, jo në dogmat e socializmit të vjetër apo të fanatizmit të tregut.

Jemi zotuar t’u japim të rinjve edhe një rrugë tjetër përveç asaj të universitetit; rrugën e arsimit profesional. Reforma për ndërtimin e një sistemi të arsimit profesional, që të jetë tërheqës për të rinjtë dhe i dobishëm për punësimin e tyre, në qytet apo në fshat, do të jetë një reformë shumëplanëshe në bashkëpunim me biznesin dhe me partnerët ndërkombëtarë do të përfshijë një sërë ministrish.

Jemi zotuar për t’a vendosur shtetin në krah të çdo familjeje që jeton me tokën në fshat dhe për të hapur bashkë me bujqit e fermerët e këtij vendi, rrugën e re të zhvillimit modern rural në Shqipëri – duke filluar menjëherë nga puna për të përmbushur zotimin e dhënies së çertifikatës së pronësisë mbi tokën, të gjithëve atyre që u takon me ligj. Çfarë 7501-shi e jep për tokën e bukës prej gati çerek shekulli dhe burrat po bëhen pleq pa e marrë, ndërsa fëmijët po bëhen burra pa e besuar se do ta marrin ndonjëherë, prandaj marrin arratinë për të punuar në dhe të huaj, ne do ta japim në bazë të 7501-shit dhe pikë.

Por kujdes, asnjë keqkuptim: Zbatimi deri në fund i 7501-shit nuk do të jetë zgjatje e kalvarit pafund të pronarëve, po fillimi i rrugës së zgjidhjes përfundimtare të çështjes së pronës. Ne do të nisim menjëherë nga puna për Planin e Përgjithshëm Kombëtar që do të jetë udhërrëfyesi i zhvillimit tërësor, po edhe harta orientuese për rrugët e hapësirat e kompensimit real të pronarëve. Kaosi i njëzet e kusur viteve, mbivendosjet e panumërta të pronës së pretenduar, operacionet e grabitjes së trojeve, e kanë bërë të mundur një zgjidhje optimale për të gjithë.

Mungesa e kurajos për ta parë realitetin në sy nga frika e humbjes së votave në zgjedhjet e ardhshme, mbajtja varur e të gjithëve nga fushata në fushatë me premtime të pambajtshme dhe nga mandati në mandat me masa gjysmake, të cilat vetëm e kanë ngatërruar gjërat ende më shumë zinxhirin e pronës, kanë një kosto për të gjithë. Kjo kosto vetëm rritet nga mosveprimi. Prandaj të gjithë duhet të marrin koston e tyre; duke filluar nga qeveria dhe unë personalisht, që nuk mund të vazhdojmë rrugën e vjetër, tërhiq e mos e këput, edhe juve do t’ju legalizojmë, edhe juve do ju kompensojmë, edhe juve do t’ua plotësojmë, edhe ju të tjerëve do t’ua falim; e duke vazhduar me gjithë aktorët dhe grupet e interesit që lidhen me këtë temë gangrenoze të jetës sociale të tranzicionit.

Por ky është dhe momenti për ta thënë: Përpara çdo vendimi, mes interesit të vendit dhe interesit për t’u rizgjedhur unë do të zgjedh gjithnjë të parin. 

Tek kjo qeveri fshati do të gjejë aleatin e vet besnik. Çdo problem i shqiptarëve që punojnë në fshat, do të jetë problemi ynë i përbashkët me ta. Jemi zotuar të ulim për familjet shqiptare kostot e ushqimeve bazë që prodhon fshati dhe prandaj do ta kthejmë çdo bujk e fermer, çdo njeri që rropatet me tokën në të gjithë hapësirën rurale të Shqipërisë në aleatin tonë besnik dhe të respektuar me përulje. Ulja e kostove të prodhimit do të jetë prioritet. Ne do t’i kushtojmë fshatit gjatë këtij mandati energjitë që qeveritë e Shqipërisë nuk i kanë kushtuar në 20 vjet të marra së bashku.

Shumëkush përpara se sa të vija këtu për të mbajtur këtë fjalë, fjalën më të rëndësishme të jetës sime politike, më sugjeroi dashamirësisht të shkruaja një fjalim për të ulur pritshmëritë. Shqipëria është në një krizë të gjithanshme, s’ka para, s’ka kredibilitet, s’ka këtë e s’ka atë, prandaj mos ua ushqe njerëzve pritshmërinë super të lartë që kanë ndaj qeverisë së re! Por unë jam shumë i kënaqur me pritshmërinë e lartë ndaj qeverisë. Kemi një skuadër të re, ambicioze, me njerëz të talentuar dhe të përkushtuar, më harmonike se asnjëherë më parë mes burrave dhe grave, produkt i leximit në respekt të votës së 23 qershorit. 

