Home | Politics | KE: Shqipërisë t’i jepet statusi kandidat

KE: Shqipërisë t’i jepet statusi kandidat

image
Komisioni Europian ka  publikuar sot progres-raportin për Shqipërinë dhe vendet që janë në proces pranimi për të marrë statusin e vendit kandidat.

 

 

 

 

 

 

Komisioni Europian rekomandon që “Shqipëria të marrë Statusin e vendit kandidat duke rënë dakord që ajo të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”: ky është formulimi i paraqitur sot vendeve anëtare të Bashkimit europian, i siguruar nga Zëri i Amerikës. Ndërkohë hapja e bisedimeve kushtëzohet me përmbushjen e detyrimeve veçanërisht për reformën në administratë, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore.

 

Në ndryshim nga viti i kaluar kur rekomandimi për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë kushtëzohej me përmbushjen e tre reformave, atë të parlamentit, ligjin për Gjykatën e Lartë dhe atë për Shërbimin Civil, këtë herë Komisioni Europian në dokumentin e tij për Shqipërinë, i propozon vendeve anëtare që asaj “t’i jepet statusi kandidat me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë të ndërmarrë reforma në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

 

Rekomandimi vjen pasi Komisioni vlerëson se “Shqipëria ka bërë përparim të mirë në rrugën e saj të integrimit europian, veçanërisht duke miratuar masa të cila janë identifikuar si thelbësore që vendi të përfitojë statusin kandidat si dhe duke ndërmarrë reformat në fushat e përcaktuara si prioritete kyçe në opinionin e Komisionit të vitit 2010. Shqipëria – vazhdon më tej vlerësimi i Komisionit – ka marrë hapat e para drejt përmirësimit të efikasitetit të hetimeve dhe ndjekjes së rasteve kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Zgjedhjet e 23 qershorit vlerësohen gjithashtu se “u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt”.

 

Vendimi përfundimtar pritet të merret në dhjetor, gjatë Këshillit të ministrave të vendeve anëtare, mes të cilëve megjithatë nuk mungojnë skeptikët. Por sipas disa diplomatëve perëndimorë, vështirë se Këshilli mund të rrëzojë një rekomandim pozitiv. Do të jetë po ky Këshill që do të duhet të vendosë për hapin tjetër kryesor në marrëdhëniet mes Brukselit dhe Tiranës, atij që lidhet me datën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Sipas Komisionit Europian “që të mund të shkojë drejt nivelit tjetër dhe të hapen bisedimet për anëtarësim Shqipëria duhet të përmbushë të tjera përparësi kyçe, me një fokus të veçantë  në reformat për administratën, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore”, vlerëson Komisioni i cili thekson se “dialogu politik konstruktiv dhe i qëndrueshëm do të mbetet thelbësor për një proces të suksesshëm reformash”.

 

Në kapitullin për kriteret politike, një ndër më të rëndësishmit në vlerësimin e përparimit të një vendi, Raporti i Komisionit Europian vlerëson se “Shqipëria ka bërë hapa të tjerë përpara në përmbushjen” e tyre, duke përmendur një sërë ligjesh të miratuara me konsensusin e palëve, e duke vënë në dukej veçanërisht miratimin nga parlamenti të tre ligjeve që ishin vënë si kusht vitin e kaluar. Me tone pozitive flitet edhe për “hapat e rëndësishëm për reformën e sistemit gjyqësor, për përmirësimin e luftës kundër korrupsionit, rritjen e goditjes ndaj trafikut të lëndëve narkotike, ndryshimet në Kodin penal lidhur me trafikun e qenieve njerëzore si dhe masat antidiskrimin”. Ndërkohë që si gjithnjë vlerësohet si “thelbësor, angazhimi konstruktiv i Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal”.

 

Por Raporti identifikon më pas fushat ku nevojiten përpjekje të mëtejshme për përmbushjen e plotë të kritereve politik. “Për sa i përket demokracisë dhe Shtetit të së drejtës, është thelbësore që të ndërtohet mbi përparimet e bëra dhe të sigurohet dialogu politik e që përpjekjet e përbashkëta për reforma të jenë të qëndrueshme”, vlerëson komisioni duke shtuar se “janë të nevojshme masa konkrete për të forcuar përgjegjshmërinë, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor”. Brukseli nënvizon se “rezultatet konkrete në hetimin ndjekjen dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit në të gjitha nivelet duhet të përforcohen, duke ndërtuar mbi rezultatet e para të arritura”, ndërsa kërkohet të “përmirësohet më tej lufta kundër krimit të organizuar”. Po ashtu përmirësime kërkohen për çështjen e pronave, administratës publike apo dhe të drejtave të njeriut.

 

Fyle prezanton raport-progresin per Shqiperine ne Komisionin e Jashtem te KE

 

Sipas Komisionierit Stefan Fyle, në mënyrë që Shqipëria të hedhë hapin e radhës, çeljen e bisedimeve për anëtarësim, vendi duhet të përmbushë plotësisht pesë kushtet e mbetura që nga opinioni i vitit 2010.

 

“Shqipëria duhet të: 1). Të vijojë zbatimin e reformës për administratën publike; 2) të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e institucioneve gjyqësore; 3) të bëjë përpjekje më të vendosura në luftën kundër korrupsionit; 4) të bëjë më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar; 5) të ndërmarrë masa efikase për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë politikat ndaj romëve dhe ato anti-diskriminuese, si dhe të zbatojë të drejtën e pronës”, – tha Fyle.

 

Fyle: 5 kriteret që duhet të plotësojë qeveria shqiptare

 

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle në një konferencë për shtyp pas shpalosjes së raport-progresit për vendet që aspirojnë BE në komisionin e jashtëm të KE, ripërsëriti faktin se KE i ka dhënë rekomandimin Shqipërisë statusin e vendit kandidat.

 

Fule kërkoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur 5 kriteret e kërkuara nga Brukseli për të ecur drejt hapjes së negociatave për anëtarësim, ndërsa u shpreh se kishte marrë në Bruksel edhe sigurinë nga Rama, për kuptimin e sfidave që kanë autoritetet shqiptare. Fyle kujtoi ofertën e bërë për autoritetet shqiptare që të fillojnë një dialog sa i takon integrimit.

 

Ai u shpreh se Komisioni Europian është i gatshëm ta ndihmojë Shqipërinë në përmbushjen e këtyre kritereve.

 

“Është një mënyrë kjo për t’i ofruar Shqipërisë një instrument nxitës për të adresuar pesë prioritetet kyçe dhe shpresoj që kjo eksperiencë do të përdoret për një platformë për zgjidhjen e tyre”, tha Fyle.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0