Home | Politics | BE, armët kimike dhe statusi

BE, armët kimike dhe statusi

image
Hollanda, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Danimarka ndryshuan qëndrim brenda natës pas “po” në PE dhe Komisionin e Jashtëm. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Bllokimi i statusit të Shqipërisë për të katërtën herë radhazi, është pasuar me një sërë pikëpyetjesh, dilemash, dyshimesh dhe hamendësimesh. Ndërsa arsyetimi zyrtar i Brukselit se, dyert e integrimit i mbylli korrupsioni dhe krimi, sa vjen e merr trajtën e një alibie tallëse, një tjetër variant po qarkullon në mjegullën e thashethemnajës politike. Nëse lëkundja e Hollandës ishte deri diku e paralajmëruar, rreshtimi papritur i katër shteteve të tjera kundër Shqipërisë ka lënë me gojëhapur jo vetëm faktorin shqiptar, por edhe vetë kancelaritë evropiane. Hollanda, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Danimarka ndryshuan qëndrim brenda natës pas “po” në PE dhe Komisionin e Jashtëm. Shqipëria u gdhi nga plotësuese e kërkesave në “delen e zezë” të Ballkanit. Dora amerikane u kujdes që të mbyllte portën e BE nëpërmjet satelitëve të saj. Duke përjashtuar Hollandën dhe linjën e saj të albanofobisë, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Danimarka kanë artikuluar deri në momentet e fundit, mbështetjen pa rezerva ndaj statusit të Shqipërisë. Po ashtu, Parlamenti Evropian votoi në mënyrë unanime pro statusit të Shqipërisë. Edhe në Komisionin e Jashtëm statusi u votua në mënyrë unanime, duke përfshirë edhe pesë shtetet në fjalë. Por, befas gjithçka u përmbys në momentet e fundit, duke gremisur shpresat e Shqipërisë të ushqyera për një vit me radhë.

 

 Pesë vendet bllokuese, deri ditët e fundit, kanë shprehur habinë për progresin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë, ndërsa pak orë para vendimit të Ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, ato shprehën lemerinë për krimin dhe korrupsionin e ngritur në sistem në Shqipëri. Ndërkaq, ka një paradoks cinik, madje edhe poshtërues, në arsyetimin zyrtar të Bashkimit Evropian për të bllokuar për herë të katërt statusin e Shqipërisë, si vend kandidat potencial për t’u anëtarësuar në familjen e madhe evropiane. Nëse do të ishte për korrupsion, statusi për Shqipërinë do të ishte utopia dhe ëndrra më e pashpresë. Dihet se Shqipëria nuk do ta marrë kurrë statusin nëse kushtëzohet me nivelin e korrupsionit. Por, lepuri duket se fle diku tjetër. Por, ndërsa varianti i korrupsionit sa vjen e bëhet më i pabesueshëm, Britania e Madhe (aleatja më e madhe në planet e SHBA) kërcënoi dje me rikthimin e vizave për shqiptarëve, kurse Çekia (sateliti i SHBA) paralajmëroi po dje se do të bllokojë statusin e Shqipërisë. Madje, Çekia bëri edhe një deklaratë poshtëruese dhe denigruese, duke pohuar se Shqipëria është një vend i mbushur me trafikantë droge, për arsyen se, qeveria shqiptare nuk e la më piramidën CEZ të shkretonte xhepat e shqiptarëve me faturat kriminale të energjisë.

 

Ndërkaq, edhe Gjermania, ka ashpërsuar gjuhën me Shqipërinë, duke paralajmëruar rrëzimin e statusit edhe pas gjashtë muajsh. Në të njëjtën kohë, kryeministri i Britanisë, David Cameron, kërcënon me rikthimin e vizave. Siç duket, pas korrupsionit, fshihet një dorë që ka ndryshuar kursin e Shqipërisë. Dhe kjo dorë, që lëviz si gurë shahu vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, nuk fshihet në Bruksel, por duket se fshihet në Uashington. Gjithçka duket se sillet rreth armëve kimike. Fijet e padukshme të përmbysjes së statusit, duket se lidhen me armët kimike, të cilat vunë një perde akulli mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit kanë deklaruar publikisht se aleati i madh i shqiptarëve është zhgënjyer, pasi qeveria e re i theu zemrën, duke i thënë “jo” demontimit të helmit të Asadit në Shqipëri. Natyrshëm në mediat e shqiptarëve vërviten një shumësi pyetjesh dhe dyshimesh. 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0