Nuk dua të ul pritshmërinë e askujt. Jo se nuk e di në çfarë vështirësish është Shqipëria, arka e saj, edhe pse ka më tepër se një dyshim të arsyeshëm që gjendja e vërtetë e ekonomisë, është ende shumë më e rëndë nga çfarë shohim. Prandaj do të thërrasim menjëherë në ndihmë një forcë audituese ndërkombëtare, me pavarësi e reputacion botërisht të padiskutueshëm, për të audituar imtësisht xhepat e shtetit. Prandaj do të nisim urgjent procesin për të binjakëzuar INSTAT-in me institucionin qendror të statistikave të një shtet anëtar të Bashkimit Europian, këdo që do të gjejmë të gatshëm, në mënyrë që shifrat e rritjes ekonomike, papunësisë, analfabetizmit, varfërisë dhe popullsisë, të mos i gatuajë zyra e kryeministrit po t’i nxjerrë një INSTAT i pavarur politikisht dhe i aftë profesionalisht.

Prandaj kemi mirëpritur misionin e përbashkët të FMN e të Bankës Botërore, të kërkuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, me mirëkuptimin tonë më të plotë dhe prandaj po presim me padurim të shohim rezultatet e të këqyrim sugjerimet e këtij misioni. Prandaj edhe po përgatitemi për të biseduar nga afër me FMN, jo domosdoshmërish për të rinisur një program të ri me të, po për të kuptuar deri në fund se sa më e thellë nga ç’duket është kriza dhe si t’i përgjigjemi kërcënimit të shpërthimit të saj. 

Prandaj në fund të fundit u kemi kërkuar shqiptarëve të bëjnë një zgjedhje të qartë, për të ecur më shpejt drejt një Rilindje Shqiptare, apo për t’u rrokullisur në të tatëpjetën e Rrënimit të Mëtejshëm dhe, nëse rrënim s’do të ishte, nuk do të ishim sot këtu me pushtetin e një shumice të ngjashme me atë të vitit 1992. Por prapëseprapë unë dua jo që njerëzit të ulin pritshmërinë tani që zgjedhjet mbaruan, po që ne të jemi në lartësinë e pritshmërisë së tyre në çdo komunikim dhe në çdo hap që do të hedhim, bashkë me ta, drejt Shqipërisë Europiane.

Ne do të kalojmë nga integrimi europian i Shqipërisë si lajtmotiv propagandistik tek europianizimi i shtetit shqiptar si amanet e mision historik - përmes një reforme demokratizuese, modernizuese, njehsuese me Europën si sistem vlerash dhe institucionesh. Unë e çmoj sinqerisht shprehjen publike të vullnetit të opozitës për të mbështetur pa kushte reformat që lidhen me integrimin europian. Shpresoj të mos jetë propagandë, edhe kjo do të jetë gjithsesi e drejta e saj dhe uroj që opozita të kontribuojë aktivisht në procesin legjislativ.

Por ndryshimi i pozicionit nga kryetar i opozitës në kryeministër, nuk ka ndryshuar dhe as ka për ta ndryshuar pikëpamjen time se procesi i integrimit europian, është shumë më tepër se sa vandakët e letrave ku shtypen ligjet e këtij Kuvendi. S’ka asnjë dyshim se nga kjo sallë merr udhë çdo ndryshim strukturor dhe me patjetër ndikohet përmes ligjeve edhe ndryshimi shumëplanësh drejt Shqipërisë si gjithë Europa. 

Por udha nga kjo sallë deri në Europë, nuk përshkohet me postë duke çuar letrat e ligjeve në Bruksel, po duke ndërtuar këtu demokracinë e çdo dite. Integrimi europian s’është rrugë jashtë shtetit, sepse Europa e Bashkuar s’është destinacion jashtë vendit po vend brenda vetes - një vend që duhet të zërë përditë e më shumë vend në sjelljen, qasjen, vendimet e veprimet tona si qeveri, parlament, shtet e shoqëri. E po ashtu edhe NATO s’është medalje, për ta mbërthyer në gjoks kur u flasim shqiptarëve për progresin që kemi bërë në këto vite, po përkatësi në botën e demokracisë së çdo dite - ku Shqipëria ka bërë shumë mungesa vitet e fundit edhe pse s’ka munguar në asnjë angazhim ushtarak. Të jesh pjesë e kësaj bote me BE e me NATO, do të thotë të ndash me të tjerët vlera, parime, standarde, ndër të cilat ligjshmëria është padyshim vijë ndarëse.

Shqipëria sot ka shumë më tepër ligje se tetë vjet më parë, mijëra dëgjova, po s’ka më shumë ligjshmëri. Krimi ndaj individit dhe pronës ka marrë përmasa të papara më parë. Vriten e plagosen njerëz aq shpesh tanimë sa kur hapim televizorin një vrasje na duket si film i vjetër, jo si lajm i ri. Ndërsa vjedhjet s’përbëjnë më as lajm, përveçse kur dalin armët dhe vritet apo plagoset për vdekje ndonjë kalimtar, po edhe ky episod hyn tek filmi i jetës së përditshme jo tek lajmi i ditës. 

