Barroso: Shqipëria së shpejti në BE
Presidenti i Komisionit Europian Manuel Barroso zhvilloi një takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Bruksel ku kanë diskutuar mbi detyrat e mëtejshme që e presin Shqipërinë në rrugën drejt integrimit europian.
Presidenti i Komisionit Europian Manuel Barroso zhvilloi një takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Bruksel ku kanë diskutuar mbi detyrat e mëtejshme që e presin Shqipërinë në rrugën drejt integrimit europian. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, Barroso shprehu disa vlerësime për punën e bërë deri tani nga ana shqiptare, ndërsa theksoi se Komisioni Europian pret nga politika shqiptare bashkëpunim, dialog, konsensus. Barroso vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit në Shqipëri, ndërsa drejtoi apelet për Shqipërinë.
“Në përgjithësi Shqipëria mund të marrë statusin në muajin dhjetor. E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Shqipëria është e përkushtuar për të përmbushur statusin e vendit kandidat. Me kryeministrin Rama diskutuam të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, theksoi Barroso.
“Zgjedhjet shkuan vërtet mirë, shkuan në mënyrën më të mirë të mundshme. Eshtë shumë e nevojshme përkushtimi i shqiptarëve gjithashtu dhe dialogu është shumë i rëndësishëm për suksesin e Shqipërisë, është e nevojshme një bashkëpunim i përbashkët, përkushtimi në disa çështje kryesore: Bashkëpunimi mes opozitës dhe mazhorancës. Por ka dhe një cështje që kërkon një vëmendje të veçantë, nuk ka kohë për të humbur reformat duhet të vazhdojnë, dhe rezultatet e tyre të ndihen tek qytetarët shqiptarë”..
Po kështu, Barroso theksoi se kriter për integrimin në BE është dhe përmirësimi i ekonomisë, dhe se ‘Komisioni evropian mendon se kjo është një çështje e rëndësishme e historike e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE-së”.
Kryeministri i vendit Edi Rama, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve shqiptarë në lidhje me mundësinë e përmbushjes së 12 kritereve, të cilat do ti hapnin dritën jeshile Shqipërisë drejt BE-së, vlerësoi se statusi kandidat është i mundur dhe qeveria do të bëjë më të mirën edhe me mbështetjen e KE-së, por dhe suportin e opozitës shqiptare.
“Procesi i integrimit nuk po fillon tani, por ka një kohë të gjatë që ka filluar, ne duhet të bëjmë punën tonë dhe objektivat tona janë të arritshme, dhe kemi besim se do arrijmë objektivat tona. Ne besojmë se duhet të punojmë fort për të arritur qëllimin tonë. Do të negociojmë dhe jemi të bindur se vendi jonë do të arrijë një nivel të ri. Ne do të bëjmë më të mirën me mbështetjen e KE-së, por dhe suportin e opozitës dhe Shqipërisë dhe shpresojmë të dëgjojmë lajmet të mira”, u shpreh Rama.
Shefi i qeverisë theksoi se vota e 23 Qershorit ishte votë për ndryshim, si dhe mundësi më e madhe për tu bërë pjesë BE-së.
“Populli shqiptar votoi dhe vendosën për të qenë pjesë e BE-së. Shqiptarët nuk votuan për të ndryshuar një kryeministër me një tjetër, por votuan për të ndryshuar Shqipërinë”, tha Rama.
Comments (0 posted)
Post your comment