Armët janë bërë si celularët, janë nëpër makina, klube, shkolla, vetëm se duken më pak pasi nuk mbahen në dorë tërë kohës për të çuar sms. Ndërsa kriminelët e rrugaçët janë shpeshtuar nga të katër anët njësoj ndërtimet pa leje. Dhunohen ngado familjarë të zakonshëm, vajza e djem të edukuar dhe pleq fillikat nëpër fshatra; grabiten shtëpi e pushtohen territore; kurse policia dhe inspektoriatet jo vetëm s’kanë asnjë forcë reaguese, po përkundrazi, bashkëjetojnë qetësisht me kërdinë kriminale si të ishin parazitë brenda në trupin e krimit dhe mbushin xhepat për të mbyllur sytë.

Shqyhen ngado kodra, priten përnatë pyje, zhvaten pa pushim lumenj, po bie Kruja, por tretet Gjirokastra, po rrënohet Berati, si në një makth pambarim. Ky makth do të mbarojë. Ne do ta rikthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës dhe do të hapim një luftë pa asnjë prehje, kundër krimit ndaj individit dhe pronës.

Gjendja e territorit sot është një gjendje e jashtëzakonshme dhe ne do ta adresojmë urgjentisht si të tillë, me një paketë emergjence kombëtare që të marrë aprovimin e këtij parlamenti. Kush cenon individë e prona, publike ose private, ka cenuar shtetin dhe do të ketë përballë jo më një tufë laramane uniformash qesharake, po Policinë e Shtetit Shqiptar. Ditën dhe natën. Në çdo metër katror të Shqipërisë. Pa pushim as tolerancë. 

Përndryshe do të ishte lamtumirë Shqipëri Europiane! Por që kështu të mos jetë, jemi këtu ne Aleanca për Shqipërinë Europiane. 

Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë.

Ju keni marrë në dispozicion qysh dje një kopje të programit të qeverisë. Si asnjëherë në traditën e këtij kuvendi, pas fjalimit të një kryeministri, që kërkon votëbesimin do të keni edhe dy ditë kohë për pyetje dhe për të përgatitur diskutimet. Unë nuk desha as të lexoj krejt programin voluminoz që keni ndër duar, as të marr me radhë çdo çështje të tij, por vetëm të bëj një paraqitje të përmbledhur të kuptimit politik, konceptit qeverisës dhe të boshtit programatik të mandatit të ri.

S’desha as të mërzis me një fjalim të gjatë publikun që na ndjek me kërshëri. Por megjithatë s’mund të mos rendis më tutje shumë probleme, një sërë pikash të rëndësishme të programit tonë:

Projektin e zhvillimit në infrastrukturë duke nisur nga Rruga e Arbrit si prioritet, e me radhë reformat e projektet transformuese të zhvillimit urban në funksion të rritjes së qëndrueshme të turizmit në bregdet apo të rimëkëmbjes së komuniteteve në zonat urbane;

Projektin e zhvillimit të qëndrueshëm energjetik dhe planet për rimarrjen e kontrollit mbi pasuritë nëntokësore. Këto plane nuk synojnë shtetëzime, po rikthim të shtetit në detyrën e mbrojtjes së interesit kombëtar e publik;

Projektin e inventarizimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore që po zhduket para syve tanë, si edhe planin e reformës së institucioneve të kulturës;

Projektin e çlirimit të Radio Televizionit Shqiptar nga regjimi 20 vjeçar i një propagande politike që vetëm ka ardhur duke u degraduar dhe ka marrë së fundmi përmasën e turpshme të një mediokriteti të pashembullt në gjithë botën në ekranin e vogël;

Projektin e reformimit rrënjësor të skemës së ndihmës ekonomike në funksion të integrimit social përmes punës;

Dhe me radhë, statusin e veçantë të disa kategorive sociale të parashikuara në program: planin e dëmshpërblimit për të përndjekurit, të rivendosjes në vend të dinjitetit të veteranit e ushtarakut, rikthimin e të drejtave ligjore të personave me aftësi të kufizuar.

Një model i ri ekonomik që të nxisë prodhimin e punësimin, pas shterimit të modelit të rritjes pa punësim dhe me pasoja të rënda për qëndrueshmërinë mjedisore të vendit, si edhe një epokë e re bashkëpunimi me Kosovën për të zgjeruar hapësirën e rritjes ekonomike e të mirëqenies së shqiptarëve në territoret e tyre, janë për ne objektiva strategjikë të zhvillimit të Shqipërisë.

*** 

Duke e mbyllur këtë fjalë me përuljen më të thellë për 1 milionë zgjedhësit që më bënë privilegjin e jashtëzakonshëm të një jete, duke më ngjitur në këtë foltore sot, por edhe me respektin e pakushtëzuar për të gjithë ata që nuk na votuan këtë herë, dua të nënvizoj fort se ndryshimi nuk do të vijë as brenda një nate , as brenda një viti, por puna për Rilindjen e projektuar në këtë program nuk do të reshtë asnjë minutë dhe Rilindje do të jetë!


Edi Rama


(Fjalimi i Tij në Kuvendin e Shqipërisë) 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00